Tuesday, September 18, 2012

Pse na duhet SHIK-u



Kam ndjekur me vëmendje dhe njëherësh me pikëpyetje jo të vogla debatin që u zhvillua së fundi lidhur me zëvendësimin e kryetarit të SHIK-ut, e që sot duket si debat i harruar. Ajo që më ra në sy mbi të gjitha ishte superficialiteti me të cilin u trajtua çështja dhe instrumentalizimi i saj si shfaqje e këtij, – çka shpjegon edhe pse u harrua kaq shpejt – ndërkohë që, sipas meje, çështja meritonte një thellim, i cili do të na bënte të preknim më nga afërt problematikën e asaj se pse kemi sot një shtet të dështuar.

Le t’i marrim me radhë disa nga momentet kryesore të asaj që u tha, për të kaluar pastaj te ajo që nuk u tha. Opozita ngriti me të madhe zërin se zëvendësimi i kryetarit të SHIK-ut është një hap më tej i Berishës për kapjen e institucioneve. Kjo është e besueshme duke pasur parasysh edhe mënyrën se si Berisha e zgjodhi Presidentin. Për këtë ajo iu drejtua amerikanëve më shumë se sa shqiptarëve, duke na thënë se një ndërrim i tillë ishte bërë pa konsultime me ta e gati-gati duke pritur që reagimi i tyre të ishte fatal për Berishën. Përgjigjja e amerikanëve ishte ambigue, por, tek e fundit, mund të thuhet se nuk ndodhi ndonjë çudi.
Ndërkaq, Berisha, pasi e ndërroi kryetarin e SHIK-ut, hodhi edhe një akuzë jo të lehtë për të: se ai nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me parapërgatitjet e 21 janarit – çka e bënte kryetarin e SHIK-ut në mos komplotist, përgjegjës për atë që ndodhi.

Megjithatë, asnjë analizë nuk u thellua disi më tepër mbi një pyetje që mund të ngrenë shqiptarët si taksapagues, d.m.th. si ata që duhet të jenë përfituesit kryesorë të punës së SHIK-ut. Nga debati që kemi dëgjuar e lexuar duket sikur SHIK-u punon si seksion i antiterrorizmit ndërkombëtar, ose si të jetë një seksion i NATO-s apo CIA-s në Shqipëri e se s’duhet të ngatërrohet me punët e brendshme. Por fakti nuk është kështu. Sikurse e la të kuptojë edhe Berisha vetë me deklaratën ndaj Shaqirit lidhur me 21 janarin, ky institucion ka për detyrë t’i shërbejë edhe sigurisë kombëtare. Por ne dimë gjithashtu se SHIK-u ka për detyrë të shërbejë edhe si institucion me rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar që merret me trafiqe të drogës, pastrimit të parave të pista dhe krime të tjera të rënda që përbëjnë rrezik jo të vogël për shtetin dhe sigurinë e tij. Mënyra se si e kryen SHIK-u këtë shërbim, me sa di unë, është nëpërmjet mbledhjes së informacionit dhe pastaj dërgimit të informacioneve Presidentit, Kryeministrit dhe prokurores së Përgjithshme. Pyetja që ngre unë si qytetar, si taksapagues, është: Çfarë ka bërë ky SHIK-u, Bahri Shaqiri dhe të tijtë gjatë këtyre viteve që ta meritojnë rrogën në këtë drejtim? Fakti është se po të dëgjosh ato që thotë Sali Berisha më një anë dhe opozita më anën tjetër – dhe po t’i bashkosh ato – ne jemi të mbytur nga krimi i organizuar, nga trafiku i drogës, pastrimi i parave të pista. Madje nuk është nevoja të dëgjosh akuzat që bëjnë ata për njëri-tjetrin. Është një realitet që qytetarët shqiptarë e shohin ditën për diell. Duke pasur parasysh këtë, sipas mendimit tim, një qytetar ka absolutisht të drejtë të thotë: SHIK-u nuk paska bërë asgjë në këtë drejtim dhe prandaj si institucion nuk meriton paratë e taksapaguesit shqiptar – prandaj le të merret vetëm me terrorizmin e të bëjmë një ligj tjetër për SHIK-un, mundësisht edhe që ta paguajnë amerikanët, dhe ne të çlirohemi nga paranoja se po na përgjon Berisha apo se mund të na përgjojë Rama nesër.

