Saturday, December 22, 2012

Berisha si alibi



 Me rastin e përvjetorit të krijimit të PD, nuk mund mos të të binte në sy se sa është shtuar në shtypin opozitar trajtimi i lëvizjes studentore si një lëvizje idealiste, por që u uzurpua dhe u shprish për shkak se në të u fut Sali Berisha (njeriu i Ramiz Alisë) bashkë me disa të këqij të tjerë si ai. Gjykohet, pra, sipas një ideje të njohur që thotë se revolucionet i bëjnë idealistët dhe prej tyre përfitojnë maskarenjtë, të cilët zhdukin, pastaj, më të mirët. Pa dyshim që projektohen në këto komente edhe traumat që ka shkaktuar dhe shkakton Berisha i sotëm me demokracinë dhe lirinë, fakti se po grumbullon pushtet të frikshëm dhe se po e shfrytëzon pushtetin për interesa të tij personale e të familjes. Megjithatë, gjykoj se ka një problem me idenë në fjalë: jo pse nuk besoj se ka “më të mirë” dhe “më të këqij” në një grupim apo lëvizje të caktuar, por sepse faktin e triumfit të më të këqijve nuk e shoh thjesht si një rastësi apo si vepër diabolike të një “të keqi”, por si një gjë shumë më komplekse që duhet të na shtyjë të mendojmë se çfarë “cilësish” ka ky “i keqi” që i japin atij “fitoren”. Sepse nuk mund të harrojmë se, në historinë tonë, nuk kemi një rast të vetëm kur na del një “i mirë” në krye. Në fakt, historia jonë e ka “të keqin” si rregull që nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha e deri te Sali Berisha dhe Fatos Nano, për të përmendur vetëm ata më kryesorët.
Në këtë kontekst unë nuk mund të mos shtroj dy pyetje të lidhura njëra me tjetrën. E para: po mirë, pse partia e Ilir Metës nuk akuzohet si partia e një autoritari dhe të korruptuari, pse partia e Edi Ramës nuk është po ashtu, pse Kreshnik Spahiu nuk ka shenjat e një lideri që kërkon të vendosë gjithçka vetë e për vete, pse…, pse…, pse…? Do të arrinim me pyetjet deri në strukturat më të vogla të shoqërisë sonë. Dhe, e dyta: po sikur të mos ishin këta të tjerët kështu siç janë, a do të mund të kishte Berisha pushtetin që ka?
Një përgjigje e arsyeshme ndaj kësaj pyetjeje do të ishte ajo se, në momentin që po jetojmë, Berisha ka prirjen për t’i eklipsuar të gjithë, për të mos thënë për t’i eliminuar, dhe nuk ka dyshim se do të merremi me të më së shumti dhe jo me këta të tjerët. E drejtë, pa pikë dyshimi – por problemi qëndron te mënyra se si po merremi me Berishën.
Ashtu siç e lexoj unë shtypin dhe ndjek shumë zëra të ndryshëm opozitarë, më bie në sy se më së shumti në këtë zonë të spektrit politik ka një garë se kush të gjejë sharjet dhe epitetet më të tmerrshme për individin Berisha. Si në ato përrallat e frikshme për fëmijë ai paraqitet si dragoi që na ka bllokuar ujin dhe që kërkon një nga një vajzat tona, sa herë që na lëshon pak ujë, dhe që pret një trim që ta vrasë që të shpëtojmë prej tij. Me fjalë të tjera, pa përralla, Berisha paraqitet si shkaku i gjendjes sonë. Njëlloj siç e kemi paraqitur Enver Hoxhën si shkakun e gjendjes sonë në komunizmin që e vuajtëm aq tragjikisht. Dikush ia atribuon të keqen karakterit të Berishës, dikush prejardhjes, dikush të qenit komunist, ndonjë edhe gruas apo familjes apo ndonjë të keqi që ka rrotull, por deri këtu shkohet.
Personalisht nuk më shkon ky shpjegim, sepse, më e pakta, më duket se me këtë rast duam të lajmë duart nga përgjegjësitë tona, madje edhe nga e keqja brenda nesh. Prandaj më duket e arsyeshme ta shtroj pyetjen kokëposhtë: mos vallë nuk është Berisha shkaku i gjendjes sonë, por është gjendja jonë që prodhon Sali Berishët? Sipas meje, ashtu sikurse nuk mund ta kuptojmë tragjedinë e komunizmit që ndërtuam duke iu referuar vetëm Enver Hoxhës, por duke studiuar kontekstin që e lindi dhe e mbajti atë në pushtet, po ashtu edhe berishizmin duhet ta trajtojmë dhe luftojmë si një fenomen që ka të bëjë me të gjithë ne. Përndryshe Berisha mund të shërbejë si një alibi në rastin më të mirë për të mbajtur ndërgjegjen të qetë – se po e luftojmë të keqen – dhe në rastin më të keq për të manipuluar njerëzit, gjithë duke e lënë në pushtet të keqen që ai përfaqëson.
Shekspiri te “Jul Cezari” na jep një mësim të rëndësishëm moral pikërisht lidhur me atë se si duhet ta luftojmë “vrasim” një të keqe. Në kohën kur konspiratorët përgatisin vrasjen e Cezarit, kërcënim për republikën, dhe Caius Cassiusi propozon që, me këtë rast, të vrasin edhe Mark Antonin, Bruti, më fisniku i konspiratorëve, i thotë: “Kjo që po bëjmë është një sakrificë, dhe jo punë kasapësh, Caius. Ne duhet të ngrihemi kundër frymës së Cezarit; dhe në frymën e një njeriu nuk ka gjak: Ah sikur të mund të vrisnim frymën e Cezarit pa e gjymtuar trupin e tij!… … puna jonë duhet të vlerësohet nga njerëzit si punë e nevojshme, jo si punë zilie, ne duhet të quhemi pastrues, dhe jo vrasës…” (përkthimi im i lirë FL).
E, pra, nën dritën e këtij gjykimi të lartë, më duket se gjuha dhe argumentet që përdoren më së shumti në shtypin tonë kundër Berishës janë argumente “kasapësh” që synojnë “vrasjen” e trupit dhe jo të frymës. Janë një përsëritje – prandaj dhe një përforcim – i berishizmit; njëlloj siç bën edhe vetë Berisha që mban gjallë enverizmin duke folur gjithë ditën kundër Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tij.
A mund të bashkohet lufta ndaj Berishës si individ me atë kundër frymës që ai përfaqëson? Sipas meje, po. Por, jo me parullën që të bashkohen të gjithë maskarenjtë kundër tij. Madje thelbi i kësaj gjuhe kasapësh, sipas meje, është bash legjitimimi që ka fituar këta njëzet vjet praktika e bashkimit të kujtdo me këdo, pa respektuar asnjë princip moral, asnjë kujtesë dhe asnjë vizion për botën. Kjo është lehtësuar nga fakti (kulturor) se një kategori, fatkeqësisht shumë e gjerë shqiptarësh, e kanë shumë të lehtë që, ndonëse s’kanë lënë gjë pa thënë e pa bërë ndaj njëri-tjetrit, pajtohen një ditë (pa u pajtuar) dhe e kalojnë tërë kohën bashkë duke sharë një armik të përbashkët, pa u kujtuar asnjë çast se, më së pari, duhet të sqarohen për çka i kanë bërë njëri-tjetrin. Kjo ndodh sepse në vend të disa parimeve morale kanë vetëm interesa të çastit të përbashkëta, sepse në vend të vizioneve për botën, shohin përpara vetëm veten e tyre. Jo, nëse do të bashkohen të gjithë qelbësirat kundër Berishës, jua siguroj unë se një kryeqelbësirë do të kemi përsëri në krye.
Prandaj gjykoj se mënyra më efikase për të bashkuar opozitarizmin ndaj Berishës si individ me luftën kundër frymës që ai përfaqëson, duhet bërë tjetërsoj. Sipas meje, ajo bëhet duke dhënë shembullin se vetë jemi të ndryshëm prej tij në atë që bëjmë përditë. Duke treguar se atë që luftojmë te Berisha e luftojmë më së pari te njerëzit tanë, te vetja jonë. Duke treguar se ne nuk jemi nga ata që ulen me kriminelë, vrasës, trafikantë, hileqarë e mashtrues gjithfarësh për të ndarë pare e pushtet me ta.
Po flitet këto ditë shumë për shifrat – skandaloze sipas meje – që marrka e bija e Berishës për mësimdhënie nëpër universitete private. Po si është e mundur që nuk shkruhet një rresht për ata që ia japin këto para. Ku qëndron lepuri? E përsëris pyetjen: a mund të qëndrojë më këmbë Berisha dhe berishizmi pa frymën e lakeut, matrapazit dhe korruptuesit që mbisundon gjithandej në shoqërinë tonë? A nuk duhet të merremi me këtë fenomen kur luftojmë berishizmin? Nëse përfaqësuesit e kësaj fryme, madje edhe kriminelë të vërtetë që bashkëpunojnë me politikën -  i lëmë pa prekur pasi kështu na e do interesi, përfitimi – apo edhe frika prej tyre – a nuk tingëllon atëherë lufta vetëm kundër personit Berisha si alibi për të mos u marrë me gjithçka e mban atë në pushtet si frymë?
Ka një argument që duhet marrë në konsideratë për të vënë në diskutim çka po them: ai sipas të cilit personi Berisha po ka prirjen të krijojë pushtet absolut dhe, sikurse thuhet, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute; prandaj, edhe sikur të gjithë maskarenjtë pa pushtet të bashkohen kundër tij, përsëri mirë bëjnë, pasi kështu të paktën Berisha do të marrë mësimin se nuk është absolut dhe, nëpërmjet tij, edhe gjithkush tjetër. Është një argument që vlen të diskutohet. Por ky argument, le ta quajmë pragmatist, kam shumë frikë se mund të kthehet në bumerang. Së pari, në princip, nuk jam i sigurt se e mira ecën përpara edhe nëpërmjet luftës së të këqijve, sepse kjo është si të thuash se do të shpëtojmë nga mafiozët ngase ata do të vrasin njëri-tjetrin. Në fakt, ata kështu fitojnë më shumë terren në një shoqëri. Së dyti, duke e gjykuar nga pikëpamja e pragmatizmit politik, me këtë lloj lufte i bëjmë një shërbim shumë të madh Berishës dhe frymës që ai përfaqëson: i japim atij dhe të tijve të drejtën që të mbrohen me të njëjtat mjete: duke akuzuar se qëllimi i atyre që e sulmojnë është i ulët, se janë të gatshëm të përdorin çdo qelbësirë kundër tij, dhe prandaj edhe ata do të përdorin çdo mjet dhe qelbësirë. Dhe, kësisoj, nuk ka se si të mos përfundojmë përsëri te triumfi i qelbësirave.
Dikush do të thotë se ajo që kërkoj është një luftë që kërkon kohë, prandaj më mirë të krijojmë koalicionin fitues kundër Berishës sot, sesa një pulë mot, pa parë se me kë po bashkohemi. Sipas meje, këtë e thonë ata që nuk duan të guxojnë ose ata që kanë uzurpuar politikën dhe kujtojnë se ajo s’bëhet pa ta. Sipas meje, nëse kërkojmë vërtet luftën kundër frymës që përfaqëson Berisha dhe impenjohemi në këtë drejtim, kjo luftë do të kërkonte kohën më të shkurtër për të sjellë fitoren që kërkojmë prej një kohe shumë të gjatë: të arrijmë të sjellim njerëz të mirë në krye të punëve tona. (Panorama, 21 dhjetor 2012)

2 comments:

Glen LLaçi said...

Perkthimi "Ah sikur te vrasim frymen e Cezarit" me duket me i pershtatshem se sa "Ah sikur te vrasim shpirtin e Cezarit". Ne fakt tani me kujtohet se kur e kam lexuar per here te pare Jul Cezarin nuk e kuptoja dhe aq pjesen kur bruti thot: Ah sikur ti vrasim vetem shpirtin, ndoshta ngaqe Noli ka pere nje perkthim fjale per fjale nga Spirit ne Shpirtin.

Nje nder shkrimet me te mire te Lubonjes per 2012-en.

Teuta Vodo said...

Z.Lubonja,
Kur lexoj artikuj si ky ne fjale, ndjej paqe sepse ' fundit nuk eshte thene' ne Shqiperi. Pra, ka akoma intektuale si ju, qe edhe pse jetojne ne Shqipei, nuk jane 'mesuar' me ngjarjet korruptive te njepasnjeshme dhe perpiqen ti luftojne ato. Respektet e mia me te sinqerta