Monday, October 1, 2007

Zhvillimet në PS dhe kriza shqiptare


Dy nga sociologët më të njohur të politikës, Seyomur Martin Lipset dhe Stein Rokkan, duke shtruar çështjen e vazhdimësisë së sistemit të partive në Perëndim kanë formuluar teorinë e frakturave të mëdha, të cilës i referohen edhe sot analistët e sistemit të partive. Sipas tyre frakturat shfaqen në periudha ndryshimesh radikale. Në Evropë ndër më të rëndësishmet syresh janë frakturat që kanë sjellë ndërtimin e shteteve komb duke krijuar çifte frakturore të tilla si shtet/kishë, qendër/periferi si dhe ato të revolucionit industrial që krijuan çiftet frakturore borgjezi/proletariat, bujqësi/industri. Këto fraktura kanë gjeneruar edhe familjet kryesore të partive (liberale, konservatore, socialiste, komuniste, demokristiane, agrare, etno - regjionaliste etj.) të cilat janë kombinuar në mënyra të ndryshme në demokraci të ndryshme, duke e ngrirë sitemin e partive për një kohë të gjatë.
Nëse do të përpiqemi t'ia aplikojmë këtë teori realitetit shqiptar i cili ndryshon në shumçka prej zhvillimeve perëndimore, por megjithatë ka edhe të përbashkëtat e veta, do të duhet të kërkojmë "frakturat" apo "ndryshimet radikale" që kanë ndodhur në Shqipëri për të shpjeguar nëpërmjet tyre lindjen e partive. Rezulton se do të gjejmë tre momente ndryshimesh radikale që kanë krijuar lindje partish. Momenti i parë është ai i periudhës së mbarimit të Luftrave Ballkanike e pastaj Luftës së Parë kur lindi edhe shteti kombëtar shqiptar që nxorri në dritë edhe dy parti kryesore, një konservatore me rrënjë në klasën e bejlerëve latifondistë dhe një liberale progresiste me projekte modernizuese të cilat nuk mundën të bashkëjetojnë përtej vitit 1924 për shkak të autoritarizmit të Zogut.
Ndryshimi i dytë është ai i Luftës së Dytë që solli lindjen e partive komuniste dhe nacionaliste që përfundoi, po ashtu, siç e dimë, me vendosjen e diktaturës së partisë komuniste.
Fraktura e tretë është ajo e rënies së komunizmit që solli lindjen e PD në dhjetor të vitit 1990 dhe riciklimin e PP në PS.
Nuk synoj në këtë shkrim të bëj historikun e partive shqiptare, por desha të ve në dukje dy fakte që bijen në sy në kontekstin e frakturave në fjalë: së pari bije në sy mungesa e një bashkjetese dhe dialektike të vërtetë e jetëgjatë midis partive kundërshtare të lindura pas Luftës së Parë dhe asaj të Dytë, që e ka treguar degjenerimi shumë shpejt në monopartitizëm. Kjo duket se ka ardhur, mes tjerash, nga mungesa e frakturave të vërteta e të thella social ekonomike e kulturore, pasi ato janë provokuar kryesisht nga jashtè. Pra, tek e fundit nga fakti se këto parti nuk kanë patur mbështetje të gjera social ekonomike, kanë lindur më tepër si imitim i modeleve perëndimore, prandaj pas njè kohe shumë të shkurtèr njëra ka marrë përsipër të përfaqësojë gjithshka duke eliminuar tjetrën. Së dyti, faktin se gjithsesi mbizotërimi i dy partive kryesore që kemi në vend sot, PS dhe PD, lidhet me dy fraktura të mëdha dhe se mbijetesa e këtyre partive, megjithë dështimet që kanë pasur gjatë aktivitetit të tyre, duket se lidhet me këto dy fraktura që, tek e fundit, kanë përcaktuar dy përkatësi shoqërore bazë që edhe sot janë mbizotëruese në shoqërinë shqiptare. Kemi të bëjmë pra me fenomenin e ngrirjes së një pjese të mirë të elektoratit me njërën parti ose tjetrën dhe me një farë ngrirjeje të sistemit tonë partiak. Kjo ndodh sepse partitë nuk janë thjesht programe afatshkurtëra që i përgjigjen një periudhe e disa nevojave ekonomike, por janë grupime që i përgjigjen edhe një nevoje njerëzore për identitet dhe përkatësi, por edhe për një sistem vlerash ku të besojnë. E në këtë kuptim këto dy parti, për mirë dhe për keq, kanë mbushur boshllëkun e krijuar në dy frakturat e mëdha historike si ajo e Luftës së Dytë dhe ajo e rënies së komunizmit e sot mund të konsiderohen pjesë e një sistemi partiak hë për hë të ngrirë dhe pavarësisht se sa i kanë ruajtur apo kultivuar vlerat, përkatësia në to, megjithë rënien e madhe të numrit, ka mbetur dominante.
Fakti është se përpjekjet për krijimin e partive të reja gjatë periudhës postkomuniste, si Alenaca Demokratike apo si LSI më vonë, që u themeluan me premtimin se do të ruanin e kultivonin vlerat e tradhëtuara nga PD e PS e prandaj do të ishin më të preferueshme e do të meritonin të bëheshin ato parti të mëdha, kanë dështuar. Mossuksesi i tyre mendoj se lidhet edhe me atë se ato nuk kanë lindur në periudha frakturash të mëdha të cilat krijojnë edhe lëvizje të mëdha edhe emocione të mëdha shtresash të gjera. Ato më tepër kanë rezultuar në përpjekje për korrigjim, apo plotësim. Nuk mund të mohoet edhe fakti se dy partitë e mëdha, duke qenë për një kohë në pushtet (PS shumë më gjatë duke patur parasysh edhe peridhën e PP) kanë krijuar edhe historinë e cila, pa dyshim, ka ndikuar në rritjen e forcimin e identitetit tek njerëzit që kanë milituar në to, por edhe përfituar prej tyre. Shkaqet e mbijetesës së PS si vazhduese e PP sipas meje lidhen shumë edhe me gabimet e rënda të PD në vitet e para të pushtetit.
Por le t’i kthehemi realitetit të sotëm.
Duke iu referuar teorisë së ndryshimeve radikale që përmenda në fillim gjykoj se shoqëria shqiptare sot ka pësuar të çara të rëndësishme që paralajmërojnë krizën e një frakture që kërkon ndryshime radikale të politikës. Ka folur për nevojën e “ndryshimeve radikale”, qoftë në partinë e tij qoftë në politikë në tërësi, edhe lideri aktual socialist Edi Rama. Ndërkaq çështja shtrohet: Si mund të kryhen këto ndryshime? Megjithëse idealisht shumëkush, duke përfshirë edhe autorin e këtyre rradhëve, do ta kërkonte lindjen e një partie apo më saktë dy partish të vërteta të qendrës së majtë dhe të djathtë, duket se momenti nuk vjen dot aq lehtë në një shoqëri si kjo e jona.
Duket se këtë plogështi të shqiptarëve tashmë e kanë fort të qartë sa nga historia njëshekullore aq edhe nga ajo e tranzicionit edhe liderët rivalë Nano dhe Rama që sot nuk tentojnë të krijojnë më parti të reja siç bënë Ceka e Imami me Aleancën Demokratike apo Meta me LSI, por ngulmojnë me çdo kusht të mbeten në PS duke pretenduar se kjo duhet të jetë subjekt i ndryshimit të vetvetes dhe njëherësh i ndryshimit radikal të politikës (sipas Ramës) ndërkohë që sipas Nanos do të duhet të kthehet në kohën e artë të tij për ta kryer misionin e saj ndaj vendit.
Në mungesë të ndonjë frakture që do të lindte parti të reja duket se rruga e reformimit të dy partive të mëdha mbetet më realistja për t’iu përgjigjur krizës. Por a po ndodh një gjë e tillë në PS ku po diskutohet hapur për këtë çështje? A jep shpresa aktiviteti i ethshëm i Nanos dhe Ramës kundër njëri tjetrit gjatë shtatorit se PS po tenton t’i përgjigjet nevojës që ka politika për të dalë nga gjendja e dështimit të këtyre 17 vjetëve?
Që Shqipëria është në krizë këtë e pohojnë të gjithë. Ajo ka ndërtuar një kapitalizëm që funksionon si mbretëri e informalitetit, klientelizmit e ekonomisë kriminal. Asaj i mungon një gjyqsor i pavarur, i pakorruptueshëm dhe efikas. Ajo e ka sistemin arsimor dhe shëndetsor në gjendjen më të mjeruar që mund të imagjinohet. Mungesa e dritave, e ujit, shtrenjtimi marramendës i jetesës shoqëruar me ndjenjën e pasigurisë në të ardhmen dhe me një depresion të madh shoqëror ka bërë që thënia e vjetër “ky vend nuk bëhet” të duket sikur po merr konfirmimin përfundimtar. Në këtë kontekst Shqipëria është në krizë edhe përsa i përket vlerave të tilla të së majtës si ato të barazisë së mundësive, të solidaritetit, të mbrojtjes së publikes, të ambjentit, të sigurisë shoqërore.
Duke pranuar se sistemi ynë partiak është hë për hë i ngrirë dhe duke parë çfarë po ndodh në PS nuk mund të mos shtrohet pyetja: a mundet t’i përgjgjet kësaj krize reformimi i dy partive tradicionale apo duke qenë vetë burimi i krizës ato nuk mund të bëhen edhe kuruesit e saj, prandaj duhet të presim frakturën dhe lindjen e një politike të re? Sipas meje deri më sot po shohim tentativa të rrejshme/mashtruese për të na nxjerrë nga kriza, nga të dyja palët, por ama që, edhe për këtë, ato shërbejnë për ta nxjerë edhe më në pah krizën. Edhe kjo që po ndodh në PS me protagonistë Nanon dhe Ramën është një gjë e tillë. Nuk ka shenja se dy liderët e PS, i vjetri dhe i riu, po punojnë që t’iu përgjigjur kësaj krize. Lufta midis Nanos dhe Ramës mbetet më shumë një luftë e politikës mes vetes ashtu sikurse është një luftë e politikës mes vetes edhe ajo midis opozitës dhe mazhorancës. I gjithë aktiviteti politik i Ramës së fundi po ndërtohet mbi denoncimin e së keqes, mbi premtimin se do të na shpëtojë nga tjetri (e gjithë politika) që është shkaktari i saj. Mirëpo tani kjo tingëllon si retorikë boshe. Rama nuk vjen nga shoqëria civile kritike ndaj politikës siç erdhi në 1998. Ai ka tetë vjet në majat e PS në pjesën më të madhe të së cilës kjo ka patur edhe pushtetin qendror përveç atij lokal. Strukturat dhe njerëzit që kanë pjellë krizë u ngjizën në atë kohë dhe, në mos kryesisht, edhe prej tij pasi ai, sipas vetë Nanos së asaj kohe, konsiderohej si “modeli socialist” i qeverisjes. Mjafton të kesh parasysh se premtimi i parë i Ramës kur u bë kryetar bashkie, para shtatë vjetësh, ishte plani urbanistik të cilin ende nuk e ka kryer pikërisht për shkak se strukturave të ngritura të ekonomisë dhe pushtetit të tij arbitrar nuk u leverdiste hartimi i tij, për të mos i besuar. Ndërkaq Nano e ka kthyer edhe më prapa problemin e PS. Ai thotë se ajo me Ramën po humbet edhe atë pak demokraci të brendshme dhe se është kthyer në instrument oligarkësh. E një parti pa demokraci të brendëshme e në duar oligarkësh nuk mund t’i përgjigjet krizës. Por a nuk është edhe Nano një i tillë i ngritur dhe mbështetur prej të tillësh?
Sot që të dyja partitë, PD dhe PS, kanë një kohë thuajse të barabartë qeverisjeje gjatë këtyre 16 vjetëve. Njerëzit i kanë provuar të dyja dhe nuk i besojnë asnjërës. Ata nuk kanë më kë të akuzojnë për mungesën e dritave e të ujit e kë të mbështesim me shpresën se do tua sjellë. Njerëzit tashmë janë më të qartë se kurrë se kjo është një politikë që merret me vetveten dhe interesat e saj duke bërë sikur flet për hallet e tyre. Ata janë të stërlodhur duke parë opozitat të denoncojnë se sa keq po shkojnë punët, por pa dëgjuar një opozicion të vërtetë të bazuar mbi një vizion tjetër mbi shoqërinë, e mbi të gjitha pa parë shembuj që ta inspirojnë këtë kur këto opozita marrin pushtet.
Duke iu referuar teorisë së frakturave dhe nivelit sipërfaqësor të tyre në historinë shqiptare nuk mund të mos gjykosh se një nga shkaqet pse partitë tona merren me vetveten e tentojnë ta elimonojë kundërshtarin (paçka se jo në nivelet e regjimit të Zogut e atij komunist) është edhe fakti se fraktura e viteve 90 në shumë aspekte, veçanërisht ekonomiko sociale, ishte superficale. Kjo ka bërë që edhe të mos ketë dialektikë të vërtetë midis dy partive kundërshtare që të çojë në progres. Mirëpo kanë kaluar tashmë 16 vjet dhe të çarat e filluara në vitin 1991, që po përgatisin një frakturë, janë thelluar. Kriza e sotme e politikës është edhe shenjë e paaftësisë së saj për t’iu përgjigjur këtyre të çarave. Duke mbetur tejet mosbesuese për zhvillimet në PS, por duke pranuar se realiteti ynë vështirë se mund të transformohet pa transformimin e dy partive më të mëdha, mendoj se reformat në PS duhet të bëhen në funksion të përgjigjes ndaj krizës që kalon vendi. E kjo nuk mund të bëhet pa njohur përgjegjësitë që ka kjo parti dhe udhëheqja e saj për këtë krizë. Ato po ashtu duhet të synojnë më në fund fillimin e funksionimit normal të dialektikës qendër e majtë qendër e djathtë si përgjigje edhe e të çarave social ekonomike e kulturore që ka krijuar ky tranzicion tejet traumatik. Përndryshe duhet të presim që këto të çara të çojnë në frakturën e madhe e cila gjithsesi duhet të na gjejë më të përgatitur se herë tjetër. (Korrieri, 30 shtator 2007)

2 comments:

edrus said...

Është e adhurueshme pëpjekja e autorit për të mos prekur atë 'vijën' e tij të faljes dhe si gjithmonë analiza e tij është mjaft e saktë.
E saktë deri sa të flasim me mentalitetin e atyre që jetën e tyre e kanë parë vetëm nëpërmjet ngjyrave kuq e blu që kanë monopolizuar politikën shqiptare, dhe, në këtë pikë më bije të kundërshtoj autorin: JO, unë nuk ndihem i përfaqsuar as nga njëra dhe as nga tjetra parti, dhe kjo jo vetëm për dështimet e tyre në drejtimin e vëndit në këto 17 vjet, nuk ndihem i përfaqsuar, sepse megjithëse në letër që të dyja deklarojnë të jenë 'pishtarë' të vlerave morale, të shqetësimit social dhe të "hapësit të rrugës drejt Europës", në fakt e gjithë politika e tyre është shndërruar në luftë për pushtet.
I them JO autorit, edhe sepse mjaft të rinj e të reja, me rritjen e pjekurisë politike tashmë, kërkojnë drejtësi sociale dhe shtet ligjor(ti quaj pikpamje të majta??) për të varfërit por jo domosdoshmërisht këtë ta shikojnë jashtë kontekstit të një ekonomije kapitaliste(duhet të jetë e djathtë besoj)dhe këtë me një frymë tolerance dhe me respektin ndaj njeriut,besimit dhe lirisë së veprimit në një shtet ligjor të të gjithëve.
Nëse këtë grup autori do të arrinte ta shikonte në ndonjërën parti shqiptare, do të thoja se elektorati shqiptar ka humbur një rast të madh nëse nuk e ka votuar deri më sot, por nëse nuk është në gjëndje që ta 'sistemojë' në asnjë krah, atëhere herë tjetër të mendojë dhe për ata të paparti-të ... që fare mirë mund të jenë alternativa e kësaj politike të korruptuar,që gjatë kësaj periudhe ka treguar se është pa vizion politik, pa programe ekonomikë dhe pa ideale.

bledarbregasi said...

I dashur Fatos,
Komplimente per kurajon qe tregon kur aventurohesh në probleme si është ai i lindjes dhe formit te sistemit të partive, sepse është nje terren i ngusht akademik ku nuk besoja se një opinionist mundë të lundronte në këto ujëra. Megjithatë desha të bëja një preçizim të vogël. Lindja dhe zhvillimi i sistemit të partive është e lidhur ngushtë me proçesin e "Nation building", çka do të thotë që, mënyra se si nis dhe zhvillohet proçesi i "Nation buiding" kondicionon edhe natyrën e sistemit politik qe shteti nazional adapton më vonë, pasi është përfunduar të pakten faza kushtetuese e "Nation building", d.m.th. pasi është arritur pavaresia dhe ato karakteristika te tjera bayë, që bëjnë të mundur ekyistencën dhe njohjenë e tijë nga komuniteti ndërkombetarë.
Shqipëeria është një nga vëndet e fundit që u shkëput nga perëndoria Otomane, pikërisht kur kjo po degradonte dhe nuk mun te garantonte më atë sigurese per Shqiperin që kishte garantuarë deri ne 1912. Shqiperia, dhe më shume influenza e intelektualëve shqipëtarë në diasporë atëhere e kuptuan rrezikun e copëtimit të Shqipërisë nga greku dhe popujt e tjerë sllavë dhe duke përfituar edhe nga dobësia e mbretëris Otomane, nisën betejën finale per "Nation building". Pra, nud të themi se, nëse bretëria Otomane do kishte vazhduar të jetonte e fortë si më parë, proçesi i krijimit të shtetit Shqipëtarë nuk dihet si do i shkonte fundi. Megjithatë, krijimii Shtetit Shqipëtarë në momentin e fundit të shkatërrimi te mbreteris Otomane, dhe i stimuluar nga rreziku grek dhe sllavë, dhe pa një lëvizje intelktuale për pavarësi nga brënda vëndit, por nga jashtë, është shumë domethënëse mbi impenjimin, dëshirën, interesat, formimin dhe ndërgjejgen politike te shoqërisë shqipëtare të asaj kohe për "Nation building". Për ta bërëmë të thjeshtë, Ismail Qemali, nuk arriti në shqipëri nuk gjeti nje popull të emancipuar politikisht, por gjeti një popull të ndarë akoma në çifligje, aq sa i pengonin kalimin neper territorin e vete edhe vet Ismail Qemalit. Kjo do të thotë se shoqëria shqipëtare e asokohe nuk mund te prodhonte ne gjirin e vetë, nje sistem politik origjinal, dhe që të pasqzronte interesat dhe identitetet e ndryshme qe kompozonin mozaikun e popullit shqipëtare të fillimit të viteve 1900. Mund të themi qe populli shqipëtarë u gjendë te përballej me një shtet që në fund të fundit nuk është që e kerkojë vetë dhe ishte i pregatitur da administronte, gjë që presupozon edhe krijimin e sistemit të partive. Pupulli shqipetarë i asaj kohe ishte A-Politik, dhe kete a-politizëm e mbart akoma edhe sot. Sistemi partiak i sotëm, për mendimin tim është thjesht nje incident i historise shqipëtare, dhe jo angazhim politik i shqipëtarëve
Me respekt Bledarb