Thursday, November 7, 2013

Shpresa dhe dyshime



Të gjithë po ndjekin me vëmendje aksionet e para të qeverisë – edhe mbështetësit e saj, edhe kundërshtarët, edhe dashamirët, edhe skeptikët, edhe të lodhurit, edhe indiferentët. Besoj se vëmendja është e lidhur me atë se, siç thotë një fjalë, shpresa vdes e fundit. Por përpara se të bëj ndonjë koment mbi atë se sa shpresë ngjallin këto aksione, le të vë në dukje diçka që më duket shumë e rëndësishme:
Ka një pjesë që thonë: Lërini të punojnë, duhet të presim nja 100 ditë, apo 300, apo dy vjet që të shohim rezultatin e punës dhe pastaj të flasim. Gjykoj se këta nuk e kanë kuptuar ende, pas njëzet vjetësh, se ç’është demokracia dhe liria. Ashtu siç flasin këta – jo pa kontributin e sjelljeve të politikanëve – do të thotë të vazhdojë mënyra e funksionimit të regjimit autoritar ku vendimet merreshin në kupolë dhe ekzekutimet e tyre i jepeshin popullit si dhuratë nga partia, çka ka vazhduar edhe këta njëzet vjet në të cilët mund të numërohen me gishta rastet kur vërejtjet e opozitës apo të mediave e shoqërisë civile të kenë korrigjuar ndonjë vendimmarrje të maxhorancës dhe të qeverisë së saj. Në demokraci vendimmarrja duhet të jetë gjithnjë nën vëzhgimin e çdo qytetari, qoftë nëpërmjet qëndrimeve të tij individuale, qoftë nëpërmjet opozitës, mediave, shoqërisë civile, sondazheve që matin çdo javë rënien apo ngjitjen e mbështetjes etj. Sepse demokraci dhe liri do të thotë pjesëmarrje. Kush nuk merr pjesë, nuk ka pse ankohet për mungesë demokracie dhe lirie në një vend.
Le të kthehemi tani te vendimmarrjet e fundit. Ato që më kanë tërhequr vëmendjen më shumë janë vendimet e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe pastaj të ndalimit të ndërtimeve, si dhe ato kundër qendrave të bixhozit dhe të lojërave të fatit. Duket sheshit se ato synojnë të godasin disa fenomene që i sheh gjithkush se janë gangrenë e shoqërisë me përmasa dramatike. Sipas meje, këto vendime gëzojnë mbështetje të gjerë të opinionit, ashtu sikurse edhe vendimi për ndalimin e importit të plehrave. Ndërkaq, krahas këtyre aksioneve, nuk mund të mos bien në sy edhe zëvendësimet e shumta të njerëzve në Polici e administratë, në sajë edhe të ligjit normativ, edhe ristrukturimeve. Këto zëvendësime janë ndjekur e po ndiqen me mëdyshje e dyshime nga opinioni.
Duke i parë vendimet dhe zëvendësimet, që janë jo pa lidhje me njëri-tjetrin – sepse pikërisht aksioni kundër kazinove dhe lojërave të fatit sikur përligji shkarkimet në Polici – pikëpyetja që ngrihet është: Kemi të bëjmë me një nisje të mbarë, apo kemi të bëjmë me një zëvendësim klientele ku operacioni shërben si fasadë? Për ta mbështetur këtë dyshim po u referohem disa argumenteve. Së pari, një argumenti të Edi Ramës, i cili shpeshherë ka thënë e ripërsëritur se e keqja këtu te ne nuk janë njerëzit, por është sistemi: se kushdo që hyn në këtë sistem është i shtrënguar të punojë sipas ligjeve të tij korruptive. Atëherë, nëse është kështu, përse duhen ndërruar njerëzit në masë? A nuk i duhet mëshuar prioritetit të ndryshimit të sistemit? Dhe në këtë pikë nuk mund të mos ngrihet pyetja: Po cili është sistemi? Personalisht, kur them sistemi nuk kam parasysh emrat e disa strukturave apo institucioneve që po ndërrohen me ca emra të rinj, siç është p.sh. një byro hetimi, që po zëvendëson një strukturë tjetër të Policisë. Kam parasysh tërë atë rrjet lidhjesh klientelare, madje kriminale politikë-biznes-media-krim (të organizuar dhe çorganizuar), si dhe njerëzit që e promovojnë e kontrollojnë atë. Kam parasysh se ky rrjet i bën institucionet e pushteteve të ndara, cilado qoftë mënyra e organizimit të tyre në nënstruktura, që në vend se të punojnë në emër të interesit publik dhe drejtësisë duke kontrolluar njëri-tjetrin, të punojnë së bashku si një metastazë që ha çdo ditë qelizat e shëndosha të shoqërisë. Ose me fjalë të tjera, pa metaforë: sistemi janë “të fortët” e të paprekshmit që qarkullojnë shumicën e parasë publike, të parasë të pastër dhe të pisët në këtë vend nëpërmjet kapjes së shtetit, të tregut, të territorit e të burimeve natyrore të këtij vendi dhe që e kanë kthyer shumicën e shqiptarëve në argatë të tyre. Këtu fus, pa dyshim, edhe të fortët e krimit. Mendoj se ish-opozita, tashmë maxhorancë në pushtet, duhet të jetë më e informuar se unë vetë për “të fortët” e këtij sistemi. Nëse nuk janë të informuar, le të ulen me laps në dorë ekonomistët dhe financierët e Ramës dhe le të kalkulojnë, p.sh. se sa metra katrorë sipërfaqe banimi kanë shqiptarët dhe se sa para janë përdorur për ndërtimin e tyre, të kalkulojnë se sa vila janë ndërtuar dhe se kush i ka ndërtuar apo blerë dhe me se. Jam i sigurt se do të arrijnë në një diferencë të madhe midis parasë së harxhuar për të ndërtuar dhe blerë këto metra katrorë dhe parasë që rezulton e deklaruar si e fituar me djersën e ballit. Po ashtu do të arrijnë në përfundimin se në duart e kujt është pasuria e shqiptarëve, se me çfarë merren këta dhe nëse kanë paguar taksa apo jo.
Edhe kur bëhet fjalë për kazinotë e lojërat e fatit, ka shumë të dhëna që të çojnë tek të fortët dhe  tek ideja se ato jo vetëm gjenerojnë krim, por janë vendstrehime të krimit pasi janë vende riciklimi parash të pista.
Dua të them se ajo që del shumë lehtë në pah është se ekonomia jonë është një ekonomi kriminale në pjesën më të rëndësishme të saj dhe se politika jonë është shprehje e interesave të kësaj ekonomie. Aq sa të luftojë krimin me seriozitet sot për politikën është njëlloj si të presë degët mbi të cilat qëndron; të ndodhet përballë rrezikut se ndërsa ka premtuar 300 000 vende pune të reja, të krijojë edhe më shumë papunësi.
Thënë kjo, pyetja që shtrohet është: A e ka parasysh qeveria këtë realitet dhe a janë në drejtimin  e goditjes së sistemit që ka prodhuar këtë realitet veprimet që po kryhen ajo? Është e vështirë t’i përgjigjesh me një “po” apo “jo” kësaj pyetjeje, sepse tek e fundit këtë do ta provojnë muajt në vazhdim, por siç e thashë, pikëpyetjet dhe dyshimet duhet t’i ngremë. Deri tani ajo që vihet re në këto aksione është se ata kanë të përbashkët ndryshimin në masë të njerëzve, ndryshime në masë në administratë, ndryshime në masë në Polici, ndryshime në masë (që priten) edhe në pushtetin lokal me reformën administrative territoriale. Krahas tyre, ka disa operacione që edhe pse pozitive, nuk janë më shumë sesa sinjale apo shfaqje. Nuk ka dyshim se për ndryshimin duhen njerëz të rinj. Po ashtu nuk ka dyshim se njerëz të rinj do të përpiqen qoftë edhe vetëm në fillim, të bëjnë diçka pozitive. Por pikëpyetja që ngre unë është tjetër: A po preken vërtet të fortët, ata që tërheqin fijet e sistemit në skenë apo prapaskenë dhe strukturat që kanë ngritur ata? Një socialist më tha “po”, kjo do të ndodhë, Kryeministri e ka këtë vullnet. Një tjetër, po socialist, më tha: “70 për qind e këtyre që ti po sheh të bëhen synojnë thjesht zëvendësim klientele, 30 përqindëshi që mbetet është shfaqje mediatike për të maskuar zëvendësimet, plus paaftësi”. Sikurse e thashë në fillim: ne s’kemi pse presim që të shohim se cila do të dalë e vërtetë, por duhet të bëjmë presion që të ndodhë e para. (Panorama, 22 tetor 2013)

No comments: