Monday, March 31, 2014

Ilir Meta si shtyllë e sistemit

Për Ilir Metën po flitet shumë kohët e fundit. Ka ndikuar ndoshta edhe një lajm që nuk u pasqyrua shumë, ose u pasqyrua keq në media por që, edhe për shkak të kësaj, përflitet edhe më shumë në korridoret e saj, e më gjerë. E kam fjalën për festimin e ditëlindjes së tij para disa ditësh. U tha se kishte ndonja 600 të ftuar nga të gjitha llojet: kryesisht politikanë, (të maxhorancës dhe të opozitës), gazetarë (afër maxhorancës dhe opozitës), biznesmenë (afër maxhorancës dhe opozitës) dhe shoqëri civile (afër maxhorancës dhe opozitës). Ashtu sikurse edhe peshqeshet u tha se qenë të të gjitha krahëve.
Ka shumë komente lidhur me qëllimin pse e festoi me kaq madhështi këtë ditëlindje Iliri. Normalisht në një shoqëri ku mezi gjen dy tre miq të sinqertë për t’i ftuar me rastin e ndonjë feste të tillë, që sipas meje duhet të jetë intime, me njerëzit më të afërt, afërmendsh s’mund të mendosh se këta 600-tët qenë miq për kokë të cilët ai s’kishte si bënte pa i ftuar, që të gjithë.
Sigurisht festimi kishte kuptim tjetër; po çfarë kuptimi? Dëgjova hipotezën se Iliri, realist dhe pragmatist, po sëmuret nga mania e madhështisë, se ka humbur sensin e realitetit dhe se ndërsa deri dje nuk kishte shumë qejf ta tregonte pasurinë tani ka qejf ta tregojë edhe pse jetojmë në një situatë të tillë, ku festa të tilla kontrastojnë dramatikisht me varfërimin e shqiptarëve. Dikush tjetër tha pikërisht të kundërtën: se edhe kjo ditëlindje, e festuar kështu, bën pjesë në pragmatizmin e Ilirit. Me fjalët të tjera se ai po aspiron për presidentin e shqiptarëve ngaqë është figura që, më mirë se kushdo, mund t’i bashkojë të gjithë, kur ke parasysh edhe Edi Ramën e Berishën që dinë vetëm të ndajnë e përçajnë. Nuk di të them se cila është më e vërtetë edhe pse mendoj se njëra hipotezë nuk përjashton tjetrën. Në fakt kjo elita jonë ka filluar t’i kthejë si çështje statusi, ashtu si edhe shtrenjtësinë e makinave, këto festimet private ku çdonjëri i bën karshillëk tjetrit, aq më tepër kur ka përballë vetëm vetveten dmth. njerëz që s’kujtohen e s’guxojnë t’u kërkojë se me çfarë parash i kanë ngritur këto pasurira në mes të kësaj varfërie, por që presin, me ankth, të dinë nëse i kanë ftuar apo jo edhe ata në festë.  Në mungesë të këtyre skrupujve, festa fare mirë mund të përdoret për të mikluar vanitetin e, njëherësh, të ndihmojë në lojën e pushtetit; në rastin e Metës, pra, për të “bashkuar” sa më shumë njerëz në rrethin e tij. E vura në thonjëza fjalën bashkim pasi me të dua të shpreh ato kuptime të shumta të atyre nuancave “soft” apo “hard” të punës së Ilirit për të bërë sa më shumë njerëz për vete dhe që qëndron në bazën e suksesit të partisë së tij. Prandaj, në komentet për ditëlindjen, “bashkimi” u përfol më shumë se sa fakti se disa nga personazhet e tryezës kryesore ishin ndërruar: ndërsa tre vjet më parë - me rastin e ditëlindjes së të shoqes - në tryezën kryesore kishte familjarë të Berishës tani ishte Edi Rama me të tijtë. Jo, më i rëndësishëm ishte fakti se aty, simbolikisht, ishin bashkuar të gjithë: me në krye Ramën e gazetarët e Topit që kanë dashur t’i bëjnë varrin Ilirit më 21 janar e se, prandaj, përballë këtij “bashkimi”, zor se del kush të guxojë të thotë ndonjë fjalë të keqe.
Prandaj ky “bashkim” rreth Ilirit, për mendimin tim, ka rëndësi politike, jo thjesht personale. Ditëlindja e tij për mua tregoi se ai është shtylla e sistemit që kemi ngritur, ku, siç e kam shkruar edhe herë tjetër, me “sistemin” kam parasysh dy anë të së njëjtës medalje: mënyrën se si funksionon oktapodi shumëkëmbësh i pushtetit politik, ekonomik, mediatik, gjyqësor në Shqipëri dhe elitën që lëviz tentaklat e këtij oktapodi. Me fjalë të tjera: më një anë klientelizmin, monopolet, korrupsionin, dhe, më anë tjetër, klientizuesit, monopolizuesit, korruptuesit.
Shkurt, Ilir Meta mund të quhet sot për sot edhe njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë. Nëse sistemi do të vazhdojë të funksionojë kështu ai do të bëhet vërtet president i ardhshëm i vendit, siç parathonë ata që ishin në ditëlindje. Sa më shumë kalon koha aq më shumë forcohet Ilir Meta “që i di mirë punët e veta”, njeriu që “politikën e konsideron maratonë dhe jo sprint”, siç thanë të majtë dhe të djathtë për të me rastin e ditëlindjes.
Megjithatë, paradoksalisht, Ilir Meta është edhe njeriu më i dobët i Shqipërisë pikërisht pasi është njeriu më i fortë. Le ta shpjegoj këtë dobësi që disa nuk e shohin, por që është aty, si hija e Ilir Metës, që e ndjek atë hap pas hapi në maratonën e tij.
Në të dy krahët e Ilir Metës janë dy parti që, po t’u ndjekësh retorikën, që të dyja nuk bëjnë gjë tjetër veçse sulmojnë sistemin për të fituar simpatinë e munguar të asaj që mund të quhet shumica e shqiptarëve. Edi Rama kur premtoi “rilindjen” a nuk na premtoi goditjen e sistemit, eliminimin e monopoleve, një drejtësi të pavarur që do të dënojë krimin dhe korrupsionin, pavarësimin e medieve nga pesha e rëndë e pronarëve etj. etj.? Tani që ka dalë në opozitë a nuk po bën të njëjtën gjë edhe Berisha dhe Lulzim Basha.
Ja pikërisht kjo është edhe dobësia e Ilir Metës. Shqipëria nuk mund të bëjë dot përpara – edhe në sytë e Evropës – pa ndryshuar sistemin shtyllë e të cilit, me të drejtë apo pa të drejtë, konsiderohet pikërisht Ilir Meta.
Po të dëgjosh se ç’thuhet në prapaskenë për Ilirin, që sot për sot në skenë nuk e godet thuajse askush, do të dëgjosh një muzikë krejt tjetër nga ajo e ditëlindjes. Nga ish aleatët, opozitarët e sotëm, ai trajtohet si shkaku i humbjes së zgjedhjeve. Ishte aleanca me një parti të korruptuarish, si ajo e Ilir Metës, që prishi edhe imazhin e PD-së së pastër me Saliun, njeriun e ndershëm, në krye të saj. Në anën tjetër është shumë i madh numri i atyre socialistëve që, kur flasin për Edi Ramën, njeriun që me idealizmën e tij, punon vetëm për historinë, kur vjen puna për mashtrimet e tij të shumta, prapë alibinë e gjejnë tek Ilir Meta, “plehra” me të cilin duhej bashkuar për të rrëzuar Berishën, e që përsëri po bëhet pengesë për të realizuar premtimet tona.  Ja pra, paradoksi: dy partitë tona mbijetojnë politikisht me fjalime kundër sistemit që me vepra e kanë ngritur vetë (sëbashku me Ilir Metën sigurisht); e, në këtë lojë i vetmi që s’ka shans të ndahet nga sistemi, sepse ka qenë vazhdimisht në pushtet, është Ilir Meta, që me zgjedhjet që ka bërë është i destinuar të qëndrojë si shtyllë e palëkundur e  sistemit.

Sigurisht as Edi Rama, as Sali Berisha, as Lulzim Basha sikurse as Ilir Meta e festexhinjtë e ditëlindjes së tij nuk kanë interes të bjerë sistemi. Mjaft të shohësh heshtjen thuajse totale të gazetarisë ndaj skandalit të ditëlindjes së tij. Interes për këtë kanë vetëm shqiptarët që, sa më shumë festa të tilla shohin, aq më shumë i gjykojnë këta festexhinj siç gjykonin dje nomenklaturën komuniste. Mirëpo problemi është se këta shqiptarë janë shumica dhe, çka është më e keqja, ky sistem nuk mund të qëndrojë dot gjatë më këmbë kështu siç është ndërtuar pasi këta e kanë ndërtuar shumë shumë keq, edhe kundër interesave të tyre afatgjata. E në momentin që do të bjerë të gjithë do të turren, me të drejtë apo pa të drejtë, kundër Ilir Metën si shtylla e urryer e sistemit. Ja kjo është hija e dobësisë që e ndjek hap pas hapi Ilirin në maratonën e tij drejt presidencës. Në fakt është hija që prodhon drita e së vërtetës që vonon, por nuk harron. (Panorama, 29 mars 2014)

No comments: