Tuesday, February 19, 2008

Pas festës

Nëse do të komentojmë ditën e shpalljes nga Parlamenti i Kosovës të pavarësisë si dhe përjetimin e kësaj dite përtej gëzimit dhe euforisë festive të shqiptarëve dhe dëshpërimit të dukshëm të serbëve do të duhet të komentojmë thënien e një analisti perëndimor, i cili u shpreh se në këtë ditë u mbyll një kapitull, por nuk u mbyll i gjithë libri. Si do ta përkthenim me gjuhën e realitetit këtë metaforë?
U mbyll vërtet një kapitull i rëndësishëm, ai i varësisë së shqiptarëve nga serbët. Kapitujt që na kanë sjellë deri këtu, nëse do t’i referohemi historisë dhe jo mitologjive nacionaliste, flasin për një armiqësi që ka lindur në shekullin e XIX me lindjen e lëvizjeve nacionaliste në Ballkan, veçanërisht pas luftës ruso-turke (1878), kur serbët patën shtetin e tyre të pavarur dhe që u thellua, pastaj, me Luftrat Balkanike (1912) kur serbët përfshinë edhe Kosovën në shtetin e tyre. Është një histori më se një shekullore që deri më 1999 mund të thuhet se është shënuar nga përpjekjet e vazhdueshme të serbëve për dominimin, madje edhe pastrimin etnik të Kosovës dhe nga përpjekjet e shqiptarëve për t’u çliruar nga ky dominim e pastrim e për t’u bërë të pavarur nga serbët.
Faqet e fundit të këtij kapitulli, dmth. vitet e fundit, ishin një periudhë tranzicioni për të bërë këtë shkëputje. 17 shkurti megjithë problematikën që ka dhe pasiguritë që mbart, shënon fundin me sukses të përpjekjeve të shqiptarëve për t’u çliruar nga dominimi serb, fund që pa dyshim u ndihmua shumë edhe nga dështimi dhe pastaj disintegrimi i Jugosllavisë në vitet 90, për të cilin një kontribut të madh dhanë krimet e nacionalizmit serb në vitet 90.
Çështja më e rëndësishme sot është se cilët do të jenë kapitujt pasardhës.
Nga sa duket qartazi autorët që do të shkruajnë kapitujt e ardhshëm të Kosovës do të jenë kryesisht shqiptarët dhe Bashkimi Evropian. Ajo çka do të shkruhet do të jetë rezultat i bashkëveprimit të këtyre dy faktorëve i cili mund të thuhet se ka filluar në thelb që në vitin 1999. Janë pikërisht këta nëntë vjet që mund të na japin disa tregues se si do të shkojë ky bashkëveprim në të ardhmen dhe cili do të jetë rezultati. Ajo çka del nga përvoja e deritanishme është se ky bashkëpunim, që, në fakt, ka qenë e do të jetë më shumë një dominim dhe imponim i projekteve perëndimore për kosovarët, duket se do të jetë i gjatë pasi edhe vetë njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet si dhe futja e saj në Kombet e Bashuara me të drejta të plota do të kërkojë kohë.
E në këtë bashkëpunim nuk mund të mos vemë në dukje edhe tensionet e brendshme që kanë ekzistuar e do të ekzistojnë midis tendencës së shumicës së shqiptarëve për të realizuar projektet e tyre nacionaliste dhe imponimit nga perëndimorët të projektit të tyre të ndërtimit të një shteti multietnik e multikulturor. Shqiparët e Kosovës sot vërtet mund të konsiderohen të lirë e të pavarur nga serbët, por nuk mund të thuhet kurrsesi se arritën në brigjet e lirisë pas 600 vjetësh lundrim në skllavëri – siç tha kryeministri ynë Berisha me një deklaratë plot patos romantik. Kjo jo vetëm pse liria e njeriut nuk lidhet thjeshtë dhe vetëm me çlirimin kombëtar, por edhe pse qoftë edhe në këtë aspekt, nëse do të gjykojmë nga festimi i djeshëm, shqiptarët e Kosovës, nëse do të ishin vërtet të lirë, nuk do të pranonin flamurin me gjashtë yje, por, sëbashku me shpalljen e pavarësisë, do të shpalosnin në Parlament flamurin kuq e zi. Dukej sheshit se qoftë flamuri që u shpalos, qoftë gjuha që përmbanin deklaratat e kryeministrit Thaçi dhe presidentit Sejdiu qenë në kontrast me gjuhën e festës së shqiptarëve jashtë Parlamentit. E kontradikta që buron nga ky kontrast besoj se do të shenojë kapitujt e ardhshëm të historisë së Kosovës dhe jo vetëm.
Pra mund të themi se nëse kapitulli që sapo u mbyll pati në faqen e tij të fundit flamurin shqiptar që u tund gëzueshëm në duart e shqiptarëve më 17 shkurt, kapitulli që vjen u hap me flamurin që u shpalos me duartrokitje të imponuara në Parlament që paraqet hartën me të verdhë të Kosovës në një fushë blu ku spikasin gjashtë yje që simbolizojnë gjashtë etni që banojnë në Kosovë e që ilustrojnë deklaratat e Thaçit e Sejdiut se Kosova është një shtet multietnik. Është mëse e qartë sot për sot se ky flamur është një flamur i imponuar që as shqiptarët dhe as serbët nuk e njohin si të tyrin. Është po ashtu e qartë se BE po tenton të ndërtojë një shtet ideal multietnik në një territor ku realisht mbizotëron kultura nacionaliste dhe shumë urrejtje e frustrime etnike. Mjafton të shikosh se sa identifikohen bosnjakët muslimanë, kroatët, serbët e Bosnje Hercegovinës me flamurin e imponuar nga Perëndimi për të kuptuar se sa e vështirë do të jetë kjo edhe në Kosëvë. Është po ashtu e qartë se vetë Evropa ka brenda saj sfida të forta me tendencat nacionaliste e separatiste që e godasin brenda saj projektin ideal që ajo ka për veten dhe Ballkanin. Madje mu sepse rasti kosovar mund të kthehet në një bumerang për vetë projektin evropian, pasi mund t’i hapë rrugën një reaksioni zinxhir lëvizjesh nacionaliste e separatiste, ai është kundërshtuar jo pak në Evropë ose është trajtuar si një rast i veçantë.
Prandaj çështja e shkrimit të kapitullit të ardhëshme të librit që sapo u hap lidhet pikërisht me fatin e këtij flamuri. A do të arrijë ky flamur të bëhet flamuri i të gjithë nënshtetasve kosovarë, shqiptarë serb e me rradhë, me të cilin ata do të identifikohen sinqerisht duke futur në Ballkan frymën post nacionaliste evropiane apo historia do të marrë rrjedhë tjetër? (Korrieri, 19 shkurt 2008)

No comments: