Wednesday, September 23, 2015

Raporti i OSBE si delegjitimim i kastës (ose reforma në drejtësi si mision i pamundur)


Opinioni po zien rreth botimit të një raporti konfidencial për përdorim të brendshëm të OSBE-së në të cilin përmenden emrat e Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës si dhe të një numri deputetësh biznesmenë oligarkë duke i cilësuar si  të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Zhurma rreth tij s'po ka të shuar edhe pas deklaratave të përsëritura të prezencës dhe të ambasadorit Rauning se raporti ka qenë për përdorim të brendshëm, se ai nuk shpreh qëndrimin zyrtar të OSBE. Kjo nuk e pengoi aspak Edi Ramën të vazhdojë t'i quajë kriminale mediet që e botuan këtë raport, sipas tij plot gënjeshtra, që Sali Berisha ta quajë "trillim të turpshëm e qesharak" e t'i shkruajë ambasadorit se është bërë "palë me shpifësit", që Ilir Meta t'i quajë "karagjozllëqe me të cilat nuk ia vlen të merresh" ato që shkruheshin në raport, që gazeta e deputetit të përmendur Kokëdhima të kërkojë largimin e misionit të OSBE nga Shqipëria, e që një pjesë nga deputetët e përmendur të kërcënojnë se do ta hedhin në gjyq OSBE-në. Është folur edhe për një  telefonatë kërcënuese të pakonfirmuar të Ramës ndaj ambasadorit Rauning si dhe për plane të qeverisë për tërheqjen e projekteve me OSBE. Më anë tjetër gjithë ky reagim i politikës ka bërë që të elektrizohen shqiptarët  e thjeshtë me shpresën se diçka po ndodh në këtë moçal krimi dhe korrupsioni.
Ka një paradoks që duhet shpjeguar në tërë këtë histori. Si ka mundësi që po bëhet gjithë kjo zhurmë si nga të akuzuarit edhe nga shqiptarët e thjeshtë  ndërkohë që në atë raport nuk ka asgjë të re për bëmat e Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës e shumë prej deputetëve të përmendur.
Le të përpiqemi ta shpjegojmë këtë paradoks.
E para gjë që duhet vënë në dukje është se politikanët e revoltuar me raportin e dinë shumë mirë se ato që thuhen atje janë të vërteta (të paktën ato që thuhen për palën kundërshtare) sepse janë edhe ata që kanë furnizuar qoftë mediet qoftë ndërkombëtarët me ato të dhëna. Mjafton të kesh parasysh se për korrupsionin e Edi Ramës me leje ndërtimi e me tenderë opozita dhe mediet pranë saj kanë ngritur një mal me dosje duke filluar nga i famshmi Komisioni Olldashi. Po ashtu mjafton të kesh parasysh se sa është folur nga maxhoranca e sotme dhe mediet pranë saj për Gërdecin dhe përfshirjen e të birit të Berishës atje apo për aferat e së bijës me studion e saj ligjore, për të kuptuar se OSBE s'ka pasur se si të mbyllë sytë e veshët ndaj këtyre akuzave. Kurse për Ilir Metën kemi akuzat e të dy palëve, shumë herë më të rënda sesa ato që thuhen në raport. Mjaft të kemi parasysh faktin se Edi Rama çoi drejt kasaphanës së Sali Berishës një turmë protestuesish në krye të së cilës ishin treqind spartanët e Tom Doshit mu për shkak të një videoje ku, sipas tij, dilte qartë korrupsioni i Ilir Metës e më pas akuzat e opozitës ndaj Metës për çështjen Doshi.
Po atëherë pse janë shqetësuar kaq shumë këta për një raport për përdorim të brendshëm, i cili, sipas meje, mund të kishte qenë edhe shumë më i pasur qoftë me bëma qoftë me pasoja të këtyre bëmave? Sipas meje kjo ndodh sepse raporti u bë i jashtëm. Shqetësimi i tyre tregon se komuniteti ndërkombëtar është faktor shumë herë më i rëndësishëm për legjitimitetin e kësaj elite sesa populli shqiptar, që i di përmendësh e i bisedon përditë nëpër kafene, me detaje shumë më të hollësishme të thënat e të pathënat e këtij raporti. Ata nuk i tremb fakti se OSBE apo amerikanët i dinë bëmat e tyre, por frika se mos vallë aleatët e tyre kanë vendosur të mos ua japin më legjitimitetin që u kanë dhënë, pra të veprojnë në një mënyrë apo tjetër për t'i rrëzuar ata nga pushteti.
Më anë tjetër, pikërisht kjo frikë e tyrja është shkaku se pse janë elektrizuar kaq shumë shqiptarët? Tani që lojës mashtruese të mbështetjes së njërës parti kundër tjetrës në favor të së njëjtës kastë i ka dalë boja tërësisht  ata ndjehen të pafuqishëm ndaj kësaj kaste dhe të gjithë shpresën e shpëtimit e kanë tek të huajt. Prandaj dhe kanë tjerrur teori konspiracioni njëra pas tjetrës sipas të cilave amerikanët dhe evropianët kësaj radhe kanë vendosur ta rrëzojnë regjimin oligarkik të Tiranës e se kjo e ka nismën që nga fjala e John Kerry-t. Dhe nuk kanë faj ç'është e vërteta. Po të shikosh historinë e Shqipërisë  sa herë që janë rrëzuar nga pushteti kastat e urryera janë rrëzuar si pasojë ngjarjesh ndërkombëtare. Puna është se këto nuk kanë ndodhur për hatër të shqiptarëve.
Ja ky është sipas meje shpjegimi se pse po bëhet kaq shumë zhurmë për asgjë qoftë nga të akuzuarit në raport qoftë nga viktimat e tyre shqiptare.
Megjithatë zhurma flet për një gjë thelbësore: gjendjen mjerane të shteti të së drejtës në Shqipëri. Sepse sikur në Shqipëri të funksiononte një drejtësi e ndarë nga pushteti i oligarkëve të përmendur dhe i disa të tjerëve që s'kanë hyrë ende në Parlament, ajo do të kishte siguruar me kohë vërtetësinë ose pavërtetësinë e këtyre akuzave e nuk do të kishim fare një raport të tillë. Ja pra pse duhet reforma në drejtësi - do të thonë disa me në krye ndërkombëtarët në fjalë. Mirëpo pas reagimit që pamë me raportin shtrohet pyetja: a  mund të kryhet një reformë që të sigurojnë drejtësi, dmth. edhe barazi përpara ligjit nga politikanë të cilët sapo u përmendet emri sulmojnë edhe autoritetin e vetëm që ka një lloj kredibiliteti për tu quajtur arbitër dhe i drejtë në këtë vend? JO, sipas meje politikanë të mësuar me sundimit të më të forti e jo të ligjit nuk mund ta lejojnë një reformë të tillë. Ky është një mision i pamundur me këta njerëz në pushtet sepse sundim i ligjit dhe sundimi i sojit të këtyre politikanëve janë dy gjëra që e përjashtojnë njëra tjetrën. Që ligjit dhe të drejtës t'i hapet rruga e sundimit në Shqipëri duhet që delegjitimimi i tyre të mos mbesë në letrat e një raporti konfidencial të OSBE-së, por të bëhet realitet nga shqiptarët. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur ata të kuptojnë se kjo punë nuk bëhet me letrat e ndërkombëtarëve, por me luftën e tyre për liri, dinjitet dhe drejtësi. (Panorama, 23 shtator 2015)

No comments: