Monday, August 6, 2012

"Sundimi i ligjit" apo "shteti i së drejtës"


Pas shkrimit tim “Sundimi i ligjit dhe sundimi nëpërmjet ligjit”, juristja amerikane që punon prej kohësh në vendin tonë dhe njohësja e gjuhës shqipe, Kathleen Imholz, më bëri një vërejtje që më tërhoqi vëmendjen dhe më shtyu të reflektoj. Sipas saj, përkthimi i “the rule of law” në anglisht duhej të ishte “sundimi i së drejtës” pasi, ndryshe nga gjuhë të tjera europiane, ku kemi edhe fjalën “ligji” edhe fjalën “e drejta”, në anglisht ka vetëm një fjalë që përdoret për të dyja, që është “law”. Dhe në shprehjen “the rule of law”, kjo fjalë nuk ka kuptimin e një ligji të veçantë, por të një “korpusi ligjesh dhe principesh” që është më saktë të përkthehet me “e drejta”. Me fjalë të tjera, sipas saj, kur themi “sundimi i ligjit”, kjo mund të kuptohet si sundimi i një ligji të veçantë, çka nuk mund të jetë kurrsesi i barabartë me sundimi i së drejtës. Mendoj se ia vlen një reflektim edhe në aspektin gjuhësor mbi këtë vërejtje që Imholz e shoqëronte me shqetësimin se lidhur me konceptin “the rule of law”, në këta njëzet vjet që ajo ndjek Shqipërinë, ekziston një paqartësi e madhe.

Në fakt, koncepti “the rule of law” në shqip ka hyrë shumë vonë pas rënies së komunizmit dhe ne, më së shpeshti, e kemi përkthyer me “shteti i së drejtës”  duke e marrë atë nga gjuhët europiane perëndimore të kontinentit. Në italisht është “stato di dirito”, në frëngjisht përdorin “etat de droit”, por edhe “primaute du droit”, në spanjisht “el Estado de Derecho”, gjermanisht “der Rechtsstaatlichkeit”. Duke kërkuar në gjuhët lindore që i njoh pak, vura re se atje përdorin edhe “e drejta”, edhe “ligji” (“pravo” dhe “zakon”), çka më duket se është më afër përvojë sonë.

Në fakt, nuk është se unë nuk e dija se përkthimi më i përdorshëm në shqip për “the rule of law” është “shteti i së drejtës”, por me vetëdije zgjodha “sundimi i ligjit”. Në fakt, më së shumti personalisht kam përdorur, në të folur dhe në të shkruar, trajtën “shteti ligjor”, dhe jo “shteti i së drejtës”, pasi kjo e fundit më ka tingëlluar gjithmonë një shprehje si e zbrazët, pa përmbajtje e kuptim. Ndoshta për shkak se fjalët e një gjuhe marrin jetë, ashtu si pemët që lëshojnë degë, nga përvojat e nevojat njerëzore. Ato nuk mund të ndahen dot nga historia e përdorimit të tyre, nga jeta e tyre në një shoqëri, ashtu sikurse njerëzit nuk mund të ndahen prej tyre. Dhe historia rreth njëzetvjeçare e shprehjes “shteti i së drejtës” në gjuhën shqipe më duket si historia e fidanit të një peme të marrë nga jashtë e të mbjellë në gjuhën shqipe, që s’ka marrë dot asnjëherë jetë në kuptimin që ka në vendet nga e kemi marrë. Ose më saktë ndoshta do të thosha se ky fidan ka “zënë” tashmë në gjuhën tonë,  por jo në kuptimin që ka, por në pakuptimin që ka. Me fjalë të tjera, në “humusin” shqiptar ai ka lëshuar degë (konotacione) që nuk korrespondojnë me çka do të thotë koncepti në gjuhët nga e kemi marrë. Për shembull, për mua ai mund të përdorej në shqip nga shkrimtarët apo humoristët për të evidentuar gjuhën e ndoca kafshëve politike tonat që përfaqësojnë partitë në komisione të ligjit e që i sheh ta artikulojnë nëpër mbledhje e nëpër ekrane, por që jashtë ekranit nuk bëjnë gjë tjetër veçse të kundërtën e asaj që nënkupton koncepti; apo të tjerë që e përdorin aq shumë kur flasin me ndërkombëtarët, deri edhe pa qenë të vetëdijshëm se për çfarë po flasin.

Ndërkaq, raporti i shqiptarëve me fjalën “ligji” më duket se është shumë më i gjallë. Ai ka kuptimin e një ligji të vetëm të Kodit Penal apo Civil, të një dekreti të kthyer në ligj, të ligjeve të natyrës, por më duket se ka marrë në publikun e gjerë, veçanërisht këta njëzet vjet, edhe kuptimin e atij korpusi ligjesh dhe principesh që ekzistojnë të shkruara në letër, por që nuk respektohen e që në një gjuhë më korrekte mund të quhet “e drejta”. Kur themi “respektimi i ligjit” apo “mosrespektimi i ligjit”, ne nënkuptojmë diçka më shumë se sa respektimi apo mosrespektimi i një ligji të vetëm, ashtu sikurse edhe kur themi për një pushtetar se “ai bën ligjin”, nënkuptojmë se është ai që vendos për gjithçka, jo vetëm për një ligj të veçantë, apo se ai bën atë që bënte në Britani, p.sh. para 1688-s monarku. Pra, përtej përdorimit apo mospërdorimit të konceptit “the rule of low” në trajtën “sundimi i ligjit”, apo “shteti i së drejtës”, apo “shteti ligjor”, apo “sundimi i së drejtës” – edhe vetë përdorimi i tërë këtyre shprehjeve flet për konfuzionin që shqetëson Imholz, – do të thosha se ne sot po jetojmë në një kohë kur ajo që u mungon më shumë shqiptarëve dhe që e shprehin përditë kur flasin me njëri-tjetrin është, ashtu siç thosha në shkrimin e mëparshëm, vetëdija e hendekut midis ligjit, në kuptimin e “së drejtës”, si korpus ligjesh e parimesh që ekzistojnë të shkruara në letër, dhe moszbatimit të tij për shkak se në vend sundon jo ligji/e drejta, por krimi i organizuar që ka kapur shtetin. Në këtë kontekst, edhe fjala “sundimi” më duket më e përshtatshme se sa fjala “shteti”, pasi është një fjalë shumë e fortë që, duke iu veshur ligjit në kuptimin që i dhashë, sikur kërkon t’i zhveshë nga pushteti sundimtarët në fjalë.

Gjithë në këtë ravë do të thosha se edhe vetë fjala “e drejta” nuk ka marrë, më shumë se fjala “ligj”, në publikun e gjerë, kuptimin e një korpusi ligjesh e principesh, – siç është në gjuhët perëndimore e siç e gjen në tekste universitare – por ka mbetur në stadin një koncepti moral. Sikur fjala “e drejta” të kishte marrë në publikun e gjerë kuptimin që ka për specialistët do të ishte shumë e qartë se kur themi “shteti i së drejtës” apo “sundimi i së drejtës”, bëhet fjalë për një shtet ku sundon ai korpus ligjesh e principesh përpara të cilit të gjithë janë të barabartë, por, në mungesë të kësaj, në shqip këto na japin më shumë kuptimin e një shteti utopik, ku “e drejta” nuk ka kuptimin e një korpusi ligjesh e principesh, por të një koncepti moral që i atribuohet Zotit, për shembull, apo njerëzve të drejtë. Pra, paradoksalisht, është e vërtetë se tingëllon më mirë të vësh si titull të një teksti universitar “Filozofia e së drejtës”, dhe jo “Filozofia e ligjit”, por, ndërkaq, kur themi “shteti i së drejtës” apo “sundimi i së drejtës”, më duket se largohemi më shumë nga kuptimi i “the rule of law”, sesa kur themi “sundimi i ligjit”. Për ta ilustruar këtë, po sjell edhe një koncept që ia kundërvura këtij duke e vënë edhe në titullin e shkrimit. Në librin “Why nations fail…” (Përse dështojnë kombet…), i cili sikur i dha jetë për mua, më qartë se çdo lexim tjetër, konceptit “the rule of law” në raport me historinë tonë, duke më bërë njëherësh të kuptoj edhe më mirë se pse asnjëherë nuk më ka mbushur përkthimi në shqip në trajtën “shteti i së drejtës”, përdorej, mes të tjerash, edhe koncepti “the rule through law” (sundimi nëpërmjet ligjit), që i kundërvihet të parit duke dhënë konceptin se si ligji/e drejta (keq)përdoret nga sundimtarët që e kontrollojnë atë – çka, së bashku me mosrespektimin e ligjit, është raporti i rëndomtë që kemi ne me ligjin/të drejtën. Po të përdornim termin “e drejta” për “low”, këtë shprehje do të duhej ta përkthenim “sundimi nëpërmjet së drejtës” e, në këtë rast, titulli i shkrimit tim do të ishte: “Sundimi i së drejtës dhe sundimi nëpërmjet së drejtës”, që më duket se e largon edhe më shumë lexuesin shqiptar nga çfarë kam dashur të shpreh.


* * *

Ishin këto disa nga arsyet që – intuitivisht – më bënë që duke lexuar librin “Why nations fail…” ta përkthej “the rule of laë” me “sundimi i ligjit”. Dikush mund të arsyetojë se zhveshja nga kuptimi i kësaj shprehjeje, për shkak të ndryshimit midis asaj që thonë dhe asaj që bëjnë shqiptarët në përgjithësi, do të ndodhte edhe sikur në vend të “shteti i së drejtës” të kishim përdorur këta njëzet vjet trajtën “sundimi i ligjit”. E vërtetë. Historia e gjuhës është e mbushur me fjalë që në kontakte të ndryshme marrin kuptime e konotacione të ndryshme për shkak të historisë së përdorimit të tyre në këto kontekste. Mjaft të kesh parasysh për shembull historitë e ndryshme të fjalës “socializëm” në vendet e Europës Perëndimore dhe ato Lindore. Them se po të ishte përdorur në retorikat politike “sundimi i ligjit” në vend të “shteti i së drejtës”, ndoshta kjo do ta bënte më të thellë kontrastin midis asaj që thuhet me fjalë dhe asaj që bëhet në realitet në Shqipëri, duke e ridikulizuar edhe më termin “sundimi i ligjit”, por, nga ana tjetër, them se ndoshta po të qe përdorur ky term, do të kishte ndikuar më fort për t’i dhënë jetë luftës së atyre që përpiqen për sundimin e ligjit kundër sundimit nëpërmjet ligjit apo mosligjit. Pra, dua të dyshoj se, me vetëdije apo me pavetëdije, zgjedhja “shteti i së drejtës” është bërë për ta lënë më abstrakt, më të paqartë konceptin, sikur të ketë pasur një marrëveshje të fshehtë për t’ua lënë sundimin real njerëzve “që bëjnë” ligjin/të drejtën, e për t’i lënë ligjit/së drejtës një pushtet ideal, utopik.

Megjithatë, me këtë shkrim nuk dua të propozoj apo imponoj ndryshimin e shprehjes “shteti i së drejtës” me “sundimi i ligjit”, në stilin e atyre që po duan të na imponojnë tani se ku duhet ta përdorim “ë”-në dhe ku nuk duhet ta përdorim në gjuhën që flasim e shkruajmë. Nuk më shkon ndër mend, gjithashtu, të sugjeroj që të mos përdoret “e drejta” në kuptimin e një korpusi ligjesh e parimesh, por “ligji”. Mendoj se përkundrazi, duhet bërë përpjekje që ky kuptim i “së drejtës” të hyjë në gjuhën e të gjithë shqiptarëve. Thjesht desha të sqaroj sa më mirë konceptin që shpreh “the rule of law” kundër “the rule through law”, duke vënë në dukje edhe paqartësinë që ekziston rreth tij për shkak të faktit se është koncept i ri për shkak të realitetit ku jetojmë, por edhe të shumësisë së përkthimeve që përdorim për të, çka, kjo e fundit, është njëherësh edhe shprehje e kësaj paqartësie, edhe krijuese e saj. Desha po ashtu të them se përderisa për mua “sundimi i ligjit” ka një kuptim më të qartë se sa “shteti i së drejtës”, unë do ta përdor kështu edhe me idenë se rifreskimi i konceptit, duke përdorur fjalë të tjera, mund të tërheqë vëmendjen për t’i dhënë atij kuptimin që i mungon e që na duhet ta nxisim që të vihet në jetë, pasi gjuha jo vetëm e ndjek historinë, por edhe e krijon atë. “Historia është një libër që ne po e shkruajmë dhe njëkohësisht shkruhet mbi ne”, thotë Borgesi. (Panorama, 20 korrik 2013)

1 comment:

kenji said...

Për t'ju jap një shembull nga një gjuhë jo europiane: "the rule of law" përkthehet në japonisht si 法の支配 (hou no shihai), ku "hou" do të thotë ligj në një kuptim më të lidhur me rregulla, mënyra të caktuara se sa me të drejtë. Gjithsesi mua më duket se fraza juaj "shteti ligjor" e kap mirë kuptimin e anglishtes. (Jam amerikan me origjinë japoneze.)