Saturday, January 19, 2013

Të flasësh me veten


Një alter ego brenda vetes sime ka ditë që më thotë se duhet të ulem të shkruaj një shkrim, ndërkohë që unë i përgjigjem: Po ç’të shkruash dhe pse të shkruash? Po ja, për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur – më thotë. Po cilat janë këto ngjarjet e reja që paskan ndodhur? Nuk ka ndonjë të re që të meritojë të shkruash. Po si nuk paska? – më përgjigjet. Çdo ditë ndodhin ngjarje në Shqipëri. Apo mos do të thuash se punët në Shqipëri po shkojnë mirë. Jo, jo, absolutisht,  e kundërta – i përgjigjem – por, të them të drejtën, më duket vetja si një mjek që punon prej vitesh në repartin e të sëmurëve terminalë dhe kërkon të ndryshojë pavijon. Po kjo është metaforë – ta krahasosh Shqipërinë me një të sëmurë terminal – se po të qe ashtu, 40 vjet komunizëm me çfarë do t’i krahasoje ti? Po pse, nuk ishte vdekje ajo që ndodhi më ‘91-shin? – ia kthej. Jo, jo, ajo ishte rilindje, ja ti dole nga burgu dhe fillove të jesh i lirë të thuash mendimin tënd. Nuk mund të presësh që një shoqëri të ndryshojë me një artikull. Ti thua kështu, kurse mua me duket se kjo që po ndodh është dekompozimi i kufomës – i përgjigjem.
E në këtë dialog me alter egon tim, ku ai më sugjeronte ngjarje kurse unë i përgjigjesha se nuk është e re, se temën e kam trajtuar njëqind herë, se këtu veç e kundërta e atyre që kam shkruar është bërë, arrita të flas me veten për nja katër ngjarje:

Zoti i Berishës

Ngjarja më e rëndësishme, sipas meje – më tha alter egoja – ishte deklarata e Berishës se gjëja e parë në të cilën ai beson në këtë jetë është Zoti dhe gjëja e dytë, pas Tij, është çështja e bashkimit të shqiptarëve; se s’mund të pranohet që tre të katërtat e shqiptarëve të jetojnë jashtë shtetit të tyre. A e mendon ç’pasoja ka kjo për rajonin?
E rëndomtë – i them unë, – s’bën lajm po të kesh parasysh se çfarë ka thënë e çfarë s’ka thënë ky njeri. Deri 50 vjeç ka qenë komunist me aspiratën për të bërë karrierë në vendin e vetëm ateist në botë; tani është bërë besimtar. Deri jo më shumë se para një viti deklaroi se ai e ka pas besuar çështjen e bashkimit me Kosovën, por se kjo tashmë është një punë e mbyllur nga e cila shqiptarët duhet të heqin dorë e të mendojnë për bashkimin në Europë. Tani e quan prapë bashkimin kombëtar besimin e tij të dytë; nesër prapë do ta përgënjeshtrojë.
Po ja – më thotë alter egoja – kjo deklaratë meriton të trajtohet në kontekstin e fushatës. Dikush i ka shtirë në vesh se ky Kreshnik faqeziu rrezikon t’i marrë vota, prandaj i thotë këto. Por ka edhe nga ata që thonë se u ka marrë më parë dorën amerikanëve, se ata kanë ato interesat e tyre në rajon. Ti si thua?
Lëri mor këto budallallëqe – i paskan thënë amerikanët. E vetmja gjë që meriton të komentosh lidhur me këtë pseudongjarje ka të bëjë me pyetjen se si e mendon Zotin Berisha. Dhe jo vetëm pse kjo ka të bëjë me Berishën, por sepse ka të bëjë edhe me pyetjen: në çfarë zoti besojnë ata nëntëdhjetë e kusur për qind e shqiptarëve që i nxori censusi i fundit si besimtarë?
Dhe, sipas teje?
Sipas meje, nga sa di unë, një besimtar i vërtetë është ai për të cilin “Zoti” nuk është thjesht një fjalë që e përmend vend e pa vend, por është vetë jeta e tij. Dhe po të kemi parasysh se, sipas Kuranit, Zoti do shpirtrat bujarë, ata që bëjnë mirë, apo se Zoti, siç thotë Shën Pali, na shfaqet nëpërmjet dashurisë, unë do të thosha se besimtari i vërtetë jeton i frymëzuar nga dashuria për njerëzit. Tani më thuaj ti nëse është ky rasti i Berishës dhe i shumicës sonë. Që t’i bie shkurt, mua më del se jeta e Berishës, zoti i tij, është pushteti, kurse Zoti i madh dhe i vërtetë është vetëm një fjalë në shërbim të  këtij – madje shumë më i vogël se ambasadori amerikan. Zoti i duhet atij thjesht si fjalë që të bëjë aleancë elektorale për pushtet me të, kaq. Po ashtu edhe bashkimi kombëtar është më pak i rëndësishëm se LSI-ja – ta them unë. Prandaj mos e merr seriozisht si lajm se ka ndodhur një konvertim i madh i Berishës dhe i shqiptarëve të djeshëm. Po ata janë, që i falen vetëm pushtetit dhe lopës prej floriri.

Vjedhja e Kishës me afreske të Onufrit

Njerëz pa din e pa imam kanë shkuar me sqepar dhe me dalta dhe kanë dashur të nxjerrin nga muri afresket e pikturuara nga Onufri në shekullin XVI, për t’i shitur për pesë lekë. Ky është skandal – më thotë alter egoja. Po pse lajm të duket ky? – përgjigjem unë. Po këtu po shitet e tërë Shqipëria për pesë lekë. Pastaj, a nuk u vodhën pikturat e Vangjush Mios para disa muajsh në Korçë? Meqë ra fjala, a është zbuluar se kush i ka vjedhur? Më duket se jo.
Po ministri që thotë nuk i ruajmë dot? – ma kthen ai. Mirë e ka ministri, të vërtetën ka thënë; në një vend ku rojet janë hajdutë, si mund të ruhet gjëja? Edhe këta që e denoncojnë sot ministrin kur kanë qenë roje të monumenteve i kanë nxjerrë ato nga lista për të ngritur pallate. Harrove ti? Kalo, kalo.
Po plani urbanistik i Tiranës. E more vesh që do të ndërtojnë pallate edhe te ish-vila e Enver Hoxhës, edhe prapa Piramidës, edhe te lagjja jote?  Vetëm kuadratin ku ka vilën Fevziu e kanë lënë të bardhë.
E pashë – i them unë – tek emisioni i Bushatit. Po ç’të them unë kur shoh Shkrelin që ka projektuar pallatin e Berishës me lejen e Ramës të denoncojë tani pallatin që do ngrihet përballë të vetit me lejen e Bashës. Na thotë tani se Tirana është bërë 15 mijë banorë për kilometër katror, ndërkohë që në botën normale dendësia është 4-5 mijë dhe se Basha paska ndër mend ta bëjë 25 mijë. Po a nuk e çuan këta në 15 mijë? Si nuk thanë një fjalë këta për ato dhjetë grataçielat e planit francez të Ramës në qendër, apo për atë k… më fal për shprehjen, dhjetëkatësh të lartë që do të futej brenda Muzeut Kombëtar, dhe flasin tani për ngritje pallatesh në qendër që do të na rritkan dendësinë!
Alter egoja më ndërpret mllefin duke më thënë: Po kjo s’do të thotë se çështja që ngrenë nuk qëndron dhe se këta nuk kanë të drejtë të ndryshojnë mendim. Mirë mo, mirë, por një “mea culpa” u jep edhe kredibilitet në atë që thonë – i përgjigjem – pse duhet ta harrojmë ne që ishin këta që e bënë qendrën monument kulture duke thënë se nuk do të preket dhe pastaj, kur morën Bashkinë, e kthyen të gjithën në shesh ndërtimi? Të japin ndonjë garanci ty këta kur s’bëjnë as minimumin e një “mea culpa” dhe kur sheh që s’ua kërkon këtë as Bushati? Ok, por më thuaj: a bëjnë mirë që i ngrenë këto gjëra, apo jo? Mirë bëjnë, mirë. Le të qarkullojë në ajër e mira, edhe pa zbritur kurrë në tokë, sepse është më keq të mos ekzistojë fare. Përfundimisht, jam dakord me ato që tha Shkreli: Tirana ka nevojë të rikualifikojë atë që ekziston duke krijuar sa të jetë e mundur sipërfaqe të gjelbra, dhe jo të vazhdojë ndërtime që e rrisin dendësinë edhe më. Dhe gjëja kryesore që duhet të bënte plani, duhet të ishte vendosja e njollave si ajo që, për fat të keq, në të gjithë Tiranën, e gjen vetëm te kuadrati sa një fushë futbolli ku ndodhet vila e Fevziut.

Ministri peruan

Një ministër peruan i akuzuar në vendin e tij për grusht shteti dhe korrupsion dhe i kërkuar nga Interpoli ka ardhur në Shqipëri dhe, sa hap e mbyll sytë, në bashkëpunim edhe me disa italianë, ka investuar paratë e tij – të pista, sipas akuzave peruane – për të  ndërtuar një impiant djegieje plehrash në Fier. Vër re: impiant djegieje plehrash. Vër re: së bashku me italianë. Vër re: shteti ynë ka aprovuar një ligj për importimin e plehrave në Shqipëri. Vër re: peruani e ka arritur këtë me ndihmën edhe të kryebashkiakut opozitar të Fierit edhe të Kryeministrit maxhoritar në Tiranë. E paparë: sipas lajmeve, edhe u arrestua për ekstradim, dhe nuk u arrestua. A është lajm i ri ky?
Absolutisht jo. E reja e vetme që kemi të bëjmë është se personi është peruan. Të tjerat janë film i parë. Pse, a nuk kërkuan italianët vetëm para pak kohësh një ekstradim (po nga Fieri, meqë ra fjala) dhe nuk e arritën dot? Unë kam të dhëna nga burime shumë të besueshme se janë 60 bosë këtu në Shqipëri që kërkohen të ekstradohen nga italianët dhe këta tanët nuk i japin. Pse? – do të thuash ti. Mos pyet, e di edhe bufi se këta bosët e kanë shtetin dhe drejtësinë në xhep – për të mos thënë se janë vetë shteti. sikurse e di edhe bufi se ka kohë që ne kemi lidhur një pakt të heshtur me paratë e pista që të zbresin nga lartësia e pisllëkut të tyre në pastërtinë e xhepave tanë të dëlirë. Prandaj mos më thuaj se është lajm i ri ky i peruanit, të lutem.

Akuzat e ndërsjella

Po akuzat e ndërsjella për vjedhje apo korrupsion midis socialistëve që sulmojnë familjen e Berishës dhe demokratëve që sulmojnë familjen e Ramës nëpërmjet pallatit: Argita versus Linda; Linda versus Argita?
Vetëm ky që s’bën lajm. Aq sa ç’është lajm fakti që sa herë bie shi në rrugicën time krijohet një pellg mbi të cilin duhet të gjesh tulla e dërrasa rrethanore që të mund të kalosh dhe që ka mbetur ashtu edhe pas njëzet vjetësh, megjithëse rrugica është shtruar nja katër a pesë herë. Prandaj boll fole me veten – se na kanë bërë vërtet të flasim me veten – shih më mirë ndonjë film me dashuri. (Panorama,  19 janar 2013) 

1 comment:

focalmania said...

Shume deshperues fakti qe e mira nuk mund te zbres ne toke. Vazhdo te shkruash pavaresisht qe ska asnje lajm te ri, se eshte me mire se ata si ju te lodhen se shkruari. Shume interesant bashbisedimi.