Thursday, June 23, 2011

Skizofrenia jonë

Kur flitet për zgjedhje të ndershme apo të pandershme në Shqipëri duhet kuptuar se, në fakt, bëhet fjalë për dy gara në dy plane të ndryshme që, me vetëdije e pavetëdije, palët ndërgaruese i përzjejenë dhe i kthejnë në një. Edhe i gjithë impasi që po ndodh sot lidhur me rezultatin e Tiranës, e jo vetëm, - aq sa zoti Fyle ka thënë me dëshpërim se janë mbaruar tërë planet për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike e zgjedhjevetë fundit, se  nuk kanë në dorë një plan C - është rezultat i kësaj ndërthurjeje të këtyre dy garave. Le të shpjegohem:
Njëra garë është ajo që do ta quaja, për lehtësi shpjegimi, gara e zhvilluar "në planin e realitetit shqiptar" apo "gara e pandershme", e cila ka të përcakuara edhe rregullat e saj që mund të përmblidhen me parimin: bëj gjithshka të mundëshme për t'ia hedhur kundërshtarit. Për "rregullat", - nëse mund të quhen kështu, - të kësaj gare ka pasur një konsensus të gjatë midis dy palëve. Ato s'kanë të bëjnë thjesht e vetëm me ligjet elektorale që të dy palët kanë aprovuar, por me të tërë aktivitetin e tyre politik gjatë këtyre viteve, me mënyrën se si janë sjellë gjatë qeverisjeve të tyre qëndrore apo lokale, në pushtet apo në opozitë, me ligjin, me institucionet e tjera, me paranë dhe pasurinë publike, me krimin, me territorin, me "të fortët", e më në fund edhe me votën. Rregullat e kësaj gare ata i kanë vendosur ashtu që të parashikojnë se ai që do të jetë më i zoti në përdorimin e hilesë, të kapjes të sa më shumë institucioneve, të kapjes të sa më shumë bizneseve, të kapjes të sa më shumë mbështetjeje nga jashtë, të sa më shumë mediave,  të përdorimit të sa më shumë të fortëve etj. ka shumë më tepër shanse të bëhet fituesi. Në këtë kontekst dita e votimit dhe e numërimit të votave duhen parë si një farë mbylljeje e një akti të kësaj gare/drame të përditshme pandershmërie dhe jo si fillim e fund i një gare elektorale. Sipas gjykimit tim këtë garë kësaj here deri në këtë moment e ka fituar, me rezultat të ngushtë, maxhoranca me në krye Sali Berishën. Edi Rama është humbësi i saj dhe po bën "gjithshka të mundëshme", në kuptimin që i dhashë këtij togfjalëshi më sipër, për të përmbysur rezultatin, ose balancuar atë duke marrë Tiranën .
E këtu duhet folur edhe për garën e dytë që është zhvilluar paralel me këtë, e ndërthurur me këtë, në mënyrë të atillë që edhe është pjesë e të parës edhe një garë më vete. Kjo është gara për ta mbuluar sa më mirë garën e vërtetë  me fasadën e asaj që do ta quaja ligjshmëri, apo standarte evropiane apo sukses i procesit, se kush do të fitojë më shumë kredibilitet prandaj dhe më shumë legjitimitet tek të huajt; se kush përfaqëson më shumë e më mirë në sytë e tyre interesat e shqiptarëve, se kush është më demokrat, se kush po e çon apo do ta çojë Shqipërinë në Evropë, - që po e quaj gara e zhvilluar "në planin e satandarteve evropiane". Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një garë të dyfishtë të zhvilluar në dy plane që në fakt janë në kundërshtim me njëri tjetrin, përjashtojnë njëri tjetrin, sepse njëra është gara e pandershmërisë kurse tjetra e ndershmërisë. E këtu ngatërrohet filmi sepse e gjithë lufta politike së jashtmi, pasi ka mbaruar akti i zgjedhjeve, është shitja e fasadës si një garë e vetme dhe vetë protagonistët e saj me vetëdije apo pa vetëdije i ngatërrojnë të dyja këto gara/realitete duke shfaqur kësisoj në mendimin dhe qëndrimin e tyre shrregullime skizofrenike.
Këtu mund të ngremë pyetjen: pse ndodh kjo? Pse na duhet ky plani i dytë i ndershmërisë kur, në thelb, të dy palët lojën e vërtetë e bëjnë në planin e parë: atë të pandershmërisë? Sipas gjykimit tim pasi edhe shoqëria shqiptare vetë jeton dy realitete; një realitet që e quajta për thjeshtësi "shqiptar" dhe një realitet që prap për thjeshtësi komunikimi e quajta "evropian" ku i pari ka lidhje shumë më të forta me trashëgiminë, me kulturën e paligjshmërisë e pandëshkueshmëris të përhapur në terren, me llojin e ekonomisë që kemi krijuar, e me zgjedhjet e pandershme gjithashtu, kurse tjetri ka më shumë lidhje me aspiratën tonë evropiane, me idealet, me moralitetin, me atë që duam të bëhemi. Pa dyshim, edhe këto gjëra, që kanë të bëjnë me ndershmërinë, pra, janë pjesë e jona, por them se kam të drejtë ta quaj këtë pjesë më shumë "evropiane" sesa "shqiptare", pasi, sikurse po shihet qartazi edhe në krizën e këtyre ditëve, për arbitër të garës së dytë nuk kemi zgjedhur shqiptarët dhe institucionet e tyre, por evropianët dhe institucionet e tyre. Dhe një realitet, sikurse dihet, plazmohet nëpërmjet institucioneve. Pra mungesa e gjykatave apo mediave apo shoqërisë civile të standarteve evropiane është tregues i rëndësishëm për atë që ky realitet evropian mungon tek ne, paçka se ndoshta jo krejtësisht. E këtu duhet ngulmuar, megjithatë, se ky realitet i dytë materializohet sadokudo tek ne edhe në atë që quhet prezenca ndërkombëtare në Shqipëri: lidhjet që ka vendi me pjesën tjetër të botës, veçanërisht të Evropës, me nevojën që kemi qoftë si popull për të mbijetuar, por edhe që ka klasa politike për të ndejtur në pushtet, për t'i respektuar rregullat e këtij komuniteti më të madh ku aspirojmë të bëjmë pjesë edhe më plotësisht nesër. Por edhe me lidhjet që ata janë të detyruar të kenë me ne gjithashtu si pjesë e një hapësire gjeopolitike ku shtrihet projekti i tyre eonomik, politik, kulturor e ushtarak.
Pra, nuk jemi një ishull siç ishim në kohën e Enver Hoxhës, veçanërisht dekadat e fundit. Sikur të ishim një ishull gara e parë do të mjaftonte për të caktur fitimtarin. Kurse kështu na duhet të marrim në konsideratë realitetin tjetër që jetojmë.
Problemi është që shqiptarët, me në krye plitikanët e tyre, kanë vendosur ta jetojnë në një fromë  skizofrenike këtë realitet të dyfishtë, me një mendje të ndarë më dysh e me gjithë shrregullimet e mendimit e të qëndrimit që sjell kjo skizofreni. Duhet thënë se ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Shikoni se çfarë po ndodh në Greqi. Një klasë e tërë politike që mashtronte për vite të tëra Evropën me bilance të falsifikuara ku pra tjetër gjë ishte realiteti "grek" dhe tjetër gjë fasada që i paraqitej popullit dhe Evropës.

Në këtë skizofreni maxhoranca jonë kërkon njëherësh edhe t'i ketë nën kontrollin e saj institucione të tilla si gjyqsori, mediat, shoqëria civile, bizneset etj. edhe t'i paraqesë sikur funksionojnë në mënyrë evropiane. Zgjedhjet ajo kërkon edhe t'i fitojë me metodat e "plani të parë" të pandershmërisë edhe t'i parqesë si të ndershme. Kurse opozita lëviz edhe ajo në këto dy plane. Ajo edhe luan sipas "rregullave" të garës së pandershmërisë me të fortët, me kontroll mediash e me çka mundet, edhe kalon, në rast humbjeje, në kontestimin e zgjedhjeve sipas principeve të ndershmërisë. Sikur ajo të fitonte ishte e përgatitur të thoshte se megjithë një maxhorancë dinake, të pabesë,  hileqare, të pandershme ajo fitoi. Por ndërkaq ishte edhe e përgatitur që në rast humbje të lojës së parë të mos e njihte rezultatin në emër të lojës së dytë.
Sipas gjykimit tim të garosh me trafikantë droge, me oligarkë e "të fortë" gjithfarësoji e pastaj të flasësh me pasionin e njeriut të ndershëm për fitore në emër të popullit apo të revoltohesh po me këtë pasion se të kanë vjedhur votën kjo është një skicofreni. Unë gjykoj se kriza e këtyre zgjedhjeve dhe rrugëdaljet prej saj duhen parë në kontekstin e daljes nga kjo skizofreni që gjykoj se është një sëmundje që kërkon një kurim të gjatë dhe shumë serioz, madje.
Fitoren ose humbjen e procesit e kanë vulosur deri më tani ndërkombëtarët. Ata kanë dhënë notën kaluese ose jo për procesin duke e ngritur gjithnjë pak  më lart "stekën" e standarteve që duheshin arritur. Kjo ngritje e stekës duket sikur kërkon të ngushtojë dallimin midis atij që e quajta "plani shqiptar, i pandershëm" i garës dhe "plani evropian, i ndershëm" i saj, ose midis garës së vërtetë dhe garës fasadë. Ndërkaq e kam të vështirë të them nëse ne punojmë vërtet për të ngushtuar këtë dallim apo për të sofistikuar format e mbulimit të pandershmërisë sonë me këtë fasadë duke thelluar, për pasojë, edhe skizoferninë tonë. Lexova së fundi për historinë rrënqethëse të trafikantit dhe vrasësit shqiptaro amerikan Almir Rrapo që po gjykohet këto ditë në SHBA i cili arriti të ngjitet tek ne deri në pozita me rëndësi në Ministrinë e Jashtme e mu kujtua se, para një viti, një grup pedagogësh e studentësh, madje edhe të rinjsh  që shpallen si kontestatorë të sistemit të ngritur në Shqipëri, protestoi për ekstradimit e këtij të riu në SHBA duke thënë se njerëz si Almiri "me një qëndrim intelektual të paprekur nga konjuktura apo nga nevoja për t’iu dorëzuar ndonjë pushteti të mundshëm formal apo informal" ishin një "shpresë" e Shqipërisë. Dhe, sikurse e dimi mirë që të gjithë, nuk janë të pakta rastet kur trafikantët e drogës, kriminelët e të pandershmit "trafikohen" në këtë shoqërinë tonë si heronj të demokracisë e të përparimit - jo vetëm këtej kufirit, por edhe në pjesën tjetër, Kosovë e Maqedoni. A mund të mendohet se me këta lloj njerëzish mund të bëhen zgjedhje të ndershme?

Si përfundim, një gjë më duket se  duhet të jetë e qartë për gjithë ata shqiptarë, por edhe evropianë që kanë ngecur keq në këtë krizën e fundit duke u ndjerë si pa rrugëdalje. Zgjidhja e vërtet e krizës shqiptare, ai varianti C që sipas zotit Fyle nuk eksizton, e që do të çojë pastaj edhe në zgjedhje të ndershme, mund të vijë vetëm nga ngulmimi për të hyrë në rrënjë të problemit, tek ajo që e quajta "gara e pandershme" që zhvillohet përditë në Shqipëri e që ditën e zgjedhjeve kërkon thjesht e vetëm të veshë petkun e ndershmnërisë. (Panorama, 20 Qershor 2011)

2 comments:

Silvia Batalli-Deliallisi said...

analize shume e sakte. megjithate, per mendimin tim ne rastin e Shqiperise nuk mund te akuzojme pushtetin per skizofreni politike, por mbare kombin shqiptar per nje kryenecesi/rezistence ndaj struktures, ligjit, shtetit. ka qene dikur nje shprehje shume e dashur dhe e shpeshperdorur e udheheqesit tone "te lavdishem" - Ne i kemi rrenjet ne popull. Me keqardhje duhet te pranojme se ajo thenie mbante nje te vertete te frikeshme. Cdo dukuri qe ngjyros aspekte substanciale te nje populli, ka elementin endogjen brenda, i cili eshte pergjegjes per dukurite e shfaqura. Ne jemi nje popull shume simptomatik. Karakterizohemi nga nuanca te theksuara primitivizmi struktural, qe nuk ka absolutisht lidhje me inteligjencen apo talentet natyrale, me nivelin intelektual te arritur ne shkalle kombi apo individuale. Per mendimin tim, ka te beje me paaftesine tone per te pranuar elementin simbolik (metaforen) mbi te cilin co-egzistenca njerzore bazohet. qenka shume e veshtire per shqiptarin te pranoje si moderues te jetes se tij nje agjensi te trete (e cila egziston pavaresisht nga deshira jone per ta pare/njohur), qe vepron ne planin subjektiv, duke krijuar keshtu nje kiazem ne ate objektiv... flm.

Anonymous said...

Me pelqen analiza e zotit Lubonja, po me shume me pelqen edhe ajo cfare shkruan komentuesja ne rrjeshtat e mesiperm. Nje skizofreni kolektive e kombit shqiptar. Nje amoralitet dhe pandershmeri qe shfaqet ne cdo qelize te shoqerise sone. Te jesh punetor i thjeshte e te mendosh si e si te mos e besh mire punen po leket ti marresh, te fillosh pune ne shtet qofte si sanitare spitali, roje shkolle a si mesues fshati a pedagog fakulteti duhet me pare te paguash leke. Te shiten diploma neper fakultete si ne pazar te Milotit per tu bere jurist, ekonomist, infermiere apo farmacist eshte pjese e kesaj skizofrenie. Te jesh intelektual, profesor dhe te jesh kaq i anshem, kaq i neveritshem ne servilosjen ndaj njeri apo tjetrit krah (sidomos pushtetit te radhes) eshte prape pjese e amoralitetit. Te shiten te drejtat e specializimeve te mjekesia deri 40 mije euro, apo tre te ashtuquajtur profesore tu japin tre dashnoreve te tyre doktoraturat neper departamentet e ndryshme te mjekesise eshte pjese e ketij pislleku kombetar. Te jesh gjyqtar e te gjykosh e te denosh nje vrasje makabre me 6 muaj burg eshte tregues i skizofrenise dhe autizmit ekstrem te shoqerise shqiptare. Keshtu para se te akuzojme politikanet duhet te shohim se problemi ne fakt eshte i shtrire ne cdo pjese te shoqerise sone.