Në këtë pikë të arsyetimit do të thoja se është e drejtë të ngremë pyetjen: Ndoshta SHIK-u ka bërë punë, por kjo është sabotuar në hallka të tjera? Ne dimë p.sh. se edhe Policia e akuzon Prokurorinë dhe e kundërta kur bëhet fjalë për dështimet në goditjen e krimit. A ka një mënyrë për ta verifikuar këtë? Po. Ne jemi një shtet që ka aprovuar ligje të standardeve europiane, pra edhe ligje që parashikojnë se si e qysh kontrollohet puna e një institucioni si SHIK-u që, edhe pse delikat, nuk mund të jetë jashtë logjikës së  “check and balance”. Nga sa jam i informuar lidhur me këtë, SHIK-u është një institucion i pavarur që ka të drejtën e seleksionimit të materialeve që i dërgon Presidentit, Kryeministrit apo prokurorit të Përgjithshëm. Pra, sipas ligjit tonë, as Kryeministri, as Presidenti dhe as kryeprokurori nuk kanë të drejtë ta zhveshin lakuriq SHIK-un duke i hapur karta e duke i kërkuar llogari për aktivitetin e tij. Megjithatë, ligji, që parashikon mbrojtjen e pavarësisë së këtij institucionit kaq delikat, parashikon edhe institucionin që ka të drejtë ta kontrollojë atë. Ky është Parlamenti nëpërmjet një komisioni që duhet të jetë bipartizan, që të sigurojë asnjanësinë. Ky komision ka të drejtë t’i hapë kartat SHIK-ut, të shohë se çfarë informacionesh i ka dërguar Presidentit, Kryeministrit apo Prokurorit të Përgjithshëm dhe kësisoj ne mund të shohim se si ka reaguar Kryeministri dhe Prokurori i Përgjithshëm ndaj tyre, sepse, nga sa di unë, Kryeministri dhe Prokurori kanë të drejtë, por edhe detyrë të vendosin shënimin “të ndiqet” kur bëhet fjalë për gjëra me rrezikshmëri për vendin.

Pra është shumë e lehtë: nëse Berisha, kur ka qenë në opozitë, ka dashur të kontrollojë Bahri Shaqirin – por edhe si Kryeministër - për aktivitetin e institucionit të tij që e konsideronte të mangët, fare mirë mund të kishte kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar që do t’i hapte këtij kartat. Po ashtu: nëse opozita do të dojë të dijë se përse SHIK-u nuk ka punuar mirë në lidhje me shumë nga akuzat që ajo ka ngritur duke filluar që nga rasti “Gërdeci” apo “21 janari”, do të duhej të kërkonte një komision parlamentar që do t’i hapte kartat SHIK-ut, që do të kërkonte të dinte edhe se çfarë i ka dërguar ky Kryeministrit dhe pse ky nuk ka vënë shënimin “të ndiqet” për çështje kaq djegëse, nëse i ka shkuar ndonjë gjë.
Mirëpo, në fakt, asgjë e tillë nuk bëhet. Përshtypja ime është se askujt nuk i intereson vërtet që SHIK-u të punojë kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe as që të hapen kartat e tij. Interesi i vetëm është që të luhet ky teatër. Afërmendsh, arsyeja më bindëse se pse ndodh kjo është ngase të dyja palët kanë frikë nga e vërteta, si e asaj që ka ndodhur në të kaluarën, ashtu edhe e asaj që po ndodh. Dyshoj shumë se edhe njerëzit e SHIK-ut e kanë “respektuar” këtë frikë dhe kanë qëndruar në hijen e idesë se ata punojnë kundër terrorizmit dhe se puna e tyre lidhet me interesat e amerikanëve, prandaj më mirë të mos i fusim hundët te krimi i organizuar që ka kapur shtetin.

Sipas meje, kemi të bëjmë me një hallkë të rëndësishme të shtetit që s’punon e që edhe me heshtjen e vet flet shumë për atë se si punojnë hallkat e tjera. Madje, deri tani duket se kemi qenë të lumtur që s’punonte për keq, siç punojnë shumë hallka të tjera të shtetit. Gati-gati të vjen të ngresh pyetjen: Mos do të ishim më mirë sikur të mos kishim jo vetëm SHIKU-n nëpër këmbë, por të mos e kishim nëpër këmbë edhe këtë shtet kësisoji?(Panorama, 13 shtator 2012)

No comments: