Tuesday, January 12, 2010

Mbi katastrofën në Veri

Një i njohur që punon në një dikaster, kur e pyeta se si shkonin punët atje, më tha një ditë: "Ç'të të them? Këta nuk shtojnë në organikë njerëz që bëjnë punën, por këshilltarë dhe zëdhënësa shtypi."
Nuk di se sa është e vërtetë kjo për çdo dikaster, por, edhe nëse nuk është e vërtetë, është shumë e gjetur për të shprehur filozofinë e "punës" së politikanëve tanë. Këshilltarët dhe zëdhënësit janë simbole të dy aspekteve të kësaj "pune". Kur themi "këshilltarët" duhet të kemi parasysh gjetje pune për miq e militantë të partisë, kurse, kur themi "zëdhënësa shtypi", duhet të kemi parasysh faktin se propagandimi i punës është shumë më i rëndësishëm sesa vetë puna.
Vlen të thuhen këto fjalë veçanërisht duke patur parasysh katastrofën që po ndodh në Veri me përmbytjen e afro 10 mijë hektarëve tokë e të mijëra shtëpive. Unë nuk di se sa e vërtetë është akuza e hedhur në shtyp nga opozita se portat nuk janë hapur sipas rregullores, kur ka arritur një nivel i caktuar i ujit, me synim që të grumbullohej ujë për të shitur pastaj energji. I takon Prokurorisë me ekspertët e saj të hetojë për këtë. Por ama është një akuzë e besueshme, pikërisht kur ke parasysh filozofinë e punës me "këshilltarë" dhe "zëdhënësa" e jo me specialistë.
Katastrofat natyrore mund të jenë ndonjëherë vërtet të mëdha, por ato nuk janë thjesht dhe vetëm natyrore, sepse reagimi ndaj tyre dhe, për më tepër, aftësia për t'i parandaluar ato, janë njerëzore. Nuk është rastësi që fatkeqësitë më të mëdha natyrore, me pasoja më të rënda, zakonisht ndodhin në vendet që kanë shtete të dobët. Madje, përsa i përket katastrofave të lidhura me kushtet klimaterike, Shqipëria bën pjesë në ato vende që mund të konsiderohen fatlume, sepse ka një vendndodhje në glob për t'ia pasur zili shumë shtete.
Katastrofa jonë e fundit, përtej të paevitueshmes natyrore, po tregon thjesht se ne kemi një shtet të dështuar. E keqja është se askush nga forcat politike nuk kërkon t'i hyjë me themel një diskutimi se pse kemi një shtet të dështuar. Qeveria fshihet pas fatkeqësisë natyrore, që ka ndodhur edhe në vende të tjera, kurse opozita ka vetëm një hall, se si ta shfrytëzojë këtë fatkeqësi për të ardhur në pushtet, por jo për të nxjerrë konkluzione që kanë të bëjnë me gjithë politikat që janë ndjekur. Dhe më e keqja është se, kur edhe pas katastrofash të tilla nuk ndodh kjo, atëhere vendi duket pa shpresë.
Sigurisht, po të tentosh të kërkosh shkaqet njerëzore të kësaj katastrofe e të japësh mendim se çfarë mund të bëhet në të ardhmen do të duhej të shkruheshin libra. Nuk mjafton pra një shkrim si ky. Por, si qytetar dhe gazetar, dua të them me këtë shkrim se kjo ngjarje duhet të ngrinte me të madhe një debat mbi dy tre gjëra:
Së pari, duhet të fuste në sitën e analizës dhe kritikës karakterin e investimeve publike në vendin tonë. Si dhe ku janë derdhur paratë e taksapaguesit shqiptar. E këtu besoj se nuk mund të mos kesh parasysh se, kur flitet për investime publike në Shqipëri, të vijnë ne mend vetëm politika rrugësh - a thua se një vend ka nevojë vetëm për rrugë. E, në këtë kontekst, nuk mund të mos të të vijnë ndërmend edhe qindra milion euro që janë derdhur në rrugën Durrës - Kukës, ndërkohë që i gjithë Veriu është lënë në pikë të hallit, siç e tregon edhe kjo katastrofë.
Së dyti, lidhur me të parën, kjo katastrofë duhet të rikthejë edhe një herë në vëmendje një problem që, pas krizëz ekonomike botërore, është bërë temë e ditës kudo në botë. E kam fjalën për atë se, duke çuar deri në ekstrem modelin neolibaral perëndimor, tek ne roli i shteti u pakësua në maksimum dhe zhvillimi i vendit u la në dorë të spontanitetit të inisiativave private. (Për të mos folur për atë se shteti edhe u kap nga interesat mafjoze private). Pra, gjoja në emër të interesave të vendit, por, në të vërtetë, në emër të interesave të grupeve të caktuara, u tha sikur shpëtimi për çdo problem do të na vijë nëpërmjet privatizimit. Mirëpo edhe në vende ku morali është shumë më i lartë dhe ku gjyqsori punon, si SHBA, kjo filozofi tregoi dobësinë e rrezikshmërinë e saj sepse, shpesh, lënia në dorë të gjithshkaje, dhe pa kontroll, privatit mund të sjellë spekullim e pasurim të një pakice dhe katastrofa për shumicën. Mjafton të kesh parasysh shkatërrimin që u ka bërë lumenjve cdhe pyjeve privati në vendin tonë për të vërtetuar këtë e për të kërkuar rishikimin e këtyre politikave.
Së treti. lidhur me të dytën, kjo katastrofë po nxjerr në pah se një nga karakteristikat e një shteti të dështuar është mungesa e kontrollit të terrritorit. Krahas privatëve që kanë shkretuar pyje, kanë gërryer lumenj e kanë shkatërruar toka buke me investimet e tyre kemi edhe një ushtri vandalësh që kanë ndërtuar ku kanë mundur, pa leje dhe me leje abuzive dhe sot ndodhen nën ujë. Më qesharakja është se këtyre njerëzve sot u premtohet dëmshpërblim nga paret e taksapaguesit shqiptar. Nuk mund të mos kujtosh me këtë rast se edhe shtëpitë e Gërdecit qenë të gjitha abuzive. Në një shtet që funksionon nuk lejohen këto ndërtime ndërsa nëse ato janë dhënë me leje korruptive ndëshkohen ata që i kanë dhënë këto leje. Ndërsa tek ne, ndërkohë që premtimet e Sali Berishës për kontroll territori kanë rezultuar thjesht demagogji, shohim se opozita, edhe ajo, premton dëmshpërblim sikur të vijë në pushtet.
Përmenda shkurt dy tre gjëra që të vijnë vetvetiu në mendje. Sigurisht këto tema dhe të tjera kanë nevojë për punën e hollësishme të ekspertëve e të specialistëve të fushës. Edhe opozita, nëse ka ekspertë dhe jo "këshilltarë", këtë analizë duhet të bëjë, e të ndërtojë një projekt alternativ daljeje nga shteti i dështuar dhe jo thjesht të kërkojë dorëheqjen e Dritan Priftit, a thua se, sikur të kishte qenë ndonjë tjetër, nuk do të kishte ndodhur kjo që ndodhi.
Që njerëz si Berisha, por edhe si Rama, por edhe si shefat më të vegjël në krye të dikastereve më të ulëta, nuk kanë nevojë për këshilltarë të vërtetë, të cilëve t'u kërkojnë mendim me të vërtetë, këtë e provon qëndrimi i tyre ndaj kritikave publike në media. Megjithë problemet e shumta që ka media jonë, nuk kanë munguar ide e kritika racionale në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit nga intelektualë e gazetarë e politikanë. Kujtoj se edhe për piramidat financiare Berisha ka qenë i paralajmëruar, e megjithatë nuk reagoi derisa erdhi katastrofa. Ashtu sikurse Rama për politikat e tij në ndërtim. Shkaku i mosreagimit të tyre për mua qëndron në lidhjet korruptive që nuk i lënë të dalin nga hullia ku janë futur plus deliri i të plotfuqishmit. Ata nuk dëgjojnë dot fjalët e këshilltarëve të vërtetë specialistë, që dinë më shumë se ata në fushën përkatëse, sepse, në më të shpeshtën, këshillat e tyre do të binin ndesh me ato të sekserëve të tyre (prandaj dhe shpesh këshilltarët që zgjedhin bëjnë edhe punën e sekserit) si dhe sepse ata e konsiderojnë veten edhe krye ekspertë, ndjenjë që ua jep deliri i gjithpushtetshmërisë. Le të mos harrojmë se vijmë nga një periudhë kur diktatori Hoxha, gjithpushtetshmërinë e të cilit duket sheshit se këta e kanë zili, vendoste se Shqipëria kishte naftë dhe i çonte ekspertët në gjyq e i pushkatonte si sabotatorë kur nuk dilte naftë atje ku kishte thënë ai.
Kur politika, për qëllimet e pushtetit e të parasë, komandon teknikën e injoron edhe ligjet e natyrës kështu ndodh. Kemi dëgjuar se edhe tuneli Rrëshen - Kalimash u shemb (sipas disave nuk bëhet dot më, sipas disa të tjerëve, do të hajë edhe kushedi sesa miliona të tjerë), pasi politika ka komanduar teknikën e ndërtimit të tuneleve, meqë ai duhej të inagurohej përpara zgjedhjeve. Edhe për këtë kërkohet transparencë ekspertësh sepse ato nuk janë paratë e Sali Berishës, por janë paratë tona.
Të keqen e madhe të injorimit të specialistëve e të këshilltarëve të vërtetë për arsyet e përmendura më sipër politikanët tanë kërkojnë ta kompensojnë me të keqen tjetër: fenomenin zëdhënës. Punën duhet të dish ta shesësh, jo ta bësh. Ja pse duhen zëdhënësit, rolin e të cilve, për fat të keq, e marrin edhe shumë gazetarë. Dhe kjo shkon deri në atë shkallë sa shitja zëvendëson edhe vetë punën.
Rezultatet duken sheshit. Shqipëria është e përmbytur e gjitha, jo vetëm në Veri. Kjo katastrofë është vetëm pjesë e përmbytjes së gjithë Shqipërisë gjatë këtyre 20 vjetëve nga diletantizmi dhe korrupsioni i një klase politike kriminale dhe e papërgjegjëshme që është mësuar të mos përgjigjet edhe për gjëra më të mëdha (mjaft të kesh parasysh 97-tën) e që, sa më shumë kalon koha, aq më tepër e katandis punën e saj në politika këshilltarësh dhe zëdhënësish, ndërkohë që specialistët dhe njerëzit e ndershëm, i le pa punë, i shpall armiq, e i detyron të ikin jashtë shtetit. (Korrieri, 12 janar 2010)

9 comments:

Anonymous said...

Shpesh kur ne menyre te mjerueshme kerkoj kuptim dhe pergjigje per pyetjet pa pergjigje te politikes Shqipetare, shfletoj filozofine.Kjo eshte bota me te cilen gjithmon jam dakort.Dua tu tregoj ketyre viganeve te vdekur prej kohesh se kuptimi im i filozofise eshte njelloj i sakte si dhe i tyre.
Me lehte e kam te kuptoj keta se politikanet tane te cilet vec kane treguar se nuk e njohin arsyen e shendosh.
E merzitur nga perplasjet per interesa pozite -opozite u ula te lexoj Sokratin.
Ja cfar shkruante i mencuri Sokrat:"Kush eshte i mencur,kush e di cfar eshte mire ai edhe vepron mire. I mir eshte ai qe di.E pamundur eshte qe dikush te dije cfar eshte mire dhe te bej keq"
Pranoj se kam qeshur nga zemra me kete naivitet.
Ka pasur fat qe ne kohen e tije nuk ka mundur te takoj ndonje nga politikanet tane.Po te kishte ndodhur jame e sigurt se do ta nderronte konkluzionin e tije.
Jame e sigurt se politikanet tane e dine se jane ne politike per te mbrojtur interesat e qytetarve ,por i tradhetojne ato per te tyret.
Kur politikanet tane ti drejtoj arsyeja dhe jo babzija gjerat do te ndryshonin por si te shkojme ketu si te bejme qe arsyeja te drejtoj.
Duhet edukuar te njerzit e sidomos te te rinjte forca e nevojshme per sjellje morale.
Eshte fatkeqsi qe jane aq shume ata qe nuk e njohin lumturine qe shoqeron sjelljen morale.
Mendoj se gjerat shkojne ne drejtim te kundert.sano

Anonymous said...

Shkrim korrekt, rutine pa kik artistik.

Anonymous said...

"Dy gjera jane ne pafundesi, budallalliku njerzor dhe universi. Per universin nuk jam i sigurt.."
Albert Einstein

Unknown said...

shume e vertete ajo qe thoni por drama qendron ne ate se si duhet te dalim nga ky rreth vicioz

Anonymous said...

Artikull interesant, shume racional, larg partizanismit partiak dhe brenda kufijve te keqardhjes per fatkeqesine dhe pergjegjesite qe duhen evidentuar.

Anonymous said...

Shkrim i sakte.

Ju shtroni pyetjen: "E keqja është se askush nga forcat politike nuk kërkon t'i hyjë me themel një diskutimi se pse kemi një shtet të dështuar"

Megjithese insinuatat qe beni se fatkeqesi eshte njerezore duhet te mjaftonte qe te bindeshit se ku qendron ky lemsh. Respekti per ligjin vjen nga frika ndaj tij. I vetmi person qe nuk e ka ate frike (fare, ne kuptimin absolut fare!) nuk eshte as Fatos Nano dhe as Edi Rama ... juve dini shume mrie kush eshte por nuk po i dilni perballe si Andrea Stefani apo Ngjela..

Ishte per tu admiruar qendrimi i guximshem qe mbajtet ndaj Kadarese por zhgenjyes qe jeni akoma per Sali berishen duke kerkuar aresye kunder opozites..

Sa per ate pyetjen tuaj ne fillim pergjigja eshte e thjeshte:
Nuk kemi shtet sespe nuk kemi zgjedhje te lira..

Edhe nese i besoni pre-tekstist te mos hapjes se kutive te pakten pranoni qe zgjidhja me racionale (ne mungese te zgjedhjeve te lira) eshte rotacioni..

Ketu nuk e kuptoj se c'keni me Ramen ndekohe qe mund te mbani nje qendrim shume korrekt per kontraten per zgjedhje sic ben Ngjela apo Ndoka.

Anonymous said...

perpjeka asht zani i s'vertetes te vetmen qe lexoj me qef. ju lumte dora zotni lubonja.shkruani sa me shume e sa me shpesh.

Glen Llaçi said...

Ngutia!
Duke qene dakort me menyren se si
analizohet problemi i permbyties ne kete shkrim, do doja te ndaja nje mendim timin qe me sa duket lidhet me te njejtin problem. Ne radhe te pare nuk eshte koncidence qe permbytia ndodhi pikerisht nen pergjegjesine e nje ministri te LSI-se.Qe pas zgjedhjeve te 28 Qershorit nuk me habiti shume vendimi i "4votave te arta" te LSI-se Gjoja se vendi mund te shkonte ne Krize (nuk e dija qe paskemi qene ne gjendje jo krize dhe rrezikonim te binim ne krize). Nderkohe mendimi relativisht me i sakte qe u dha ne kongresin e LSI-se ishte ai i z Xhufi, i cili tha qe le ti japim votat qeverise Berisha, por pa pjesemarrje. Mendim qe u konsiderua si absurd nga zv kryeministri aktual. Po pse ishte me korrekti mendimi i Xhufit?! Po duke mos vrapuar drejt pushtetit ato mund te ishin ne nje fare menyre gardian te nje shteti ligjor ku ministrat e berishes bashke me berishen mos i shkonte nder mend ti hidhnin ne kosh thirrjet e prokurorise apo ta konsideronin dikasterin e tyre si mjet perfitimi, ose te favorizonin bizneset okulte dhe madie mund ti kerkonin edhe qe te punesoheshin specialista dhe jo militante. Dhe kete gje mund ta bente duke perdorur kater votat e arta, por jo nuk ndodhi kjo gje,por e kunderta, madje nuk ishte ndonje habi qe Meta pranoje Mediun si minister, ka rrezik te pranonte edhe delijorgjin e fazllicin po ti nevojitej. Dhe a e dini pse nuk morri kete vendim Meta? Eshte fare e thjeshte, madi mund te perkufizohet me nje fjale. "Ngutia". Nuk e kam fjalen thjesht per ngutien drejt pushtetit ky eshte vetem nje reflektim i fenomenit ne fjale. E kam fjalen per ngutien e politikaneve dhe bizneseve informale per tu pasurar shpejte dhe ne menyre galopante kjo eshte arsyeja pse LSI brenda 2 ditesh shpalli bashkepunim me PD-ne,bashkepunim qe do ta bente edhe me Ramen po ti ofroheshin te njejtat poste. Dhe qe ti kthehem Nguties, ne nje vend me drejtesi dhe zhvillim normal pasurimi i klasave te pasura shkon ne propocion me zhvillimin e shoqerise, vetem ne vende ku bota e krimit eshte e lidhur me biznesin dhe politiken pasurimi i nje grupi njerezish eshte ne dispropocion te plote me zhvillimin e vendit. Dhe pikerisht kjo eshte arsyeja pse nguten politikanet tane, sepse ato kane te lidhura interesat e tyr me boten e krimit dhe kerkojne te pasurohen sa me shpejte sepse ky eshte profili qe japin bizneset mafioze.Madie e kundershtoje ne nje fare menyre idene e Lubonjes kur thote ne nje shkrim: "keta perpiqen te vjellin c'te mundin se nuk e dine ne do jene persei ne pushtet mandatin e ardhshem".Jo keta edhe 50 vjet ti lesh ne pushtet po te njejten ngutie do te kene. Meta e dinte qe po mos u nguste ai ka rrezik do te ngutej ndonje vote tjeter "e arte" nga PS-ja sepse keshtu qe per te miren e vendit vendosi te ngutej ai. E kuptoni te gjitha keto gjera i bejme nga halli ne shqiptaret edhe heshtien kur shohim se administrata mbushet me militante edhe bindia qorrazi qe kemi duke filluar qe nga kryetaret e komunave deri ke kryetaret e partive nga halli e kemi... Jo ore jo nuk jane "hallexhinj" keta. "Hallexhinj" jane ato eksperte qe qendrojne pa pune, ose bejne ndonje pune te rendomte, ose ato qe emigrojne jashte shtetit sic thuhet ne fund te shkrimit "Mbi katastrofen ne Veri(Shqiperi)"

Anonymous said...

Me ne fund gjeta edhe un nje faqe ne shqip ne te cilen mund te lexohet dicka e pa aneshme politikisht dhe me nje nivel te konsiderueshem.