Saturday, January 17, 2009

Mbi konfliktin Berisha - Baze

Konflikti i muajve të fundit midis qeverisë dhe gazetës “TemA” pas aktivitetit denoncues të Mero Bazes arriti pikën kulmore me djegien e makinës së Bazes dhe me nxjerrjen jashtë ambienteve të dhëna me koncesion nga qeveria të redaksisë së gazetës. Lidhur me këtë konflikt kam dëgjuar e lexuar shumë komente, më është kërkuar nga lexues të shkrimeve të mia mendim për të, madje një pjesë më janë drejtuar edhe me asi pyetjesh që quhen provokuese. Kam zgjedhur që konfliktin në fjalë ta komentoj nëpërmjet përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve, sepse, siç ndodh në përgjithësi me kësi lloj pyetjesh, nëpërmjet përgjigjeve ndaj tyre dalin më qartë edhe problemet, në këtë rast ato të medies dhe raportit të saj me pushtetet e tjera në Shqipëri.

E para pyetje që drejtohet më shpesh është ajo e tipit: Ku e ka hallin Baze, cili është motivi i vërtetë prapa fjalëve të thëna publikisht, sepse nuk besojmë ta ketë nga principshmëria?
Jam ndër ata, që shpesh kam shkruar se e mira nuk qëndron në atë që bën, por në motivet pse e bën. Pra, motivi i vërtetë ka rëndësi për të gjykuar një veprim, veçanërisht për të parashikuar pasojat e tij të mëvonshme, sesi mund ta përdorësh nesër, p.sh. kredibilitetin e fituar me një veprim të ashtuquajtur të “të mirë” (së fundi e kam përdorur për të ilustruar ligjin për dosjet.)
Motivi i vetëm i një gazetari duhet të jetë informimi i publikut, thënia e së vërtetës publikut. Ç’mund të themi për motivin e Bazes? Po t’i besojmë Bazes, motivi është zhgënjimi te Sali Berisha, të cilin e ka konsideruar të pakorruptueshëm dhe e ka mbështetur si të tillë, si dhe nevoja për t’ia shprehur publikut këtë zhgënjim në emër të luftës kundër korrupsionit. A është i besueshëm ky motiv? Personalisht mund të dëshmoj se, në kohën e parë, kur Berisha rierdhi në pushtet, Baze e paraqiste në rrethe gazetarësh të njohur, si njeri në derën e të cilit zor se do të mund të hynin kollaj mafiozët e shumtë që kishin bërë si të tyret zyrat e Nanos apo Ramës. Megjithatë, nuk mund të ngulmoj dot se motivi i denoncimit të Bazes vjen nga ky zhgënjim. Ai, nga ana tjetër, e njeh shumë mirë ambientin e korruptuar e korruptues që mbizotëron në politikën shqiptare, dhe po ashtu, u pa se Berisha dha shpejt shenja se dyert e tij mund të hapeshin edhe nga të korruptuar, prandaj më duhet t’i lë vetes të drejtën e dyshimit, nëse motivi i Bazes është ai që deklaron. Nga ana tjetër, nuk mund të pajtohem assesi me mendimin e atyre që skualifikojnë gjithçka thotë Baze, me argumentin se motivi i tij është i mbrapshtë, pasi lidhet pikërisht me favore materiale të parealizuara nga Berisha. Përvoja tregon se kush kërkon thjesht e vetëm favore materiale, nuk armiqësohet në këtë farë feje. Po ashtu, nga krahu i qeverisë nuk ka ardhur ndonjë shpjegim i qartë dhe bindës se cilët janë motivet e mbrapshta, sipas saj, që e kanë shtyrë Bazen të armiqësohet padrejtësisht me qeverinë dhe kryetarin e saj. Sipas meje, motivet e prishjes së Bazes me Berishën janë një gjë më komplekse, që tek e fundit, i dinë ata të dy më mirë se kushdo. Neve na intereson më shumë faqja publike e konfliktit. Pavarësisht se cilët janë motivet, çështja kryesore për ne është nëse qëndrojnë apo nuk qëndrojnë akuzat që ngre Baze. Sepse shumë të vërteta mund të thuhen edhe jo thjesht për hir të së vërtetës. Fjalën e fundit, nëse janë të vërteta akuzat e Bazes, duhet ta thonë prokurorët dhe gjyqtarët, që, për fat të keq, te ne nuk kanë kredibilitet. Por mua më duket se po të ballafaqosh ato që ka thënë Berisha para se të vijë në pushtet me shumëçka që, në fakt, po bën sot, çka është edhe kryetema e Bazes në thelbin e vet, vështirë të mos i japësh të drejtë këtij të fundit në shumë gjëra që thotë.

Po të kishte qenë kaq parimor ky Baze, do të kishte denoncuar Berishën e ‘97, kurse ai e ka mbrojtur, madje me fanatizëm.
Sipas meje, Baze ka bërë pjesë ndër ata gazetarë, që, si të thuash, kanë qenë të rreshtuar, një militant i PD. Pra, nuk ka bërë pjesë ndër ata gazetarë apo intelektualë, që e mbështesin një parti, me principin se mund ta bëjnë këtë për sa kohë që idetë e tyre përputhen me premtimet e saj, por që e braktisin atë kur shohin se këto tradhtohen. Militanti angazhohet si të thuash, nëpërmjet një betimi për mostradhti ndaj grupit. Por, edhe pse komprometohet me këtë grup, sigurisht. Sipas meje, një nga arsyet pse Baze ka mbështetur për një kohë të gjatë Berishën me fanatizëm, është edhe kjo ndjenjë e fortë përkatësie - pa dyshim e lidhur edhe me interesa, do të thosha jo thjesht materiale, por sepse kjo përkatësi i siguronte edhe një mbrojtje, edhe një status, edhe një punë etj. E keqja nuk qëndron në faktin se ka gazetarë të tillë, sepse atëherë s’ka pse t’i kishim edhe gazetat partiake. E keqja qëndron se, duke mos pasur demokraci të brendshme në partitë tona, liderët e tyre nuk u lejojnë as gazetarëve të angazhuar brenda partisë, që të sjellin informacione pakënaqësie apo të shprehin mendimin kritik brenda partisë apo edhe në gazetë, të bëjnë pra mirë punën e tyre. I duan militantë syverbër, si militantët më të rëndomtë. Personalisht, kur Baze ka filluar kritikat, e kam parë si shenjë demokratizimi të Partisë Demokratike. Dhe i kujtoj lexuesit se, në krye të herës, Baze ka bërë kujdes që të mos sulmonte liderin, por fenomene dhe grupe që i shihte të rrezikshëm edhe për atë vetë. Kujtoj se ka sulmuar faktin se PD dhe Berisha nuk po realizonin programin, sepse ndodheshin nën shantazhin e fenomeneve “Pollo”, apo fenomeni demokristian që kishin krijuar si të thuash, mikroqeveri brenda qeverisë. Sulmet ndaj Berishës dhe familjes së tij kanë ardhur më vonë dhe gradualisht, ndërkohë që kritikat e Bazes, që mund të ishin ndihmuese, janë kaluar me një shurdhësie totale të Berishës. Në fakt, një pushtetar i mirë duhet të jetë vigjilent edhe ndaj asaj që thotë kundërshtari në shtyp, e jo më një gazetar që deri dje ka qenë në krahun tënd. Kurse, sipas përvojës sime, në vend të kësaj, me gazetarët “miq” që fillojnë të kritikojnë (nëse nuk arrihet blerja), ndodh heshtja dhe distancimi, pastaj diskreditimi nëpërmjet veshjes së motiveve të mbrapshta dhe pastaj akte direkte presioni e frikësimi. Problemi është se këta lloj liderësh nuk duan të dëgjojnë, të dialogojnë apo të japin kundërargumente, por thjesht të të skualifikojnë, jo vetëm pse kanë maninë e gjithëpushtetshmërisë, që i bën t’iu duket se vetëm gazetarët që u shërbejnë thonë të vërtetën, kurse të tjerët i instrumentalizon armiku, por edhe pse e kanë bërë zgjedhjen e tyre të rrugës së të keqes dhe çdo dialog apo kundërshtim i pengon dhe i vonon në realizimin e asaj që kanë bërë ndërmend. Kur ke futur në xhep lekët për një punë të mbrapshtë, vështirë se ke dëshirë të dëgjosh ata që ta kritikojnë këtë punë.

