Monday, December 22, 2008

Qëllimi i keq i një ligji

Parlamenti shqiptar sot do të shqyrtojë ligjin e ashtuquajtur të hapjes së dosjeve të mbyllura të ish Sigurimit, por që, në fakt, do të mbetet në kujtesë më shumë si ligji i dosjeve të hapura të pastrimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të komunizmit. Këtë shkrim po e bëj edhe me mendimin se ndoshta ndonjë deputet, duke qëndrur në sallë nga njëra orë në tjetrën, edhe mund ta lexojë dhe kjo do ta ndihmonte sadopak, të reflektonte disi më thellë mbi problematikën e ligjit: për ta aprovuar, kundërshtuar apo për të kërkuar ndryshime në të.
Sipas meje janë më shumë se një problemet që ngre ky ligj në planin politik, juridik dhe moral pasi çështja është mjaft komplekse. Nëse ka ndonjë gjë që ilustron thënien e Oskar Wildit se e "vërteta rrallë herë është e qëruar dhe kurrë e thjeshtë" është pikërisht problematika e këtij ligji. Prandaj personalisht i kam mëshuar idesë se kjo është një gjë që kërkon kirurgë shumë të zot kurse tek ne kjo çështje është në duar kasapësh. Diferenca është e madhe: nëse kirurgu synon të shpëtojë jetë, kasapi synon të presë mish që ta shesë për të nxjerrë fitime.
Cilat janë problemet kryesore që po hapin me hanxharët e tyre kasapët tanë për veten dhe për tërë shoqërinë. Problemi i parë është ai që vjen nga instrumentalizimi politik i antikomunizmit që rrezikon ta tjetërsojë tërë çështjen e dënimit të krimeve të komunizmit - çështje kjo kaq e rëndësishme dhe vendimtare për të ardhmen vërtet demokratike të shoqërisë. Dhe, kur them instrumentalizim, kam parasysh kryesisht mazhorancën, që po e ve në lëvizje këtë ligj, por edhe opozitën socialiste. Sot është vështirë të gjesh njeri që ka pak mend në kokë i cili - duke iu referuar edhe pëvojës së deritanishme të bëmave të politikanëve tanë - të mos e ketë të qartë se ky ligj nuk bëhet për shkak të ndjeshmërisë ndaj vuajtjeve të ish të persekutuarve, por në kuadrin e një lufte politike në një moment kyç ku e tërë politika e kundërshtarëve të Berishës është fokusuar në nxitjen e prokurorisë për vazhdimin e hetimve ndaj akuzave që i janë ngritur qeverisë, kryeministrit e familjes së tij për korrupsion. Me fjalë të tjera ky ligj synon të trembë dhe ndrydhë Prokurorinë, edhe më shumë nga ç'është e ndrydhur dhe e nënshtruar, përsa i përket çështjeve të tilla të nxehta si ajo e Gërdecit, rruga Durrës - Kukës si dhe ajo Fazlliç (dhe ky kontroll mbi institucionin e drejtësisë është mendësi tipike e autoritarizmit komunist). Apo, të justifikojë atë që tashmë është thënë me kohë se këta procese janë vepër e njerëve të lidhur me të kaluarën që i instrumentalizon opozita sepse me të i lidh e kaluara. Dhe kjo është metodë e njohur e komunizmit i cili tërë dështimet e tij ia atribuonte sabotimeve dhe veprimtarisë armiqësore të mbeturinave të borgjezisë. Kujtoj se edhe për piramidat financiare dhe tragjedinë që ndodhi në 97-tën u akuzuan ish sigurimsat. Por ndërkaq, edhe opozita, duke u strehuar tek mbrojtja e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk hedh asnjë hap më tej përsa i përket dekomunistizimit të rradhëve të saj dhe të mbështetësve të saj. Ishte tipik fakti që ndërkohë që Berisha e akuzonte Ramën se i mbron prokurorët për shkak të së kaluarës komuniste të familjes së vet Rama e mbronte familjen e vet duke mbrojtur indirekt edhe të kaluarën e saj komuniste. Kishte edhe një rrugët tjetër Rama: t'i thoshte Berishës: ti edhe im atë keni qenë komunistë deri më 1990-shin në një front, kurse unë distancohem nga vepra juaj e përbashët deri më 1990. Mirëpo nuk e bënte dot këtë sepse Partia Socialiste e ka mbështetur një pjesë të mirë të unitetit dhe forcës së saj tek ajo e kaluarë të cilën, në rastin më të mirë e dënon me fjalë, por jo me vepra të tilla që të pastrojë vërtet, të dekomunistizojë vërtet veten dhe elektoratin e saj. Prandaj dhe kemi mbetur në të njëjtën pikë përsa i përket dekomunistizimit. Asnjë prokuror nuk thotë në këto kushte: kam përgjegjësi por thotë: kam zbatuar ligjet e asaj kohe. Këtë vendnumëro përsa i përket dekomunistizimit e vërtetojnë shumë gjera edhe në fusha të tjera të kulturës të kujtesës historike e me rradhë. E vërteton edhe fakti që vetë mënyra e drejtimit të PD dhe PS nga Berisha dhe Rama ngjajnë si dy pika uji me mendësinë enveriste të kultit të individit absolut e të pakundërshtueshëm.
Një problem tjetër që ka ligji është fakti se megjithë fjalët e rënda që shkëmbejnë dy enveristët tanë kundër njëri tjetrit ai ligj është në vazhdën e monoplizimit të politikës nga dy partitë kryesore dhe liderëve të tyre respektivë. Sipas çka është shkruar në media produkt i këtij ligji do të jetë një komision kontrollues i dosjeve ku dy prej anëtarëve do të jenë të PD, dy të PS dhe një kryetar me konsensus. Pra edhe ky instrument kontrolli mbi të shkuarën dhe shantazhi mbi njerëzit dhe institucionet do të zotërohet nga dy forcat kryesore të cilat sigurisht, ashtu sikurse kanë ndarë trojet e ndërtimit mes vetes, mund të ndajnë edhe listat e spiunëve për të hequr nga lista ata që duan dhe të venë ata që s'duan. Aq më tepër kur, sipas gjithë të dhënave të ditura fort mirë nga ata, por jo nga publiku, dosjet janë pastruar e zhdukur e manipuluar. Sinjalin e parë të funksionimit të këtij "komisioni" e dha vetë ligji ku, çuditërisht, megjithëse në kriteret e spastrimit mund të hyjë edhe një pastrues i ish Sigurimit aty nuk hyjnë as ish ministra si Gjinushi e Ruçi as ish sekretarë partie si Berisha.
Ky ligj, ashtu sikurse është hartuar, paraqet edhe probleme juridike dhe morale jo të pakta. Pjesa e tij e lustracionit ka problemin kryesor atë se ligjet e lustracionit, që kur kanë dalë në fillim në Lindje janë parë me skepticizëm nga aktivistët e të drejtave të njeriut sepse hapnin problemin e të drejtës së njeriut për t'u zgjedhur e cila mund të hiqet me gjykatë dhe me afate të caktuara. Ligji nuk mund të sanksionojë heqjen nga detyra në bllok të prokurorëve dhe gjyqtarëve apo hetuesve të kohës së komunizmit tani pas 18 vjetësh. Kjo automatikisht do t'i fuste të gjithë në një thes dhe do të çlironte madje nga përgjegjësia tërë ata prokurorë që kanë bërë nga ato krime kundër drejtësisë që nuk mund të falen, as parashkruhen pasi meritojnë të dënohen. Mirëpo duket sheshit se ligji nuk synon këtë, por thjesht pastrimin e rrugës për pushtet. Dhe kjo vërtetohet edhe me mënyrën se si ka vepruar PD (e jo vetëm) në raste të tjera të ngjashme, psh. me ata për të cilët ka pretenduar se ka pasur prova se kanë bërë korrupsion. I ka akuzuar rëndë derisa mori pushtetin dhe i hoqi nga detyra, por, kur erdhi puna që të kërkojë që ata të përgjigjen para drejtësisë për dëmet që kanë bërë, nuk e kemi parë të nxisë më prokurorinë që ajo të veprojë, duke nxjerrë zbuluar të vërtetën se qëllimi i gjithë kësaj lufte nuk ishte drejtësia, por zënia e vendit të tyre - për tu bërë si ata, madje edhe duke bashkëpunuar me ta.
E njëta gjë lidhur me të drejtën e zgjedhjes mund të thuhet edhe për ish bashkëpunëtorët e fshehtë të Sigurimit për të cilët, për më tepër, është bërë një ligj dhe një pastrim në vitet 1996- 2001. Këto aspekte juridike kanë pasur parasysh gjermanët të cilët ligjin e tyre të hapjes së dosjeve e kanë hartuar në mënyrë të tillë që jo vetëm kontrolli i pastërtisë së figurave bëhet rast pas rasti, por e drejta për tu zgjedhur apo punësuar në institucione të caktuara nuk hiqet me ligj, por nëpërmjet instrumentesh të tjera morale.
Si përfundim do të thoja se ky aksion i aprovimit me ngut dhe pa kërkuar konsulencë, të këtij ligji është ilustrim i asaj thënies së vjetër romake sipas së cilës e mira apo e keqja e një veprimi nuk duhet gjykuar nga fjalët e bukura me të cilat ky veprim vishet, por me qëllimin e vërtetë se pse bëhet ky veprim. Nëse qëllimi i vërtetë është i keq - dhe e përsëris: sipas meje kjo "e mirë" në emër të "dekomunistizimit" bëhet për një qëllim të keq: mbulimin e akuzave për korrupsion të qeverisë, shtimin edhe më të kontrollit mbi institucionet e pavarura dhe njerëzit,- atëhere kemi të bëjmë me një veprim të keq, që sjell pasoja të këqija. (Korrieri 22 dhjetor 2008)

No comments: