Wednesday, March 21, 2012

Ish - të persekutuarit si mall elektoral

 Këto ditë, ish-të burgosurit politikë kanë hyrë në axhendën e politikës dhe mediave si rrallëherë kohët e fundit. Mos vallë shkaku i tërheqjes së vëmendjes ndaj tyre janë disa incidente që kanë ndodhur, si hipja dramatike e ish-të burgosurit politik Xhemal Zhuri në majën e vinçit që qëndron mbi grataçielën në qendër të Tiranës, varrimi demonstrativ i Grigor Zaharisë, i cili mbeti për njëzet ditë në morg ngaqë s’kish kush ta varroste e që u shoqërua me goditjen e deputetit Rusmali nga ish-i dënuari Gjergj Ndreca dhe Ilir Bejko? Këto ngjarje meritonin vërtet të trajtoheshin me kujdes si nga politika dhe nga mediat, pasi ishin tregues i një gjendjeje të rënduar të kësaj kategorie, por nuk më rezulton, fatkeqësisht, të jenë këto ngjarje ato që kanë tërhequr vëmendjen e politikës ndaj ish-të burgosurve politikë?


Më së pari, le të them shkurt çfarë po ndodh me këtë kategori. Kur përpiqem të gjej ndonjë ish-të dënuar në kategorinë e të pasurve në këtë shoqëri, vështirësisht më vjen ndër mend ndonjë emër, ndërkohë që emrat që më vijnë ndër mend janë thuajse të gjithë ish-të privilegjuar të komunizmit. Pse kështu? Sepse persekutimi i gjatë deri në vitin 1991, që u solli izolimin nga shoqëria dhe mangësi në arsimim si dhe mosadoptimi me ligjet e xhunglës me të cilat u regjën ish-komunistët që ndërtuan kapitalizmin alla-shqiptar, e ka lënë pjesën më të madhe të ish-të burgosurve jashtë kësaj shoqërie. Pa harruar se edhe për shumicën e njerëzve të ndershëm, që s’kanë humbur vite burgu, nuk është e lehtë mbijetesa në këtë shoqëri.

Pas tetë vjetësh injorim nga Partia Socialiste, që këtë kategori nuk e njeh si elektoratin e saj, ka më se pesë vjet (që nga 2007-ta) që maxhoranca demokrate ka aprovuar një ligj për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë, i cili parashikon kompensimin e tyre për vitet e kaluara padrejtësisht në burg brenda tetë vjetësh e që përcakton edhe një limit minimal dhe maksimal shume që do të jepet brenda një viti (100 000 deri në 1 000 000 lekë). Pasi i sorollatën nja dy vjet zyrë më zyrë për të mbledhur dokumente që, në fakt, i kishte shteti në zyrat e veta, ish-të burgosurit filluan të marrin këstin e parë (jo rastësisht në vitin elektoral 2009) që për shumicën e tyre nuk qe vetëm çështje morale, por edhe mbijetese. Prej asokohe, askush s’e ka marrë këstin e dytë, ndërkohë që, me sa jam i informuar, s’ka mbaruar së shpërndari as i pari. Megjithatë, sikur s’ka ndodhur gjë, maxhoranca vazhdon të tregohet bujare me fjalë e me shtim listash. Herë pas here, veçanërisht në prag fushatash elektorale, Berisha deklaron se listës do t’u shtohen edhe ata që janë pushkatuar pa gjyq para ‘44-ës edhe ata që kanë qenë nëpër spitale psikiatrike edhe ata që… edhe, edhe, çka do të thotë se familjarë të tjerë duhet të bredhin nëpër zyra për të marrë dokumente të tjera. Por, ama, ligji i aprovuar nuk zbatohet. Dëmshpërblimi nuk jepet. Ndërkaq, opozita, që i gjuan dështimet e qeverisë edhe atje ku s’janë, kurrë s’e ka ngritur në Parlament çështjen e mosrespektimit të këtij ligji si një nga dështimet e maxhorancës. Kjo është gjendja i ish-të burgosurve politikë. Të nëpërkëmbur e keqpërdorur nga maxhoranca dhe të injoruar nga opozita.

Mirëpo ja, çuditërisht, kohët e fundit sikur u kujtuan të gjithë se ekziston edhe kjo kategori e vuajtur, shumica e të cilëve ka humbur aq vite burgu sa vetëm kjo ua bën të pamundur qenien në kushte të njëjta me të tjerët, për të mos folur për traumat e pësuara. Deri edhe lideri i opozitës, Rama, bëri një takim me ish-të burgosur, të cilëve u tha se nuk duhet të kenë paragjykime, pasi Partia Socialiste mendon për ta. Së fundi pamë se qeveria paska hartuar edhe një ndryshim në ligjin që parashikon – dëgjoni sa qesharake – përshpejtimin e dhënies së dëmshpërblimit të gjithë atyre që kanë kaluar 85 vjet!

Pra, çfarë po ndodh kështu? Ka vetëm një shkak, sipas meje, që i solli ata në faqet e para të gazetave dhe i futi edhe në edicionet e lajmeve: pritja e lindjes së partisë së Spahiut dhe e partisë së Topit, që supozohet se do të tërheqin votat e së djathtës duke kërcënuar të marrin pikërisht votat e ish-të persekutuarve të mashtruar rëndë dhe turpshëm. Kjo shpjegon edhe faktin pse një numër analistësh të lidhur me maxhorancën filluan të tjerrin argumente se pse kjo kategori nuk mund të shkojë të votojë Topin apo Spahiun.

Pra jemi në shfaqjen dhe keqpërdorimin e radhës me ish-të burgosurit politikë. Një shfaqje dhe keqpërdorim që Sali Berisha me PD-në e vet e ka filluar që në vitin 1991 e të cilën socialistët e kanë ndjekur me indiferentizmin më të madh pasi më mirë se kushdo e kanë ditur se është vetëm shfaqje që kurrë s’duhet marrë seriozisht. Sepse, me gjithë akuzat që i bëjnë njëri-tjetrit për të kaluarën komuniste, një gjë e vetme, vërtet serioze, i ka bashkuar të dyja palët: paraja. Tërë ato pasuri që janë bërë gjatë pesëdhjetë vjetëve diktaturë, edhe me mundin dhe djersën direkte të ish-të burgosurve, duke filluar që nga kënetat e Maliqit e të Karavastasë e të Thumanës, ndërtimet në Tiranë, fabrikat si ajo e Çimentos në Elbasan, e Superfosfatit në Laç, Rafineria e Ballshit apo Aeroporti i Rinasit (ekziston një listë shumë e gjatë e këtyre) e për të vazhduar me malet me bakër e pirit që ata kanë nxjerrë nga minierat, mund të përmenden si vuajtje e mundim i tyre, por nuk mund të lidhen kurrë seriozisht me djersën e tyre në terma parash, pasi këto janë vetëm për xhepat e tyre.

Ajo që të shqetëson në tërë këtë histori të trajtimit të ish-të burgosurve politikë si mall elektoral që duhet blerë sa më lirë (duke i mashtruar) për t’u shitur sa më shtrenjtë (keqpërdorur), është diçka përtej fatit të tyre. Pyetjet që të bën të ngresh ky trajtim kanë të bëjnë me moralin që po i edukon politika krejt shoqërisë. Kur politika sillet kështu me kategorinë, të cilën më pak se këdo tjetër duhet ta tallte e keqpërdorte, ç’mund të presin prej saj të tjerët? Mirë që Sali Berishës herë pas here i teket të nxjerrë ndonjë ligj tollombac për të mashtruar të burgosurit, sepse ai ka qenë komunist, por si ka mundësi që kemi një parti të tërë që funksionon si makinë mashtrimi dhe gënjeshtre? Si ka mundësi që nuk u ngrit njëri nga deputetët, apo intelektualët, apo anëtarët e thjeshtë të PD të thotë s’duhet të tallemi me këta njerëz jo thjesht për hir të tyre, por për atë se shoqëria duhet të mësojë të respektojë fjalën e dhënë dhe vuajtjen? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të çojnë te një e vërtetë shumë e hidhur, që e tejkalon shumë fatin e ish-të burgosurve politikë. Trajtimi i ish-të burgosurve thjesht dhe vetëm si mall elektoral është tregues i mjerimit të një politike që e ka katandisur njeriun në përgjithësi në mall. Politikanët tanë të kujtojnë ata njerëz për të cilët thuhet se bëjnë keq pasi nuk e njohin, nuk janë edukuar me kategorinë e “së mirës” dhe “së keqes”, por njohin vetëm kategorinë e “më duhet”, “s’më duhet” dhe njerëz të tillë, fëmijë të rritur, fatkeqësisht psikologjia i fut në kategorinë e atyre që i quan  monstra. (Panorama, 14 mars 2012)

2 comments:

Feniks said...

Nje nga shkrimet me brilante z.Lubonja.Personalisht iu ftoj te shkruani mbi kete teme sa te mundni,pra mbi cdo shtrese qe eshte mall elektoral sidomos shtresat me te pambrojtura.

merita shkupi said...

Nuk eshte mungesa e shkolles qe i beri te perndjekurit te mos turreshin e te kapnin cte mundnin por sedra dhe personaliteti,respekti per veten dhe emrin e familjes dhe besimi se po vjen demokracia.Njerezit e paster jane enderrues jo rrembyes.Ata priten te marrin pronat dhe parate e grabitura sipas ligjit.Ata priten te marrin shtepite e tyre dhe nuk u shkonte ne mend te rrembenin te tjereve.Si zakonisht ata zhgenjehen,largohen nga politika,nuk turren sa ne nje parti ne tjetren,nuk krijojne klane dhe mbeten pa pune dhe pa mundesi qe te cvasin.Te perndjekurit e vertete jane me shkolla dhe te afte te ecin perpara por nuk ben "te zgjuar" e te turren per te cvatur.Te perndjekurit qe u futen burgjeve per vjedhje dhe e shnderruan veten "te burgosur politike" kane ditur disi te rregullohen edhe pse pa shkolle.