Thursday, September 22, 2011

Mbi gjuhën e urrejtjes



"'Do përdorim pincat e ligjit për t'ju hequr dhëmbët një nga një', 'mafioz', 'lider i kupolës së mafias shqiptare', 'kokë dhi', 'kështjella e fundit e korrupsionit', 'dhunues grash'."  (Sali Berisha për Edi Ramën, cituar nga kabllogramet e Ambasadës së SHBA)

“'Ne do të përdorim grushtin tonë t'ju thyejmë dhëmbët një për një', 'injorant', 'gënjeshtar', 'gjel në krye të një grumbulli plehu', 'Duçja shqiptar', 'Stalin', 'tiran', 'kloun', 'kryeministër pervers', 'gjuetar qensh i Enver Hoxhës', 'hajdut votash'." (Edi Rama dhe socialistë të tjerë për Sali Berishën, po aty)

Në një shkrim të disa kohëve më parë guxova të shkruaja për nevojën e kritikës brenda partive, nisur nga ideja se kjo pritet më së pari nga elementët më të arsyeshëm pranë tyre. Si për të provuar pashpresën e asaj që propozoja, mora si përgjigje vetëm sharje dhe gjuhë urrejtjeje nga dy prej të përmendurve në shkrim, Ardian Klosi dhe Agron Tufa. Megjithatë nuk më mungoi një përgjigje që prisja – si zhvillim debati – nga deputeti i PD, Mark Marku. Edhe pse jo si përgjigje ndaj meje, Marku, në një nga shkrimet e tij të botuara në Mapo, shkruante se polarizimi i thellë nuk lejon zhvillimin e mendimit kritik brenda partive sepse, linte të kuptohej, kur lufta me kundërshtarin është e egër, ajo që ndodh është bashkimi i të gjithëve kundër tij.
Duke lexuar sintezën e gjuhës së urrejtjes të dalë nga goja e të dy liderëve, në kabllogramet e Ambasadës nuk mund të mos e rikujtoja këtë argument. Por m’u bë edhe më i fortë ky rikujtim , kur pashë lajmin se Edi Rama dhe Sali Berisha janë përballur në ceremoninë e 20-vjetorit të fondacionit gjerman në Shqipëri, Fridriech Ebert dhe, me gjithë përpjekjen e ambasadores që ata t’i japin dorën njëri-tjetrit, kjo s’ka ndodhur, përkundrazi të dy liderët kanë derdhur helmin e urrejtjes së ndërsjellë me një sërë batutash denigruese për njëri-tjetrin.
Duke parë dy liderë që kanë në dorë fatet tona të sillen si fëmijë, që edhe në familje t’i kesh të bëjnë gjëmën e jo më në krye të vendit nuk mund të mos të të lindin një sërë pyetjesh, të tilla si: këtë gjuhë e sjellje të urrejtjes e prodhon lufta për pushtet e për para apo është gjuha e urrejtjes që e ka ashpërsuar këtë luftë deri në këtë shkallë? Në ç’masë është kjo gjuhë e urrejtjes instrument i një pjese për të sunduar partinë dhe çfarë do të mund të ndodhte sikur kjo pjesë të sfidohej nga pjesa më racionale në emër të arsyes e të së mirës së shumicës? A nuk ka ardhur koha t’i ndërrojmë liderë si Berisha dhe Rama, që kanë gjeneruar gjithë këtë urrejtje, saqë as dorën nuk i japin njëri- tjetrit, apo këta, me sjelljen e tyre, nuk janë tjetër veçse shprehje e mënyrës se si ne sillemi në përgjithësi me kundërshtarin, çka do të thotë se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë.
Personalisht mendoj se ndryshimin duhet ta kërkojmë më thellë – ma provoi këtë edhe debati i dështuar që përmenda në krye të këtij shkrimi, – por nga ana tjetër gjykoj se liderë/elitë me tjetër kulturë, me tjetër shembull sjelljeje, do të ishin një instrument i rëndësishëm ndryshimi. Përndryshe, me këta urrejtës në pushtet, zor se mund të bëjmë përpara.

Adam Michniku në librin e tij “Në kërkim të sensit të humbur”, të botuar së fundi në Shqipëri, thotë duke cituar Barbara Scarga: “urrejtja është një ndjenjë që nuk di ta vështrojë botën veçse nga optika e mohimit. Madje edhe në atë që të tjerëve u duket e vlefshme, e rëndësishme, ajo sheh vetëm veprim të nënrrogoztë, degradim, mashtrim, sepse i tillë është kondicioni i saj natyror njerëzor. Urrejtja asesi nuk synon përmirësim – përkundrazi, situata e krijuar asaj i shkon për osh, ajo konstaton me kënaqësi çdo gabim që konfirmon drejtësinë e pozicionit të vet, çdo ndërmarrje të paarrirë. Por, mbi të gjitha me këtë pozicion do të helmojë gjithçka përreth. Dhe kështu nis të precipitojë derisa mbërthen gjithë shoqërinë.”

Duket sikur Scarga ta ketë shkruar për realitetin shqiptar. Tek ne sundon një situatë që i shkon aq për osh urrejtjes, saqë mund të thuhet se ajo mbretëron e parivalizuar nga ndonjë ndjenjë tjetër. Ngjarja në 20-vjetorin e fondacionit “Frederich Erbert” flet shumë për këtë. Liderët tanë në ato pak replika që shkëmbyen, duke përdorur një eveniment paqeje si spond lufte, treguan se nuk janë në gjendje të përçojnë asgjë tjetër veç urrejtjes. Një urrejtje, që synonte thjesht e vetëm ta ulte e poshtëronte kundërshtarin në sytë e të tjerëve.
Nëse do të kërkonim rrënjët kulturore të kësaj urrejtjeje, do të thosha më së pari se, individualisht, ajo është shenjë e mungesës së pjekjes së këtyre individëve, shenjë e një egoizmi, që nuk është temperuar me moshën nga edukata e mirë, nga ndjenja më të larta e më fisnike, përkundrazi që ka ardhur duke u bërë më i rrezikshëm për shkak të pushtetit. Por, kjo urrejtje ka edhe një dimension të fortë social-politik. Urrejtja ka vetinë t’i bashkojë njerëzit rreth ndjenjave më të ulëta, që sillen rreth dhunës dhe frikës, veçanërisht në një shoqëri ku padituria dhe mungesa e ndjenjave të kultivuara bashkohet me frustracionet e varfërisë dhe të pasigurisë. Për të gjitha këto duhet të kemi/gjejmë/krijojmë një shkaktar/armik, të cilin duhet ta urrejmë, ta asgjësojmë, që të shpëtojmë. Kësisoj, asgjësimi i armikut bëhet shpejt program politik. Fatkeqësisht, ky është fillimi dhe fundi i programeve politike të partive tona. Përtej këtyre nuk ka asnjë projekt racional se çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga gjendja ku jemi. Përkundrazi, ka një ngulmim për të na mbajtur në këtë gjendje, që të kujton ngulmimin e Enver Hoxhës për të na mbajtur vazhdimisht të rrethuar nga armiku i jashtëm e i brendshëm. Sepse urrejtja, për nga natyra e saj, nuk ka veti ndërtuese, por shkatërruese; sepse ajo nuk na e lejon vetëkritikën, që është kushti për ndryshim jo vetëm i vetes, por edhe i tjetrit; sepse ajo, sikurse thotë Scarga, nuk synon përmirësimin e gjendjes – përkundrazi, situata e krijuar asaj i shkon për osh, ajo konstaton me kënaqësi çdo gabim të armikut që i konfirmon drejtësinë e pozicionit të vet.
Po të vesh re teknikat që përdor gjuha e urrejtjes për ta ndezur e mbajtur gjallë këtë ndjenjë, që e bën njeriun instrument të dhunës, – për çka ka mobilizuar një numër jo të vogël gazetarësh e propagandistësh në të dy kampet, – do të konstatosh se ajo ngulmon të godasë pareshtur thjesht e vetëm pjesën emotive të njerëzve, atje ku janë përqendruar frikërat dhe shpresat, inatet dhe mëritë e së tashmes e të së kaluarës, paragjykimet, supersticionet, tabutë, kodet morale. Për t’i prekur këto tastiera, urrejtësi nuk ngurron aspak t’i hyjnë të urryerit në jetën private, në familje, në marrëdhëniet intime, në krevat, në nevojtore, në të kaluarën komuniste, në mënyrë që t’i gjejë dobësi për t’i bërë ato publike, ashtu sikurse nuk ngurron të përdorë shpifjen, fyerjen, shtrembërimin. Në pamundësi apo në pritje për ta vrarë atë fizikisht, ai kërkon “ta vrasë” atë moralisht, ta mohojnë, ta poshtërojnë, deri në pikën që ta përjashtojë mundësinë që ky të mund t’i japë dorën urrejtësit – në rastin më të mirë vetëm mund t’ia puthë ngaqë s’ia kafshon dot. E, për të mbretëruar i qetë në këtë punë, urrejtësi ngulmon ta helmojë krejt opinionin publik me frymën dhe teknikat e tij. Opinioni publik, – thotë Pazolini, – si një kafshë e egër, ashtu sikurse ka nevojë të qetësohet lidhur me gjëra që nuk do t’i urrejë, po ashtu ka nevojë të nxitet lidhur me gjëra që kërkon t’i urrejë. A e keni vënë re se si urrejtja arrin të bashkojë në tryeza kafenesh apo mbledhje partie individë që mund të kenë kritika pa fund për njëri-tjetrin, kujtime më se të këqija, por këto qetësohen e harrohen pasi, sapo ulen së bashku, fillojnë e flasin për armikun e urryer me një solidaritet të rremë.

Kam përshtypjen, megjithatë, se tani që kanë kaluar njëzet vjet nga rënia e komunizmit, njerëzit sikur janë zgjuar nga një gjumë i thellë me një ëndërr të gjatë, duke thënë: njëzet vjet janë shumë, janë vërtet shumë. Dhe ky zgjim shoqërohet me zhgënjimin e madh me këtë klasë politike, që i ka drejtuar me një zemërim e neveri, e thellë ndaj saj. Dhe më duket se më të madhen neveri e ngjall gjuha e urrejtjes që përdor kjo klasë si shoqëruese e korrupsionit të saj, akuzat e ndërsjella plot urrejtje pa asnjë program serioz, racional ndryshimi, pa asnjë dashuri të vërtetë ndaj tyre. Ajo sikur është faqja më e shprehur së jashtmi e degradimit të saj moral. Nëse korrupsioni është dëmi material që pësojnë njerëzit përditë, kjo gjuhë është dëmi shpirtëror.

E megjithatë, dikush mund të thotë: po çfarë ndjenje do të duhet të provojnë të ndershmit ndaj tyre? A nuk meritojnë këta urrejtje dhe kjo që po shkruan ti, a nuk është gjuhë urrejtjeje ndaj tyre? E kjo pyetje lidhet me pyetjen: në kërkim të ndryshimit a duhet të mbështetemi tek kjo ndjenjë që i ka çuar njerëzit edhe në revolta e rebelime çliruese? Pyetje më se e drejtë, përgjigjet ndaj së cilës mund të jenë edhe kontradiktore. Ka të urtë që thonë se ndjenjën e urrejtjes duhet ta evitojmë, gjithsesi, të tjerë se të urresh maskarenjtë është një gjë fisnike sepse, po ta shohësh thellë-thellë, kjo do të thotë të çmosh të ndershmit.

Personalisht e njoh këtë ndjenjë si çdo qenie tjetër njerëzore, e mund të bashkohem me ata që thonë se s’ka gjë më të urryer sesa njerëz që përdorin mashtrimin, dhunën, padrejtësinë ndaj të tjerëve për qëllime të ulëta. Por, nga përvoja mund të them se edhe në marrëdhëniet private duhet përpjekur që asnjëherë  të mos e lemë urrejtjen në dorë vetëm të zemrës, por ta  kontrollojmë përherë me arsyen, në atë masë sa ta kthejmë në përçmim, por edhe në kuptim. Po ashtu mendoj se, gjithë me ndihmën e arsyes, duhet të dimë të ndajmë në ndjenjën tonë të urrejtjes individin nga fenomeni që paraqet një punë e tij e urryer. Sepse një urrejtje e madhe e pakontrolluar nga arsyeja mund të na vendosë poshtë atyre që urrejmë. Ndërsa kur bëhet fjalë për shprehjen e urrejtjes publikisht, gjykoj se cilido ka një përgjegjësi të madhe për gjuhën me të cilën i drejtohet tjetrit. Instrumentalizimi i urrejtjes është një krim shumë herë më i madh sesa vetë aktet e urrejtjes që mund të kryejnë individë të caktuar të nxitur prej këtij instrumentalizimi. Jo vetëm kur bëhet fjalë për instrumentalizime për qëllime të ulëta, siç bën rëndom politika jonë, por dhe kur bëhet fjalë për rebelime e revolta të drejta e të përligjura, këto nuk duhet të na bëjnë humbasim humanitetin brenda nesh si aftësi për të dashuruar, për të qenë të drejtë e për të arsyetuar. Përndryshe, mbetemi tek rebelimi si urrejtje e verbër dhe, sikurse thotë Georges Bernanos, “Kam frikë se rebeli nuk do të jetë kurrë në gjendje të ushqejë për ata që do një dashuri po aq të madhe sa urrejtja që ushqen për ata që urren.” (Panorama, 19 shtator 2001)

No comments: