Friday, January 30, 2009

Kujt i flasin Berisha e Rama

Top Channel paraqiti në lajmet e dy ditëve më parë një lajm montazh me dy liderët e partive kryesore, Berisha dhe Rama, që nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen dhe të komentohej.
Fillimisht u paraqit Berisha në Shkodër, nga kronikat e ditës, në një tribunë, i rrethuar me katër fëmijë, dy djem e dy vajza, të veshur me kostume kombëtare dhe me Jozefina Topallin në krah. Po i fliste Edi Ramës që nga Shkodra në Tiranë: "Shfrytëzoj këtë rast për t'i bërë thirrje zotit Edi Rama t'i kërkojë të falur Shkodrës, të dënojë krimet monstruoze të komunizmit që sistemi barbar ka kryer në të gjithë vendin dhe në Shkodër në veçanti…" Pastaj e ktheu në njëjës duke harruar fare fjalën "zoti": "Në rast se ti nuk je i mjeruar, pra me vrimë qysh në rini, siç po thonë, dënoi ato … përndryshe do më bësh të besoj se je i tredhur qysh në rininë tënde…". Pasi përdori fjalën tredhje ndaloi dhe e kapi e qeshura bashkë me turmën "çfarë mund t'i themi,, - i tha turmës, ndërkohë që çuditërisht dy djemtë e vegjël që ishin në krahun e Berishës po duartroikisnin kurse dy vajzat në krahun e Jozefinës po rrinin si të hutuara ndërkohë që ajo po u rregullonte jakët.
Në vazhdim të kësaj sekuence Top Channel dha një kronikë të dikurshme të një mitingu ku Edi Rama, i veshur kuq e zi, po u drejtohej dëgjuesve të tij: "Kjo që kemi pas 17 vjetësh nuk është Shqipëria që kemi amanet nga të parët tanë, idealistë që në kohë të ndryshme dhe në barrikada të ndryshme u vranë, u pushkatuan, u helmuan, u varrosën dhe u zhvarrosën… … Sot unë jam këtu për të bërë thirrje për një bashkim të ri për Shqipërinë dhe fatin tonë të përbashët përtej të majtës dhe të djathtës … për të parë tek Shqipëria atdheun tonë të bukur që e kemi amanet nga Gjergj Kastrioti, rilindasit tanë të mëdhenj, nga Ismail Qemali, dëshmorët e lavdishëm të Luftës Antifashiste, nga At Zef Pllumbi dhe të gjithë martirët e diktaturës komuniste…"
Ky montazh është shumë domethënës për të ballafaquar personalitetin e të dy liderve, retorikën e tyre dhe programet e tyre elektorale do të thoja.
Së pari meriton të komentohet Berisha. Ishte skandaloze skena ku ai flet me fjalë të tilla si "tredhje" dhe për të tilla gjëra si krimet e komunizmit duke patur në krah fëmijë të cilët duartrokisnin të çoroditur, teksa dëgjonin se për çfarë po flitej. I duhet thënë ndal dekorit me fëmijë që përdoren në skenat e burrnimeve dhe zhburrnimeve të lidërve tanë politikë si në kohën që Berisha pretendon se po denoncon. Të paktën prindërit nuk duhet t'i lejojnë fëmijët e tyre të hipin në kësi tribunash ku ata përdoren pa e ditur.
Por, po aq e rëndë sa kjo skenografi me fëmijë më duket mënyra e "distancimit" dhe e "dënimit " nga ana e Berishës e krimeve të komunizmit. Nuk mund të mos sjellësh ndërmend se kryeministri ka qenë tridhjetë vjet komunist dhe madje sekretar partie. Si ka mundësi që flet sikur të ketë ardhur nga Marsi? Megjithë fjalët e egra që thotë: "krime monstruoze", "sistem barbar" ndjehet se në ndërgjegjen e tij, thellë thellë, ai nuk ka asnjë refleksion për atë kohë, asnjë ndjenjë përgjegjësie vetiake po ashtu. Në stilin e njohur të propagandës komuniste e keqja u prejektohet të tjerëve, kundërshtarëve. Berisha duket sikur ka harruar se sa hymne e lavde i ka thurur Enver Hoxhës në mbledhjet e organizatës së partisë. Si intelektual i asaj kohe e i kësaj kohe do të ndihmonte shumë më tepër dekomunistizimin sikur të shpjegonte, duke u nisur edhe nga përvoja e tij, se mbi çfarë mekanizmash trushpëlarjeje dhe dhune njeriu bëhej pjesë e atij regjimi - bashkuvujatës dhe bashkëfajtor thoshte ai dikur. Në mënyrë që të kuptonim më mirë edhe se si sot, që jemi gjoja në liri, në partitë tona nuk goxon kush të kritikojë liderët si ai. Mirëpo ai duket se ka bërë njëherësh amnezi dhe amnisti për veten dhe të kaluarën e tij ndërsa kërkon ta përdorë atë vetëm për kundërshtarët e sotëm duke mos kuptuar se, tek e fundit, dekomunistizimi na duhet për të mos përsëritur historinë dhe jo për ta përsëritur atë. Përndryshe duhet t'i kërkojë edhe ai të falur Shkodrës, pse në gjirin e saj Partia Demokratike ka pasur qysh në krye të herës shumicën komunistë që edhe për këtë e kanë lënë atë në gjendjen në të cilën ndodhet sot. A mund të dekomunistizohet vërtet Shqipëria nga njerëz të tillë dhe nëpërmjet instrumentalizimesh të tilla të antikomunizmit - lind pyetja. Apo dekomunizmi, duke u përdorur si kali i rradhës në betejat politike të ditës, me stilin e një propagande komuniste banale, do të humbasë me humbjen e politikanëve që e përdorin atë, siç humbi antikorrupsioni aq i denoncuar tre vjet më parë?
Kjo e dyta ka më shumë gjasë. Ashtu sikurse i ka ndodhur edhe një herë tjetër në qeverisjen e tij të parë, Berisha e ka filluar me tjetër kalë beteje luftën politike, por, dora dorës që i lindnin kundërshtarë, jo për arësye të së djeshmes, por të aktualitetit që ai po gatuante, filloi t'i hipte kalit të antikomunizmit duke i luftuar kundërshtarët me të shkuarën, që në fakt e kishte të përbashkët me ta. Kështu klasa jonë politike u nda në ish komunistë të mirë dhe të këqinj, në spiunë të mirë dhe të këqinj ndërkohë që ish të persekutuarish asistonin në këtë luftë për pushtet me gisht në gojë. Dhe dekomunistizimi mbeti në fakt pa u kryer pikërisht pse ish komunistët i riabilitoi Berisha me sjelljen dhe veprimet e tij që sollën katastrofën e 97-tës. Duket se edhe tani Berisha po shkon dramatikisht drejt të njëjtit skenar.

