Monday, October 29, 2007

Reforma në drejtësi si maskë e dyfishtë

Togfjalëshi “reforma në drejtësi”, që po hap e mbyll lajmet e ditëve e që është bërë molla e sherrit e Parlamentit, si ana tjetër e medaljes së çështjes Sollaku, përmban brenda vetes një nga paradokset tashmë bajate të politikës shqiptare. E kam fjalën për atë se më një anë ky togfjalësh nuk është tjetër veçse një enë të zbrazët pa vlerë kurse, nga ana tjetër, bytha e kësaj enë të zbrazët, shërben si një maskë me shumë vlerë për fytyrën e politikës sonë.
Le ta shpjegoj metaforën. Ka kaq kohë që dëgjojmë të flitet për reformë në drejtësi. Madje ka edhe një komision parlamentar të përhershëm që merret ose më saktë duhet të merret me të. Por ja që përtej këtij togfjalëshi askush nuk di të thotë se për çfarë bëhet fjalë. E vetmja ide konkrete që dëgjojmë të thuhet lidhur me nevojën e reformës në drejtësi është nevoja që posti i kryeprokurorit të mos jetë i përhershëm, sikurse është, sepse kështu kemi krijuar një institucion të pakontrollueshëm dhe, lidhur me këtë, se strukturat e kompetencat në Prokurori janë tepër të prqendruara në duart e kryeprokurorit. Pak ide të tjera konkrete qarkullojnë e mbi të gjitha kurrsesi nuk mund të thuhet se ekziston ndonjë projekt qoftë i mazhorancës qoftë i opozitës. Dhe faktin që nuk ka gjë tjetër e provoi edhe Ylli Bufi i socialistëve i cili, vetëm dy ditë më parë, duke folur për reformën në drejtësi, tha se reforma në drejtësi nuk duhet të fillojë me Sollakun, por me “skanimin” e problemeve në drejtësi. Pra opozita nuk paska identifikuar as problemet e jo më që të ketë ndonjë projekt qoftë edhe të papërfunduar për atë se si mund të punojë më mirë drejtësia në Shqipëri. Duket sheshit se edhe mazhoranca, përveç nevojës së kufizmit të mandatit të kryeprokurorit e ndonjë ndryshimi në strukturat e prokurorisë nuk duket të ketë ndonjë ide tjetër. Mendoni se sa kohë do të na duhet të identifikojmë problemet, pastaj të gjejmë variantet e përmirësimit, dhe më në fund të hartojmë korrigjimet apo reformimet e t’i debatojmë ato në Parlament. Madje para këtyre duhet përcaktuar edhe filozofia e kësaj reforme. Se ndryshe do të kishte qenë puna sikur psh. të hidhej në tryezë një projekt që kërkon kalimin e prokurorisë nën vartësinë e ekzekutivit.
Nuk do shumë mend, ose më mirë të them duhet të jesh shumë budalla, për të mos kuptuar se “reforma në drejtësi”, për të cilën flet edhe Topi edhe mazhoranca edhe opozita, nuk është tjetër veçse një enë bosh e cila vlen, me anën e saj të pasme, si maskë për ta vënë në fytyrën e tyre politikanët tanë. Për demokratët “reforma në drejtësi” shërben si një maskë për të mbuluar me të synimin e heqjes së Sollakurt, për socialistët ajo shërben po si një maskë, por e synimit për të ruajtur Sollakun, kurse ka gjasa që për Topin të shërbejë si një maskë për t’u disatancuar e mbrojtur nga të dy palët. Dhe kjo shpjegon pse askush nuk e ve ujin në zjarr për ta mbushur sadopak me ide konkrete këtë enë; sepse ajo vlen, si maskë, pikërisht për boshësinë e saj. Që drejtësia jonë ka nevojë për të ndryshuar kjo është e qartë për këdo. Por ndërkaq të gjithë e dimë se ajo që ne na ka penguar për të na shkuar punët mbarë, për të patur pra edhe sadopak drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit nuk është mungesa e ligjeve dhe reformave, por mungesa e respektit për to. Madje edhe argumenti i nevojës së një reforme në drejtësi sepse kemi një ligj për prokurorinë që i garanton Prokurorit të Përgjithshëm përhershmëri dhe shumë kompetenca nuk më duket se qëndron ashtu dhe aq. Sipas ligjit që kemi Parlamenti mund ta pushojë nga puna Prokurorin e Përgjithshëm. Përndryshe pse flitet për komisionin parlamentar Sollaku 1 dhe 2? Por edhe sikur të bëjmë një ligj sipas të cilit kryeprokurori të zgjidhet një herë në pesë vjet e kompetencat e tij të shprndahen m mir nuk besoj se kjo mund të ndikojë që të kemi ndryshime thelbsore në luftën kundër korrupsionit. Ja pse togfjalëshi “reformë në drejtësi”, sipas meje, po përdoret në mënyrë mistifikuese, a thua se, nëse do të arrijmë të bëjmë një reformë në drejtësi të kopsitur mirë, atëhere do të mund të kopsitim edhe korrupsionin e abuzimet me pushtetin. Më duhet të ripërsëris diçka që sa është evidente aq edhe është e vështirë për t’u realizuar. Problemi i vërtetë i reformimit qëndron në atë se si të reformojmë kokën e politikanëve tanë, të prokurorëve e gjyqtarëve tanë, por edhe të biznesmenëve tanë e me radhë të qytetërëve tanë në mënyrë të atillë që, atje ku janë, në atë të voglën punë të tyren, gjithsejcili të respektojë ligjet ekzistuese më së pari e, kur të mendojë për t’i përmirësuar ata, të synojë t’i bëjë mbi principin e barazisë së të gjithëve para ligjit e jo mbi principin se drejtësinë e bën më i forti prandaj bëhu i fortë e me më të fortin që mos të të hyjë gjemb në këmbë, çfarëdo që të bësh. Me këtë nuk dua të them se ndryshimi në struktura dhe legjislacion nuk mund të luajë rol në përmirësimin, por, duke u nisur nga përvoja, më rezulton se, veçanërisht kur aktorët e ndryshimit janë po ata që duhet të pësojnë ndryshimin, pra nuk përmbysen nga të tjerë aktorë, ky përmirësim arrihet me punë konkrete e të prëditshme më shumë sesa me premtime për reforma radikale siç rekalmohet edhe e famshmja reformë në drejtësi. E në kontekstin e vlerësimit të punëve konkrete që përmirësojnë gjendjen hap pas hapi mendoj se gjëja e parë që duhet bërë është të marrë fund demagogjia e premtimeve të tipit “reforma në drejtësi”. Nëse mazhoranca synon heqjen e Sollakut nuk ka pse ta lidhë atë me fjalën e madhe, por boshe, “reformë në drejtësi”. Ai duhet të hiqet se nuk ka punuar mirë dhe sepse i janë provuar shkelje nga ato që i parashikon ligji (nëse provohet se është kështu). Po ashtu socialistët s’kanë pse e lidhin pjesëmarrjen e tyre në të ashtuquajturën reformë në drejtësi me mosheqjen e Sollakut. Janë dy gjëra që edhe pse jo pa lidhje me njëra tjetrën nuk mund të kondicionojnë njëra tjetrën. Heqja e Sollakunt sipas ligjit e procedurave, nëse i provohen shkeljet, dhe zgjedhja e një kryeprokurori nga Presidenti, që të garantojë më shumë pavarësi dhe veprim të organit, e jo garantimin e mbylljes së korrupsionit të pushtetarëve të rradhës, dhe as luftë selektive ndaj krimit e korrupsionit, janë punë konkrete që mund të sjellin përparim të madh. Kurse reforma në drejtësi ashtu si trajtohet është një premtim i madh që mund të mos sjellë asnjë ndryshim. Heqja apo mbrojtja e Sollakut nga të dy palët në emër të reformës në drejtësi vetëm se i komprometon të dy palët duke na treguar se vazhdojmë të mbetemi rob të një politike që s’bën gjë tjetër veçse merret me vetveten dhe jo me hallet e vërteta të vendit. (Korrieri, 23 tetor 2007)

1 comment:

Anonymous said...

Zoti Lubonja,
Ndoshta mund të kishe kursyer kohë—duke shkruar këtë artikull të duhur—vetëm duke publikuar në gazetë me shkronja të mëdhë një fragment nga artikulli ty, i cili është:
“Problemi i vërtetë i reformimit qëndron në atë se si të reformojmë kokën e politikanëve tanë,… e me radhë të qytetërëve tanë…”.
Historia mund të përdoret si një zëvëndësues shumë i mirë i teknikave të parashikimit, sidomos kur mjedisi është i njëjtë, historia prodhon një parashikim mjaft të saktë. Në këto vite tranzicioni nuk më “kujtohet” ndonjë emër tjetër prokrori të përgjithshëm, dhe më duket sikur të gjithë janë quajtur Sollaku. Jam i sigurt që mjedisi është i njëjtë, kështu që edhe prokurori i ri i përgjithshëm do ketë të njëjtin ‘emër’ e ‘fytyrë’ si sollakët e këtyre viteve.
Ne problemin e kemi te komunizimi—për sa kohë që ideologjia komuniste do udhëheq, më shumë sollaka do shtohen, edhe më sollaka do bëhen, edhe më të korruptuar e më të rafinuar, edhe më….
Ruajna Zot nga komunizmi.