Thursday, January 20, 2011

Kryeprokurorja duhet të japë dorëheqjen

https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEihBwosmFJUdyEwnRNMk2Ec9NAoWBJAns4_MDftyrmHTZ-IudBBhFWhpLifCNDVf6qq9TVRWzNKCAV0tw7QD4iZlddYJ59NgIzUqtFstGco5cmmytME1QOYSwhL4or9O_Bur83W-A/s1600/FL+Grafik+Kopie.jpgNë këtë situatë superkrize, ku skandali mbulon dhe njëherësh gjeneron skandalin një gazetar e ka të vështirë të gjejë kohën e mjaftueshme për të kaluar në filtrin e një analize të plotë dhe sa më të menduar fenomenet që shfaqen. Do të jetë i detyruar medoemos të zgjedhë disa ngjarje, me rrezikun që të harrojë apo neglizhojë disa të tjera. Në këtë kontekst, vë re se situata të tilla mund të bëjnë të kalojnë jashtë vëmendjes skandale, që edhe pse në vështrimin e parë mund të duken më pak të bujshëm, kanë një kuptim shumë të rëndësishëm për të shpjeguar situatën që po kalojmë dhe rreziqet që na kanosen.

Radha e skandaleve të bujshme do të kërkonte të shkruaja për atë që ndodhi në Parlament, por gjykoj se ka rëndësi të evidentohet një skandal që ka ndodhur përpara këtij, kuptimi i të cilit është shumë më serioz, e pasojat e të cilit mund të jenë shumë më të rënda, edhe pse s’ka bërë bujë mediatike.
Gjykoj se më skandaloz se vetë kaseta Meta-Prifti është akti i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ia dërgoi kasetën Ambasadës Amerikane për ekspertimin e autenticitetit të saj. Është një skandal që konfirmon impotencën e prokurorisë sonë, që presupozohet se duhet të jenë garancia e ligjit, përpara pushteteve të tjera. Sepse është e qartë për këdo shqiptar se çështja e dërgimit të kësaj kasete Ambasadës Amerikane nuk lidhet me atë se Prokuroria jonë nuk ka mjetet e duhura teknike për të provuar autenticitetin ose jo të përgjimit që ajo përmban. Gjykoj se edhe një diletant në shtëpinë e tij do të mund ta bënte vërtetimin e kësaj. Jo, çështja nuk lidhet me aftësitë teknike. Prokuroria jonë, me një takticizëm bizantin, nëpërmjet këtij akti ka synuar t’ia kalojë përgjegjësinë që duhet ta mbajë vetë si institucion Ambasadës Amerikane, duke synuar që këtë patate të nxehtë ta lërë në duart e të huajve. Prokuroria provoi kështu se ka frikë se nëse ekspertët e saj thonë se kaseta nuk është e manipuluar, mund të bien nën sulmet e Berishës e Metës; ndërsa nëse thotë se është e manipuluar, do të bjerë nën sulmet e opozitës, e cila do t’i quajë instrumente të Berishës e Metës.
A mund të shtrohet në mënyrës simetrike kjo çështje, pra se Ina Rama ka frikë njëlloj si nga Berisha e të tijtë, si nga Rama dhe të tijtë. Mendimi im është se në këtë rast ka më shumë frikë nga të parët, por në tërësinë e vet, ky akt është një shenjë e sigurt e impotencës së atij pushteti pa pavarësinë e të cilit ne nuk mund të themi se jetojmë në një demokraci.
Ne e dimë pse ky akt i Prokurorisë nuk bëri shumë bujë, pasi për çdo shqiptar është e qartë se kështu (impotente) është Prokuroria jonë. Dimë se maxhoranca dhe opozita së bashku, para disa kohësh ia pakësuan edhe më pushtetin Ina Ramës. Dimë se Sali Berisha mund t’i hapë librin e shtëpisë atyre prokurorëve që do të guxonin të hetonin njerëzit e tij. Dimë se edhe një pjesë prokurorësh vetë mund të jenë të shantazhueshëm, dimë se këta, për të njëjtat arsye frike nga të pushtetshmit, u janë shmangur shumë ballafaqimeve me shkeljet ligjore që përfshijnë këta. Por edhe këta duhet të jenë të vetëdijshëm se opinioni publik gjithnjë e më shumë mendon se është më mirë që këta të mos jenë fare aty në ato zyra, sesa të na lënë kështu si po na lënë, në mëshirën e paligjshmërisë e të padrejtësisë. Jo vetëm, por këta prokurorë, me në krye kryeprokuroren Ina Ramën, duhet të jenë të vetëdijshëm se duke treguar hapur impotencën e institucionit, nuk japin asnjë garanci se do të bëjnë transparencën në këtë skandal dhe se mund të ndikojnë në thellimin e implikimeve që ai mund të sjellë. Ilir Meta, edhe pse për shumicën e opinionit, me aq sa ky ka parë në atë video, duket fajtor, (paçka se në atë video kemi edhe një manipulim 30 sekondësh për të futur edhe Berishën në vallen e korrupsionit me tenderin e hidrocentralit) ka të drejtë të mohojë e të mbrohet dhe të prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të gjyqësorit. Por, a mund të ketë kush besim tek gjyqësori kur shikon Prokurorinë ta largojë kasetën me frikë nga duart e veta? Absolutisht jo. Ilir Meta ka dhënë dorëheqjen me kërcënime se do të bëjë namin ndaj atyre që i kanë manipuluar kasetën, se do të padisë Priftin e me radhë e me radhë. A është e vetëdijshme Ina Rama për përgjegjësinë që bie mbi shpatullat e saj në këtë rast? Kam përshtypjen se jo. Sepse nuk më duket se do të tolerojë kush që edhe kësaj here Prokuroria të veprojë si me një skandal korrupsioni të disa kohëve më parë, kur i nxori të dy palët kundërshtare, të maxhorancës edhe të opozitës, të pafajshëm.
Le të na thotë vetë Ina Rama se çfarë është më e rëndë për një vend: që të dalë një kasetë që akuzon një zv.kryeministër për korrupsion, apo që Prokuroria e këtij vendi të mos ketë guximin ta marrë në dorë këtë kasetë? Korrupsioni është një gjë që mund të ndodhë edhe në një demokraci. Por që Prokuroria e një vendi të mos marrë dot në dorë përgjegjësinë për zbardhjen e kësaj kasete, po t’ia çojë këtë një ambasade të huaj, kjo është superskandal. Të paktën të kishin pasur kurajon të jepnin edhe dorëheqjen kur dorëzuan kasetën në Ambasadën Amerikane.
Është folur e pretenduar shumë për arritjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Europës. Ky akt i Prokurorisë, sipas meje, është prova më elokuente e asaj se tek ne nuk ka përparim të tillë. Përkundrazi, në Shqipëri po forcohet sistemi i partisë-shtet, që sot për sot nuk është një, por janë dy. Prandaj gjykoj se nëse kryeprokurorja Ina Rama do të jepte dorëheqjen duke pranuar pafuqinë e saj përpara krimit të veshur me pushtete partiake dhe shtetërore, do t’i shërbente mjaft debatit për ndryshime të rëndësishme që duhet të ndodhin tek, ne në mënyrë që Shqipëria të futet në hullinë e shtetit ligjor. (Panorama, 19 janar 2011)

3 comments:

Anonymous said...

Shume dakort me ju z. Lubonja.
Ne keto momente te erreta qe po kalon vendi do te duheshin shume njerez si Giovanni Falcone e Paolo Borsellino por tek ne as nuk behet llaf.
Keta prokuroret tane e dine forte mire se cfare goditje ndershkuese mund te pesojne nga keta palo politikan qe komandojne ket vend te cilet krahas mediave ne rast nevoje kane te gatshem dhe "i loro picciotti" komandantet e bandave te 97', shiksat etj etj.
Nese keta prokurore qe paguhen me parate e shtetit e shteti jemi ne
nuk jane te afte te kryejne detyren ose qellimisht i shmangen asaj per motivet e lart permendura
te japin doreheqje dhe te merren me dicka tjeter ne jete.

Anonymous said...

Ilir Meta per mendimin tim eshte maja e aisbergut.
Mendoni per nje moment nje situate te tille nese Prokuroria e Republikes se Shqipersi do te vendoste te bente nje skanim te gjithe partive, bizneseve, ndertimeve pa leje, televizioneve private e shume gjerave qe quhen sot arritja e ketyre 20 vjeteve te fundit demokraci
shfare do te dilte ne shesh ? e shume njerez do te fillonin te peshtunin ne surrat njeri tjetrin e do ja mbathin nga syte kembet.
Eh nje gje e tille s'ka gjasa te ndodhi e para se per hetime te tilla kerkohet shume kuraje e shume para e dyta sepse ata qe duhet te marrin nje inciative te tille ne karrieren e tyre jetesore jane vete te zhytur pjeserisht apo totalisht ne kete balte totale

Anonymous said...

E pashe rastesisht kete artikull, mendoj se Znj. Rama ka bere veprimin e duhur. Me mire "te huajt", ne u besojme atyre. A duhet te jape doreheqjen? Jo, se puna eshte se kush do te vije me pas!!! Te pakten kjo vajza pati guximin qe ta coje punen perpara se kaseta edhe mund te humbte. Medoj se kaseta eshte e veshtire per tu gjykuar ne eshte e vertete (audio) se video nuk ka problem eshte e sakte. Por duke pare qendrimet e qeverise mendoj se ka edhe me keq se kaq e qe "burrat" e shtetit po kercenojne njeri-tjetrin me vjedhjet e bera.