Le t'i kthehemi fjalimit të Ramës.
Kuptohet se komenti i parë që mund të bëhet është se përgjigja e Ramës ishte montuar nga Top Channel, me shumë gjasa me porosi të tij, për t'i treguar publikut se ai i ka dënuar, në fakt, krimet e komunizmit. Do të kishte qenë më serioze që gazetarët të shkonin t'i merrnin komentin për ato që tha Berisha në Shkodër, dhe jo të përzgjidhej një fragment fjalimi i djeshëm duke provuar kështu akuzën se Rama mban lidhje direkte përdorimi me disa nga televizionet e rëndësishme të vendit.
Së dyti, nuk mund të mos të të tërhiqte vëmendjen gjuha nacional - komuniste e përdorur prej Ramës, paçka se pa fyerjet dhe banalitetet e kundërshtarit të tij - ndoshta edhe sepse në këtë rast kishim të bënim me një fjalim me letër. Është e çuditëshme se si ky njeri, që e ka filluar shfaqjen publike në skenën e fillimviteve 90 me përqeshjen e propagandës nacional - komuniste, flet tani me terminologjinë stereotipe të asaj propagande: "atdheu ynë i bukur" "amaneti i të parëve" "i Gjergj Kastriotit" "dëshmorët e lavdishëm" pa kuptuar se, duke u shtuar këtyre amaneteve, edhe ato të martirëve të diktaturës e të Zef Pllumit nuk bën gjë tjetër veçse thekson fallsitetin e retorikës së tij.
Rama në fakt e ka si të shkruar në ballë se nuk i interesojnë aspak amanetet e të parëve për atdheun qofshin këta Skënderbeu, dëshmorët e lavdishm apo martirët e diktaturës, dhe po ashtu dënimi apo mosdënimi i krimve të komunizmit, por vetëm e sotmja e tij politike. "Amanetet e të parëve" është histori e njohur. "Të parët" vihen të flasin me gjuhën e interesat e të sotmëve. Bashkohuni rreth meje kundër Berishës siç u bashkuan princat shqiptarë rreth Skënderbeut kundër turqve. Jemi thjeshtë në një retorikë politike, anakronike dhe shterpe sado i pakultivuar apo i shpëlarë trush të mendohet publiku shqiptar. Është po ashtu shterpe thirrja e tij për tu bashkuar të gjithë "përtej të majtës dhe të djathtës" sepse është jorealiste dhe antidemokratike gjithashtu.
Po ashtu futja në një thes e të gjithë "idealistëve të persekutuar e të vrarë…" sëbashku edhe me "dëshmorët e lavdishëm" duket më shumë një manovër për të shmangur dënimin qartas e prerë të krimeve të regjimit komunist, për të ruajtur kështu unitetin e partisë e të elektoratit socialist që në bazë të tyre kanë gjeneratën e dytë dhe të tretë të persekutorëve të djeshëm. Edhe me këta, ashtu sikurse me Berishën, dekomunistizimi është i dënuar të dështojë sepse, për arësye të të sotmes së tyre politike, ata preferojnë të heshtin për atë kohë, por edhe sepse përdorin të njëjtën kulturë që ai ka lënë trashëgim.
Edhe një koment i fundit:
Në retorikën e dy liderve, ashtu siç u paraqit ajo në lajm-montazhin në Top Channel, mund të dallojmë dy strategji elektorale. Ajo e Berishës është e bazuar mbi sulmin dhe diskreditimin, por edhe frikësimin e kundërshtarit nëpërmjet gjuetisë së shtrigave të së kaluarës. Çuditërisht ka hequr dorë nga dikreditimi nëpërmjet hapjes së dosjeve të korrupsionit dhe po përdor dosjet e komunizmit. Strategjia e tij synon çarjen më dysh të shqiptarëve në "ne' dhe "ata".
Kurse Rama është në një strategji mbrojtjeje dhe bashkimi. Ai kërkon më shumë të përfitojë nga gabimet e Berishës duke tentuar të mbledhë konsensusin rreth tij edhe të gjithë atyre që janë zhgënjyer nga Berisha. Duket një strategji që premton më shumë sukses sesa ajo e Berishës, aq më tepër duke patur parasysh se tek ne gjithnjë fitorja ka ardhur si dështimi i kundërshtarit. Por ajo që shqetëson është se mungon një vizion tjetër nga ai i Berishës për Shqipërinë ekomomike, sociale, kulturore, për Shqipërinë në krizë.
Janë dy strategji që kondicionohen nga njëra tjetra që publikut të gjerë, që po përjeton përditë drama social - eknomike (mjafton të kesh parasysh se si po rritet eksponencialisht numri i krimeve, por edhe i vetëvrasjeve), i interesojnë shumë pak. Si për Berishën edhe për Ramën mund të thuhen se kemi të bëjmë me damagogë që në vend se t'u flasin njerëzve për hallet e tyre të përditëshme: për punën, për ujin, për dritat, për rrogat, pensionet, çerdhet, kopështet shkollat e fëmjëve, poliklinikat e spitalet, kërkojnë t'ua shpëlajnë trurin me retorika boshe. Të duket se të dy, ashtu siç e ilustron edhe lajm - montazhi i komentuar, të verbuar edhe nga militantë që i duartrokasin çfarëdo banalitetit që thonë e që u tundin para syve pankarta e flamurë, nuk janë të vetëdijshëm se kujt po i flasin e çfarë po thonë. Jemi në një mjerim të politikës që përforcon perceptimin se ajo, me këtë klasë politike e me këta lider, po largohet përditë e më shumë nga hallet e vërteta të shumicës së njerëzve. (Korrieri, 29 janar 2009)

2 comments:

Anonymous said...

"Nje popull te arsimuar eshte e lehte ta udheheqesh,por eshte veshtire ta grahesh,eshte lehte ta qeverisesh,por e pamundur ta skllaverosh"Bryem
Ndoshta eshte arsimimi i vertete zgjidhja per ne.

Anonymous said...

Shume bukur, te lumte