Tuesday, February 10, 2015

Për përmbytjet dhe mbytjet e tjera

Duke parë pamjet e përmbytjes nuk mund të mos mbetesh pa gojë nga shtrirja dhe dëmi i tyre. E pabesusheme! Pyetja që të lind bashkë me çmeritjen është: a kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore apo me përgjegjësi njerëzore? Në raste fatkeqësish, që i mbiquajmë “natyrore”, ndodh që vështirë të vesh një kufi të ndarë qartazi se ku mbaron egërsia e natyrës dhe ku fillon përgjegjësia njerëzore. Ka një zonë mbivendosjeje, gri në mes tyre. Bije psh. një tërmet dhe shkatërron e shemb shumëçka. Ka shumë rëndësi se sa janë ballët e tërmetit, por ka shumë rëndësi edhe se sa njeriu ka ndërtuar duke llogaritur tërmetet paraardhëse, se çfarë zone është ajo, çfarë projektesh kanë bërë arkitektët, a i kanë verifikuar konstruktorët, çfarë materiali është përdorur, e me radhë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përmbytjet. Nuk është vetëm sasia e rrëshekëveqë derdhen nga qielli që përcakton fatkeqësinë, por edhe se sa njeriu ka mësuar nga përmbytjet e mëparshme, sa ka ndërtuar kanalizime, sa ka pyllëzuar, sa ka ndërtuar në zona të sigurta e me radhë.
Përshtypja që të krijohet nga përmbytja e fundit është se dëmi i pamatë që po na shohin sytë është përtej zonës gri, në një zonë të zezë: atë të përgjegjësisë njerëzore. Kemi të bëjmë, pra, me një fatkeqësi njerëzore. Në një nga fjalimet  e tij të fundit Papa përmendi diçka që ia ka thënë një fshatar vite më parë: “Zoti fal gjithmonë, ne nganjëherë po, nganjëherë jo, kurse toka nuk fal kurrë.” Ajo që po shohim me përmbytjet këtë vit është ndëshkimi në formën më të egër i njeriut shqiptar nga një tokë e trajtuar në mënyrën më barbare. Të vjen të thuash se njerëzit që jetojnë në këtë rrip toke u ka rënë një sëmundje e rëndë mendore: kanë humbur si kujtesën e së shkuarës edhe aftësinë për të ndërtuar ndonjë parashikim të së ardhmes dhe jetojnë, kësisoj, si kafshët, vetëm përditshmërinë. Hanë dhe ikin. Është një sëmundje që ka kapur njëfarësoj gjithë botën sepse njeriu në vrapin e tij për të fituar, në garë me tjetrin, ka vënë në rrezik planetin. Por ne jemi treguar pa kurrfarë imuniteti ndaj kësaj sëmundjeje të kapitalizmit “ha dhe ik”. Ngaqë na bije për herë të parë, ndoshta.
***
Është e kotë të zgjatesh për të përshkruar dramën. Ajo që duhet diskutuar sot është se ç’duhet bërë dhe jo vetëm që dimrin tjetër të mos  ndodh përmbytje të tilla ujore, por që të mos mbytemi edhe më keq se ç’jemi mbytur në të gjitha aspektet e jetës sonë njerëzore. Sepse përmbytjet ujore dhe jo-ujore ka kohë që na japin një leksion që s’po duam ta mësojmë: se nuk mjafton të jesh një grumbull individësh i hedhur mbi një rrip toke për t’u quajtur një komb, shoqëri, por duhet edhe aftësia për tu organizuar në këtë rrip toke; se nuk mjafton të flasësh të njëjtën gjuhë, por edhe ta përdorësh këtë për tu marrë vesh me njëri tjetrin; se nuk mjafton as të kesh një histori të përbashkët, nëse nga kjo histori nuk ke mësuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të përbashkët.
Ndonjë kritik do të më thotë në këtë pikë: a ke ndonjë mendim konkret se çduhet të bëjë qeveria se këto i dimë. Nuk jam specialist i drenazhimeve dhe kanalizimeve e pyllëzimeve, por më duket me rëndësi të theksoj se ajo me çka përballemi nuk është thjesht  çështje e mbjelljes së pemëve, e ndërtimit të kanalizimeve, por shumë më tepër se kaq: çështje e ndërtimit të shtetit, e ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore midis njëri tjetrit, e kulturimit. Në këtë kontekst, sipas meje, pika nga ku duhet të niset shteti (jo qeveria) është ndërmarrja e nismave që të mos jenë përsëritje e gjërave që kanë sjellë përmbytjen e radhës. Thashë “shteti” jo “qeveria”, sepse që këtu fillon sëmundja jonë: ne kemi dy qeveri, por jo një shtet. Kujtohuni se çfarë kemi parë deri tani, rëndom, në raste të tilla? Kemi parë pamje dramatike përmbytjesh (dhe shumë mbytjesh mos harroni), shqiptarë që tregojnë fatkeqësinë që u ka ndodhur, pastaj qeveritarë që i vizitojnë dhe që u premtojnë dëmshpërblim, opozitën që denoncon qeveritarët; pastajrreshjet pushojnë dhe nuk merret vesh më se çfarë bëhet deri në përmbytjen tjetër edhe më të madhe. Kur vjen ajo tjetra, ndodh që rolet kanë ndryshuar, e akuzuara e djeshme zë e akuzon qeverinë e sotme,  e cila, edhe ajo, premton dëmshpërblim se përndryshe të përmbyturit ia japin votën kundërshtarit. (Kësaj here madje pamë edhe garë se kush do të shpërndajë e para pako me oriz dhe makarona). Duke sikur fatkeqësia urohet të vijë, që të ndryshojë fatet e lojës së pushtetit të tyre. Kësisoj përmbytjet apo fatkeqësitë janë bërë lojtare në jetën tonë politike. Ashtu si LSI-ja ato bëjnë aleancë një herë me njërën dhe një herë me tjetrën parti të madhe.
Kjo histori duhet të mbarojë. Përmbytja duhet të konsiderohet si një armik i përbashkët dhe jo si një armik i njërit dhe aleat i përkohshëm i tjetrit. Është pikërisht kjo që i mban në këmbë përmbytjet/fatkeqësitë. Duhet t’i jepet fund lojës  së (sh)përdorimit politik e mediatik, për efekt vote, të përmbytjeve e të fillojë punë serioze që mund të shërbejë edhe për ndërtimin e një shteti që funksionon për të gjithë. Duhet të fillojë një punë për rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit midis njerëzve, si dhe midis njerëzve dhe institucioneve në emër të mbrojtjes së hapësirave publike si dhe  dhe të rritjes së kulturës ambjentale në frymën e asaj thënies së urtë, produkt i përvojës shekullore, sipas së cilës toka nuk është një trashëgimi që na e kanë lënë stërgjyshërit, por një borxh që na kanë dhënë brezat e ardhëm.
Si konkretizim mund të propozoja psh. që ajo që sot quhet Drejtori e Emergjencave duhet të zgjerohet e fuqizohet me një grup të veçantë specialistësh nga ata të vërtetët dhe jo klientelisë, pa dalime partiake dhe pa konflit interesash, që të bëjë studime në të gjithë vendin për të përcaktuar zonat më të rrezikuara, shkaktarët e këtyre rreziqeve dhe po ashtu ndërhyrjet që duhen bërë në të ardhmen kundër tyre. Këta duhet  të venë gishtin mbi aktivitete, siç janë ndërtimet pa vend, shpyllëzimet apo pikat famëkeqe të prodhimit të rërës e zhavorrit që kanë masakruar lumenjtë, që duhen ndaluar urgjentisht. Ashtu sikurse pikat ku duhet investur urgjentisht në mbjellje pemësh, e ku di unë, për të parandaluar katastrofat e ardhshme. Edhe masat afatshkurtëra të ndihmës duhen marrë në harmoni me këto studime dhe jo kundër, siç më duket se ka ndodhur rëndom me përmbytje të tilla. Sigurisht duhet dhënë ndihma për të mbijetuar, por nuk mendoj, për shembull, se duhet të dëmshpërblihen njerëz që janë përgjegjës për dëmin që kanë pësuar duke menduar se nesër ata të votojnë kundër. Votat e këtyre njerëzve nuk duhet t’i kërkojë asnjë parti – dhe ja pse duhet një politikë ndryshe.

Në këtë kontekst ndryshimi politike po shtoj edhe diçka. Kryeministri aktual kur ishte kryetar bashkie dhe filloi të pikturojë fasadat e pallateve, ndërkohë që prapa tyre çfarë nuk bëhej, përdori një argument kundër atyre që i kërkonin punë më të qëndrueshme në kohë: “nuk do të thotë që një grua, meqë është e varfër – tha - të mos lyhet.” Duket se me këtë stil pune tani ka vendosur të “lyej” Shqipërinë pa menduar psh. se sa pyllëzim mund të kryhej me paratë që janë shpenzuar për të zbukuruar rrugën nga Rinasi në Tiranë, si makiazh për tu bërë efekt të huajve. Them se atij i duhet bërë e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për një “grua të varfër”, por “të sëmurë” dhe se t’i vesh asaj të kuq për t’i lyer buzët dhe faqet në vend se ta kurosh është një mashtrim që ia nxjerr bojën çdo shi i rëndomtë e jo më rreshje si këto që ranë dhe presim të na bijen. (Panorama, 9 shkurt 2015)

No comments: