Friday, September 14, 2007

Unanimiteti dhe presidenti

Unanimiteti me të cilin e priti politika presidentin amerikan Bush nuk mund të mos të të shtynte të mendoje, veç tjerash, edhe për ecurinë e procesit të ndërtimit të pluralizmit në Shqipëri. Kam parasysh pluralizmin e ideve, vizioneve e të vlerave si dhe pluralizmin e interesave të shtresave të ndryshme social ekonomike që përfaqëson politika. Ajo çka vuri në dukje unanimiteti i pritjes së Bushit në kontrast me botën, është se politika jonë vazhdon të ndodhet në një krizë të thellë në këtë aspekt. Ajo ka bërë pak ose aspak hapa për të diversifikuar më një anë dhe për të shprehur e përfaqësuar diversitetet më anën tjetër - të cilat janë dy anë të të njëjtit proces.
Kur flas për unamimitet nuk kam parasysh vetëm politikën e jashtme, ku nuk gjen asnjë dallim për Bushin, Kosovën, Serbinë, Bashkimin Evropian për qëndrimet ndaj paqes e luftën etj., por edhe për idetë politike të brëndëshme, për kapitalizmin që po ndërtojmë brenda vendit e për vlerat që po synojmë të promovojmë. Ka një unanimitet në varfëri idesh e vizionesh, dhe një banalitet vlerash që nuk mund të mos ngrerë pyetjen: po pse vallë na duhet kjo mori partish, 80 televizione, mbi 30 të përditëshme, kur ato nuk janë tjetër veçse fabrika që përdorin të njëjtin miell surrogat për të bërë të njëjtën cilësi buke surrogate, të ndryshme veç nga pamja fizike? Dhe kjo nuk është një pyetje që ka kuptim vetëm ideal, por është një pyetje që ka edhe kuptimin material të thekur: dmth pse na duhet ne, një shoqërie kaq të varfër, të shpenzojmë aq shumë para për t’i mbajtur këto parti, këto media, këto gazeta? Sepse, tek e fundit, ngado që ta sjellësh hesapin, këto na rezultojnë se janë para që dalin nga xhepat e shqiptarëve.
Pyetja ndryshe mund të shtrohet: si dhe pse po përdoren nga politika jonë tërë kjo energji dhe para dhe tërë kjo kohë kaq e çmuar? Më mirë se çdo gjë më duket se për këtë flet televonela pa fund e çështjes së presidentit. Ajo në një farë kuptimi mund të shërbejë edhe si një test për ecurinë e demokracisë shqiptare ashtu sikurse vlejnë edhe zgjedhjet psh. Dhe çfarë flet ky test? Ai të thotë se, ndonëse të gjithë politikanët kanë të njëjtat ide dhe sistem vlerash përsa i përket atij që mund të quhet mision apo premtim i politikës ndaj publikut, ne jemi në një konflikt permanent mes politikanëve. Ajo çka tregon qartë edhe ky testi i presidentit është se në stadin aktual ne kemi një pluralizëm grupesh apo klanesh ca më të mëdha e ca më të vogla, me ca kapobanda në krye, të cilët gjëja e fundit që mendojnë është kultivimi i idealeve dhe vizioneve të përbashkëta midis njerëzve të tyre, i vlerave të përbashkëta gjithashtu. Ajo çka kultivohet është veç urrejtja ndaj armikut të përbashkët që duhet mundur për tu bërë të gjithpushtetshëm e për të shpërndarë pastaj të mirat e pushtetit për grupin e vet. Paradoksalisht, pra, gjithë ky unamimitet pjell tërë këtë konfliktualitet.
“Emrat konkretë e pengojnë procesin” ishte deklarata që përdori dje Rama për ta refuzuar Nanon si kandidat për president. Të njëjtën formulë ka përdorur edhe për Topin. Në fakt të gjithë e dimë se është e kundërta. Është emri konkret i Nanos, emri konkret i Topit që nuk do Rama e të tijtë. Ashtu sikurse dimë se i ashtuquajturi proces konsensusi që kërkohet është një maskë për të mbuluar procesin e vertetë dhe të vetëm që kanë në mend të dy palët: luftë me çdo mjet për mundjen e kundërshtarit person.
E gjithë politika ka mbetur këtu, në të dy krahët. Edhe nga Berisha e të tijtë nuk bëhet tjetër veçse kalkulime personash pro e kundër dhe jo ballafaqim idesh dhe aq më pak kërkime vlerash – siç do duhej të ishte edhe ajo e figurës së një presidenti. Politikanëve tanë gjithnjë e më shumë sikur po u zvogëlohet ajo pjesë e kokës ku kanë idetë, vizionet dhe vlerat që duhet të ushqejnë e promovojnë e po u rritet barku dhe muskujt si dhe ajo pjesë e kokës që merret me intrigat personale kundër njëri tjetrit. Në këto kushte a mund të zgjedhin ata një president me vlera të cilit t’i referohen ashtu siç i referohen Bushit kur thonë: “sikurse na porositi edhe presidenti Bush…”. Absolutisht jo. Në kushtet aktuale politikës sonë i duhet një president që të jetë nën hyqmin e Berishës, kundër Ramës, si dhe një president tjetër që të jetë nën hyqmin e Ramës kundër Berishës. Një prokuror i Ramës dhe një prokuror i Berishës. Në pamundësi të kësaj, pasi zyrat e presidentit dhe e prokurorit janë vetëm nga një, dhe raporti i forcave është i tillë që askush nuk ka numrat të imponojë zgjedhjen e vet, do të duhet që i zgjedhuri të jetë nën hyqmin e të dyve. Por kurrsesi i lirë prej të dyve. Po pse atëhere na duhet fare një president i tillë kur kemi këta? Për ta vazhduar deri në fund me koherenc[ arsyetimin mund të shtrohj edhe pyetjen; po përse kur, siç thashë në fillim, këta nuk kanë asnjë ndryshim për vizionin për vendin duhet të jenë të dy. Përse të mos kemi vetëm njërin prej tyre? Shkova shumë larg në arsyetime, por nuk thashë veçse ëndrrën e tyre finale që synon të na lerë edhe pa president të vërtetë edhe pa pluralizëm të vërtetë vlerash dhe idesh e të cilën (ëndërr) e zbuloi indirekt edhe unanimiteti me të cilin ata pritën Bushin. Thellë thellë mënyra se si shqiptarët pritën Bushin është pasqyrë e mënyrës se si liderët shqiptarë ëndërrojnë të shihen nga shqiptarët. Mbetem i mendimit të shprehur mëse një herë në shtyp se vetëm investimi i gjithkujt për pluralizmin e vërtetë të idealeve, vizioneve dhe vlerave kundër unanimitetit që synon të na imponojë kjo kategori politikanësh do të na çojë edhe në demokracinë e vërtetë edhe në presidentin e vërtetë. (Korrieri, 16 Qershor 2007)

No comments: