Monday, December 4, 2017

Pastrimi i parave nga oligarkët - debati i munguar


Për fat të keq, në debatin politik, por edhe në atë mediatik, përgjigjja provokuese e Ramës në Parlament ndaj akuzave të Bashës, se ai po pastronte paratë e drogës me ndërtimet, duke i përmendur emrat e biznesmenëve Mane, Kastrati, Ulaj, Geci, të cilët, sipas Ramës ishin të gjithë mbështetës të PD, kaloi ashtu siç dëshironin këta zotërinj. Sikur të ishte një zjarr që djeg e përvëlon, thuajse të gjithë iu larguan kësaj teme duke hedhur thjesht valle llafesh rrotull asaj se kush fitoi dhe kush humbi në atë ballafaqim. Në fakt, ai qe një moment kyç për opozitën që të vinte gishtin në sistemin e së keqes që kemi ndërtuar (përtej këtyre katër emrave), prej të cilit burojnë edhe të këqijat më të mëdha që na kanë pllakosur: narko-ekonomia dhe narko-politika, për të cilat opozita po flet aq shumë.
Le ta marrim me radhë. Cilët qenë mesazhet e nënkuptuar të Ramës dhe kujt iu drejtuan ata? Së pari, ai i rikujtoi opinionit publik,-si atyre që e kuptojnë shkakun e së keqes edhe atyre që nuk e kuptojnë,-se këta të PD-së, që po na hiqen tani si shenjtë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, kur kanë qenë në pushtet, kanë pasur të njëjtat relacione si ai me oligarkët, prandaj s’ka pse t’u besoni. Si provë e kësaj, qe heshtja e Bashës ndaj këtyre emrave duke provuar edhe një herë atë që e dinë të gjithë se, këta persona kanë bërë të njëjtën gjë edhe me Berishën e Bashën ose që Basha dhe Berisha kanë bërë të njëjtën gjë me këta persona, prandaj dhe s’mund t’ua zënë emrat me gojë. Së dyti, ai u foli këtyre biznesmenëve e nëpërmjet tyre të tjerëve, duke u thënë se tani duhet të ndihen rehat dhe të sigurt nën ombrellën e tij, se s’ka ç’ju duhet më kjo opozitë. Së treti, ai u foli të vetëve duke u thënë: a e patë se si ua mbylla gojën. Ja pse jam unë lideri, pa të cilin nuk bëni dot. Mesazhi përmbledhës për të gjithë ishte se, sistemi i ka shtyllat në këmbë dhe të forta.
PD reagoi pas disa ditësh duke rreshtuar një numër biznesmenësh që, sipas saj, kanë qenë gjithmonë vetëm mbështetës të Ramës, e cila kaloi pa asnjë jehonë. Rama nuk denjoi as të përgjigjej, por besoj se, sikur ta bënte, do t’u thoshte se këta janë biznesmenë të nderuar që kanë bërë biznes të suksesshëm edhe kur keni qenë ju në pushtet, se përndryshe do të kishin falimentuar. 
Edhe LSI reagoi vetëm nëpërmjet një postimi të Petrit Vasilit, përsëri në stilin e hedhjes valle rreth zjarrit, pa guxuar as t’i përmendë emrat në fjalë, por duke folur në përgjithësi për biznesmenë të ndershëm dhe biznesmenë të pandershëm. Qenë të shumtë komentuesit, që thanë se Rama doli fitues me Bashën dhe LSI në atë ballafaqim, disa duke i bërë qejfin për pushtetin e madh që ka në duar, dhe të tjerë duke përqeshur dobësinë e opozitës. Por problemi është se ballafaqimi i Ramës me temën e pastrimit të parave të pista nga sistemi nuk duhet të ishte vetëm ai me Bashën apo me LSI, siç u reduktua nga mediat. Ballafaqimi kryesor, të cilit Rama i bishtnoi, është ai me të vërtetën. Dhe drama e atij Parlamenti është se atje nuk ka asnjë që t’i përplasë në fytyrë të vërtetën të gjitha palëve, por në radhë të parë Edi Ramës.
Po çfarë meritonte Rama të dëgjonte pas atij provokimi? Atij duhet t’i kujtohej se është e vërtetë që PD i ka favorizuar këta zotërinj në kurriz të parave e pasurive publike, por pse bën sikur e ka harruar se në kohën më të gjatë që PD ishte në pushtet, ky ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe këtyre nuk u kanë munguar asnjëherë favore të zotërisë së tij. Nuk po zgjatem këtu me fakte që e vërtetojnë këtë e që i dinë shumë më mirë se unë ata të PD-së dhe LSI-së.
Në fakt, ajo që duhej diskutuar me transparencë, pas atij provokimi të Ramës, është se nuk shtrohet pyetja nëse Mane, Ulaj, Kastrati, Geci & Co, janë me PS apo me PD, siç e kanalizuan debatin Rama e Basha, por se pse PS edhe PD & Co janë gjithmonë me Mane, Ulaj, Kastrati, Geci & Co. Çështja e çështjeve, pra, sot është se kjo kategori i ka shndërruar partitë, mediat, drejtësinë në veglat e tyre, se nëse këtyre u jepet nga Kryeministri statusi i investitorit strategjik, kjo është shenjë e sigurt se do të vazhdojë strategjia e sistemit të grabitjes të shqiptarëve, duke rrënuar pasuritë natyrore dhe të ardhmen e fëmijëve në këtë vend.
Le të vijmë tani tek akuza e Bashës, që Rama po pastron paratë e krimit me oligarkët, ku nënkuptohen edhe të përmendurit e papërmendur, sepse janë pikërisht këta, të cilëve u janë dhënë leje për të ndërtuar kulla. Puna është se këta vjetët e fundit krimi në këtë sistem ka ardhur duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë duke u infiltruar sa në ekonomi, sa në media dhe sa në politikë, duke zhdukur dallimin midis oligarkëve që nuk merren me krimin dhe kriminelëve të bërë oligarkë. Puna është se direkt dhe indirekt Rama, duke pasur etje për pushtet dhe para në përmasa që po kalojnë përfytyrimin e më optimistëve ndaj tij, ka krijuar prej kohësh, që kur ishte kryetar bashkie, mundësitë formale dhe jo formale që oligarkia të ushqehen me parat e krimit nëpërmjet ndërtimeve. Personalisht, nuk jam në dijeni të të gjithë bizneseve të personave të përmendur nga Rama dhe të të tjerëve, e kjo jo rastësisht, por sepse është një çështje që duhet ta dinë vetëm ata të sistemit. As nuk kam prova që të them se marrin para direkt nga trafikantë. Por me aq sa di (shumë më pak se opozita, sigurisht), bizneset më të njohura të tyre nuk i përkasin një ekonomie prodhuese – në kuptimin që të prodhojnë para, siç mund të prodhojnë p.sh. investimet në bujqësi, industritë e prodhimit etj., - por janë biznese që thithin para të prodhuara nga të tjera burime. Karburantet e Kastratit nuk prodhojnë para p.sh., por thithin paratë e atyre që kanë nevojë të ngasin makinat e që duhet t’i sigurojnë këto para diku tjetër. E njëjta mund të thuhet për qendrat tregtare, vilat dhe pallatet e Zamir Manes apo dhe të Ulajt, ashtu sikurse dhe për rrugët që ka ndërtuar Geci me para publike. E njëjta gjë mund të thuhet për kullat që këta duhet të ngrenë. Pyetja që ngrihet normalisht edhe për ta është: Nga dalin paratë atëherë? Me çfarë logjike ekonomike do të ngrihen këto kulla, kur ne i kemi bosh apo të pambaruara edhe ato që kanë vite që gërryejnë qiellin e Tiranës e u marrin diellin ndërtesave bri tyre? Dhe po t’i referohesh përvojës botërore se këto lloj biznesesh janë pikërisht bizneset ku ka investuar krimi i organizuar edhe gjetkë nuk jemi larg së vërtetës intuitive, që Basha e tha pa prova dhe Rama e kundërshtoi me këta emra, e që nuk mund ta provojmë, pasi provat i ka në dorë shteti, që duhet të na mbrojë nga krimi.
Ja ky debat i duhej hapur Ramës në Parlament nga partitë opozitare, madje i dokumentuar me shifra dhe fakte të shumta, sepse kemi të bëjmë me parti që duhet të kenë pranë tyre specialistë dhe ekspertë të shumtë si dhe informacion, pasi kanë qenë në pushtet.
Kurse kur dëgjon opozitën të ankohet për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të saj, pa u marrë me sistemin e ekonomisë kriminale që i pastron këto para, nuk mund të mos rikujtosh precedentët që ka ajo me këtë sistem, e të mos mendosh se këta e kanë më shumë hallin te lakmia për t’i pastruar vetë ato para me të njëjtin sistem.

Si përfundim, Po nuk e theu rrethin vicioz të mosbesimit që i vjen nga lidhjet e shkuara me oligarkët, e që ia vuri në dukje Edi Rama duke i provokuar atë ditë në Parlament, opozita vështirë se mund t’ia dalë në luftën kundër krimit të organizuar, edhe sikur ta ketë këtë sinqerisht. Sepse krimi i organizuar nuk do të kishte arritur deri këtu pa këtë sistem dhe zor se mund të luftohet, pa u pastruar nga rrënjët ky sistem. (Panorama, 28 nentor 2017)

Read More......

Wednesday, November 22, 2017

Rreziqet e kalimit nga regjimi mediatik tek narkoregjimi

Gazetat dhe portalet tona ndahen kryesisht në tre seksione të mëdha lajmesh. Njëri është seksioni i politikës: çfarë bëri Rama, çfarë tha Basha, çfarë denoncoi Berisha si po sillet Ilir Meta, korrupsioni i radhës, skandali i radhës, ambasadori i radhës, etj.; tjetri është ai i kronikës së krimit dhe asaj të zezë: drogë, drogë, drogë e kapur, thuajse një vrasjeje në ditë, në familje, me tritol me kallashnikov me pistoleta, me makina, në këmbë, në shtëpi etj.; e treta janë kronikat rozë dhe ndjelljet seksuale të mbushura me bythë, cica, zogun, mënyrat e bërjes seks etj.
I trajtojmë sikur u përkasin tre botëve të ndara, por nuk është kështu. Në fakt këta tre seksione janë tre faqe të një realiteti të vetëm. Për të bërë lidhjen (do ndalem tek ajo midis kronikës së krimit të zi dhe të zezës politikë) po i referohem kohës së regjimit komunist. Ata që e kanë jetuar e dinë se në mediat e asaj kohe nuk figuronte kronika e krimit dhe ajo e zezë. Nuk flitej për vrasje, as për vjedhje, as për përdhunime apo prostituime. Mos vallë sepse nuk kishte? Jo, por sepse pretendohej se nuk kishte, sepse kronika e zezë e krimit ishte një nga pasqyrat e gjendjes reale sociale, ekonomike, kulturore të shoqërisë dhe diktatorëve nuk u pëlqente kjo, por pasqyrimi i realitetit të mrekullueshëm që ata, medemek, kishin ndërtuar.
Tani ne “fatmirësisht” e kemi kronikën e krimit. Çfarë çudirash nuk sheh, dëgjon e lexon përditë. Së fundmi më ka mbetur në mendje një lajm sipas të cilit bandat e shqiptarëve janë ato më të frikshmet në Britani, pasi nuk e kanë problem (moral) të rrëmbejnë e masakrojnë një pensionist të moshuar për vetëm 200 paund si dhe lajmi sipas të cilit  Habilajt nuk janë banda më e fortë në Vlorë, por se ka disa të tjera që janë shumë më të forta.
Një pyetje ngrihet: si ka mundësi që politikanët tanë, kur janë në pushtet, nuk i shqetëson fare ajo që i shqetësonte diktatorët dje: se kronika e zezë e krimit ishte tregues i faktit se ata nuk kanë ndërtuar më të mirën e botëve? Si ka mundësi që nuk mendojnë për asnjë çast se autorët e vrasjeve, përdhunimeve, trafikimeve, hedhjeve në erë, plaçkitjeve me maska, pa maska, nuk janë marsianë, as personazhe filmash të Hollivudit, por shqiptarë që janë rritur dhe edukuar në Shqipërinë e qeverisur prej tyre?
Sikur të ishte e vërtetë se Rilindja me në krye Kryeministrin po përpiqet vërtet të na rilindë, tek ky aspekt do të duhej të përqendrohej fort. Sepse rilindje do të thotë më së pari përpjekje për të na nxjerrë nga balta e krimit. Pra ata s’do t’i zinte gjumi kur të dëgjonin kronikën e zezë të krimit. Pale çfarë do të bënin kur t’u dilte dora vetë, ministri i tyre i brendshëm, si pjesëtar i një bande mafioze. Mirëpo çfarë ndodhi, e zeza Rilindje dhe i ziu kryeministër na dolën me tezën se kemi të bëjmë me krijime të madiave të “kazanit”, të gazetarëve që “shajnë” Shqipërinë sepse kushedi se cili armik i jashtëm i paguan.

***
Duke u nisur nga absurditeti i këtyre akuzave një pjesë gazetarësh kanë hedhur idenë se ato janë bomba tymuese që hedh kryeministri për të shmangur vëmendjen e opinionit nga skandali ku është përfshirë direkt dhe indirekt edhe vetë. Do të isha shumë i qetë po të qe kështu, por për fat të keq, mendoj se duhet të jemi shumë më të shqetësuar për veprimet e Kryeministrit ndaj mediave. Veprimi i tij ndaj mediave, ashtu sikurse edhe vendimi për të mbrojtur Sajmir Tahirin nga arrestimi, megjithë provat flagrante, tregon se Rilindësit, me në krye Ramën, janë të vendosur të ruajnë paprekshmërinë e tyre. Dhe paprekshmëria ruhet duke ruajtur pushtetin. Pyetja që shtrohet është: deri ku mund të shkojnë në këtë tentativë? Të ashtuquajturat bombat tymuese për të tërhequr vëmendjen janë shumë pak në këtë aspekt. Agresiviteti i Edi Ramës ndaj mediave dhe gazetarëve të veçantë jep shenja të qarta se ai po shkon shumë më tej. Ai po tregon se sikur të kishte pushtetin që i jepte diktatorit Hoxha sistemi njëpartiak i komunizmit, do ta kishte ndaluar fare edhe kronikën e zezë të krimit madje do t’i detyronte mediat të pasqyronin vetëm realitetin e tij.
Por fakti që nuk e bën dot këtë nuk do të thotë se jemi të imunizuar nga të këqija dhe rreziqe të tjera.
***
Përpara se të hyj tek rreziqet më duhet të ripërsëris se, ashtu siç është e gabuar ta mendojmë regjimin e djeshëm punë të një njeriu të vetëm, Enver Hoxhës, po ashtu është  gabuar ta shohim regjimin e sotëm punë të një njeriu të vetëm, Edi Ramës.  Kjo do të thotë të shfajësosh shumë fajtorë që direkt dhe indirekt janë të interesuar që të mbahet në këmbë ky regjim. Pa mbështetjen e tyre ai mund të binte që nesër. Prandaj edhe rreziqet duhen parë si rreziqe që na vijnë nga i gjithë ky kontingjent.
***
Sipas gjykimit tim kjo që po ndodh me sulmin e Ramës ndaj mediave - edhe ndaj atyre që deri dje e kanë mbështetur - flet për kalimin në një fazë tjetër të regjimit. Duke përdorur terma tashmë të njohura do të thoja se po asistojmë në kalimin nga regjimi mediatik tek narkoregjimi. Me regjim mediatik kam parasysh se, duke filluar që nga viti 1997 e deri në legjislaturën e fundit Rama, klasa jonë politike, për të sunduar dhe përfituar, ka punuar kryesisht nëpërmjet lidhjes me mediat dhe oligarkët pronarë mediash. Deri disa vite më parë oligarkët pronarë mediash pasuroheshin nëpërmjet ndërtimit duke përdorur mediat, por duke thithur kryesisht paratë e emigrantëve. Me Ramën kryeministër kemi një “hop cilësor”. Paraja e madhe e krimit po merr rolin kryesor në mbajtjen në këmbë të pushtetit. Kështu psh. kullat që projektohet të ndërtohen nuk justifikohen veçse me para të pista. Banka e Shqipërisë tek raporti i politikës monetare (2017) flet për ulje të kërkesave për kredi “si pasojë e përdorimit të burimeve alternative  të financimit jashtë sistemit bankar”. Në këto kushte pronarët e mediave, pjesërisht pasi ky realitet nuk fshihet dot pasi dalin përditë zbuluar nga portalet e shumta dhe pjesërisht pasi bizneset e tyre po varen gjithnjë e më shumë nga paraja e krimit, kanë dalë në plan të dytë si instrumente pushteti. Rama provoi ta mbulojë këtë realitet të ri mediatik duke shumëfishuar mediat dhe portalet e tij. Pastaj krijoi një televizion të vetin. Duke mos mbetur i kënaqur sot po konsumon shumë shpejt një fazë që po prodhon më së shumti efekt negativ: delegjitimimi dhe denigrimi i gazetarëve që flasin për këtë realitet. Por a mund të ndalë këtu? Shenjat janë dukshëm që jo. E këtu vijmë tek rreziqet e ardhshme që, po nuk i ndalëm me kohë, mund të prodhojnë një realitet shumë më dramatik. Le të mos harrojmë se prapa Ramës tashmë nuk janë vetëm oligarkët dhe gazetarët vrasës moralë të paguar prej tyre, por edhe narkotrafikantët dhe ushtarët e tyre, vrasës fizikë. Narkoregjimi është faza e pastrimit të parave të krimit nëpërmjet çimentimit të lidhjeve  të politikës me oligarkët me kriminelët ku këta të dytët bëhen gjithnjë e më vendimtarë. Prandaj denoncimi dhe sulmi ndaj krimit si dhe investigimi ndaj tij sot përjetohet nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij si sulm ndaj shtyllës kryesore të regjimit. Ja pse në këtë moment vijmë në nevojën e diktatorëve të djeshëm për ta zhdukur fare nga faqet e mediave kronikën e zezë të krimit. Mirëpo kjo nuk arrihet dot në gjeopolitik ku jetojmë. Atëherë rreziku është që shumë shpejt të kalojmë në faza që i ka kaluar vende ku ka sunduar mafia siç është psh. Siçilia e viteve 80 kur Andreoti kryeministër thoshte se në Siçili nuk ekziston mafia dhe vriteshin gazetarë dhe prokurorë.
Duke perifrazuar një thënie famëkeqe të komunistëve për pushtetin do të thoja e Edi Rama & Co po japin përditë sinjalin se me krim e kanë marrë dhe me krim do ta ruajnë pushtetin.  Ndalimi i këtyre rreziqeve kërkon veprim sa nuk është vonë për shkatërrimin e narkoregjimit me kurajo, bashkim dhe largpamësi. (Panorama, 16 nëntor 2017)

Read More......

Në kujtim të Kasëm Trebeshinës




Kasëm Trebeshina i përket asaj kategorie intelektualësh - të pakët fatkeqësisht në botën shqiptare, - që, kur kuptoi natyrën e regjimit për të cilin kishte luftuar, u tërhoq dhe iu kundërvu atij. I kishte të gjitha mundësitë të bënte atë që bëri shumica: të konformohej duke u vënë në shërbim të atij regjimi. Por një cilësi e karakterit dhe pasioni për letërsinë e vërtetë nuk e la ta bënte këtë zgjedhje. Ndoqi zërin e ndërgjegjes së tij, vazhdoi të shikojë yjet edhe pse i detyruar të jetojë në batak, me pasojat që dihen: burgun e gjatë dhe izolimin nga shoqëria.
Si i tillë, pas viteve ’90, ai do të duhej të kishte qenë ndër njerëzit e respektuar më së shumti, sepse, siç e thashë, këta janë të rrallë - dhe për të tillë njerëz ka aq shumë nevojë çdo shoqëri, por më së shumti shoqëria shqiptare. Por kjo nuk ndodhi pasi kultura jonë mbizotëruese solli edhe një herë në pushtet ata njerëz që nuk kishin bërë zgjedhjen e Kasëmit në kohën e diktaturës, por zgjedhjen e vënies në shërbim për përfitime dhe karrierë. Figura e tij shqetësonte shumë ndërgjegje të asaj elite; ishte një pasqyrë që konvenonte më mirë të thyhej. Ja pse Kasëmi u izolua dhe u vetizolua, edhe njëherë, duke vazhduar të ndjekë zërin e ndërgjegjes së tij e të shikojë yjet larg nga bataku. Mund të kritikohet se përse nuk luftoi? Ndoshta. Por edhe me tërheqjen e tij nga shëmtimi i ri që po ndërtojmë flet shumë për ata që duan të shikojnë e të dëgjojnë.
Kujtimi i tij duhet të ruhet si model, nëse duam të sfidojmë atë kulturë mbizotëruese tek ne, që na bën të respektojmë mujsharin dhe jo të diturin, hileqarin dhe jo të ndershmin, servilin dhe jo krenarin, gënjeshtarin dhe jo të sinqertin. Po qe se ia arrijmë atëhere ky kujtim do të rritet me kohën. Po qe se vazhdojmë të mbetemi në batak Kasëmi do të vazhdojë të na përbuzë nga lartësia e yjeve ku e ngriti vendosmëria për të mos e shkitur shikimin prej tyre.

të shikojë yjet edhe pse i detyruar të jetojë në batak, me pasojat që dihen: burgun e gjatë dhe izolimin nga shoqëria.
Si i tillë, pas viteve ’90, ai do të duhej të kishte qenë ndër njerëzit e respektuar më së shumti, sepse, siç e thashë, këta janë të rrallë - dhe për të tillë njerëz ka aq shumë nevojë çdo shoqëri, por më së shumti shoqëria shqiptare. Por kjo nuk ndodhi pasi kultura jonë mbizotëruese solli edhe një herë në pushtet ata njerëz që nuk kishin bërë zgjedhjen e Kasëmit në kohën e diktaturës, por zgjedhjen e vënies në shërbim për përfitime dhe karrierë. Figura e tij shqetësonte shumë ndërgjegje të asaj elite; ishte një pasqyrë që konvenonte më mirë të thyhej. Ja pse Kasëmi u izolua dhe u vetizolua, edhe njëherë, duke vazhduar të ndjekë zërin e ndërgjegjes së tij e të shikojë yjet larg nga bataku. Mund të kritikohet se përse nuk luftoi? Ndoshta. Por edhe me tërheqjen e tij nga shëmtimi i ri që po ndërtojmë flet shumë për ata që duan të shikojnë e të dëgjojnë.
Kujtimi i tij duhet të ruhet si model, nëse duam të sfidojmë atë kulturë mbizotëruese tek ne, që na bën të respektojmë mujsharin dhe jo të diturin, hileqarin dhe jo të ndershmin, servilin dhe jo krenarin, gënjeshtarin dhe jo të sinqertin. Po qe se ia arrijmë atëhere ky kujtim do të rritet me kohën. Po qe se vazhdojmë të mbetemi në batak Kasëmi do të vazhdojë të na përbuzë nga lartësia e yjeve ku e ngriti vendosmëria për të mos e shkitur shikimin prej tyre. (11 nentor 2017)



Read More......

Thursday, November 16, 2017

Çduhet bërë pas skandalit Tahiri


Tashmë, pas skandalit shumëdimensional Tahiri, është e qartë për këdo se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë kohës së qeverisjes Rama. Shumë më e vështirë është të ndërtohet një projekt i daljes nga kjo situatë. Për ta shpjeguar sa më shkurt çfarë ka ndodhur e për të dalë në disa propozimet se çfarë duhet bërë do t’i referohem metaforës me ndërtesën trekatëshe dhe bodrumin që kam përdorur para disa kohësh për të përshkruar strukturën e pushtetit në Shqipëri. Sipas kësaj metafore në katin e parë qëndron biznesi oligarkik, i të pasuruarve gjatë këtyre viteve duke korruptuar pushtetin politik. Në katin e dytë qëndron struktura mediatike e ndërtuar nga një pjesa e këtyre oligarkëve si dhe e sponsorizuar nga pjesa tjetër. Në katin e tretë qëndron politika, zyrat e pushtetit të maxhoranës dhe opozitës, si dhe disa dhoma të lidhura me këto zyra ku më të rëndësishmet janë ato të drejtësisë dhe të shoqërisë civile. E lashë për në fund bodrumin e ndërtesës që popullohet nga krimi i organizuar dhe çorganizuar.
Bodrumi dhe të tre këta kate, prej kohësh, kanë ndërtuar lidhje simbiotike me njëri tjetrin nëpërmjet një ashensori dhe shkallëve që i lidhin lart-poshtë, poshtë-lart. Një herë në tetë vjet ka pasur ndërrim zyrash  në katin e tretë ku maxhoranca ka shkuar në zyrat e opozitës dhe opozita në zyrat e mazhorfancës ndërkohë që katet poshtë thjesht janë rritur e forcuar.
Cili është përkeqësimi dramatik që ka sjellë qeverisja e Rilindjes? Për shkak të vetë prirjes së këtij sistemi, të pakësimit të parave të ligjshme që ka hedhur në qarkullim emigracioni si dhe politika nëpërmjet borxheve të jashtëme ashtu sikurse edhe për shkak se në krye të qeverisë ka ardhur një njeri që nuk njeh asnjë skrupull moral për të arritur qëllimet e veta, qeveria Rama ia hapi portat bodrumit si anjëherë më parë. Kështu forcimi i lidhjes së bodrumit me pushtetin bëri që të vihet në krye të Ministrisë së Brendshme një bandit i lidhur ngushtë me një bande të rrezikshme trafikimi droge si Tahiri që ka vënë  pastaj krejt strukturat e policinë në shërbim të trafikimit.
Kur ke parasysh edhe futjen e një numri kriminelësh në Parlament dhe në krye të disa bashkive të vendit bëhet e qartë se kjo është një strategji kapjeje dhe mbajtjeje pushteti e menduar me gjakftohtësi kriminale.
Më duket e tepërt të flas për pasojat dhe dëmet e pariparueshme që na ka sjellë ky sistem pushteti. Njerëzit që duan të ikin nga ky vend me çdo mjet dhe kriminelët që vrasin njëri tjetrin përditë  nëpër rrugët e Shqipërisë janë shfaqjet më ekstreme dhe më të dukshme. Mes këtyre ekstremeve qëndron një masë e madhe njerëzish gjithnjë e më e dorëzuar, depersonalizuar e më bashkëpunëtore me këtë mafje në pushtet, që të kujton nënshtrimin ndaj regjimit të kaluar.
Por falë faktit se Shqipëria është gjithsesi shumë më e lidhur me botën se në atë kohë, megjithë izolimin propagandistik që ka bërë Rama duke blerë gazetarë dhe diplomatë të huaj, skandali Tahiri që erdhi nga Italia ka hedhur së fundmi një rreze e drite që na ndriçoi e na bëri të kujtojmë fjalët e Falcones: “Mafja nuk është e pamposhtëshme, ajo është një produkt njerëzor dhe si çdo produkt njerëzoj ka një fillim dhe do të ketë edhe një fund”. Sot po flitet për fundin e pashmangshëm të kësaj mënyre qeverisjeje. Opozita që dukej e destinuar t’i bënte thjesht fasadën demokratike kësaj mafjeje në pushtet, u bë sërish aktive.
Por loja nuk është mbyllur dhe këtu madje ngrihet një çështje e madhe. Edhe sikur të mjaftojë denoncimi i këtij realiteti që tashmë çdokush e ka të qartë për të hequr këtë qeveri; edhe sikur të mjaftojë sqarimi i të huajve për ta kryer këtë, a mjafton kaq për të luftuar të keqen që na ka pllakosur? Sipas meje jo. Gjykoj se problemi i problemeve është se si të ndërtohet alternativa e besueshme që duhet të zëvendësojë këtë qeveri, që sipas meje do të thotë ndërtimi i projektit se si të shkatërrohet ngrehina tre katëshe e pushtetit që përmenda në mënyrë që sejcili prej kateve të saj të funksionojë  i ndarë si pushtet nga njeri tjetri në vendin që i takon në një demokraci.
Nuk pretendoj të bëj me këtë shkrim një program por po hedh vetëm disa pika që më duken kyçe.

Transformi i politikës
E para gjë që duhet programuar është shkatërrimi i shkallëve dhe ashensorit që lidh katet e politikës me katet e poshtëme të ndërtesës. Për këtë duhet ndryshimi i njerëzve që udhëheqin politikën dhe ardhja e atyre që kanë vullnetin politik për t’i ndërprerë këto lidhje kriminale.
Një politikë e çliruar nga këto lidhje do të ndihmonte kryerejen e shkatërrimeve dhe zhvendosjeve të tjera

Shkatërrimi i krimit të organizuar
Po të izolohen njerëzit e bodrumit nga politika, çka nënkupton mbrojtjen që ajo u ka dhënë, mundësinë për të investuar paratë e pista, lidhjet me policinë etj. është shumë më e lehtë që ata të çohen atje ku e kanë vendin: në burg.

Transformimi i ekonomisë
Kjo është sfida më e vështirë, duke patur parasysh ndërthurjet e narkoekonomisë së bodrumit me ekonominë e korrupsionit të oligarkëve të katit të parë, ashtu sikurse edhe me ekonomia e shëndoshë. Kjo sfidë duhet të njohë programimin e dy planeve të veprimit:
Njëri plan është pikërisht ai i ndarjes së ekonomive kriminale nga ekonomitë e shëndosha duke luftuar të parat dhe duke u dhënë mbështetje këtyre të fundit.
Plani tjetër është programimi i transformimit të ekonomisë korruptive dhe monopoliste të oligarkëve, që nuk mund të bëjnë biznes pa favoret dhe bashkëpunimin me politikën apo pa keqpërdorimin e mediave, në një ekonomi ku suksesin apo mbijetesën e siguron gara  në një treg vërtet të lirë.
Sigurisht kjo nënkupton edhe ndryshimin e krejt politikave të stimulimit të ekonomisë, transformimin e saj nga një ekonomi i riciklimit të parave të pista e përqendruar kryesisht në ndërtime dhe çimentifikime në një ekonomi të qëndrueshme  të bazuar mbi punën e ndershme.

Transformimi i mediave
Transformimi i ekonomisë vështirë se mund të kryhet pa transformimin e mediave që funksionojnë për t’i shërbyer oligarkëve dhe shtetit mafjoz të kapur prej tyre në media që i shërbejnë publikut.
Sikur të mos kishte qenë vullneti i mbrapshtë i klasës politike që i ka keqpërdorur mediat private në bashkëpunim me pronarët oligarkë për qëllime keqinformimi dhe manipulimi të publikut (kampioni i kësaj ka qenë pikërisht Edi Rama) shumë syresh nuk do të ekzistonin sepse nuk do të ishin në treg. Po ashtu edhe televizioni publik nuk do të keqpërdorej nga pushteti. Projekti, që sëndërtohet dot pa vullnetin e mirë politik, duhet të parashikojë ndërtimin e një televizioni vërtet publik që nuk kontrollohet nga qeveria dhe futjen e privatëve në konkurencë të ndershme për t’i mbijetuar tregut.

Ndarja nga lidhjet me pushtetin e drejtësisë
 Ka ardhur koha më në fund që zyrat e drejtësisë të dalin në një ndërtesë më vete pa lidhje me paradhomat e politikës. Kuptohet se një drejtësi e tillë nuk mund të ndërtohet pa mbështetjen dhe kontrollin e mediave vërtet të lira e në shërbim të publikut dhe pa mbështetjen dhe kontrolin e një shoqërie civile të pa kapur nga pushteti sikurse është kjo që kemi. Pikërisht për këtë duhet urgjentisht të mendohet edhe për ndarjen e zyrave të shoqërisë civile nga zyrat e pushteti.



Detyra e opozitës dhe e çdo opozitari, krahas denoncimit, informimit për çka po ndodh dhe mbështetjes së prokurorisë për të thelluar hetimet mbi kapjen e shtetit nga krimi sot është edhe hartimi i një projekti të tillë të besueshëm. Nëse mbetemi tek denoncimi dhe tek pritja e ndërhyrjes së të huajve kundër kësaj qeverie, ka shumë gjasa që të asistojmë thjeshtë në kryerjen e rotacionit të rradhës në katin e tretë, duke mbetur përsëri viktima të banorëve të bodrumit dhe të kateve të kateve të poshtëme të së njëjtës ndërtesë të së keqes që përshkrova. (Panorama, 7 nëntor 2017)

Read More......