Friday, May 6, 2011

A ka shpresë Tirana


(Mbi Bashën në Opinion)

Debati që zhvillohet sot mbi Tiranën të bën të kujtosh se në punët e politikës, ashtu si në punët e ruajtjes së shëndetit, zotësia është ta kapësh në kohë sëmundjen, kur ajo nuk duket sheshit, pasi  atëhere ka shpresë shërimi, kurse kur arrin puna që të keqen ta shohin të gjithë, atëhere gjetja e mjeteve të shërimit është shumë e vështirë. E them këtë pasi emërues thuajse i përbashkët i debatit mbi Tiranën në prag të zgjedhjeve lokale  është fakti se gati të gjithë thonë se është bërë qytet i pabanueshëm. E dëgjon këtë jo vetëm nga demokratët nëpër fushatë, por edhe nga banorë të paanshëm, madje edhe nga pjesa e esëllt e socialistëve. Ma do mendja se një nga arësyet pse Edi Rama e ka impostuar fushatën e tij kryesisht mbi trajtimin e këtyre zgjedhjeve, si një referendum pro ose kundër Berishës dhe qeverisjes së tij qendrore, është edhe fakti se ai vetë e di masakrën që ka bërë dhe se zor se do të mund të ketë projekt që ta shpëtojë. Gjithnjë e më shpesh dëgjon njerëz që të thonë se vetëm një tërmet mund ta krijojë mundësinë për ta ribërë këtë qytet. E, megjithatë, ne nuk e duam tërmetin, madje vazhdojmë të shprehemi se çfarë mund të bëhet për të shpëtuar atë çka ka mbetur.
Me këtë interes të mbarsur me plot zhgënjime e dyshime dëgjova në Opinion të Fevziut se çfarë idesh ka Lulzim Basha për Tiranën.
Ajo që më tërhoqi vëmendjen veçanërisht në premtimin e Bashës ishte ideja se gjëja e parë që ai do të bëjë është një plan urbanistik dhe se, deri në mbarimin e këtij plani, do të ketë moratorium për lejet e ndërtimit. Është një ide që të bën të mendosh. Pikërisht për këtë ka nevojë Tirana e sëmurë rëndë: të ulemi ta studiojmë gjendjen e saj dhe të bëjmë një projekt se si ta shërojmë duke parë edhe shkakun e sëmundjes. Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve derisa erdhëm deri këtu? Cili ishte virusi që u fut?
Si një reagim i parë pozitiv ndaj idesë së planit të përgjithshëm më erdhi të them se Tiranën e shkatërruan bash projektet e pjesshme. Por pastaj mendova se idealisht si projekti i pjesshëm si ai tërësor mund të funksiononin fare mirë, sikurse mund të rezultojnë që të dy në katastrofë, varësisht nga synimi dhe profesionalizmi i projektit. Po ku qëndron ndryshimi midis tyre që më erdhi të mallkoj projektet e pjesshme? Ndryshimi qëndron në atë se projektet e pjesshme më duken një gjetje më dinake për ta maskuar qëllimin e keq, kurse një plan i plotë e zbulon atë shumë më qartë e në mënyrë të menjëhershme. Pra kur synimin e ke ta bësh qytetin “pre qensh” mënyra më e mirë për ta shqyer atë është ta kafshosh copa copa. Kjo ka ndodhur me Tiranën.
Por, tek e fundit, problemi nuk është edhe aq nëse projekti është tërësor apo i pjesshëm, por  synimi i tij. Problemi ka qenë se synimi nuk ishte nevoja për të normalizuar një situatë në një lagje apo zonë, por interesat e fitimit të një apo dy ndërtuesve e sekserëve për të ndërtuar në atë lagje pallate, pasi kishin blerë truallin apo kishin bërë marrëveshje me pronarët e disa shtëpive në ato lagje. Kjo bëri që projektimi i asaj që quhet “njësi urbane” në të cilën normalisht duhet të ketë më së pari një infrastrukturë rrugore, kanalizimesh etj. e pasaj ato që quhen objete publike si shkollat, kopshtet, parqet, fushat e sportit, postat dhe pastaj edhe ndërtimet për banim, të reduktohet në “shesh ndërtimi”. Shkurt, e mira e shumicës në atë lagje u sakrifikua për të mirën e një pakice të ngushtë njerëzish, kryesisht klientë të Kryetarit të Bashkisë, ku tek shumica e dëmtuar do të fusja jo vetëm banorët e shtëpive përreth, por edhe ata që blenë apartamente në pallatet e  larta që u ngritën, apo edhe vetë pronarët që morën nga 20 deri në 50 përqind sepse shumë shpejt edhe ata u ndodhën nën hijen e ndonjë pallati tjetër. Masakra që ndodhi kësisoj ishte jo vetëm në kurriz të pejsazhit uraban që erdhi duke u degraduar hap pas hapi me pallatet që ngriheshin pa asnjë lidhje estetike me pjesën tjetër apo njëri tjetrin, por edhe përsa i përket raportit ndërtim gjelbërim, që përkthehet në metrat katror gjelbërim për banor, pastërtinë e ajrit, mundësnë e parkimit, mundësinë e pasjes së shkollave e kopshteve afër, etj., por edhe në aspektin ekonomik pasi pjesës së mbetur iu zhvlerësua prona pasi nuk mund të ndërtohej më ndërkohë që jeta nëpër apartamente të ndërtuar në pallate të tilla  bëhet gjithnjë e më e vështirë prandaj dhe çmimet e tyre po bijen dhe janë të destinuar të bijen.
Sot kur flitet për një rishikim tërësor të Tiranës mendja të shkon se nisja duhet të jetë pikërisht në drejtimin e kundërt nga u nisën ata që shkatërruan Tiranën; pra jo më nga interesi i ndërtuesve për fitim, por nga interesi i qytetarëve për hapësira të gjelbërta, shkolla, kopështe, rrugë etj. Kjo do të thotë më konkretisht që studimi i planit duhet të kërkojë gjetjen e maksimumit të mundësive që të ruhen hapësirat që janë ende pa ndërtim si dhe, madje, që të mund të kompensohen pronarë të truajve që mund të kenë ende shtëpi të ulta pa ndonjë vlerë të veçantë, në mënyrë që në truajt e tyre të mund të bëhen lulishte, kopështe, shkolla, fusha sporti. Pra as që duhet bërë fjalë që në Tiranë të vazhdojnë të ndërtohen ato grataçielat që s’janë ngritur ende, as ato të tjerat që janë projektuar tek Komplesi Dinamo  e shumë të tjera. Madje gjykoj se Tirana më së pari ka nevojë për një numërim se sa apartamente ka, sa ndërtime të pambruara ka, sa apartamente dhe shtëpi të pabanuara ka në brendësi dhe rrethinat e saj. Po ashtu, një plan i Tiranës nuk mund të shihet jashtë vizionit të zhvillimit të vendit dhe, sipas meje, vendi duhet të zhvillohet në çdo kilometër katror dhe jo mbi idenë sa absurde aq edhe spekulative që ka qarkulluar e vazhdon të qarkullojë (gjithnjë për hir të interesave të asaj pakicës të cilës i intereson vetëm vlera e shitjes së metrit katror ndërtim) të bashkimit të Durrësit me Tiranën në një metropol super gjigant ku do të mblidhen të gjithë banorët e Shqipërisë.
Unë nuk e di a e ka Lulzim Basha këtë vizion. Nuk e di as se çfarë do të ketë në planin që do të paraqesë një vit pasi të ketë marrë Bashkinë. Por po dëgjoj se po flet – siç kanë folur e flasin të gjithë fatkeqësiht - për parqe, kopshte, shkolla dhe mendoj se, nëse e ka seriozisht, duhet ta ketë në mendje problematikën për të cilën fola se përndryshe ku do t’i gjejë hapësirat. Aq më tepër kur na premtoi se do ta paraqesë këtë plan përpara një oponence të publikut apo specialistëve dhe se po mendon se mund të bëjë edhe një referendum për ta aprovuar këtë plan.
Në shërbim të një pozitiviteti le të përpiqemi të bëj pak oponencën që tani duke patur parasysh jo vetëm përvojën e hidhur që kemi të premtimeve të bukura dhe zhgënjimeve të shëmtuara (mjaft t’i kujtojmë Bashës se PD premtoi Vlorën turistike dhe, pasi mori pushtetin, e ka nxjerrë Vlorën në shitje për ata që duan ta bëjnë portin në të madh të kargove në Evropë dhe Karaburunin e ka dhënë me konçesion për parkun më të madh eolik në Evropë), por edhe disa inkoherenca që gjej në projekt idetë e tij. Do të veçoja vetëm dy gjëra në këtë oponencë të parë.
Së pari, ne e dimë se nëse pushteti i kryebashkiakut është mbajtur në këmbë deri më sot (kryesisht për të keqen tonë do të thoja) nuk është mbajtur pasi ka punuar për qytetarët, por pasi ka punuar me atë skemën e pakicës klientelare qytetkafshuese për të cilën bëra fjalë. Kanë qenë lekët e saj të pastra dhe të pista të investuara në ndërtim që e kanë mbajtur më këmbë duke na u paraqitur masakra urbane edhe si zhvillim e zbukurim. Ku do t’i gjejë Lulzim Basha paratë që të bëjë kopshte e shkolla kur paska ndërmend të punojë kundër interesit të tyre në emër të interesave të qytetarit sepse, sa për para publike, ne po shohim se maxhoranca nuk po mban dot as premtimet e kthyera në ligj për dëmshpërblimin e kategorisë më në hall sot në shoqërinë shqiptare: ish të përndjekurit politikë? Jemi në vitin e tretë dhe nuk ka mbaruar këstin e dëmshpërblimit të vitit të parë. Ne kërkojmë një përgjigje më të detajuar për këtë.
Së dyti, përtej premtimeve me fjalë për projekt tërësor dhe moratorium, që na bën Basha ne kemi dy premtime projektesh pjesore që janë krejtësisht në kundërshtim si me premtimin për një projekt tërësor si me premtimin për hapësirat e gjelbërta, që e komprometojnë rëndë premtimin e Bashës. I pari është projekti që një hapësirë të gjelbërt të caktuar në zemër të qytetit qeveria me VKM vendosi t’ia kthejë Komunitetit Mysliman për ndërtimin e një xhamie. Pra, në vend se të gjindet një vend tjetër (kompensimi në këtë rast) prishet një hapësirë e gjelbërt, madje duke shkelur ligjin pasi konventa e Ahrusit, ku ne aderojmë, nuk e lejon një gjë të tillë me parqet publike duke na kujtuar se kështu (dhe po për synime elektorale)  u prish edhe një hapësirë tjetër e gjelbërt që iu dha Kishës Ortodokse për të ngritur një megakishë të shëmtuar në një vend ku s’ka mbetur më asnjë pëllëmbë vend për të mbjellë një pemë dhe ku, s’mjafton kjo, por disa metra më përtej po ngrihet edhe një grataçielë 25 katështe. Projekti tjetër është ai i prishjes së Piramidës ku përsëri do të ngrihet një megandërtesë që, me ç’kam parë në projektin që është paraqitur, është jo vetëm gjithpushtues i hapësirës së gjelbërt rrotull saj, – a thua se bëhet fjalë për parlamentin e një shteti mbi 100 milion banorë, - por edhe super e shëmtuar, pasi është krejt mish i huaj në atë bulevard. Jo vetëm, por dhe këtu është shkelur ligji, pasi Piramida me ligj bën pjesë në monumentet e mbrojtura. E po ashtu, sipas këtij projekti, ai do të mbarojë më 12 nëntor 2012 ndërkohë që, sipas Bashës, sikur të fitojë ai, do të ketë moratorium ndërtimesh deri afër kësaj date.
Siç shihet pra ndërkohë që më një anë Basha na premton një plan tërësor që do t’i nënshtrohet referendumit më anë tjetër maxhoranca ku ai bën pjesë harton projekte pjesore, që, ashtu si ato të Ramës, janë të kundërligjshme në një mënyrë apo në një tjetër, janë projekte të pjesëshme dhe jo të studiuara në raport me një projekt tërësor, dhe vazhdojnë të kafshojnë hapësira të tjera të gjelbërta publike. Duke patur parasysh edhe përvojën e deritanishme sipas së cilës çdo projekt që aprovojmë sot, nesër, kur të vijmë në pushtet, mund ta kthejmë në të kundërtën e tij – mjaft të kemi parasysh se kryebashkiaku i sotëm e shpalli Qendrën e Tiranës “monument kulture” dhe pataj i vuri kazmën fund e krye -  kam frik[ se sëmundja për të cilën fola në krye të shkrimit do të vazhdojë të zgjerojë metastazat e saj duke i dhënë gjithnjë e më të drejtë atyre që thonë se vetëm një tërmet, dmth. vdekja mund ta krijojë mundësinë për ta ringjallur këtë qytet. E, megjithatë, ne nuk e duam tërmetin/vdekjen e prandaj duket se do të vazhdojmë të vuajmë e shpresojmë. (Panorama, 11 prill 2011)


No comments: