Monday, January 26, 2009

Korrupsioni dhe "demokracia hibride"

“A jemi një vend i korruptuar? Kemi qenë qysh në krye të herës apo qysh kur? A është i korruptuar populli, shoqëria në tërësinë e saj, apo është e korruptuar vetëm klasa drejtuese e vendit kurse populli qëndron pasiv dhe i mpirë përballë këtij fenomeni shkatërrimtar?”
Këto pyetje, që duket sikur të kenë lindur nga konteksti shqiptar janë frazat e para të një artikulli me titull: “A jemi një vend i korruptuar?" të gazetarit të njohur italian, themeluesit të La Republica, Eugenio Scalfari, shkruar në fund të dhjetorit 2008. Kuptohet, janë shkruar për Italinë, por, duke i lexuar, nuk mund të mos bëje paralelizmin. Janë pyetje që edhe ne i ngremë për vendin tonë, për fenomenin tonë të korrupsionit, shoqërinë, politikanët.
E lexova me interes të gjithë artikullin me dy kuriozitete: si pari, për të parë diagnozën që jep gazetari për vendin fqinj, llojin e sëmundjes dhe shkaqet e saj, së dyti për të gjetur mjetin e shërimit që ai sugjeron.
Gjatë leximit konstatova se, ashtu siç më ka ndodhur edhe mua kur jam përpjekur të përshkruaj e të analizoj fenomene, është më e lehtë të bësh diagnozën, por shumë më e vështirë të gjesh shërimin. Jo pse mungojnë receta shërimi, por sepse ato duken sa të njohura e të përgjithëshme aq edhe të pafuqishme, veçanërisht në terma afatshkurtëra. Dhe, kur mendon se për një sëmundje kaq të rëndë, kaq shkatërrimtare, nuk mjafton një jetë ndoshta për ta shëruar, të kap një ndjenjë papranueshmërie dhe revolte.
Analiza që bën Skalfari për Italinë do të thoja se, në thelbin e vet, i shkon shumë mirë edhe Shqipërisë - sigurisht me rrethanat rënduese të kontekstit shqiptar. Ai e gjen shkakun kryesor të korrupsionit në faktin se në Itali shteti i bashkuar, pra ai që është krijur në shekullin e XIX, ka qenë i huaj, i largët për italianët, se historikisht ky shtet është përjetuar prej tyre më shumë si shfrytëzues sesa si garant i paktit shoqëror; më shumë si autor dhune sesa si tutor i ligjshmërisë; se populli nuk ka marrë pjesë, por vetëm ka qenë i pranishëm në lindjen e këtij shteti pasi 75% e popullsisë ishte fshatare, me fjalë të tjera jashtë institucioneve, jashtë tregut; njerëz që konsumonin atë pak që prodhonin, e që të vetmet prani institucionale me të cilat kishin kontakte ishin karabinerët, njerëzit e postës dhe priftërinjtë.
Kurse opinioni publik përfaqësonte vetëm 25%: pronarë tokash, tregëtarë, industrialistë, gjyqtarë, profesionistë, mësues e studiues dhe nëpunës. Nga kjo shtresë e hollë e shoqërisë dilte klasa drejtuese, kryeadministratorët lokalë dhe kombëtarë, oficerët e ushtrisë, sipërmarrësit. Me një fjalë borgjezia dhe mikroborgjezia, deputetët.
Shteti plluskonte kështu mbi këtë shtresë shoqërore ashtu sikurse kjo, nga ana e vet, plluskonte mbi mizërinë e fshatarëve dhe bërthamat e para të klasës punëtore. Shteti - thotë Scalfaro - nuk ishte një simbol, as atdheu nuk qe i tillë. Për pjesën më të madhe këto fjalë ishin të panjohura, pa kuptim. Kurse për shtresën e hollë të të privilegjuarve ishin thjesht mundësi për të zaptuar e ligjëruar pushtet në emër të përfitimit personal.
Besoj se paralelizmi është evident. Veçse me ndryshimin, do të thoja, se gjendja e Italisë së djeshme është gjendja e Shqipërisë të sotme. Me ndryshimin gjthashtu se, nëse në Itali ka pasur një 25% shtresë shoqërore që nxirrte klasën drejtuese, kjo shtresë në Shqipëria edhe sot është më e hollë, më pak e kulturuar dhe qytetëruar, më pak e stabilizuar, më pak demokratike dhe shumë më kriminale dhe më e pamoralëshme. Ashtu sikurse edhe pjesa tjetër e shqërisë, ajo e mpira, pa gojë, është shumë më primitive.
Edhe për Shqipërinë e kemi thënë dhe e themi se korrupsioni është një fenomen që buron drejpërdrejt nga tëhuajësia e shtetit në raport me popullin, nga ekzistenca e një klase drejtuese të barrikaduar në mbrojtje të privilegjeve të veta, që përvetëson burimet publike sipas rradhës. Përdorimi i zyrave të shtetit nga ofiqarët e vet thjesht për përfitime personale, nga njëra anë dhe evazioni fiskal nga ana tjetër, mungesa e kontrollit mbi territorin nga njëra anë dhe shpërdorimi i tij, nga ana tjetër, janë dy faqe të së njëjtës medalje: asaj të një shteti të cilit nuk i beson askush e që nuk përjetohet si tutor i ligjit, si shërbëtor, por si instrument përfitimi, si shfrytëzues dhe dhunues.
Po cila është kura ndaj kësaj sëmundjeje? Duke ardhur në ditët e sotme në Itali Scalfaro rekomandon atë që ka thënë Berlingueri që njihet si kampioni i çështjes morale në poltikën italiane: forcat politike nuk duhet të uzurpojnë institucionet, organet e garancisë duhet të vigjëlojnë për të goditur pa patur parasysh ngjyra partiake; gjyqsori duhet të funksionojë si organ i kontrollit të ligjshmërisë, shtypi duhet të mësojë më mirë dhe më shumë detyrën e vet si kundërpushtet.
E njëjta kurë mund të thuhet fare mirë për Shqipërinë, madje është thënë edhe rithënë nga intelektualë e gazetarë madje edhe nga politikanë. E gjithë lufta që bëhet sot për të mbrojtur prokurorinë dhe mediat nga sulmet e qeverisë aktuale me këtë retorikë bëhet. Por problemi kryesor i kësaj retorike është se ajo nuk bëhet nga shtresa e gjerë dhe në emër të interesave të saj, por nga përfaqësuesit e shtresës së hollë që pret rradhën të marrë shtetin në dorë për përfitimet e rradhës.
Gjthsesi, tek e fundit, duket se i gjithë problemi i forcimit të demokracisë, si një proces pa fund, është si të rritësh "trashësinë" e asaj shtrese që përbën opinionin publik e që nxjerr të ashtuquajturën klasë drejtuese. Dhe rritja e saj bëhet në dy aspekte: nëpërmjet rritjes së përqindjes së saj dhe nëpërmjet rritjes së kulturës së saj. Italia hyn në vendet demokratike sepse, megjithë difektet që numëron Scalfaro, ka ardhur duke e rritur shtresën e shoqërisë që përbën opinionin publik aktiv. A po ndodh një rritje e tillë në Shqipëri, që u fut së fundi nga "The Economist" në vendet me demokraci hibride, pra me elemente të autoritarizmit? Kam frikë se në Shqipëri po ndodh e kundërta: tkurrja e kësaj shtrese - edhe në krahasim me vite më parë, kur ajo filloi të krijohet pas një regjimi totalitar që e kishte reduktuar në hiç krejt shoqërinë. Dhe kjo, veç të tjerash, më duket se ka një arësye mjaft bindëse. Problemi që shtrohet dhe rishtrohet sot është: a mundet klasa drejtuese që kemi të ndryshojë mendësi, të shndrrohet, pra, nga shfrytëzuese dhe dhunuese në shërbyese, në një kuptim më të drejtë në shterformuese? Duke patur parasysh se sa shumë është komprometuar ajo duke abuzuar me pushtetin duket gati e pamundur, pasi kjo do të thoshte që ajo të punonte kundër vetes. Përvoja po e vërteton këtë dita ditës. E këtu vimë një një përfundim mjaft dramatik: korrupsioni nuk është vetëm pasojë e një shteti të huaj për qytetarin, por, nëpërmjet një rrethi vicioz, që më saktë mund të quhet edhe spirale zbritëse, korrupsioni është edhe një ndër shkaqet kryesore të tëhuajësimi të mëtejshëm të klasës drejtuese, pra edhe të shtetit. Dalja nga spirale të tilla zbritëse bëhet kështu një problem i madh sepse tkurrja që sjell korrupsioni sjell edhe tkurrjen e instrumenteve demokratike të cilët janë të vetmit që mund të krijojnë hapësirat për ndryshime pozitive. Gjykoj se cilësimi i Shqipërisë së fundi nga "The Economist" "demokraci hibride" nuk është pa lidhje me këtë fenomen që, po të kem parasysh edhe përvojnë italiane, mund të na mbajë gjatë, shumë gjatë, në një shtet të tillë si ky që kemi sot. (Korrieri, 24 janar 2009)

1 comment:

fjorent said...

Jetoj ne Itali prej shume vitesh dhe njoh edhe problematiken per te cilen flet Skalfari. Ndersa gjendjen ne Shqiperi e njoh prej shkrimeve dhe qendrimeve disa mujore. I kam bere gjithmone vetes pyetjen: Si ka mundesi qe vende me nje pozite te tille gjeografike si Italia dhe Shqiperia jane relativisht te prapambetura ne krahasim me konkurrueset e tyre te aferta (Italia ne krahasim me Britanine, Francen, Gjermanine e se fundi edhe me Spanjen dhe Shqiperia me vendet ballkanike ku nga vendi i fundit na shpeton nje tjeter shtet me shqiptare si Kosova).
Pjeserisht pergjigjet Skalfari dhe Lubonja. Eshte e vertete qe Italia si shtet u krijua i fundit ne krahasim me shtetet e tjera europiane dhe e njejta gje i ndodhi edhe Shqiperise. Mungesa e kultures demokratike dhe servilizmi ndaj hierarkise se pushtetit jane faktoret qe nuk lejuan ate shtrese te popullsise te kthehej ne nje shtrese te forte qe te detyroje klasen politike te kthehet ne sherbetore dhe jo perfituese. Klasa politike ne Angli apo Gjermani nuk eshte e tille sepse politikanet kane deshire te jene sherbetore te popullit. Une jam i sigurt qe nese keta njerez do te transplantoheshin ne Itali ose ne Shqiperi nuk kane per te bere me shume se politikanet vendas. Kete e kane treguar edhe mekembes qe jane derguar kudo ne bote e qe jane zhytur ne korrupsion si lokalet. Shembuj te fundit edhe ne Kosove nga gjermane qe ne vendin e tyre nuk do te guxonin ta benin kete gje.
Nese ne parlamentin e Londres ndonje deputet do te jepte rryshfet per te hyre besoj se vete anglezet
do ta conin ne polici. Ketu tek ne kur nje deputet/e u zgjodh ne parlament ne tavolinen e tij/saj ne Kuvend i vune thesin me miell qe i kishte derguar fshatareve
gjate fushates elektorale per te blere votat. Vazhdo e beso pastaj se ne nje demokraci si kjo e jona sistemi mazhoritar eshte me i miri. Kaq deshen kryetaret e perjetshem te partive tona dhe e moren ne dore edhe listen e deputeteve te ardhshem.

Pra ajo qe dua te them se me te drejte Lubonja e Skalfari tregojne shkakun pse shtetet tona jane te korruptuara. Pikerisht sepse mungon kontrolli i qytetareve ndaj te zgjedhurve. Mungon ajo kulture demokratike qe ben qe ne te shesim voten per nje vend pune dhe qytetaret te mos revoltohen por ta konsiderojne si gje normale. Pra klientelizmi konsiderohet normal si ne Italia si ne Shqiperi. Por perse ndodh kjo?
Per mendimin tim pergjigjen per shoqerine italiane (por vlen akoma me teper per shoqerine shqiptare) e ka dhene Paul Ginsborg. Problemi qendron ne rolin qe ka luajtur dhe luan FAMILIZMI ne jeten shoqerore ose e thene me shqip KLANI. Ja edhe mendimi i Ginsborg :"rapporto tra famiglia, società [...]e Stato. Una forma in cui i valori e gli interessi della famiglia si contrappongono a quelli degli altri principali momenti di aggregazione che identificano una società democratica».

Shoqeria shqiptare klanore e rrefuzon shtetin si mbrojtes i se drejtes dhe i kundervihet atij me vlerat klanore qe edhe kur jane ne kundershtim me ligjet vleresohen si me te mira. Ja pse nuk mund te linde nje shoqeri civile (ose me mire edhe ajo eshte shume e dobet para vlerave klanore) qe te mbroje vlerat universale te shoqerise demokratike qe jane ne kundershtim me ato klanore qe i sjellin dem shoqerise si bashkesi.

Pra sipas mendimit tim lenda e pare te cilet duhet te ndryshojne nuk jane politikanet sepse ata jane produkt i shoqerise. Nje here Andreoti pati thene: 10% e deputeteve italiane perfaqesojne ajken e shoqerise italiane, 10% pjesen me te prapambetur te saj dhe 80% perfaqesojne plotesisht shoqerine italiane.
Lenda e pare qe na mungon
fatkeqsisht eshte shqiptari i ndershem.
Dhe nuk e kam fjalen per 1 apo 2 kokrra sepse ata gjenden e jane me te mire ndoshta se shume amerikane e angleze. E kam fjalen per 50% +1 sepse demokracia eshte jashtezakonisht bujare kur 50% +1 jane te ndershem por kthehet ne
pseudodemokraci kur ai 50% + 1 eshte e perbere nga individe dinake.

Por si mund te ndryshoje ky familizem klanor. Duhet kohe dhe edukim. I duhet dhene mundesia cdo njeriu mesoje. Politikanet do te perpiqen t'i mbajne njerezit ne injorance sepse kjo injorance po zgjat jeten e ture politike. Vetem dija pas shume kohesh do te na nxjerre nga klanizmi dhe klientelizmi. Deri ne ate kohe jemi te detyruar per te punuar ne menyre qe ajo shtrese e shoqerise civile te shtohet. Kur te arrije masen kritike do tja kemi dale mbane.

Gjithe te mirat dhe pergezime Z. Lubonja

Fjorent Rrushi