Wednesday, November 14, 2007

Çështja pas Sollaku

Që Sollaku nuk mund ta kishte të gjatë, pas zgjedhjes së Topit president, këtë e kanë pasur të qartë edhe ai edhe socialistët vetë. Tërë ajo betejë për presidentin, u tha që në krye të herës, ishte betejë për kryeprokurorin. Çështja tashmë éshtë çfarë do të ndodhë pas Sollakut. Dhe, për të kuptuar se kjo nuk është një çështje ashtu dhe aq e lehtë, përkundrazi mjaft e komplikuar, mjafton të ngresh pyetjen: cili është ai bir nëne që do të pranojë të zerë vendin e Sollakut? Dikush mund ta ironizojë këtë pyetje si naive duke treguar se, që tani, është bërë pafundësisht e gjatë rradha për kryeprokror tek dera e Topit dhe Berishës. Ka madje nga ata që thonë se njerëzit paguajnë qimet e kokës që të bëhen kryeprokuror; ka të tjerë që të flasin për grupe të caktuara interesi të gatshëm të paguajnë edhe ata shuma të mëdha, sepse ky është një nga bizneset më fitimprurëse. Ka mundësi që të ketë një rradhë të gjatë kësisoj, në gjuajtje të karrikes së Sollakut, por, kur e ngrita pyetjen, e kisha fjalën për një tjetër rradhë, që më duket se është, në mos bosh, thuajse e tillë. E kam fjalën për një rradhë virtuale me ata njerëz (në këtë rast juristë) me integritet që do të zinin vendin e Sollakut me synimin për të bërë atë që paraardhësi i tij nuk ka guxuar, nuk ka mundur, nuk ka dashur të bëjë, e për të cilën edhe po shkarkohet: lufta kundër korrupsionit. Sepse për këtë është akuzuar e po hiqet Sollaku.

Kur e shtron këtë pyetje askush nuk ka nevojë të mendojë më shumë se një gjysëm sekonde për të të dhënë përgjigjen se gjetja e një figure të tillë është një punë për të cilat shpesh themi: “që s’bëhet”. Po atëhere çfarë do të ndodhë? Mos duhet të linim Sollakun përderisa nuk gjejmë dot një figurë të tillë? Gjykoj se jo ndonëse duke thënë këtë “jo” ndjej përgjegjësinë e dhënies së’ një përgjigjeje të ngarkuar me dilema jo të vogla. Po përpiqem, megjithatë, të jap disa argumente në favor të “jo”-së. Sollaku duhet të ikë para së gjithash sepse është përgjegjës përpara shqiptarëve për grabitjen që ata pësuan nga korrupsioni galopant gjatë kohës që ai ka qenë kryeprokuror, pra se ka favorizuar lulëzimin e sistemt të korrupsionit, por edhe për të provuar se sa është përgjegjësia e tij për këtë dhe sa e të tjerëve. Ai duhet të ikë edhe për arësyesn se në pozicionin anormal që kishte krijuar në raportet me institucionet kryesore të shtetit me të cilët është i detyruar të punojë, i presidentit, kryeministrisë, apo plicisë, ai nuk mund të punojë më normalisht. Por ai duhet të ikë edhe thjesht për të vënë në provë Berishën dhe të tijtë, Argumenti se ai këmbëngul të rrijë atje për të na ruajtur lirinë dhe pavarësinë e institucionit fut ujë nga të katër anët se vetëm liri e pavarësi nuk ka patur ndonjëherë ai institucion. Né të vërtetë institucioni i Sollakut ka qenë “i biruar” nga shumë gozhda që e kanë mbajtur të mbërthyer. Kémbën dhe dorën e majtë ai e ka pasur të gozhduar tek PS-ja kurse ato të djathtat tek PD-ja, por nuk i kanë munguar edhe gozhdë të tjera që i janë ngulur nga ata që kanë korruptuar vetë institucionin e tij. Në këto kushte ai ka « meritën » se e ka mbajtur në minimo atë që mund të quhet instrumentalizim i institucionit të tij nga politika. Por s’mund të mohoet se me mosveprimin e tij ka favorizuar ish mazhorancën sepse gjatë kohës që PS ishte në pushtet PD e ndërtoi opozicionin e saj kryesisht mbi akuzat për korrupsion, të cilat nuk gjetën jehonë tek kryeprokurori, kurse gjatë kësaj periudhe që PD është kthyer në pushtet ai e ka penguar të realizojë premtimin e saj, kurse së fundi, me veprimet e tij, po synon përsëri të godasë PD-në duke krijuar dukshëm një instrumentalizim të institucionit çka është edhe një argument më shumë pse ai nuk mund të qëndrojë më në atë vend. Le t’i kthehemi tani anës tjetër të dilemës. Ndaj pyetjes a mund të kemi ne një jurist në krye të Prokurorisë që të ndërtojë një institucion të çliruar nga instrumentalizimi politik është naivitet të përgjigjesh « po »? Sepse nuk bëhet fjalë që Topi mund të verë gishtin tek ndonjë jurist me integritet dhe ai menjëherë do të pranojë i lumtur që do t’i shërbejë vendit. Gjasat më të mëdha janë që pikërisht njerëzit me integritet, që do të duhet të zinin atë vend, të mos e zenë atë, ose nga frika e gozhdëve që do t’i lidhnin tek PD-ja, ose pse nuk duhen njerëz të tillë. Ka pra më shumë gjasë që ta pranojnë pikërisht ata që s’kanë integritet e që mund t’i japin me qejf dorën dhe këmbën e djathtë PD duke i lënë të lirë dy të tjerat për të goditur majtas. Kjo edhe për arësyen e thjeshtë, të thënë dhe stërthënë, se e tillë është klima që kanë krijuar dy partitë kryesore nëpërmjet politikës “po nuk je me mua je me kundërshtarin tim”. Edhe Krishti vetë sikur të zbriste socialistët do t’i thonin ik se je vegël e Berishës. Éshtë një politikë që synon bash disintegrimin e personalitetit të kujtdo që do të guxonte të vinte bythën në karriket institucionale që propozojnë ata. Të shpresosh se mund të gjesh një njeri të ndershëm e të drejtë e të pavarur në mes të kësaj politike është njëlloj sikur të shtrosh pyetjen: a ka shpresë të mbesë i pacënuar një njeri që jeton në mes të ujqve ? Ai ose do të tentojë të kapet diku ose do të thyejë qafën. Kryeprokurori do të tentojë të kapet tek partitë politike, tek bizneset e mediat e fuqishme, tek ndërkombëtarët e fuqishëm, ndoshta edhe tek kapobandat e fuqishëm, por vetëm tek ligji do ta ketë vështirë të mbetet i kapur sepse tek ne ligji është ende filli që këputet më lehtë. Po t’i shtojmë kësaj faktin se vetë prokuroria si institucion, e ka shfrytëzuar pavarësinë e saj relative nga politika, në mënyrë të atillë që të lulëzojë abuzimi me pushtetin e prokurorëve, pra se edhe vetë prokuroria, ashtu sikurse edhe partitë politike, është një nga hallkat e sistemit të korrupsionit, bëhet edhe më e vështirë gjetja e dikujt që, i vetëm, të bëjë mrekullira. Megjithatë prap them se është më mirë që të hiqet Sollaku. Po të kesh parasysh edhe karrierën e tij, Sollaku, në atë kryqëzim të shumëfishtë, ishte qingji i mirë që arriti të thithë shumë nëna për një kohë shumë të gjatë. Ai u bë simbol i ruajtjes së një statukuoje degjenerative. Ikja e tij do të nxjerrë edhe më në pah nevojën e një ndryshimi në krejt sistemin politik, jo thejshtë në drejtësi. Ikja e tij do të nxjerrë edhe më në pah se i famshmi sistem i ngritur i korrupsionit nuk funksionon vetëm në sajë të të korruptuarve, por edhe korruptuesve dhe se kush mendon se mund të luftojë atë duke goditur vetëm të korruptuarit e duke ruajtur lidhje të mira me korruptuesit do të diskreditohet shumë shpjet. Po ashtu, gjithsesi, më mirë të ikë Sollaku sepse kushdo që të vijë, pavarësisht varësive që përmenda, pas gjithë këtyre luftrave që janë bërë, nuk do ta ketë ashtu dhe aq lehtë të bëhet vegël qorre e PD apo vetë Berishës sikurse thotë opozita, as mbrojtës i korrupsionit e të të korrupsutarve në pushtet. Besoj se lufta për prokurorin në të gjithë aspektet e saj është një luftë që ia ka vlejtur. Topi nuk mund të mos shtrojë sot me shumë seriozitet pyetjen se me cilin do ta zëvendësojë. Ai është shumë i vetëdijshëm se një gjë është që të kërkojë një prokuror që të ketë integritet e një gjë tjetër është të gjejë një prokuror të gatshëm për tu instrumentalizuar nga PD-ja. Pa harruar se nuk duhet të bëjë gabimin e zgjedhjes së një fotokopjeje të Sollakut. Si kryeargument për mosheqjen e Sollakut mbetet ai i rrezikut, të shpallur tashmë, se me një prokuror të instumentalizuar prej tij Berisha mund të luftojë opozitën. Është e vërteta se ai mund ta ketë të lehtë ta bëjë këtë, madje duke kërkuar respektimin e ligjit, sepse ka prova të mjaftueshme, që duken me sy, pa qenë nevoja të kalojnë në filtrin e prokurorisë, se shumica e opozitarëve të sotëm janë fajtorë pasi shkelës të ligjit dhe abuzues me pushtetin e djeshëm me pasoja të rënda. Dhe më e rënda, sipas meje, nuk do të ishte rënia e veprimit të ligjit mbi ta, por mbajtja nën shantazh, duke krijuar rrezikun e mbetjes me një opozitë të pafuqishme, ndërkohë që vendi ka nevojë për opozitë të fuqishme. Por a mos ka ardhur koha të ngremë pyetjen se ndoshta është më mirë të mos e kemi një opozitë të tillë të korruptuar prandaj dhe të kërcënueshme nga mazhoranca, një opozitë që tërë luftën politike e bën për vetveten dhe pushtetin e saj çka për vendin rezulton thjeshtë si një tentativë për të ruajtur sistemin e korrupsionit të ngritur prej saj ? Sepse, nëse bëhet fjalë për luftë ndaj korrupsionit, a mund të luftohet korrupsioni i demokratëve të sotëm pa u luftuar ai i socialistëve të djeshëm? Janë dilema të cilave nuk mund t’u japësh një përgjigje të prerë, por që synojnë, gjithsesi, të hedhin sadopak dritë mbi komplektistetin e çështjes pas Sollaku.(Korrieri, 13 Nëntor 2007)

3 comments:

bledarbregasi said...

Rendesi ka qe sistemi i mbajtjes penge te drejtesis nga Sollaku perfundimisht do marri fund. Nuk ka shum rendesi kush do vije ne vendin e tije, rendesi ka qe Sollaku i ardhshem te mos jet dinak dhe ta paralisoje drejtesin sic beri sollaku i tanishem. Per mua edhe sikur prokurori i ardhshem te luftoje vetem korrupsionin e te majtes, eshte gjithsesi gjysma e te keqes, sespe keshtu nis dialektika e luftimit te corrupsioni, ne fillim ti mua, pastaj une ty. Rendesi qe te luftojne kundrejt njeri-tjetrit dhe te eliminojne njeri-jetrin, sepse Sollaku deri tani i kishte siguruar te dyja palet se deri sa te ishte ai ne procurori asnjeri nuk do kishte probleme me dretesin..paqe legale me korrupsionin politik.

Per mendimin tim ky eshte edhe nje leksion i mire per Ramen, qe ne momentin kur duhet qe te distancohej dhe te eliminonte Nanon ne momentin e zgjedhjes se Presidentit, vazhdoi te rinte nen hijen e tije. Dhe ne vend qe te bashkpunonte me Berishen per zgjedhjen e presidentit u tregua kokefort, dhe i dha mundesin Nanons qe te bashkpunon ky i fundit me Berishen per zgjedhjen e presidentit, duke fituar dy here: nje here sepse me politike e vete dinake arriti te marri meritat e evitimit te zgjedhjeve te parakoheshme, dhe e dyta, arriti gjithsesi te krijonte nje opinion ne elektoratin e te majtes duke thene se ai è kishte akoma ne dore PS-ne, dhe faktet treguan qe Rama nuk ishte ne gjendje te kontrollonte komplet deputatet e PS-se.

Nuk jame ne gjende te theme se Nano kur i dha voten Berishes per presidentin, nuk i ka marr te gjitha sigurite e nevojshme nga Berisha, per te vazhduar situate e paqes legale qe Sollaku kishte siguruar deri atehere. Sepse Nano nuk eshte aq i pa vetedishem sa mos te kuptoje se nje prokuror i ri do te thote edhe rrezik per te gjithe ate sistem korrupsioni qe mbane ne jete klasen politike klientelare, dhe ne majen e te ciles qendron ai vete.

Pershendetje te gjtheve.

Anonymous said...

Mendoj se ceshtja e "luftes kunder korrupsionit" mund te studiohet duke analizuar marredhenien midis institucionit dhe fenomenit.

Ndaj me z. Lubonja nje qendrim te ngjashem lidhur me kompleksitetin, fragementizimin, dhe marredhenien e institucionit, Prokurorise, me aktoret e tjere sociale ne vend.

Problem interesant eshte te analizohet fenomeni i korrupsionit, i vendosur ne nje kontekst konkret, ne rastin tone ne Shqiperi. "Lufta kunder korrupsionit" perfaqeson me teper nje parrulle, qe ne rastin me te mire mund te kuptohet si princip. Kjo parrulle/princip nuk perkthehet domsdoshmerisht ne masa te vecanta, policy/legislative measures, qe duhen formuluar apo zbatuar. Ose me mire, egziston nje infinit numer masash qe mund te arsyetohen (reasoned) nen kuadrin e luftes kunder korrupsionit. Ceshtja qendron se kush do beje zgjedhjen e ketyre masave? Dhe nuk eshte mjaft te thuash se ceshtja e korrupsionit eshte dicka neutrale qe e zgjidhin ekspertet, perkundrazi. Dhe ketu topi kalon tek institucioni. Duke i shtuar analizes se z. Lubonja, dua te theksoj faktin e inegzistences te nje opinioni kritik nga jursidprudenca shqiptare qe mund te nxise nje fare simpatie/mbeshtetje nga baza/populli. Per fat te keq, mendimi dhe kuptimi i "te drejtes"/law ne vend mbetet ne nivelet e "shkolles fillore," si i karakterizuar nga nje perseritje shterpe e formulave/parrullave "ndertimi i shtetit ligjor" apo "respektimi i institucioneve te pavarur."

Pershendetje,

E.F.

P.S. Mund te korrespondoj me kenqesi me ju z. Lubonja lidhur me fenomenet qe diskutoni. Jam doktorant ne Boston, dhe mund te me kontaktoni tek ermalhls@yahoo.com.

P.S.S. Per interes, nuk e di nese e keni ndjekur, por me shpalljen e gjendjes se jashtezakonshme ne Pakistan, juristet ishin nga te paret dhe me vokalet ne protestat ndaj regjimit.

Anonymous said...

Zoti Lubonja!
duke u nisur nga konstatimet qe:

-kemi nje demokraci te brishte
- kemi nje demokraci te tronditur nga vitet e emigrimit, korrupsionit, vrasjeve, dhunes ndaj istituzioneve te pavarura dhe te varura
- kemi nje shoqeri te bazuar ne fise
- kemi parti te bazuar ne klane
- kemi kryeminister nje njeri i cili desh coi popullin shqiptar ne vella vrasje, i cili te vjell voten e lire e shume gjera te tjera qe ai i ka bere ne vitet 92-97 duke filluar nga shkaterrimi i sistemit gjyqesor, arsimin, mjekesine dhe cdo gje qe gjeti perpara.....i cili ne librat perendimor njihet si figure teper negative....etj (vitet 92- 97)
- duke ditur se si funksionon i tere sistemi shqiperi dhe duke vuajtur ne vite ne kurrizin e shqiperise dhe shqiptareve perqendrimet e pushteteve ne nje dore te vetme.....
a nuk do te ishte me mire respektimi i kushtetutes?

a nuk do te ishte me mire te behej nje reforme ne drejtesi dhe nje ndryshim ne kushtetuten shqiptare ku te percaktohej afati kushtetues i nje prokurori dhe me pas te largohej duke u bazuar ne kushtetute?

une vete as nuk e diskutoj qe prokurori eshte i korruptuar dhe duhet te largohej ashtu sic jane per tu larguar gati 99 % e prokuroreve dhe gjykatesve.

99 % e mjekeve dhe e pedagogeve marrin pare dmth qe jane te korruptuar....e shume kategori te tjera...

ne nje demokraci respektimi i kushtetutes dhe i ligjeve eshte themelor per funksionimin e shtetit....

i tere populli beson qe e majta por edhe e djathta jane shume te korruptuar dhe duhet te dini qe nqs fillohet te perdoret prokurori si strument i njeres pale eshte fundi i shqiperise....

nje shtet qe te funksionoj duhet qe istituzionet te jete te pavarur dhe ne equiliber....equilibri nuk ruhet duke shkuar te tere djathtas sidomos ne nje shoqeri si e jona e bazuar per fat te kesh ne fise...

gjithe te mirat