Tuesday, May 7, 2013

Të kapur për dy veshësh


Sikur të mos e kisha njohur Egin Cekën personalisht, mund ta kisha besuar se një diplomat shqiptar ka shkuar dhe ka provokuar Edi Ramën në takimin e tij në Vjenë. Akuzat për diplomacinë tonë, që historikisht ka punuar si shërbëtore e pushteti të radhës dhe jo si përfaqësuese e shtetit shqiptar, qëndrojnë dhe jo pak. Por, duke e njohur Eginin, mendimi që kam krijuar për dinamikën e incidentit të Vjenës është se s’kemi të bëjmë me provokim, por se pikërisht pasi ai i është drejtuar Ramës me mirësjelljen që e karakterizon, kjo i ka dhënë “zemër” kryetarit të PS që të bëjë gjestin e shkuljes apo tërheqjes së veshit.

Personalisht mendoj se një gjest i tillë është tregues i një kulture primitive, paternaliste, autoritare, prandaj dhe i palejueshëm, madje i dënueshëm edhe kur e kryejmë ndaj fëmijëve tanë në familje, qoftë edhe me gjysmë përkëdhelie. Kurse i kryer nga kryetari i opozitës ndaj një të rrituri, qoftë ky diplomat apo jo, është ngjarje që i kalon kufijtë e normales. Në një vend normal me njerëz normalë – kam parasysh me “normal” një vend të lirë dhe demokratik ku njeriu, pikërisht pse e konsideron tjetrin të barabartë në dinjitet, nuk e prek me dorë – ky gjest, për një politikan, do të ishte i barabartë me vetëvrasje politike. Sepse mendimi i parë që të vjen ndër mend është: edhe pa pushtet ky sillet kështu, mendo sikur të ketë edhe pushtetin e një Kryeministri; do të kërkojë të na marrë për veshi të gjithëve. Në fakt, politikani në një vend të lirë dhe demokratik është i detyruar të durojë edhe njerëz të pakënaqur ndaj tij që e sulmojnë verbalisht apo edhe me domate apo me vezë,  e jo të bëhet agresor.

Por ne nuk jemi një vend normal. Ne jemi një vend ku anormaliteti legjitimohet me një anormalitet edhe më të madh nga pala tjetër. Mjaft të shohësh mënyrën se si u mor ngjarja nga PD-ja dhe pastaj u rimor nga PS-ja dhe mediat pranë saj për të kuptuar se njeriu shqiptar është i kapur jo për një veshi, por për të dy veshët, që i tërhiqen fort e më fort nga të dyja palët në garë se cili është më i dhunshëm.

Si kundërpërgjigje ndaj aktit të Ramës pamë Kryeministrin të lëshojë një lumë sharjesh që tregonin edhe ato një mendësi super paternaliste – sikur është ai mbrojtësi ynë nga dhunuesit, pasi është më i fortë se tjetri në përdorimin e dhunës qoftë fizike, qoftë verbale – ndërkohë që edhe mund të mos prononcohej fare për këtë punë e t’ia linte Ministrisë së Jashtme dhe gazetarisë. Pamë pastaj shumë nga mediat pranë maxhorancës të gënjejnë haptazi duke thënë sikur Edi Rama e kishte qëlluar Egin Cekën me grushte, pa përfillur fare as deklaratën e tij, duke e keqpërdorur, kështu, edhe ata njeriun Egin. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, u krijua edhe një komision parlamentar hetimi për ngjarjen që tingëllon krejtësisht grotesk. Pra, ndaj tërheqjes së veshit pala tjetër vuri në përdorim grushtet. Dhe si përgjigje ndaj “grushteve”, pala tjetër e pa të arsyeshme të hedhë ca “shqelma”. Jo vetëm që nuk pamë ndonjë grimë reflektimi, por të gjithë militantët grushtbashkuar kryetarit të PS filluan të sulmojnë Egin Cekën. Kjo u shoqërua edhe me fushatën kundër tij në shtypin  pro opozitës. Kulmin papërgjegjshmëria e tyre e arriti – të paktën deri tani – me deklaratën publike të Ramës, i cili, duke u tallur me të gjithë të vegjlit e këtij vendi, deklaroi se në popullin e internetit (kupto të b…lëpirësve të tij)  paska gjetur shumë entuziazëm propozimi i akademikut Fatmir Velaj që 24 prilli të bëhet dita e festës kombëtare të tërheqjes së veshit.

Unë nuk e di a e ka thënë Velaj këtë apo e ka sajuar Rama, por cilado qoftë e vërteta, e gjithë kjo ngjarje të bën të mendosh se ne jetojmë në një çmendinë publike që të kujton thënien e Lacanit: “Një njeri që pandeh se është mbret, është i çmendur, por është shumë herë më i çmendur një mbret që pandeh se është mbret”.

Sipas meje, ka ardhur dramatikisht koha që shqiptarët të mendojnë seriozisht: pse këtij vendi i dalin gjithherë në krye njerëz kaq të papërgjegjshëm që do të duhej të ishin duke kryer psikoterapi intensive në vend se duke u marrë me punën më të rëndësishme që mund t’i bjerë njeriut në jetë: menaxhimi i fateve të jetës së bashkatdhetarëve të tyre. (Panorama, 3 maj 2013)

2 comments:

Bledi said...

Perveç shprehjes "b.... lepiresve te tij", sepse per mendimin tim shumica e fansave te Rames jane te mashtruar, ndaj te njejtat mendime.

B
Milano

Gledi said...

Z.Lubonja!A do te kishit pranuar ju qe gjithe keto kritika qe i beni pa reshtur ne shkrimet tuaja ndaj liderve politik ti benit ball perball me ta ne nje studio televizive?Kjo gje mesa di une ka shume kohe qe nuk ndodh te pakten qe nga koha e dabateve tuaja me Edi Ramen ne fillimet e tij si kryebashkiak.Dhe jam i sigurt se kjo gje me teper ndodh ngaqe ju keni vendosur keshtu(mendimi im).Nuk e kuptoj pse kjo "frike"per ballafaqim direkt me pergjegjesit e kesaj katrahure.Ky eshte nje kompleks gazetaresk qe duhet ta kaperceni ju dhe shum gazetare te tjere qe kane vendosur te merren vetem me aspektin filozofik e ideologjik te qeshtjeve.Duke e lene "te qete"karvanin qe nuk bezdiset fort nga te lehurat dhe vazhdon perpara e perpetuon te keqen dita dites.Do doja nje presion dhe ballafaqim me te madh te gazetareve ndaj politikaneve.Pse jo edhe kerkesa publike liderve qe te dalin perball jush duke mos e lene kete qeshtje ne dore te ndonje tv apo moderatori te politizuar.Kjo do te bente qe edhe presioni publik ndaj politikaneve te rritej...Duhet qe grupimi i gazetarve te lire te jete me aktiv dhe te clirohet nga zinxhiret e politikes duke krijuar pushtetin a pare te pamvarur ne shqiperi.kete mund ta bejne vetem gazetare profesioniste e me integritet te pa cenuar....Nuk mungojn dhe nuk kane per te munguar kurre gazetare te tille problemi eshte te energjite qe shpenzohen dhe organizimi dhe menaxhimi i tyre.Z.Lubonja mendojeni seriozisht nje levizje qytetare pas 23 qeshorit e promovuar nga ju intelektualet qe ti beje oponence kastes dhe te sensibilizoje opinionin publik nepermjet te vertetes dhe jo shperlarjes se trurit.Kjo me shpresen se [pas 4 vjetesh te jene pjek kushtet per levizje te re dhe me ide te qarta e afatgjata per vendin e cila mund ta qeverise vendin shum me mire (jo perfekt)te pekten duke mos bere keq me dashje.