Thursday, February 5, 2009

Nga nacional-komunizmi në nacional-evropianizëm


(Mbi debatin për Skënderbeun)


Debati mbi monografinë e Skënderbeut të Oliver Schmitt nuk është një çështje e së shkuarës, por një çështje e së tashmes. Po ashtu, ky debat, nuk ka të bëjë vetëm me figurën e Skënderbeut, madje as thjesht me shkencat tona të studimeve historike apo mitologjike. Ai ka të bëjë me krejt kulturën tonë. Ai mund të integrohet fare mirë në debatin mbi nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare pasi, në thelbin e vet, sipas gjykimi tim, ai është një ballafaqim i metodave dhe modeleve të të menduarit të kulturës nacional-komuniste të kultivuar për pesëdhjetë vjet në regjimin e Enver Hoxhës me ato të kulturës së një shoqërie të hapur, demokratike, libertare. Ai vlen, pra, edhe për të matur se sa, pas tetëmbëdhjetë vjetësh, Shqipëria ka dalë nga izolimi kulturor që i imponoi ai regjim.
Kam ndjekur me vëmendje reagimet e shumta të këtij debati. Edhe ato pas shkrimit tim "Bëhu i ditur të jesh i lirë" ku jam përpjekur të shtjelloj kryesisht dy argumente: së pari, se tjetër gjë është historia si shkencë dhe tjetër gjë janë konstruket identitare, mitet e ndërtuara mbi historinë me frymën e një ideologjie të caktuar; së dyti se përse është e nevojëshme të kuptohen konstruktet identitare apo mitet - veçanërisht ata nacional-komuniste - si produkte të një kohe të caktuar dhe se, t'i kuptosh ata dhe kohën që i ka ngjizur, do të thotë t'i dekonstrktosh (zbërthesh), t'i veshë në dyshim, t'i adoptosh apo, në raste të caktuara, edhe t'i harrosh apo dënosh në emër të një fryme tjetër: atë të kohës kur jetojmë.
Reagimet e shumta në shtyp dhe internet do t'i ndaja në tre kategori. Një kategori (rreth 90%) që refuzon ta njohë ndarjen histori – mitologji. Këta, në rastin konkret, ngulmojnë se historia e Skënderbeut, ashtu siç e kemi mësuar në historiografinë nacional - komuniste, nuk është mit, por një e vërtetë historike. Është një kategori tjetër prej rreth 8 % që e pranon se ka një diferencë midis të dyjave, por që, megjithatë, kërkon që miti të mos preket duke nënvizuar nevojën që kanë për të veçanërisht njerëzit e thjeshtë. Vetëm një 2% (ndoshta edhe më pak) mbron idetë se për tjetër na shërben historia dhe për tjetër na shërben miti, se identifikimi i historisë me mitin na pengon njohjen e historisë dhe zhvillimin e mendimit shkecor, e se, vetë miti, duke qenë produkt i një ideologjie që është shfrytëzuar si instrument pushteti, duhet parë me sy kritik.
Sipas gjykimit tim këto përqindje (të përafruara), nuk reflektojnë përqindjen e njerëzve që mendojnë kështu, sepse në shfaqjet publike të shoqërisë shqiptare ka edhe shumë konformizëm dhe frikë për të dalë nga kultura e shumicës që është edhe zyrtare. Megjithatë raporti i sipërpërmendur, gjithsesi, flet për një shumicë që, sipas mendimit tim, është dramatike për një shoqëri që synon të bëhet e lirë dhe e hapur.
Si për të shprehur ngulmimin e kësaj shumice shqiptarësh për të mbetur në mbyllje shkrimtari Ismail Kadare, duke u bërë zëdhënësi më i shquar i tyre, shkruan rreth debatit:
"Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin "Dum Babën!" […] janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më pa moral se ata. Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. […] Por, kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. […] me raportet mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime. […] Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit nuk ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejtësisht të kotë. [...] Ismail Kadare "Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Skenderbeut" (Shqip, 27 dhjetor 2008)
Këtyre sulmeve iu bashkua edhe Presidenti Bamir Topi, i cili, në një konference të organizuar më 17 janar 2009 me rastin e ditëlindjes së Skënderbeut, ku ishin mbledhur tërë mbështetësit e ortodoksisë së historisë zyrtare të Skënderbeut u shpreh midis të tjerave: "Ndokush mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtar, për bëmat, famën, marrëdhënien, që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Europën ushtarake e politike të kohës, duke u perpjekur sot ta ridimensionojë atë. [ …] Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme..."
Në fakt këta lloj sulmesh nuk janë një histori vetëm shqiptare. Përkundrazi, ato janë tipike të elitave që janë formuar në regjimet nacional - komuniste të Lindjes, që kanë kontribuar për kulturën e atyre regjimeve dhe që sot kanë ende kanë pushtetin politik dhe kulturor në mjaft nga ato vende. Në Bullgari kohët e fundit - jo më larg se në vitin 2007 - nacional-komunistët bullgarë (drejori i muzeut kombëtar, Bozhidar Dimitrov, por edhe presidenti i shtetit, Parvanov) drejtuan një sulm të ngjashëm kundër dy kolegëve, prof. Ulf Brunnbauer-it (tani drejtor i Südost-Institut-it në Regensburg, Gjermani) dhe dr. Maria Baleva-s të cilët kishin përgatitur një ekspozitë mbi ikonografinë e masakrës së Batak-ut të vitit 1876. Është fjala për një masakër që kanë kryer turqit kundër bullgarëve në ato kohë që bullgarët luftonin për çlirim kombëtar, e që është kthyer në një ndër mitet kryesore të nacionalizmit bullgar. Më kot Boleva përpiqej të shpjegonte se, si çdo komb, edhe ndërtimi i kombit bullgar bazohet në mite e, një nga këto mite, është masakra e Batakut; se mitet "në botëkuptimin shkencor, janë një lloj arti i caktuar i të treguarit të historisë, një art që nuk merret më me ngjarjet e ndodhura, por kryesisht me çështjen e identitetit, të së tashmes dhe së ardhmes."; se "është e rëndësishme të kuptojmë se si tregohet kjo histori, çfarë roli kanë luajtur paraqitjet e ndryshme historike dhe si janë manipuluar ato politikisht." Publicistët dhe politikanët bullgarë pretenduan se „të huaj“ dhe bullgarët „e blere“ nga Gjermania po mohonin një tragjedi kombëtare. Askush nuk e kishte lexuar librin e tyre, askush nuk i kishte dëgjuar shpjegimet e tyre (njëlloj si shumë nacional - komunistë shqiptarë që deklaronin se as donin ta lexonin librin e Schmitt). Nacionalistët bullgarë e sulmuan Brunnbauer-in në zyrën e tij në Berlin; Baleva u detyrua të kërkonte mbrojtje ne Gjermani dhe, vetem pas ndërhyrjes së ambasadorit gjerman ne Sofje, intelektualët liberalë, të cilët kishin heshtur deri atëhere, e kuptuan se një diskutim i tillë dëmtonte edhe imazhin e Bullgarisë në BE dhe u prononcuan.
Me vetëdije apo pa vetëdije si Kadareja ashtu edhe Presidenti janë ilustrimi më i mirë i të njëjtit reaksion në Shqipëri. Një reaksion që reflekton jo vetëm mosdaljen nga regjimi që Kadare e quan "të turpshëm", por ngulmimin për të qendruar në kulturën e tij. Në fakt, në shkrimin e Kadaresë gjen bash tiparet kryesore të kulturës së atij regjimi dhe të interpretimit prej tij të historisë: ideologjizimin nacional - komunist të historisë që jo vetëm identifikon mitin me historinë, e që kërkon të mbrojë versionin zyrtar të kanonizuar në atë kohë, por edhe të pastroj si armik të shqiptarëve çdo histori të shkruar me tjetër metodologji. Krahas fyerjeve që zëvendësojnë argumentat ("njollë e zezë", "ujra të zeza"…) aty gjen edhe deri thirrje për "pastrim" të atyre intelektualëve që shkruajnë e mendojnë ndryshe nga kultura zyrtare që Kadareja përfaqëson. Ashtu si në shkrimet e Kadaresë të kohës së regjimit edhe aty gjen racizëm dhe ksenofobi, ndonëse kësaj herë vetëm ndaj botës lindore: "Është e qartë tani - shkruan Kadare - përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. (Skënderbeut) Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia." - duke ilustruar kështu edhe në kohën e sotme vlerësimin e albanologut të njohur Giusepe Velentini, i cili, kur analizon historiografinë e kohës së Hoxhës, e quan atë " nacionaliste … me tipare raciste." Në shkrimin e tij gjen edhe teori konspiracioni nga ato që vetëm Hoxha mund t'i përpunonte me paranojën e tij: "Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi. Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e, nga ana tjetër, mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb.[...]".

Si ta interpretojmë këtë reagim që, paradoksalisht, drejtohet kundër shkencëtarësh evropianë në një kohë kur politikanë si Topi apo intelektualë si Kadare flasin aq shumë për Evropën në emër të aspiratave të mazhorancës që përfaqësojnë kulturalisht?
Arësyet janë disafishe do të thoja. Kryesorja është ajo se një ideologji e caktuar si ajo nacional - komuniste, e cila ka qenë mënyra e edukimit dhe e të menduarit të një shoqërie për një gjysëm shekulli, nuk ndryshon lehtë. Aq më tepër po të kemi parasysh se kjo ideologji në Shqipëri pati tiparet më totalitare dhe mbeti e tillë deri në fund, pasi vendi ishte krejtësisht i izoluar. Shoqëria jonë nuk njohu, ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes, asgjë nga mendimi evropian i pas Luftës së Dytë dhe, në gjirin e saj, nuk ka pasur thuajse asnjë disidencë të hapur politike e kulturore si në vendet e tjere të Lindjes. Schmitt kur flet në librin e tij për ideologjinë nacional - komuniste të regjimit dhe historinë e Skënderbeut të manipuluar prej saj thotë: "Skënderbeu u bë simbol i një regjimi izolacionist, ateist, paranoid dhe ksenofob, me një trashëgimi që rëndon deri në ditët e sotme mbi shoqërinë shqiptare."
Në fakt, siç e përmenda më lart, në Bullgari intektualët liberalë ishin në gjendje të kuptonin se reaksioni i nacional - komunistëve po prishte imazhin e Bullgarisë në Evropë dhe reaguan, kurse në Shqipëri numri i atyre që arrijnë ta kuptojnë këtë (e kam fjalën për ata që edhe shprehen publikisht) është fatkeqësisht thuajse i papërfillshëm. Kur ke parasysh se shkrimtari që pretendon të marrë çmimin Nobel e që u dekorua së fundi nga Ministria e Kulturës për promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë bëhet kampion i këtij reaksioni, që në thelb prish edhe imazhin, nuk mund të mose ngresh pyetjen: a ka në Shqipëri intelektualë liberalë?
Një tjetër arësye e këtij reaksioni është sepse, duke qenë ende kulturë mbizotëruese, ajo nacional - komuniste është më e lehtë të përdoret për pushtetin politik. Në këtë mënyrë nacional - komunistët e kanë më të lehtë të mbrojnë pushtetin e tyre të trashëguar nga ajo kohë. Dihet se kontrolli i diturise, i kulturës, është një nga armët më të forta të pushteteve. Me stilin e njohur komunist ata e krijojnë armikun për të stabilizuar pushtetin e tyre, i grumbullojnë të gjithë ata që nuk mendojnë si ata në një thes armiqsh (si liberalizmi edhe konservatorizmi janë njëlloj të rezikshëm thoshte Enver Hoxha) dhe, duke marrë kështu rolin e shpëtimtarëve të kombit, sigurojnë vazhdimësinë e pushtetit të tyre. Kështu rezulton të jenë përsëri ata të djeshmit që edhe sot përcaktojnë se cili është armiku dhe cili është miku se cili është drejtimi i drejtë dhe cili drejtimi i gabuar.

Mirëpo, nga ana tjetër ky pushtet nuk mund të mbahet pa Evropën. Dhe ja ku vijmë në një sinkretizëm dy ideologjish që teorikisht janë e kundërta e njëra tjetrës, siç ka qenë edhe nacionalizmi me komunizmin në kohën e Hoxhës. Në fakt ideologjia komuniste teorikisht predikonte internacionalizmin ("proletarët nuk kanë atdhe"), por praktikisht ushtrohej duke ngritur kultin e atdheut/kështjellë që u izolua nga krejt pjesa tjetër e botës. Edhe Evropa, kështu siç e përdorin këta, e fetishizuar, nuk po kryen tjetër funksion në ideologjinë e sotme të pushtetit veçse po zëvendëson utopinë komuniste të djeshme. Nacional komunizmi bëhet kështu nacional - evropianizëm. Pra paradoksalisht flitet për Evropën me gjuhën e simbolikën e një kulture të trashëguar nga diktatura, të një kulture që duke, qenë jopluraliste, jo kritike, përkundrazi fetishizuese dhe dogmatike përmban, ashtu sikurse të gjitha kulturat e mbrujtura nga një ideologji e vetme, më një anë ngritje kultesh të paprekshëm dhe më anë tjetër urrejtje kunder tjetrit që nuk ndan atë ideologji, urrejtje kundër intelektualeve liberalë veçanërisht, kundër marrëdhënieve kulturore me botën e lirë dhe të hapur që janë tipare thelbësore të vlerave të Evropës sot.
Në fakt, një trajtim me frymën e kulturës së sotme evropiane të historisë do të thotë jo vetëm një trajtim shkencor, me mendim kritik, që kërkon të vërteta (të përafruara) nëpërmjet kërkimesh e dokumentesh dhe jo të vërteta të padiskutueshme, absolute, jo vetëm një trajtim jonacionalist, por edhe një trajtim liberal të saj. Me këtë të fundit dua të them se në një shoqëri të lirë nuk ka më vetëm një interpretim të historisë, por, meqënëse ka perspektiva të ndryshme, ka gjithashtu edhe interpretime të ndryshme të kujtesës dhe të historisë. Gjithashtu, në një shoqëri të lirë, çdo brez shkruan historinë e tij që nuk mund të jetë kurrsesi transferim automatik i historisë së vjetër nga brezi në brez, sikurse na propozojnë etërit tanë kulturorë. Në një shoqëri të lirë çdo brez i ri, në kushte të reja, me të tjera interesa historike, me të tjera koncepte mbi historinë, me të tjera vizione për botën e me të tjera rezultate kërkimesh, që nuk reshtin, shkruan një histori tjetër.
Për të gjitha sa thashë më lart një histori që i afrohet sa më shumë së vërtetës mund të shkruhet vetëm në një shoqëri të lirë dhe të hapur, ndërsa qëndrimet autoritare janë armike edhe të historisë. Siç është provuar, në mënyrën më ekstreme në kohën e nacional - komunizmit shqiptar, një qëndrim autoritar në të sotmen dikton edhe një qëndrim autoritar ndaj së djeshmes. Regjimi i Hoxhës i bëri të heshtin apo të flasin protagonistët e historisë sipas interesit të vet. Kush mendon se historia e Mesjetës, me në krye atë të Skënderbeut, nuk hyn në këtë praktikë gabohet (për këtë në vijim të shkrimit do të sjell shembuj). Edhe heshtja apo mosleximi me të cilin duan të dënojnë dokumentet dhe zërat e rinj që sjell Schmitti, ashtu sikurse edhe presionet dhe kërcënimet mbi ata që vlerësojnë veprën e tij, nuk janë tjetër veçse tregues të vazhdimit të të njëjtës mendësi autoritare. Një kulturë historike e pjekur mund të zhvillohet vetëm si bashkudhëtare e një kulture që zhvillohet në një shoqëri të lirë e të hapur. (Korrieri, 5 shkurt 2009)

(Vijon të djelën)

3 comments:

Anonymous said...

E lexova shkrimin e Kadarese ne Dhjetor te vitit te shkuar dhe po e prisja ne fakt reagimin tuaj.

Nje episod

Para disa muajsh pata rastin te ndiqja nje ligjerate te Kadarese ne nje qytet te veriut te Italise.

Ishte ftuar te fliste per shpresen.

Nje koncept universal dhe shume i gjere, qe mund te trajtohet ne shume menyra.

Ajo qe zgjodhi Kadare ishte singolare dhe surprizoi shumekend nga te pranishmit.

Ai ligjeroi me elokuence dhe erudicion te admirueshem per...veten.

Thelbi i fjales se tij, sipas interpretimit tim ishte ky:

fakti i thjeshte qe une jam/egzistoj (une = shkrimtar dhe humanist i madh), pavaresisht diktatures se eger brenda se ciles me eshte dashur te jetoj dhe te krijoj, duhet t'ju jape shprese.

Natyrisht, qe ky pohim te kete ndonje fare kuptimi, duhet qe ajo qe Kadareja (dhe te tjere) mendon per veten (pra pohimi Kadare = shkrimtar dhe humanist i madh), te jete e vertete.

Kjo e vertete nuk eshte ama universialisht e pranuar.

Edhe brenda vete "kampit mik" (Shqiperise dhe Shqiptareve kudo qe ndodhen) ka zera (dhe te fuqishem) qe pohojne te kunderten.

Dhe keta zera degjohen e komentohen (dhe sipas shkrimtarit jugosllav Predrag Matvejevic i kane kushtuar Kadarese cmimin nobel).

Ndaj edhe shkrimtari, ne ligjeraten per shpresen (veten), u perpoq, me erudicion te jashtezakonshem, te perligjte krijimtarine e tij nen diktature... .

Debati per Skenderbeun

Meqe u zgjata pak si shume ne paragrafin me lart, ketu po i bie shkurt.

Kadareja i mbron mitet e simbolet kombetare, pasi eshte i ndergjegjshem se ai vete ne mos eshte po shnderrohet ne mit (per Shqiptaret).

Ai mbron paprekshmerine e miteve pasi shpreson keshtu te mbroje paprekshmerine e vet.

Sidoqe te jete, mendimin liberal nuk mund ta kerkojme tek ata qe kane borxhe me historine.

Anonymous said...

"Conoscete la verità,la verità vi rendera liberi"Tha Jezus....
Nuk me duket fort e menduar ,e sakte ,e ndashme se te pranosh apo te mos pranosh ndarjen e skenderbeut-mite atij historik vije demarkacioni se ea jane çliruar shqiptaret apo jo nga klishte nacional komuniste....Ka te tjere tregues.....

Anonymous said...

Une cuditem me keto perqindje qe jep zoti Lubonja, pasi shumica e ketyre intelektualeve, qe bejne pjese te 90%, jane shkolluar ne France ose Gjermani dhe ne te dyja keto shtete miti ka vdekur me kohe.
Menjehere pas vdekjes se Napoleon Bonapartes, francezet menduan shume bukur- c'ka i solli Bonaparta francezeve, pervec qe nala neve jetime?- Tani pse ne nuk pyesim veten" se c'kerkonte Skenderbeu me nje ushtri modeste te luftonte kunder perandorise me te fuqishme Osmane?
Ne anen tjeter themeluesit e kultures gjermane Gete, Shileri, Moxarti prej kohesh kane qene te mendimit se kombi eshte relativ. Shileri, si gjerman qe ishte, ne veprat e tij mbron fiset gjermane qe krijuan kombin e ri zviceran per shkak se ata atje ndjeheshin me te lire. Poashtu Moxarti i dergoj nje leter babait te vet me 18.08.1782 ku thoshte: O popull gjermane, ju lutem me respektoni, se mund te vije koha qe me respektimin e teper qe me bejne francezet dhe anglezet, une mund te ndjehem me shume francez dhe anglez se sa gjerman".

Pra une akoma nuk e kuptoj se pse akoma ne mbrojme kaq hermetikisht herojte e mesjetes kur dihet se ata separi nuk jane ndjere shqiptar, e jo me dicka tjeter. Cdo njeri duhet te vleresohet sipas vleres.