Wednesday, April 9, 2014

Çili si paralajmërues i falimentimit të sistemit

Henri Çili ka një të mirë si gazetar, botues dhe biznesmen njëherësh: ai i njeh problemet e sistemit që kemi ndërtuar dhe i parashtron ato në publik, pa iu shmangur disa të vërtetave. Ndërkaq, zgjidhjet që ai na ofron, sipas gjykimit tim, mu për shkak të mosfshehjes së disa të vërtetave, janë kontradiktore dhe, kësisoj, na zbulojnë  edhe më mirë defektet e këtij sistemi.
Këtë ka bërë edhe me një intervistë që ka lëshuar së fundmi me titull: “Shtypi i shkruar vepër arti; tani jam donator nuk jam botues.” ku flet për gjendjen e medieve duke u nisur nga përvoja e tij. Është një intervistë që, për mua, ndihmon goxha për të zbërthyer sistemin që së fundi e kam cilësuar “oktapod me shumë tentakula” duke vënë gishtin edhe mbi mediet e bizneset që kemi ndërtuar.
Nëse e lexon intervistën e Çilit midis rreshtave, duke e lidhur edhe me ide që ka shkruar apo thënë më parë, ndërton një pamje që të lë të kuptosh se sistemi alla shqiptar i kapitalizmit që kemi ndërtuar ka dështuar dhe madje se jemi në rrezik të madh prej tij.
Çfarë thotë Çili ne intervistën e tij?
Kur flet për situatën e medieve ai thotë se në katër vjet që ka botuar gazetën Mapo “ka qenë një aktivitet me humbje” sepse, sipas tij, “botuesit jo vetëm nuk bëjnë biznes, dhe nuk fitojnë para me shtypin e shkruar, por, përkundrazi, humbasin para. Prandaj ai ka vendosur që botimet “Mapo” nuk do te jenë më ndërmarrje tregtare, por botime të Fondacionit për Liri Ekonomik, që ai ka themeluar para disa vjetësh.
Intervistuesi, i cili nuk ka emër dhe që të bën të hamendësosh se është vetë Çili, duke iu referuar akuzave sipas të cilave media ka bërë trafik interesash për përfitime private e pyet: “A janë botimet “Mapo”, qoftë si biznes qoftë si donacion, një mburojë për bizneset e Çilit?”
Përgjigja e Çilit ndaj kësaj pyetjeje është ambigue. Sepse ai përgjigjet edhe se botuesit, duke bërë donacion, “japin një kontribut për lirinë e shtypit, demokracinë, debatin intelektual, idetë, artin e kështu me radhë” edhe se “ …është tërësisht normale, që brenda ose rreth qendrave të rëndësishme ekonomike të zhvillohen edhe struktura të kësaj natyre…” duke nënkuptuar atë që e ka thënë edhe më parë se ai nuk është kundër “lobingjeve”.
Atëherë le ta marrim pak në analizë këtë intervistë, jo për t’iu kundërvënë Çilit, por - duke e falënderuar madje që na ka hapur mundësinë për të hapur debat,- për të kuptuar fundin e sistemit që kemi ngritur.
Pikë së pari Çili hedh poshtë në këtë intervistë një parim që jo vetëm ai, por përgjithësisht elita politike ekonomike dhe mediatike e ka propaganduar prej vitesh: atë sipas të cilit ne i bëmë privatizimet në emër të liberalizmit pasi kështu kemi më shumë zhvillim, energji dhe liri dhe se detyrë e shtetit është të sigurojë që ekonomia private të funksionojë sipas një tregu të lirë, ku më i zoti mbijeton, madje duke ulur çmimet. Ky ka qenë edhe parimi sipas të cilit u zhvilluan, tek e fundit, edhe mediet tona private. Pra, nëse gazeta Mapo, e cila duhet pranuar se është një ndër gazetat më të mira, nuk funksionon sipas logjikës së tregut të lirë që ka propaganduar Çili (aq më pak shumica e të tjerave), po tu qëndronye koherent ideve të veta Çili duhet të shpallte falimentimin dhe, po kështu, duhet të kishin bërë, me kohë, një numër mediesh të tjera. Kjo, gjithë sipas teorisë së konkurrencës në tregun e lirë, do të pakësonte numrin e gazetave e të gazetarëve, por ato që do të mbesnin do të ishin të një cilësie më të mirë e do të paguheshin më mirë. Dhe, gjithë sipas këtij parimi, kështu do të sigurohej edhe pavarësia e pushtetit të tyre, qoftë nga pushteti ekonomik qoftë nga pushteti politik, pasi e vetmja varësi e tyrja, në këtë rast, do të ishte ajo nga tregu/lexuesi. Ajo që ndodh paradoksalisht është se ne kemi shumë më tepër medie sesa ç’mund të mbajë tregu, të një cilësie mizerabël. Dhe Çili pohon atë që të tjerë botues nuk e pohojnë: se ato mbahen me fitimet që kanë botuesit nga biznese të tjera. E bëjnë për idealizëm, e bëjnë për përfitime… kjo është një çështje tjetër, që do ta trajtoj më poshtë, por në të dyja rastet duhet thënë se nuk mund të  flitet për pavarësi të medieve nga interesat e pronarëve. E këtu duhet thënë se edhe Mapo, megjithë larminë e opinioneve, ka pasur politika editoriale të qarta pro ish-maxhorancës, që jo rastësisht, sipas meje, janë përputhur me ato të pronarit të saj Çili, ndërkohë që në një gazetë normale private, që bazohet vetëm tek tregu/lexuesi, politikat nuk i përcakton pronari/ët, por bordi editorial i gazetës që pronarët tanë kanë harruar se mund të ekzistojë. Nëse Çili, do tu përgjigjej këtyre akuzave, duke thënë, sikurse supozoj, se shteti nuk e ka kryer detyrën e tij, rolin e kontrollorit, sepse përndryshe do të falimentonin konkurruesit e tij, atëherë unë kam të drejtë t’i shtroj pyetjen se pse atëherë e ka mbështetur qeverinë e Berishës, që rezulton përgjegjësja kryesore e falimentimit të ideve të tij liberale dhe të biznesit të tij mediatik?
Këtu ia vlen të zbresim në një nivel tjetër, që na çon në lidhjet e medieve me shtetin. Duke iu referuar kësaj interviste të Çilit duket sikur këto“qendra të rëndësishme ekonomike”, edhe pse nuk kanë sukses tregtar me mediet e tyre, kanë sukses me bizneset e tjera, se përndryshe lind pyetja se ku i sigurojnë të ardhurat për të paguar gazetat. Sepse filantropia dhe donacionet funksionojnë në botë (veçanërisht në SHBA) kur dikush fiton, më së pari, dhe pastaj një pjesë të fitimit e jep sepse i do zemra apo sepse shteti e lehtëson nga taksat. Pra  pyetja e dytë që shtrohet, përtej Çilit, është: a ka një konkurrencë, sipas tregut të lirë, midis universiteteve tona private? Me fjalë të tjera: a prodhojnë ata një mall që vlen, për të cilin qytetarët paguajnë sepse kjo i bën të suksesshëm fëmijët e tyre. Po t’i referohemi pikërisht projekteve që Çili ka shpalosur gjetkë, edhe kjo meriton një pikëpyetje të madhe. Ai ka shprehur më se një herë idenë se universiteti i tij, prej të cilit mendohet se ai ka fitimet për të mbajtur gazetën, do të kthehet në jofitimprurës dhe se kjo do të mundësojë, me rregullime ligjore, që paratë publike, që jepen për arsimimin universitar, të shkojnë edhe për këta  universitete  private. Kështu në mënyrë indirekte Çili ka pranuar edhe dështimin e universitetit si investim privat fitimprurës. Edhe pse nuk hyj dot në llogaritë financiare të universiteteve tona private, nëse i referohemi faktit se universiteti i Çilit është ndër më të mirët, e megjithatë ai kërkon të shndërrohet në jofitimprurës, nuk mund të mos deduktosh se shumica janë, ashtu si gazeta Mapo, “me humbje”. Qoftë edhe vetëm për faktin se numri i juristëve, politologëve dhe ekonomistëve që ata kanë nxjerrë deri tani i mjafton e tepron jo vetëm Shqipërisë, por edhe Ballkanit.

***
E këtu, duke e zgjeruar edhe më problemin, le të kujtojmë tani një çikë se cilat kanë qenë “qendrat më të rëndësishme ekonomike” që i kanë krijuar vetes edhe mundësinë e mbajtjes së medieve private. Mua më rezultojnë se në këta njëzet e ca vjet ato janë katër llojesh: piramidat e para financiare, kompanitë e ndërtimit, universitetet private dhe industria e drogës. Dhe çfarë na ka rezultuar e rezulton me to? Të parat na kanë marrë lekët duke na shitur iluzionin e pasurimit të shpejtë. Kujtoj se ato paguanin gazetat private me reklamat që ato botonin për të ushqyer këtë iluzion duke u mbyllur gojën pronarëve e gazetarëve dhe sponsorizonin sa majtas dhe djathtas deri edhe fushatën e Partisë në pushtet në atë kohë. Të dytat na kanë shitur iluzionin e strehimit të mirë duke  na varfëruar në terma afatgjata pasi na kanë shkatërruar bregdetin, pejsazhin natyror dhe atë urban, cilësinë e jetës në qytetet tona. Kujtoj përsëri se ato arrinin të fitonin jo aq pse zbatonin ligjet e tregut dhe rregulloret urbanistike, por pasi, nëpërmjet medieve, që ishin me humbje, arrinin të bënin “lobingje” dhe pastaj, edhe mund të abuzonin duke ngritur kate më shumë e duke pushtuar hapësira publike. Të tretat na shesin iluzionin e arsimimit të fëmijëve tanë që, në fakt, rezulton skarco. Për të katërtat kam shkrua një shkrim para jo shumë kohësh me titull “Dizintoksikimi nga krimi”.
Pra, është e kotë që Çili të na flasë për idealizma donatorësh. Të gjithë e dimë, sikurse e di edhe ai, se në sistemin tonë mediet (si dhe korrupsioni, kuptohet) janë leva kryesore që lidhin bizneset me pushtetin politik, i cili, nën shtysën e tyre, në vend se të punojë për interesin publik, punon për të lëruar arën e interesave të pronarëve të medieve.
Mirëpo çfarë po ndodh në kushtet aktuale? Çili na zbulon atë që të tjerët nuk e thonë: se, në kushtet e krizës aktuale që po kalojmë, kur burimet private të të hollave janë gjithnjë e më të mangëta, e vetmja rrugë shpëtimi për këta biznese është rritja e përfitimit nga paratë publike. E nëse Çili kërkon edhe për universitetin para publike atëherë del se Mapo do të financohet jo nga paratë që fiton Çili, por nga para publike dhe se ne me shumë gjasë do të asistojmë edhe në ndryshimin e politikave editoriale të gazetës. Por ama liberali Çili nuk deklaron se është për shtetin social, apo për politika etatiste. Pse? Sepse ai e di se nuk jemi aspak në sistemin liberal ku më i zoti fiton më shumë dhe i mbijeton tregut, madje paguan edhe taksa që të mbajë shtetin, por në një formë alla shqiptare kapitalizmi që mund ta quaja edhe kapitalizëm oligarkik, partitokratik, shtetëror me elita ekonomike, mediatike rreth “qendrave të rëndësishme ekonomike” dhe dy partive kryesore që mbijetojnë jo në sajë të punës krijuese, që shpërblehet sipas tregut të lirë, por në sajë të abuzimit me interesin publik. Pra djallëzisht sistemi që kemi ndërtuar ruan retorikën e liberales dhe privates, por ndërkohë kërkon që shteti të punojë në forma etatiste për ta. Dhe, sikurse e thashë më lart, ka kohë që ky sistem punon kështu duke filluar që me piramidat e para dhe me privatizimet ee para të pasurive publike. Por, së fundmi, kemi arritur në një situatë ku shfrytëzimi i parave publike të shqiptarëve po arrin në një pikë fundore. Në mungesë të burimeve të tjera qeveritë Berisha e siguruan mbijetesën e këtij sistemi kryesisht duke rritur borxhet që do të thotë nëpërmjet grabitjes së të ardhmes së fëmijëve shqiptarë. Duket sheshit se qeveria Rama e ka preokupimin kryesor sigurimit e të ardhurave për të mbijetuar sipas këtij sistemi. Por siç duken bathët pak shans ka që kjo të ndodhë.
E në këtë pikë i bëj thirrje lexuesit t’i drejtohet një çikë kujtesës e të shtrojë pyetjen: a nuk bëri tek e fundit të njëjtën gjë edhe elita komuniste. Me paaftësinë e saj për të ndërtuar një sistem ekonomik efikas, rentabël e të qëndrueshëm, ajo, pasi shfrytëzoi të gjitha konjukturat politike e ekonomik, lidhjet me Jugosllavinë, pastaj me BRSS pastaj me Kinën, a nuk filloi të shtrëngojë rripin e shqiptarëve për të mbajtur pushtetin, derisa u hoqi edhe pulën e fundit në oborrin privat? Dhe pastaj u rrëzua. Mua më duket se jemi në të njëjtën rrugë që sigurisht nuk ka dramaticitetin e asaj kohe, por në thelb zbaton të njëjtën logjikë: logjikën e një elite sa të paaftë aq edhe grabitqare që popullin e vet e sheh si kafshë pune për të punuar arën e saj, deri në rrasbitjen e tij finale.

Pa pretenduar se kam monopolin e së vërtetës në këto që kam shkruar gjykoj se çështjet që shtroj, jo për herë të parë por kësaj here nisur edhe nga konteksti i ri që është krijuar me ndryshimin e pushteteve e krizën që shfaq dashur apo pa dashur Çili, njëri nga përfaqësuesit kryesorë të sistemit, janë të një rëndësie themelore jo vetëm për ekonominë, por edhe për lirinë e demokracinë në vend e se sa më shpejt të bëhen objekt debati aq më mirë do të jetë. (Panorma, 9 Prill 2014)

No comments: