Friday, September 21, 2007

Kultura e pushtetit dhe kultura e arsyes (replike)

“Zogu mbrohet nëpërmjet fluturimit, luani nëpërmjet forcës, demi nëpërmjet brirëve, bleta nëpërmjet thumbit, kurse njeriu nëpërmjet arsyes.” thotë, në një nga sentencat e tij, Foqilidi i Miletit, qysh në shekullin VI para Krishtit. Për fat të keq edhe pas 2600 vjetësh njerëzimi duket se pak ka bërë për ta rrokur urtësinë e tij; por në disa vende ama, ka bërë tragjikisht pak. Besoj se nuk ka nevojë të jap shembuj se ky vendi ynë i bekuar hyn ndër këta vende. Prandaj në këtë shkrim/replikë do të rrekem të shpjegoj psene e vështirësisë për ta rrokur këtë urtësi në dukje kaq të thjeshtë. dmth. pse shqiptarët mund t’i gjesh të mbrohen me dhëmbë, me brirë, me thumb, me krahë të lehtë, por vetëm me arsye jo. Për tipologji do t’u referohem tre artikujve: Artikullit të Ardian Klosit “Liria e shtypit dhe modeli “Lubonja” (Shekulli, 20 mars), artikullit të Ylli Polvinës “Parti hapni vend, mund të vijë Fatos Lubonja” (Dita 23 mars) si dhe artikullit të Agron Tufës “Liria e shtypit dhe modeli i cic-micit intelektual” (Tema, 22 mars 2003) të cilët u botuan në trajtë komentesh pas botimit të shkrimit tim “PS, opozita dhe modeli “Rama”.
Ajo çka spikat dëshpërimisht keq në këto shkrime që emocionalisht kanë qëndrime krejt të ndryshme ndaj Fatos Lubonjës, është pikërisht ajo frymë e kulturës sonë që, sipas meje, na bën ne ta luftojmë “arsyen” me “brirë”. E kam fjalën për atë që në mënyrë sintetike mund të quhet kulturë patriarkale, dogmatike e pushtetit. Shkrimi i Ardian Klosit riripërsërit pretendimin se Fatos Lubonja shkruan kundër modelit të kryebashkiakut jo i nisur nga mbrojtja e ndonjë principi, por sepse shkëlqimi dhe ndriçimin i madh në skenën shqiptare i Ramës, të cilin autori e mbiquan “Wolfgang Amedeus Rama” e bën “Saljerin” Lubonja të kujtojë me zili kohën kur në 1997 udhëhiqte Forumin për Demokraci, pra ishte më i fuqishëm se Rama. Artikulli i Ylli Pollovinës, i cili ka plot fjalë vlerësuese për Lubonjën (për të cilat me modesti e falenderoj) ka në thelb idenë se ky, me “dëshirë e ngulëkëmbje të hekurt për të spikatur e kaluar të tjerët” sulmon ata më të fuqishmit dhe, kohëve të fundit, duket se për këtë qëllim po do të krijojë një parti të majtë të tipit evropian. Kurse Agron Tufa e cilëson të gjithë debatin që ka krijuar polemika e Lubonjës si produkt i “një çerdheje salierësh” të cilëve Tufa u vjen tu thërrasë: “o djelmurithër! Po, boll na çatë kryet!”.. duke e vendosur veten kësisoj mbi majat e larta të kulturës së pushtetit dhe të supremacisë, e duke i bombarduar e asgjësuar prej andej të tërë.
Ajo çka është shqetësuese në të tre artikujt (dhe të tjerë pas këtyre) është fakti se askush nuk arsyeton, qoftë edhe në një paragraf të vetëm, idetë e artikullit të Lubonjës mbi modelin e qeverisjes socialiste, nëse janë apo jo karakteristika të modelit të qevrisjes socialiste ato që parashtron ai. Askush nuk arsyeton nëse prona publike duhet trajtuar ashtu si po e trajtojnë socialistët. Askush nuk thotë një gjysëm fjale për shkeljen e rregullores së densitetit të ndërtimit në Tiranë, dhe pesë pasojat afatgjata që rendit Lubonja. Askush nuk thotë një fjalë nëse e gjejnë të rrezikshme apo të parrezikshme për lirinë e fjalës faktin që pronarët e bizneseve, të cilët marrin tendera dhe truaj ndërtimi nga Kryebashkaku, kanë në dorë edhe median shqiptare. Autorët nuk merren fare me këto ide të rëndësishme për interesin publik. Ata e kanë marrë hovin për të shkruar faqe të tëra vetëm për t’i treguar publikut se çfarë e shtyn Lubonjën të shkruajë kundër Berishës, Nanos, Metës, Ramës, madje dhe Kadaresë, dikush me synimin që ta linçojë totalisht si karakter dhe dikush për ta ngritur, duke përdorur instrumentet e asaj që e quajta kulturë e pushtetit – pra duke i gjetur argumentat e tij thjeshtë si shprehje të etjes për pushtet.
Duke qenë se gjithshka kam shkruar deri më sot drejtohet mu kundër kulturës patriarkale dogmatike të pushtetit, duke synuar futjen e frymës kritike në kulturën shqiptare, them me bindje se sejcili nga të tre këta autorë, kush vetëdijshëm dhe kush pavetëdijshëm ka projektuar tek Lubonja, gabimisht, veten dhe kulturën e tij. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve le të shtjelloj disa ide për karakteristikat dhe dëmet e kësaj kulture.



Shtysat iracionale dhe idetë racionale
Në fakt, nuk mund të mohoet se racionaliteti ynë ka rrënjë të thellë në irracionalitetin tonë, pra se shumë nga idetë tona gjenerojnë nga emocionet tona. Lidhur me shtysat që e bëjnë një shkrimtar të shkruajë, një këngëtar të këndojë, një politikan të qeverisë etj. etj. ka teori të tëra, që tregojnë bash zhvillimin e kulturës kritike atje ku kanë dalë. Niçja në “Vullneti për Fuqi” e ka konsideruar këtë “vullnet” motorin lëvizës të tërë akteve të njeriut (ndonëse shumë e kanë keqkuptuar “fuqinë” për të cilën flet Niçja duke e ngatërruar me pushtetin politik). Frojdi nga ana e tij thellë kësaj dëshire për fuqi neçeane sheh dëshirën seksuale. Ka interpretime pa fund psikoanaltike që tentojnë të shpjegojnë aktet “kundër” apo “pro” të qënieve njerëzore duke filluar që nga kompleksi i Edipit e deri tek frustrimet seksuale për shkak të impotencës. Në një polemikë me Klosin kam përmendur edhe skicofiziologjinë e trurit që e bën njeriun të jetë i ndarë midis emocionalitetit të trurit antik dhe racionalitetit të neokorteksit. Por ka edhe shpjegime më banale të akteve dhe të qëndrimeve tona “pro” e “kundër”; ato që bazohen tek emocione të tilla si frika ndaj të pushtetshmit apo gëzimi i interesit material.
Gjer këtu, pra, pajtohem me të drejtën e cilitdo për të bërë zhbirilime psikoanalitike. Por problemi është se cilado qoftë shtysa më e thellë e brendshme e një akti publik ajo që e bën atë shoqërisht të vlefshëm apo të pavlefshëm është forma me të cilën ai shfaqet së jashtmi. Pra rëndësi për shoqërinë nuk ka se pse shkruan, por se si dhe çfarë shkruan një shkrimtar, si dhe çfarë këndon një këngëtar si dhe mbi çfarë platforme qeveris një politikan etj.. Pra, nëse Fatos Lubonja e kritikon Ramën nga “urrejtja pathollogjike” për të, sikurse thotë Klosi, apo nga dashuria për Tiranën, kjo është një gjë dhe një gjë tjetër është argumentimi i ideve për zhvillimet e qytetit. Pra, edhe në rastin kur duam të provojmë se dikush po hedh ide të mbrapshta për shkak të një psiqike të turbulluar për shkaqe zilie, frike, pushteti a paraje, rruga më e mirë dhe e vetme për t’i shërbyer publikut është të hedhim poshtë idetë e tij me argumenta racionale apo të provojmë se ky dikur ka pasur ide të tjera të cilat i ka tradhëtuar. E në këtë mënyrë dalim nga konflikti emocional dhe hyjmë në debatin racional, i cili na bën ti shërbejmë më mirë atyre që u drejtohemi. Këtë bën Lubonja kur argumenton se kryebashkiaku ka tradhëtuar tre shtyllat kryesore të premtimeve të tij elektorale për të aplikuar politika të kundërta me to. Këtë, fatkeqësisht, nuk e bën Klosi që nuk i arsyeton argumentet e Lubonjës.

