Monday, September 24, 2012

Mbi qesen me miell



Shumë lexues më kanë kërkuar të shprehem, si ish-i burgosur politik, lidhur me incidentin e qeses me miell që iu hodh Kryeministrit nga ish-të përndjekurit Skënder Tufa dhe Agim Kollçaku.
E para gjë që dua t’ju them është se solidarizohem me qesen me miell. Është minimumi i protestës që mund të bëjë kategoria e ish-të burgosurve kundrejt mosmbajtjes së premtimeve që i ka bërë kjo maxhorancë, dhe, më keq akoma, ndaj mënyrës tallëse dhe fyese me të cilën i ka trajtuar ata. E them këtë edhe sepse disa ditë para se të ndodhte incidenti takova një ish-bashkëvuajtës që më tha diçka e cila më la në një shije shumë të hidhur.  Atij i kujtohej se në fillimivitet ‘90, si sekretar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, isha bërë ndërmjetës edhe për sjelljen e një sasie pakosh me ndihma. Qenë disa pako kartoni, brenda të cilave kishte diçka si dy pako makarona, ndonjë pako oriz, ndonjë pako sheqer, ndonjë konservë; pra gjithë-gjithë, disa kile ushqime. I solli Caritas-i i Vjenës dhe i shpërndau Shoqata e ish-të Përndjekurve, e sapokrijuar asokohe.

“A ke mundësi të na lidhësh me ndonjë shoqatë të tillë?” – më tha ish bashkëvuajtësi tashmë i thinjur.

Të them të drejtën, hapa sytë. I thashë se s’më dukej se ishte më koha e të tilla ndihmave.
“Nuk ditke gjë, – më tha, – më vjen keq, por i paske humbur lidhjet me ish-bashkëvuajtësit”.

U largova me një hidhësirë në shpirt e me mendimin se kushedi se çfarë do të thoshte ai kur të takonte atë pjesë të ish-bashikëvuajtëve me të cilët paskam humbur lidhjet sepse për ish-të burgosurit, solidariteti i kohës së vuajtjes mbetet më i rëndësishëm se e tashmja, madje i kapërcen edhe afiliacionet politike. E, pra, s’mund të mos kujtohesha edhe një herë se kjo maxhorancë ka hartuar një ligj përpara disa vjetësh, sipas të cilit, një ish-të burgosuri i takon të marrë për çdo vit të humbur në burg, në moshën e energjive më të mira, duke qenë i pafajshëm, një shumë lekësh që, po të ketë familje sot, mund të konsiderohet (e ndarë në muaj e ditë), si niveli i minimumit jetik për një familje. Sipas ligjit, kjo shumë do të jepej në tetë vjet, në tetë këste. Kanë kaluar mbi pesë vjet dhe është dhënë vetëm kësti i parë, që kuptohet se është ngrënë me kohë nga ata që e kanë marrë. Pastaj e modifikuan ligjin dhe thanë se do t’ua jepnin atyre që kanë kaluar 85 vjeç dhe pastaj (pasi u tall edhe opozita vetë, që konsiderohet si partia e persekutorëve të tyre, me këtë vendim) e bënë për ata që kanë kaluar 65 vjeçët. Në fakt, qysh nga mënyra se si i sorollatën ish-të burgosurit zyrë më zyrë për të plotësuar dokument pas dokumenti për të provuar se kishin qenë në burg politik – ndërkohë që shteti i kishte të gjitha të dhënat për këtë – shumë ish-të burgosur e kuptuan se kishim të bënim me një mashtrim, me një tallje dhe arrogancë të pamerituar ndaj një jete të kaluar në mjerim. Dhe ky mashtrim, kjo tallje, unë them se një qese me miell sot e ka shumë pak.
Së dyti: një qese me miell është një formë proteste që në vendet demokratike duhet të konsiderohet gjëja më normale. Kam asistuar personalisht në situata kur politikanët janë qëlluar me domate me vezë nga turma protestuesish, dhe asgjë nuk ka ndodhur. Policia thjesht nuk ka lejuar konfrontimin fizik. Kurse këtu te ne, sikur u bë kiameti. Dëgjon, madje, edhe nga ata që thonë se ata që e kanë hedhur duhet të jenë të çmendur. Jo, po ta mendosh thellë-thellë, të del se më të çmendur janë ata që i janë adoptuar një realiteti të tillë, ku mashtrimi dhe fyerja që i bën pushteti qytetarit pranohet si normale.

Mielli ishte gjëja më e mençur që mund të zgjidhej. Së pari, sepse është paqësor, madje nuk iu hodh Kryeministrit as direkt në trup, por mbi makinën e tij. Së dyti, sepse ky miell e ka një simbolikë, përveç asaj se është një mjet paqësor proteste: ai është materiali me të cilin bëhet buka. Pra, zgjedhjen e tij duhet ta kuptojmë si dhënie të mesazhit se kjo qeveri e ka katandisur këtë kategori për bukën e gojës.

Është tejet shqetësuese kur dëgjon në lajme se për shkak të këtij incidenti na qenkan keqtrajtuar protestuesit dhe qenkan shkarkuar ndonja njëzet policë, pasi nuk paskan qenë në lartësinë e detyrës së ruajtjes së Kryeministrit. Kjo do të thotë që në vend që të reflektohet edhe një herë për atë që ka bërë dhe nuk ka bërë klasa politike ndaj kësaj kategorie, zgjidhet rruga e konfrontimit me dhunë policore dhe frikësim. Sipas meje, e para gjë që duhej bërë duhet të ishte reflektimi mbi këtë gjendje të kësaj kategorie dhe dhënia e një përgjigjeje serioze dhe të përgjegjshme se pse nuk është respektuar ai ligj që u aprovua nga vetë kjo maxhorancë. Së dyti, do të duhej të reflektohej ca më shumë për shkaqet e kësaj mungese serioziteti në përmbushjen e premtimeve, se çfarë ka bërë kjo klasë politike me paranë publike, me privatizimet e pronës së përbashkët? Dhe më gjerë akoma, kjo qese me miell duhet të na bëjë të reflektojmë për dehumanizimin e politikës nga një pakicë që kontrollon fatet e vendit në atë shkallë sa po bëhet gjithnjë e më e pandjeshme për gjithçka tjetër që ekziston jashtë oborrit të vet privat; duke ngritur edhe mure reale dhe virtuale për ta ndarë këtë oborr prej njerëzve pa e kuptuar se kjo jo vetëm është e pamundur, por edhe burim tragjedish. (Panorama,  18 shtator 2012)

No comments: