Monday, October 8, 2007

Vetvrasje e heshtur që flet

Në median tonë u përdorën epitete me ngarkesë të fortë emocionale për aktin e vetvrasjes me djegie me benzinë të të riut me emrin Arjan në parkun pranë Tajvanit: “makabre” “tragjike” “e tmerrëshme” ishin disa nga epitetet që dëgjuam më shpesh tu vishen nga gazetarët skenave që pamë në televezor. U hamendësua shumë për identitetin e personit: nëse ishte një endacak, një i sëmurë psiqik apo njeri normal, (pavarësisht se është vështirë të bësh dallimin midis normales dhe anormales) dhe, po ashtu, edhe për motivet e vetëvrasjes që ndryshonin nga depresioni për shkak të braktisjes nga e dashura deri tek çmenduria. Nuk u tha ndonjë fjalë nëse akti i tij synonte ndonjë protestë të karakterit social ekonomik ndaj shoqërisë apo politikës sepse ai nuk lëshoi as edhe ndonjë thirrje kësisoj dhe nuk kemi dëgjuar të ketë lënë as ndonjë amanet. U tha, më së fundi, se motivin e vërtetë ai e mori me vete në varr.Vërtet ndoshta ai e mori në varr tërë atë që ka ndodhur në mendjen e tij për ta shtyrë deri në atë akt fatal, por kjo nuk do të thotë se shoqëria duhet të shohë tek ai një përjashtim të çmendur duke larë kësisoj duart. Vetë fakti që ne, si shoqëri, nuk arritëm të dimë as motivin tregon një gjë me siguri, se sa i vetmuar ka qenë personi në fjalë pasi dihet se një nga shkaqet më kryesore të vetvrasjeve është bash vetmia. Dhe vetmi do të thotë mungesë e lidhjes me të tjerët, mungesë e dimensionit social, mungesë e ndihmës së të tjerëve, tek e fundit. Vetminë e të riut Arjan, me fjalë të tjera mund ta përkthejmë edhe indiferencë e të tjerëve ndaj tij.
Më duket se vetminë apo indiferencën si dy anë të së njëjtës medalje e pamë në mënyrën më tragjike pikërisht në momentet e aktit fatal. Mbeti diçka shumë e rëndësishme pa u thënë lidhur me vetvrasjen e Arjanit. E kam fjalën për atë se sa pak përpjekje pamë të bëhen atje ku ndodhi ngjarja për ta shpëtuar atë njeri në momenin kur po vetëvritej. Ai u vetëdogj në një vend ku, po të shkosh, mund të gjesh vazhdimisht, ditë natë, me qindra njerëz. Po të kesh parasysh se sa shumë njerëz ka aty veçanërisht në atë orë ajo që pamë flet për një indiferencë të madhe. Vetëm një person u pa një sekondë të sakrifikonte batanijen e tij duke ia hedhur për ta mbështjellë teksa që ai po shndrrohej tashmë në pishtar. Sikur të tjerëve që janë ndodhur aty tu jetë dhimbur edhe një xhaketë apo një këmishë që mund të nxirrnin nga trupi për ta shuar. Kur iu hodh batanija pamë se kishte kaluar shumë kohë. Madje gjatë kësaj kohe dikush kishte pasur nge të ndizte videon e celularit dhe ta filmonte skenën.

Indiferenca e tregoi kulmin e vet të cinizmit mu tek personi në sajë të të cilit ne kemi edhe pamjet e vetë indiferencës. Duke parë ngjarjen nuk mund të mos ngresh vetmevete pyetjen: sikur të ndodhesh para një njeriu që po tenton të vetëvritet duke i vënë vetes flakën çfarë do të bëje? Përgjigja që të vjen natyrshëm është se do të bëje përpjekjen maksimale për ta shpëtuar ndoshta edhe duke mobilizuar të tjerët. Por ndoshta edhe mund të trembesh nga flakët e të fillosh të thërrasësh për ndihmë, por kurrsesi nuk besoj se do të nxirrja celularin ta filmoja skenën. Ndërkohë që një njeri digjet dikush, disa metra para tij, nuk bën gjë tjetër, por thejsht nxjerr celularin dhe e filmon. Mbi këtë fenomen mendoj se vlen të ndalet gjatë shoqëria e të diskutojë sepse në thelbin e vet ai ngre çështjen se çfarë shoqërie po ndërtojmë. Indiferenca ndaj tjetrit që e kemi pranë e që nuk e njohim deri sa digjet, madje që edhe kur digjet na intereson thjeshtë si lajm televiziv të cilin edhe e veshim me fjalë të forta, si “tragjike” apo “makabre”, por që i harrojmë të nesërmen, është një fenomen i përhapur në mbarë botën. Para disa kohësh një televizor i huaj dha pamjet e një njeriu të shkelur në rrugë ndërkohë që makinat kalonin përanësh pa ndalur. Jetojmë në një kohë ku kudo konsumizmi dhe individualizmi po ngrenë problemin e reduktimit të njeriut në një individ të vetmuar pa dimension social. Një turmë individësh kurrsesi nuk mund të quhet shoqëri. Zigmund Bauman së fundi e ka quajtur konsumizmin neoliberist ku individi punon thjeshtë për të fituar para që t’i konsumojë: “ideologjia pa ideal”. Ndoshta një nga aspektet e kësaj ideologjie është pikërisht pafuqia për ta ndryshuar botën e cila çon edhe në indiferentizmin ndaj tjetrit. Por me bindje them se shoqëria jonë, po e përjeton këtë fenomen në mënyrën më mizore. Mu si vërtetim i thënies se ekstremet puqen, ka kaluar nga kolektivizimi ekstrem në një individualizëm ekstrem. Në vitet e para të tranzicionit u mërzitëm shumë kur Amelio paraqiti në filmin LAmerica një skenë ku shqiptarët, në turravrapin e tyre të çmendur për të ikur e për të gjetur lumturinë personale, kalojnë sipër një të vdekuri. Kam përshtypjen se sot skena e Amelios do të na dukej lojë kalamajsh po të kemi parasysh se sa e çfarë kemi parë gjatë këtyre vjetëve, se me sa gjakftohtësi ka kaluar mbi të vdekurit e hedhur në kanal deri edhe vetë elita jonë postkomuniste. Por ky indiferentizëm ndaj tjetrit ka edhe një aspekt tjetër që vlen të komentohet. Atë se bashkësia jonë ekziston si e tillë vetëm nëpërmjet botës virtuale të televizionit. Njo botë paralele me atë realen që sikur kërkon ta mbulojë e ta zhdukë madje atë. Ngjarjen e Tajvanit ne e përjetuam nëpërmjet televizionit sikur ishte një “reality show”. Si diçka që ishte dhe nuk ishte. Sikur dalja në televizion e lajmit të kishte më shumë rëndësi sesa vetë ngjarja që u konsumua para njerëzve të vërtetë tek Tajvani. Kontakti që ne kemi me njëri tjetrin është vetëm ai që na jep ekrani. Të nesërmen ka një ngjarje tjetër, një vrasje apo vetëvrasje tjetër dhe ne kalojmë tek ajo duke e harruar atë që ndodhi dje. Bota virtuae e televizionit sikur mbush një përditshmëri të zbrazur nga jeta e vërtetë, nga mendimi dhe shqetësimi i vërtetë. Nuk mund të mos mendoje se sikur personi që e ka filmuar me celular njeriun që po digjej para tij të mos kishte as celular dhe as mendimin se nesër do të mund t’ia tregonte botës atë që kishte filmuar (nuk po shkoj deri në hamendjen vërtet makabre se teksa filmonte kalkulonte se sa do t’ia shiste atë ndonjë televizioni) do të kishte bërë shumë më tepër për ta shpëtuar të riun me emrin Arjan i cili zgjodhi një ditë të bukur tetori t’i vinte flakën vetes mu në mes të njerëzve që hanin e pinin në bar restorantet e shumta të Tajvanit ndoshta me shpresën se ata kurrsesi nuk do ta linin të vdiste. (Korrieri, 5 Tetor 2007)

7 comments:

Anonymous said...

Zoti Lubonja,

Veprimi i të ndjerit Arjan është një lajmërim e asaj se cfarë po ndodhë me ne—flaka është ndezur që herët—por ne mundohemi ta injorojmë. Keni dëgjuar se cfarë thonë shumica e shqiptarëve për ata djem-legena që merren me prostitucion, për ata mësues e pedagog që marrin para, për zyrtarët e korruptuar, për politikanët injorant e të korruptuar. Janë djem të zotë thonë, dhe kundërshtoi po të duash. E ke degjuar, kam idene që edhe ke shkruar, se cfarë thoshin për Nanon, i takon të vjedhe është kopil i zgjuar, di me ja u fut të gjithëve. Një mikun tim para disa vitesh e hoqën nga një post i rëndësishëm se nuk pranoi të shkatërronte kompaninë, dhe pa përjashtim të gjithë thanë që ishte i paaftë nuk mori ca para dhe të ishte rrgulluar por…. E zgjata si shumë; dua të them që Arjani na ka dhënë një shembull që duhet analizuar e përdorur si pasqyrë e asaj se cfarë po ndodh në shoqërine tonë. Sa keq me vjen për atë personin që ka ndezur kamerën dhe ka filmuar një neri që digjet e në të njëjtën kohë mendon që mund të bëhet i pasuar. Sa keq që nuk jemi larguar akoma nga mentaliteti komunist: t’ia fusim tjetrit që të rregullohemi vetë. OH SA KEQ PËR NE, OH SA KEQ …


Faleminderit,

SH

Bizantin said...

Filmimi me celular nuk tregon vetëm gjakftohtësinë e dëshmimtarit okular, jo vetëm shpirtin e tij të patrazuar, por, guxoj të them, edhe një anë të errët shijimi... Njësoj sikur ta kishte bërë vetë...

Shqiptarët hiqen se bëjnë shumë për njëri-tjetrin, por le të kujtojmë shprehen njësoj shqiptare:

"Kur je mirë, të gjithë të duan"...

bledarbregasi said...

I dashur Fatos,
"shqipërin e mori lumi, ju vu zjarrë" më shumë në kohën e komunizmit se sa ne kohën e turkut. Dhe më e keshja është se ne vazhdojme te digjemi pa e kuptuar dhe pa i bërë pyetje vetes "ku po na con kjo mënyrë jetese dhe kjo llojë shoqërie qe kemi krijuar dhe në të cilën po jetojë. Cili është qëllimi jonë në këtë botë? A mund ta nrdyshojmë këtë botë?? Nganjëherë nuk duhet shumë kohë për të reflektuar dhe kuptuarë se cfarë duhet të bëjmë për të përmisuar shoqërin tonë.
Por shqipëtarët akoma nuk arrijnë të kuptojnë që në 1999 ndryshuam vetëm regjimin por jo shqipëtarët. Tani që bëmë ndrushimin e regjimit duhet të bëjmë shqipëtarët. Ky është objektivi më i madhe për klasën intelektuale [që për mendimin tim kjo e fundtit në Shqipëri nuk ekzistonë]. Edukimi i shoqërisë për nje jetë sociale e civile.....për këtë duhen investuar shumë pasuri inteluktuale e financiare....

Përshëndetje
bledarb

edrus said...

Dhe kafshët për të mbijetuar janë organizuar në kope... ne kërkojmë që të ndahemi dhe të shijojmë 'lirinë' personale.

P.s:Bledar,ti thua: "tani që bëmë ndryshimin e regjimit, duhet të ndryshojmë dhe shqiptarët", më duket se e ke kuptuar një çikë gabim, sepse do ishte më e saktë po të thoje që: Pasi ju dhurua pushteti kastës politike të sotme, ata për të treguar vullnetin e tyre për të shkatërruar gjithçka nga e kaluara, shkatërruan dhe atë ndjenjë miqësie dhe solidariteti që shqiptarët e kanë patur gjithmonë në gjak ndërmjet tyre.

bledarbregasi said...

I dashur erdus,
ndoshta nuk u shpreha qartë...megjithatë unë më sipër nuk përdora fjalën të "NDRYSHOJMË" shqipëtarët, por të "BËJMË" shqipëtarët dhe me këtë desha te thosha, që nje regjim demokrat për të funksojuar ka nevojë per një shoqëri që të jete e njeshme dhe pjesmarrëse në jetën demokrate e këtijë regjimi. Ne si popull mund të kemi shumë tradita te mira por pak na kane ndihuare per te bërë regjimin tonë demockrat të funksionojë mirë. Vlerat e mira e një populli, nëse këto ekyistojë, dalin vetë në dukje në mënyre natyrale, nuk ka nevoje që ne të përsërisim gjithmonë që ne jemi një popull, bujarë, trim, paqedashës apo mikëpritës dhe me ndjenja solidariteti. Ne si popull kemi (për mendimi tim)nje koshence të fallsifikuar nga regjimi i mëparëshëm, i cili na mesojë dhe edukojë të thurim lavdërime, legjenda dhe poesi vetvetes por asnjëhere të kritikponim vetveten.

Zakonish karakteristikat e një personi apo një populli dalin në evidencë në raportet dhe mardheniet që personi apo populli ndërmerr me perona apo popull tjetër, d.m.th. është në këtë mënyrë që një person apo popull njehë vetveten...kur hynë në raport me një tjetër. Ne jemi, mesa di unë, i vetmi popull në botë që kemi ndërtuar një autoportret tonin në mënyrë krejt autonome, dhe pa e venë asnjëherë këtë autoportret në prove per 50 vjetë, sepse ishim të izoluar TOTALISHT, për shkak të totalitarizmit nacionale që ne eksperimentuam per 50 vjetë. Në, si popull, filluam të njohim relisht veten tonë pas viteve 90, sepse vetëm matëherë ne filluam të hyjmë në marëdhënie me popujë të tjerë dhë natyrisht filluamë te bëjmë krahësime të kuptojmë se miqësia dhe bujaria mund të jenë vlera universale e nuk i përkasin vetëm shqipëtarit....
Megjithatë, tani na duket siku ne ishim njëherë e një kohe të drejtë, bujarë, mikëpritës etj, por na degjenerojë kjo klasë politike në këto 17. Tani, ti ERDUS thua që kemi qënë një popull me ndjënja miqësore dhe solidariteti dhe se këto ndjenja na i shkatërroi klasa politike gjat këtyre 17 viteve...por nuk duket shumë llogjikë ky arsyetim, sepse nje popull që ka ne gjak disa vlera culturore, zakonish arrin ti trashëgojë keto nëpër breza dhe gjenerata sepse ëstë e pa mundur që një popull të arrijë të modifikojë backgoundin e vetë kultural në mënyre krejt natyrale per 17 vjetë për shkakë te keqë qeverisjes nga ana e klasës politike. Dhe pikërish, për këtë arsye që një popull nuk arrinë të ndryshonë në mënyre NATYRALE vlerat dhe pasurinë e vetë culturore për 17 vjetë që ne duhet në mënyre ARTIFICIALE të investojme në asrim, culture, politikë, media, ambjente pune dhe familjare për të ndërtuar shipëtarin e democrazisë, i cili duhet të jetë dicka më shumë sesa miqësor dhe solidarizues, duhet të jetë ne radhe të parë civil, që do të thote, respekt per tjetrin. Të përorësh LIRINË në menyrë civle do të thotë që "liria ime mbaron aty ku fillon dhe cenohet lirin e tjetrit", sepse miqësor dhe solidarizuhes me njeri tjetrin janë edhe kafshët nganjëhere por nuk arrijne të jenë civilë. Për mua "liria" pa "shoqëri civile" është anarki, pak a shumë ajo qe po ndodh ne Shqipëri..Për të mos e zgjatur shumë ne duhet të investojme per të ndertuar shqipëtarin e demokracisë në mënyre që ky të jetë në gjendje të ndërtojë një shoqëri civile dhe jo anarki si kjo që kemi sot. Dhe të ndërtodh një shoqëri nuk do të thotë të eliminojmë culturën dhe vlerat që kemi, por duhet te pasurojme në menyre objektive ate që kemi me kurajo kritike dhe duke lënë pasë mitologjinë e regjimi 50 vjecare që pershkruante shqipëtarin si njeriun idealë.
Erdus, shpresoje te kemë qënë i qartë, sepse nuk arrije te kuptoje arsyen për tlë cilën më thua që e kam kuptuar një çikë gabim.
Pershndetje.
Bledari

edrus said...

"Për mua "liria" pa "shoqëri civile" është anarki"... I ke thënë të gjitha Bledar.
Dhe pikërisht, qoftë artikulli, por, qofshin dhe lajmet që përditë dëgjojmë nga Shqipëria, s'më lenë që të besoj se po bëhen përpjekje (pa dashur të profanoj emrin e këtij blogu) që të formohet një shoqëri civile... në mos të paktën e edukuar.
Dhe shoqëria civile nuk bëhet vetëm me përvojën e atyre që rrojnë ose vijnë që nga jashtë Shqipërisë, por në rradhë të parë Atje, dhe në rradhë të parë nga shkollat (mos u gënje nga numri i universiteteve që po e kalon numrin e shkollave 8vjeçare) që lënë për të dëshiruar, ashtu siç varet dhe nga EDUKATA dhe CIVILIZIMI i kastës drejtuese... dhe nëse kemi arritur deri aty që të mendojmë më parë të nxjerrim celularin për të filmuar se sa të bëjmë diçka për të shpëtuar NJË JETË, kjo do të thotë se Ato ikona nga të cilat prisnim shembullin e civilizimit... na kanë sjellë shembujt më të këqij.

P.s: Kujtohu herë tjetër që qwerty e italishtes, kur kalon në shqip, është kollaj të ngatërrosh z me y si dhe 'c' nuk ka të njëjtën vlerë dhe në shqip ;)

bledarbregasi said...

I dashur edru,
ke shumë te drejtë kur thua që numëri i universiteteve në shqipëri, për fat të keq nuk është indikator i ritjes së cilësisë së arsimit...e kemi kthyer edhe dijen në biznes pa asnje llojë etike....

falemiderit për vërejtjen me vend për gabimet që bëjë kur kalojë nga italishtja në shqipë...por ngaqë shkruaj pak në shqipë më ndodh të gabojë...po megjithatë mendojë se është çështje praktike...duhet të shkruajë më shpesh ne shqipë...dhe Lubonja me këto artikujt e vetë po na nzitë dhe ndihmonë në këtë drejtim..
Pershendetje Bledari.