Kultura e pushtetit si kulturë nënshtrimi
Madje, grotesku i kësaj kulture pushteti që prodhon konflikt emocional tek z. Klosi shkon shumë larg: ndonëse Fatos Lubonja nuk ka ambicje as të bëhet politikan, as urbanist as piktor dhe as bojaxhi, por të bëjë me pasion qytetarin, shkrimtarin dhe gazetarin, ai papseprapë vlerësohet nga autori në plan superioriteti apo inferioriteti me politikanin. Madje, madje ai gati gati sa nuk thotë se edhe kundër Bushit e kundra luftës në Irak Lubonja nuk flet e shkruan pse këto janë bindjet e tij, por sepse ka zili që nuk është ai në krye të ushtrisë amerikane. Shtyrja deri në këtë grotesk tek Klosi i këtyre argumentave, ulja deri në poshtërim e vetvetes duke u vetëquajtur ”model i pasuskeshëm” përpara suksesit të kryebashiakut dhe thirrja e hapur që Lubonja të shkojë në gjyq, nxjerrin në pah anën tjetër të medaljes së kulturës së pushteti, kulturën e nënshtrimit. Puna është se publicisti Klosi e di mirë se polemikat e debatet zhvillohen e vlerësohen mbi bazën e ideve dhe jo mbi superioritetin apo linçimin e karaktereve, pasi jo shumë kohë më parë është shprehur mu kundër kulturës së superiores dhe inferiores në emër të kulturës së diversitetit, (kujtojmë debatin mbi Kadarenë). Pra, ai zbret vetëdijshëm në instrumentet e kulturës patriarkale të pushtetit, duke i anashkaluar argumentat e Lubonjës e duke vazhduar kësisoj ta ushqejë publikun me modelet e kulturës së nënshtrimit, të skllavit që e di se mënyra më e lehtë për të fituar favoret e padronit është miklimi i tij duke i bërë qejfin e duke i sulmuar kundërshtarët; se mënyra më e lehtë për t’i shërbyer sundimit të këtij është t’ia shpjegojë publikut gjithshka me mekanizmat e dashuri urrejtjes, meqënëse kjo është edhe struktura kulturore e shoqërisë shqiptare. Madje, do të thoja se zoti Klosi po jep një kontribut origjinal në pasurimin e kulturës kësaj kulture, e cila ka bërë që historikisht në Shqipëri intelektuali të jetë shërbëtor i politikanit: krahas shkrimtarit tradicional të oborrit, ai po bën të na shfaqet edhe një lloj i ri shkrimtari që nuk e kemi parë deri më sot: “shkrimtari i bashkisë”.

Kultura e pushtetit dhe formimi intelektual
Po të vesh re shqiptarët kur i futen një debati teksa pinë ndonjë kafe, do të vesh re dy fenomene që ndodhin rëndom: atje ku tryeza ka njerëz të barabartë përsa i përket pushtetit, kur dikush hedh një argument, një tjetër i kundërvihet me argumentin e kundërt jo aq pse nuk është dakort, por që të afirmojë veten apo të tregojë superioritet. Në një tryezë tjetër të ngjashme i njëjti person mund të përdorë argumentat që ka kundërshtuar në tryezën paraardhëse. Një tip i dytë tryezash, që hasen rëndom, janë ato ku ndodh të jetë ndonjë i fuqishëm. Atje të tjerët gjejnë vetëm e vetëm argumenta që t’i bëjnë qejfin të fuqishmit, (larqoftë pastaj në qëlloftë ky ndonjë ambasador, pale amerikan). Dinamika e debateve të tilla është shprehja më tipike e kulturës patriarkale së pushtetit që pastaj shpërfaqet në të tërë jetën tonë familjare e shoqërore, politike e kulturore duke e lënë atë në një nivel ku nuk zhvillohen ide racionale, por ndeshen apo puthen emocionalisht karaktere. Sipas kësaj kulture, asnjë vlerë nuk ka investimi intelektual që bën njeriu në drejtim të një formimi botëkuptimor të caktuar, rëndësi ka të jesh i fuqishëm. Një kulturë e tillë edhe aftësimin intelektual e sheh si diçka që të jep pushtet mbi të tjerët; edhe motivimin për tu kulturuar e për të punuar e ka të mbrapshtë. Një kulturë e tillë e pengon formimin e thellë botëkuptimor në kuptimin e krijimit të një sistemi idesh koherente që, tek e fundit, përbëjnë identitetin dhe personalitetit e individit i cili është investimi më i madh në jetë. Sipas ushtruesve të kësaj kulture nuk ka rëndësi të zhvillosh bindje të majta apo të djathta, mjafton një karrike ministrore dhe mund të kërcesh jo vetëm majtas e djathtas, por edhe lart e poshtë. Sipas tyre nuk ka rëndësi nëse beson në Zot apo je ateis, mjafton që patriarku/padroni yt të ndrrojë “fe” dhe menjëherë nga ateist mund të fillosh të predikosh Kuranin dhe pastaj, po ia deshi atij nevoja, mund t’i kthehesh edhe Ungjillit. Sipas tyre nuk ka rëndësi se ke investuar tek fjala apo tek ngjyra; mjafton të të ofrojnë një makinë luksoze e bodyguard dhe fjalën letrare mund ta zevendësosh me lloqe demagogjike dhe bojrat e vajit me gëlqere. Sipas tyre nuk ka rëndësi se gënjen, rëndësi ka që gënjeshtra të të bëjë të fuqishëm. Sipas tyre nuk ka rëndësi se je hajdut, mjafton që të jesh shok i tyre e të ndash pushtetin e paratë me ta. Fakti që shqiptarët vazhdojnë të nderojnë e respektojnë figura plitikanësh me këto tipare, tregon se sistemi i vlerave mbetet ai sipas të cilit “ku është i pushtetshmi, atje do ta var flamurin”.


Kultura e pushtetit dhe opozita
Pra disa javësh gazeta e PS Zëri i Popullit, një gazetë e financuar me të holla publike, por ku, fatkeqësisht, në vend se të gjesh, (të paktën ndonjëherë), debate intelektuale lidhur me idetë e së majtës, gjen vetëm fyerje banale, botonte një artikull me titull: “Sali Berisha, Fatos Lubonja, Fiqoja, korrupsioni dhe unë”. Autori, vetë kryeredaktori, i ndante në tre kategori kritikat për korrupsion që i drejtohen pushtetit socialist, duke thënë se ato janë thjesht dhe vetëm tre kategori shpifjesh: ato të opozitës së Berishës që “shpif për të marrë pushtetin”, ato të bëra nga ndonjë OJQ e paguar nga të huajt që shpif “për paratë” e donatorëve si dhe ato të Fatos Lubonjës që i bën për “tu bërë interesant në popull” apo për të qenë “gjithnjë kundra”. Përtej këtyre kategorive, kuptohet, nuk mbetej asgjë përveç kategorisë së lavdeve. Pyetja që të lind është: po cilat janë kritikat “e mira” për këtë njerëz, ose: cilën opozitë pranojnë këta zotërinj? Në fakt kultura patriarkale e pushtetit, përjashton me dhunë idetë e kundërta duke i bërë ato ose të tepërta ose të papranueshme. Kalifi Omar kur i thanë të mos e digjte bibliotekën e Aleksandrisë se aty kishte libra me shumë vlerë u përgjegj: “Nëse përmbajtjen e këtyre librave e ka edhe Kurani atëhere janë të tepërt, nëse nuk e ka, atëhere janë të papranuesheëm.” Jemi tek e njëjta kulturë.
Problemi i madh me këtë kulturë është se për sa kohë mbizotëron ajo, ne nuk do të merremi dot me idetë e tjetrit që mendon ndryshe, por me linçimin e tij, pra sapo dikush bën një kritikë kjo kulturë nuk na çon tek marrja në analizë e kritikës, por tek gjetja e ndonjë mjeti për t’i mbyllur gojën. Kësisoj, kultura e pushtetit, që për nga natyra e saj të çon në asgjësimin e plotë të tjetrit, na bën të paaftë të dialogojmë e të pranojmë idetë e tjetrit qoftë edhe pjesërisht. Poende, kjo lloj kulture, duke i shtyrë të gjithë të identifikohem me shumicën=të fuqishmin, nuk e çmon pakicën, ajo e shkel me këmbë dhe e përçmon atë duke bërë që të harrohet një nga principet bazë të demokracisë: ai sipas të cilit demokraci do të thotë respekt për pakicën. Po ashtu, kjo kulturë, duke qenë kundër formimit të identiteteve dhe bindjeve të ndryshme na çon në situatën që përjetojmë tash dhjetë vjet ku dy partitë tona kryesore, por edhe të tjera, nuk profilizohen në rafshin e ideve, por tentojnë të përfaqësojnë gjithë të vërtetën e gjithë shoqërinë. Ajo është një nga shkaqet kryesore pse nuk kemi ende asnjë parti të majtë apo të djathtë, liberale apo ekologjike apo agrare në kuptimin evropian të fjalës e të mos ketë as shtyp e medja me këtë lloj profilimi.
Si përfundim të një çështjeje që sa e kam cekur, dua të them se vetëm kultura kritike e ideve është ajo që mund ta shndërrojë konfliktin emocional të personave në debat idesh dhe luftën e partive në emër të pushtetit të personave në alternim programesh që i shërbejnë shoqërisë. Rruga drejt lirisë dhe demokracisë në thelb është rruga nga kultura dogmatike patriarkale e pushtetit që lufton me “brirë” në kulturën kritike të ideve dhe diversitetit që lufton me “arsye”.

2 comments:

edrus said...

"Qëntë le të lehin, karvani të shkojë përpara", ishte ky proverb që më erdhi natyrshëm për të ta këshilluar ndërkohë që lexoja shkrimin, por e di, se fakti që as dhe karvani nuk shkon përpara, të jep të drejtën, që me kurajon qytetare dhe me edukatën që të karakterizon, t'ju ktheje përgjigjen që meritonin.

Është me të vërtetë e vështirë që të arsyetosh me njerëz që janë të bindur se e vetmja gjë që mund ta shtyjë përpara zhvillimin, është ajo forma e rafinuar e ish diktaturës së proletariatit, o me ne o kundër nesh.
Njerëz të indoktrinuar, që jo se nuk kanë intelektin e duhur, por me meskinitetin e tyre, për të ruajtur staus symbol-in, pra, thjesht për të garantuar atë "quiete vivere" të arritur ndaj elitës politike, "harrojnë" se ç'është morali dhe përgjegjësia civile që ata në rradhë të parë duhet të kenë.

Nëse janë përfaqësues të 'arsyes', në këtë moment, nëse ka diçka mbi të cilin inteligjenca shqiptare duhet të rrijë si shpata e Demokleut, ajo është qeveria, dhe jo thjesht për ti rënë në kokë se është e njërës apo e tjetrës ngjyrë, por për të mos lënë që gabime diletanteske të zhbëjnë akoma më tepër atë ç'ka ngelet nga Shqipëria dhe të organizojnë përpjekjet për të bërë një Shqipëri siç e meriton që të jetë.

E di, është shumë e lehtë që të marr pozicionin e radikalit që preferon që të jetë kundër qeverive në pushtet për të gjetur gabimet e mundëshme (dhe material ka sa të duash),por më tepër se qeveritë, që nuk janë shquar për ndonjë largpamësi kushediçë, është për të ardhur keq kur shikon intelektualët e sotëm që në vënd të 'tregojnë' rrugën, bëhen 'partizanë' fanatikë të mosarsyes dhe kërkojnë të guxhulisin sedrën e sëmurë të politikës duke ju kundërvënë atyre që kanë guximin qytetar që ta ngrenë zërin e protestës.

Përshëndetje, Eduart Rustemi.

bledarb said...

I dashur Fatos,

Un jame akoma i mendimit qe shoqeria jone eshte è virgjer nga pikpamia intelektuale per shkak te historise qe mmbart ne shpatullat e saje.

Si eshte e mundur qe gazetare te tille - emrat qe ju permendni - mund ti clasifikojme si klase intelektuale, kur nuk kane kapacitetin intelectuale te gjenrojne dhe trajtojne nje dibat te mirefillte intelektuale duke arsuetuare e trajtuare konceptet dhe idete pa gjykuare dhe denigruare palen kundershtare?

Me vjene me te vertet keqe, por me duket sikur llogjika e polemikave te tua, per te ashtequajturen klase intelektuale shqipetare jane gjuhe e huaje, dhe per ta kuptuare duhet me pare te mesojne te llogjikojne me kete gjuhe. Dhe messa duket, deshira mungone, se edhe ambicjet e kesaj klase politike jane banale siv eshe edhe vete ajo.