A nuk e ka ekzagjeruar Baze në akuzat e tij? Sepse, megjithëse thonë se Berisha provoi se është ai që ka qenë, në fakt ai ka treguar një tolerancë, që s’krahasohet me qeverisjen e tij të parë ndaj medieve, po të kesh parasysh se shumica e tyre kanë qenë dhe kanë mbetur të lidhura me socialistët. A nuk është Baze që e ka ekzagjeruar, duke e sulmuar deri edhe në aspektin fizik, për të mos përmendur sulmet familjare?
Nuk mohohet se tashmë në shkrimet e “Temës” ndjehet urrejtja personale që nuk ka qenë në shkrimet e para. Kjo ka pasuruar stilin dhe emocionet, por ka sjellë edhe përsëritjet e shpeshta, ndonjëherë të të njëjtave gjëra, edhe të fyerjeve. Kjo ka sjellë, sipas meje, edhe një lloj humbjeje të vizionit të së tërës, në kuptimin se, të luftosh sistemin e korrupsionit, nuk mjafton të akuzosh kryeministrin dhe familjen e tij, (aq më pak duke i thënë je plak e nuk e ke të gjatë), pasi, sikurse e thotë edhe Baze vetë, Berisha e gjeti atë sistem dhe unë kam bindjen se, sikur nesër të ikë Berisha, (siç ka ikur edhe Nano), ne përsëri do të kemi të njëjtin sistem korrupsioni. Dhe një nga shkaqet e mbijetesës së këtij sistemi, madje i zhvillimit të tij të mëtejshëm, është se luftën si gazetarë nuk e bëjmë kundër tërë elementëve të sistemit, por e bëjmë selektive dhe shpesh vetëm kundër politikanëve të caktuar, (duke u akuzuar edhe për instrumentalizim), çka ka rezultuar terapi e dështuar, sepse tek e fundit, kemi kontribuar thjesht që një palë e korruptuar të zëvendësojë një palë tjetër.
Por kjo urrejtje e Bazes vjen nga pafuqia, do të thosha. Ajo vjen nga mosbesimi se drejtësia do të bëjë të drejtën, nga pambështetja sa duhet e njerëzve që ka të njohur në PD, nga mbështetja e pamjaftueshme e institucioneve të tjera e të vetë medieve. Dhe kjo bën që të mos i vihen re shfryrjet e urrejtjes, pasi peshon më shumë padrejtësia që e shkakton atë.
Po ashtu, - e këtu u përgjigjem atyre që më kanë kujtuar sulmet e panumërta me fyerje personale e familjare që më ka drejtuar Baze në kohën kur i sulmoja idhullin e tij, Berishën, - mendoj se njeriun nuk duhet ta mendojmë si të pandryshueshëm për jetë e mot. Ai ndryshon për mirë apo për keq sa në sajë të ndryshimeve që ndodhin në shoqëri, aq edhe në sajë të ndryshimeve që kanë të bëjnë me proceset e tij të brendshme të përvojës, formimit, dijesimit. Përvoja ka treguar se ata që ndryshojmë më për keq janë politikanët, d.m.th të pushtetshmit, pasi sikurse thuhet, pushteti korrupton, kurse ai absolut korrupton në mënyrë absolute.
Gazetaria e daljes jashtë kontekstit të temës së trajtuar, që shkon deri në shpifje e fyerje familjare ndaj kundërshtarit, nganjëherë në nivel basifondesh, ka qenë tipike për PD-në e qeverisjes së parë. Dukej sheshit se këta njerëz flisnin vetëm me njëri-tjetrin dhe këndelleshin, duke fyer e poshtëruar publikisht kundërshtarët, pa llogaritur se çfarë mllefi akumulohej kundër tyre. Histori e njohur e të korruptuarve nga pushteti. Nuk i ka lënë gjë mangët edhe “Zëri i Popullit” i Braçes vite më vonë. Edhe Baze e ka përdorur shpesh dikur. Përshtypja ime është se shtypi është përmirësuar në këtë drejtim, por situata konfliktuale si këto, në mungesë të një drejtësie që vepron me profesionalizëm dhe ndershmëri, e riakutizojnë fenomenin.

Baze na del se është edhe pronar mediesh, edhe investitor, edhe gazetar. A ka ai besueshmërinë e një gazetari të pavarur në këtë luftë që bën, apo kemi të bëjmë me rastin tipik të pronarëve që luftojnë për bizneset e tyre?
Konflikti i Berishës me Bazen, më mirë të themi i qeverisë me gazetën “TemA”, ngre edhe një herë çështjen e gjendjes së pushtetit të katërt në Shqipëri në raport me pushtetet e tjera. Nuk mund të mohohet, sipas meje, se Baze, duke qenë njëherësh edhe pronar medieje, edhe përcaktues i politikave editoriale, edhe editorialist në medien e tij, bën pjesë në sistemin anormal mediatik që kemi ne sot në Shqipëri. Nuk mohohet, gjithashtu, se koncesioni i dhënë është një favorizim i një medieje, në një kohë kur Berisha e konsideronte të krahut të tij. Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se një sistem normal dhe sa më i pavarur jo vetëm nga pushteti politik, por edhe nga pushteti ekonomik (që në fakt janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kanë futur nën hyqmin e tyre edhe mediet), do të ishte ai që do të zhvillonte medien publike mënjanë dhe do t’i reduktonte, duke i futur në ekonominë e tregut, mediet e tjera private, duke i pastruar nga konfliktet e interesave, raportet klienteliste apo të shantazhit me pushtetin. Ngulmoj, gjithashtu, se tjetër gjë duhet të jenë interesat ekonomike të pronarëve të medies private, dhe tjetër gjë politikat editoriale që duhet të përcaktohen nga borde gazetarësh dhe jo nga pronari direkt. Berisha, ndonëse ma ka mbështetur këtë ide në kohën kur isha kryetar i bordit të Radiotelevizionit Publik, më rezulton se nuk ka menduar asnjëherë seriozisht për realizimin e saj. Nuk mohohet gjithashtu, se kjo do të ishte një reformë që do të kërkonte edhe bashkëpunimin me opozitën, e cila, përkundrazi, duke pasur në dorë pjesën më të madhe të medieve private, preferoi ta lërë RTVSH në duart e Berishës dhe të vazhdonte luftën politike në mediet private pranë saj. Sot është e lehtë të thuash për Berishën se ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron, por sipas meje, duhet ngulmuar më shumë në shkaqet më të thella se pse te ne politikanët sillen si ujq, që kundërshtarin e shikojnë si një dele që duhet ngrënë, dhe jo si një të barabartë, me të cilin duhet të bëjnë dialog. Sipas meje, është një kulturë e tërë pushteti të trashëguar dhe të adoptuar në kohën tonë, që e shkakton këtë dinamikë, ku “delja” bëhet ujk, ose e sheh veten si ujk që ka përballë dele, me mendimin se mund të përdorë çdo lloj mjeti për ta ngrënë. Dua të them me këtë, se, edhe nëse Berisha ka pasur seriozisht idenë e një normalizimi të medies, - gjë që, për hir të së vërtetës e besoj shumë më pak se disa vjet më parë, - duke u gjendur përballë një opozite, që përkundrazi, nëpërmjet këtij sistemi mediatik klientelist që kishte ngritur vetë në këmbë, kërkonte ta rrëzonte që muajt e parë, ndërroi mendim dhe filloi të luftojë me të njëjtat mjete të opozitës. Kjo sipas meje, e ka çuar gjendjen e medieve në një nënshtrim edhe më të madh ndaj pushteteve politike, si dhe në një polarizim pa hapësira pavarësie, ku edhe gazetarë të mirënjohur si kundërshtarë të socialistëve, si Baze, sot akuzohen se bëjnë lojën e tyre.
Gjithsesi, duke pasur parasysh këtë kulturë dhe, në kontekstin e saj, prirjen e Berishës për pushtet absolut, d.m.th. për kontroll të të gjithë pushteteve (që e gjej po aq të rrezikshme edhe tek lideri socialist Rama), e vë shumë në pikëpyetje mundësinë reale të realizmit të projektit që kam shtjelluar edhe publikisht më se një herë. Një fuqizim i RTSH dhe një futje në treg e medieve private nuk mund të kryhet pa u shoqëruar me një demokratizim të partive, të gazetarisë e shoqërisë civile në përgjithësi. Në kushtet aktuale, forcimi i RTSH dhe dobësimi i privatëve do të mund të kryhej vetëm nëpërmjet vënies së RTSH nën kontrollin e ekzekutivit, dhe eliminimit të medieve private kundërshtare (ose kthimit të tyre në shërbëtore të qeverisë). Kurse me sistemin që kemi, ka sado-kudo pak më shumë hapësira lirie shprehjeje. Shembulli i Bazes është ilustrim i kësaj. Sikur Baze të ishte gazetar i RTSH, do të ishte censuruar me kohë. Pra, pavarësisht se kjo media, kështu siç e kemi, është shprehëse e interesave të atyre që i kam quajtur shpesh “oligarkë”, të cilët nuk lejojnë, për interesat e tyre, të kalojë çdo gjë nëpër ekranet apo gazetat e tyre, përsëri ky sistem krijon më shumë hapësirë se çka mund të na mbetet po të realizohej projekti im me një lider si Berisha (apo edhe si Rama). Duket se duhet të presim një klasë tjetër politike dhe po ashtu një shtresë tjetër ekonomike, tjetër shoqëri civile dhe tjetër kategori gazetarësh, që të realizohet projekti im, i cili gjithsesi, mendoj se është më i drejti. Por, nga ana tjetër, vë në dukje se edhe Baze sot mund të bëjë pjesë në përjashtimet që përforcojnë rregullin. Prirja e përgjithshme dominuese e gazetarisë është nënshtrimi dhe bindja ndaj urdhrit që vjen nga lart, ku me “lart” duhet të kuptojmë jo të vërtetën, por ndërthurjen e interesave të pushtetit politik me atë ekonomik, që gjithnjë e më shumë po lidhen me njëri-tjetrin e po bashkërendisin interesat në dëm të lirisë së medieve. Dhe po kaloi pa u dënuar padrejtësia që po kryhet ndaj gazetës “TemA”, do të pësojmë një hap edhe më mbrapa në lirinë e medieve. (Korrieri, 16 Janar 2009, ribotur ne TemA 17 janar 2009)

1 comment:

Anonymous said...

Per mendimin tim, konflikti Baze-Berisha eshte nje sherr i hapur dhe i paster per pazare te prishura.

Lubonja perpiqet me kot ta justifikoje me arsye e motivime te tjera.

Baze i detyrohet Berishes per shumecka qe zoteron sot: kapitalet dhe asetet, emrin, pushtetin, e keshtu me rradhe. Pra shumecka nga ato qe e perkufizojne ate si individ ne sferen publike i detyrohen marrdhenies se tij ne Berishen.

Por edhe Berisha i detyrohet dicka Bazes, ashtu sic i detyrohet dicka shumekujt, pasi ardhja ne pushtet dhe mbajtja e tij kerkojne krijimin e nje rrjeti sa me te gjere mbeshtetesish e bashkepunetoresh.

Ne kete logjike, Baze, nga pozita e vasalit te forte (apo te pakten te veteperceptuar si i tille) i kerkon Berishes, kur ky hipen serisht ne pushtet, shperblimin e merituar per besnikerine e shfaqur ne sa e sa rrethana.

Pikerisht mbi percaktimin e shperblimit (ne sasi e cilesi) lind, per mendimin tim, konflikti mes tij dhe Berishes.

Per te kuptuar natyren e shperblimit duhet te kuptojme fushat e interesit te z. Baze.

Tani, Baze eshte:

1. gazetar/opinionist/njeri i mediave

2. biznesmen ne fushen e mediave

3. mik/besnik/keshilltar i Berishes (kryesisht ne fushen e mediave, por jo vetem)

Shperblimi i kerkuar, afermendsh, duhet te kete patur te beje me konsolidimin e pozitave te:

1. Bazes-njeri i mediave, ne sferen e mediave,

2. Bazes-biznesmen, ne fushen e biznesit,

3. Bazes-keshilltar, ne rrethin e atyre qe kane, apo duan te kene ndikim ne vendimet e kryeministrit (ne fushen e mediave, por jo vetem).

I ketij lloji besoj se do te kete qene edhe shperblimi i kerkuar nga Baze.

Konflikti, per mendimin tim, lind nga mosplotesimi i njeres apo disave prej kerkesave te z. Baze, nga ana e Berishes ne pushtet.

Keshtu p.sh., mesa mbaj mend nga leximi i mediave, Berisha e emeron Bazen drejtor te keshillit mbikqyres te RTSH-se, apo dicka e tille, duke filluar plotesimin e ambicjeve te pikes se mesiperme numer 1., por edhe frustron haptazi ndonje kerkese ekonomike te Bazes-biznesmen, si p.sh. rasti i shtypjes se materialeve per llogari te institutit te shendetit publik te Elvana Hanes (mbese nga gruaja e Kryeministrit).

Gjithashtu edhe pozita e Bazes-keshilltar (per mediat dhe jo vetem) vjen duke u lekundur e dobesuar. Kjo ndoshta jo per vullnet te drejteperdrejte te Berishes, por sepse edhe ne kete rrafsh marrdheniesh konkurrenca brenda llojit sa vjen e forcohet e ashpersohet, me daljen ne skene te orientimeve dhe personazheve-vasale te rinj e me ambicje dhe energji te reja e agresive.

Ne kete pike, i shqetesuar, me te drejte, per te ardhmen e tij ne te treja drejtimet e lartpermendura, z. Baze fillon te rrise trysnine ndaj kryeministrit me qellim qe ta nxise (ne mos detyroje) kete te fundit t'ja vere veshin kerkesave te vasalit te tij.

Dhe kete e ben me ato mjete presioni qe ka ne dispozicion:

1. njohurite, deri diku te detajuara, qe ka mbi ceshtje te brendshme te ngrehines se pushtetit te kryeministrit,

2. emrin e tij, si opinionist i mireinformuar per faktet qe kane te bejne me Berishen (si kurtizan i oborrit te tij)

3. median qe zoteron, gazeten Tema

Fatkeqesisht per te, rrjedha e ngjarjeve ashtu sic e njohim, deshmon se strategjia e Bazes eshte e gabuar.

Ai jo vetem qe nuk e nxit (e aq me pak e detyron) Berishen t'ja plotesoje kerkesat, perkundrazi, me escalation-in e shkrimeve dhe akuzave te tij zgjon tek kryeministri fillimisht bezdisje, pastaj acarim dhe se fundi zemerate te hapur.

Zemerata e Berishes kulmon me vendimin per ti hequr vasalit te tij ato privilegje qe ai, me mbeshtetjen dhe pelqimin e prijesit te tij, gezonte deri me sot si biznesmen (mjediset e Temes dhe te shtypshkronjes ne pronesi te Bazes) dhe si keshilltar dhe njeri i afert i kryeministrit.

Pra Berisha vepron sipas logjikes feudale, "une ti jap dhe po une ti heq, po me cave koken, sic po ben ne kete periudhe".

Keshtu e shikoj kete ceshtje une, si lexues i shtypit te perditshem, ndaj edhe nga ky kendveshtrim nuk pajtohem me Lubonjen qe thote se Baze po i kundervihet Berishes sepse qenka i zhgenjyer nga ky i fundit per punen e luftes kunder korrupsionit.