Wednesday, March 5, 2008

Letër e hapur ministrit të rendit Bujar Nishani



Zoti ministër,

Ka kaq kohë që lexoj nëpër shtyp e dëgjoj nëpër mediat mburrjet për sukseset që ju, si mazhorancë në pushtet, keni arritur në luftën kundër krimit të organizuar. Ndërkaq këto ditë mediat afër jush dhe ato opozitare ndaj jush u ndanë më dysh në interpretimin e një raporti të Departamentit të Shtetit lidhur me këtë temë.
Nëse doni mendimin tim si qytetar, dhe besomëni se është një mendim që e ndajnë me mua shumë qytetarë, ju krimit të organizuar i keni “rruajtur bishtin” siç thotë populli – ashtu sikurse edhe korrupsionit, klientelizmit, tarafllëqeve e tërë atyre fenomeneve antishtet që u mbollën në qeverisjen tuaj të parë e u prashitën, u vaditën e hodhën shtat në 8 vjet qeverisje socialiste. Nuk e di saktë nga vjen kjo shprehja “t’i rruash bishtin”. Kam përshtypjen se është ndërtuar si metaforë duke nisur nga ato kafshët grabitqare që i shpëtojnë lakut duke lënë atje bishtin. Thuhet edhe “i la bishtin”, por ndoshta ka edhe një kuptim më banal. Nejse, përtej metaforës dhe përtej deklaratave të Departamentit të Shtetit do të thoja se krimi i organizuar, sipas vëzhgimit tim të përditshëm, shëtit nëpër qytetet tona me bisht të lirë në formë fuoristradash me xhama të zinj nga ato që kushtojnë sa një shtëpi që vetëm karburant mund të shpenzojnë në ditë sa ç’i duhet një familjeje për tu ushqyer. Për mua si qytatar mjafton të shoh rritjen e numrit të këtyre fuoristradave me xhama të zinj në timonin e të cilave sheh shpesh 20 – 25 vjeçarë, të kujtoj se një nga premtimet tuaja të para ishte të hiqnit xhamat e zinj, për të vlerësuar luftën tuaj ndaj krimit të organizuar.
Po le ta lemë këtë muhabetin e krimit me fuoristrada me xhama të zinj se është edhe i rrezikshëm – pale që mund të më thonë se e kam fjalën për ministra dhe deputetë të nderuar - e le të kalojmë në një “krim të organizuar” më pak të rrezikshëm për fjalën e lirë, që bëhet me karroca dhe triçikle, për t’ju provuar se sa janë shtrënguar vidat e shtetit nën drejtimin tuaj.
Përsëri ka të bëjë me përvoja personale, pra me perceptime siç i thonë, por më lejoni të shprehem.
Unë, zoti ministër banoj në një apartament që ndodhet në një rrugë që s’është më shumë se 50 - 100 metra larg qendrës - nëse me qendër do të quajmë sheshin Skënderbej. Aty te rruga ime ndodh një gjë e çuditëshme. Një herë në dy tre muaj “krimi i organizuar” ndërmerr aksionin e vjedhjes së kapakët të pusetave. Kësaj here kanë vjedhur nja tre katër përgjatë gjithë rrugës sonë që nuk është më e gjatë se dyqind metra dhe kështu, për të kaluar, është bërë një ferr i vërtetë sepse, siç e dini, edhe trafiku është i vështirë në qytetin tonë në përgjithësi. Ka rrezik që kush nuk ka fuoristrada t’i ngecet rrota e makinës brenda dhe të bjerë në pikë të hallit.
Ajo që nuk arrij ta kuptoj unë, zoti ministër, është se si ka mundësi që policia jonë nuk arrin ta ndalojë një fenomen kaq të rëndomtë që mua, më duket shumë i lehtë për tu ndaluar. Sepse kapakët prej hekuri të pusetave nuk janë kuleta që tjetri i vjedh dhe i fut në xhep. Ato ose dërgohen diku për shkrirje ose ka ndonjë që i tregëton dhe që ka interes të vidhen që ai t’i shesë prap. Dhe furra shkrirjeje dhe tregëtarë pusetash në këtë vendin tonë nuk besoj se ka shumë. Pra e kuptoj se mund të jetë e vështirë të kapet hajduti i pusetave, por më duket krejt e lehtë të identifikohet vendi ku ato shiten nga hajduti e pastaj të shkohet prej tyre tek hajduti. E kur policia nuk është në gjendje të na mbrojë nga një krim i tillë si mund të na mbrojë nga ato më të sofistikuarat që përdorin fuoristrada me xhama të zinj? Unë kësaj, zoti ministër, sado që përpiqem nuk i jap dot përgjigje përveçse me zhvidhosjen e vidave të shtetit.
Tani, zoti Nishani, dua t’ju drejtohem edhe për diçka tjetër - kësaj here si anëtar i kabinetit të ministrave. Gjithnjë lidhur me vjedhjen e kapakëve të pusetave e kam fjalën. Këtë çështjen e kapakëve unë nuk e kam për herë të parë që e trajtoj në shtyp. Në një nga vjedhjet e rradhës ndodhi që na vodhën një pusetë që ishte afër kazanave të plehërave. Pasi prita një, dy, tre, katër, pesë javë të vinin ta zëvendësonin - me atë durimin tashmë proverbial të shqiptarit - duke parë se si ajo hapësira poshtë pusetës, përveç tjerash, po mbushej me plehëra, më në fund u ula të bëj një shkrim. U botua në faqe të parë të Korrierit. Denoncoja vonesën e Ujësjellësit, madje e përdorja këtë rast edhe për të venë në dukje se në kohën e socialistëve vonesa e zëvendësimit nuk ishte kaq e madhe kur na vidheshin pusetat. Pra e përdora si një tregues se këta demokratët, që na premtuan qeverisje më të mirë e më eficente, sikur po japin ca performanca edhe më të këqija nga ato që na kishin dhënë socialistët. Ç’ndodhi? Zëre se nuk e kisha shkruar artikullin që e titullova “Një gropë e zezë që flet shumë.” Kaluan dy muaj dhe gropa e zezë prapë gropë e zezë mbeti. Madje, që ta tregoj deri në fund historinë, i thashë edhe Armand Shkullakut, drejtorit të informacionit të Klanit dhe ai bërë edhe një kronikë për pusetat e vjedhura nëpër Tiranë. Por edhe pas kronikës së Klanit asgjë nuk ndodhi. Dhe, që ta dini ju, zoti ministër këtu në rrugën time banojnë edhe nja dy a tre deputetë demokratë.
Një ditë më rastisi dhe takova Lul Bashën që atëhere ishte ministër i transporti prej të cilit varej edhe Ujësjellësi. Nuk prita shumë dhe ia hapa muhabetin e pusetës. “Si ka mundësi, mor njeri, i thashë, po bëhen gati tre muaj dhe mu në mes të Tiranës nuk mbuloni dot një pusetë.” Pa e zgjatur shumë Luli i bëri një telefon drejtorit të ujësjellësit duke i treguar edhe ku ndodhej puseta që nuk është më shumë se 50 metra larg qendrës, siç thashë. Ndërkohë që unë nuk kisha mbaruar kafenë me Lulin, dmth nuk kaloi më shumë se ndonjë gjysëm ore, atij i erdhi një telefon nga drejtori i cili i thoshte se puseta u vu në vend. Çfarë mrekullie - thashë me vete në fillim - shpëtuamë më në fund. E falenderova, por pastaj nuk mund edhe të mos i thoja: po pse mor burrë një punë që paskësh qenë kaq e lehtë vonon tre muaj në këtë vendin tonë.
Tani përsëri zoti ministër kanë kaluar më shumë se dy javë dhe gropat e zeza tek ne po gropa të zeza kanë mbetur. Ju e kuptoni se unë tani nuk mund të pres derisa të më bjerë rasti të takoj Olldashin që t’i them ndonjë fjalë për pusetat. Ju besoj se e takoni përditë e meqënëse po ju dërgoj këtë letër të hapur që shpresoj ta lexoni, thoini po mundët që kanë kaluar dy javë e më shumë që tek ajo rruga ku banon Fatos Lubonja, Leonard Demi, Blerim Çela janë vjedhur pusetat dhe nuk po i zëvendëson kush. Tek e fundit çfarë thashë në filim: tarafet e miqësitë tek ne janë më të forta se shteti. Se të them të drejtën më duket e tepërt t’i dërgoj sms Berishës për këtë punë. Pastaj, edhe kjo një mënyrë qeverisjeje është. Thonë që Çavesi në Venezuela ka gjetur një mënyrë edhe më efikase. Ai shkon në emisione televizive tip show dhe atje, ndërkohë që këndon e argëtohet, i bëjnë edhe telefonata. Njerëzit e marin në telefon dhe i thonë se në filan vend punët nuk shkojnë mirë dhe ai telefonon atje menjëherë dhe punët rregullohen. Ndoshta nuk do të ishte një ide e keqe që të hapet një ministri që të punojë kështu me televizion se ne nuk kemi edhe pak televizione.
Nejse, ky mund të jetë një projekt tjetër që mund ta bëjë më mirë Rama, ndoshta. Ndërkaq shpresoj shumë se ju do ta lexoni këtë letër të hapur. Është shpresa e vetme që kam se do të na mbulohen pusetat.
Duke ju uruar shëndet e gjithë të mirat dhe falenderuar “in advance” siç i thonë anglezët.
Fatos Lubonja

(Korrieri, 3 mars 2008)

No comments: