Wednesday, September 5, 2007

"Ç'kemi andej?" (faqe nga ditari)

"Ç'kemi andej?"
"Hiç, pa drita jemi."
Nuk di të them sa herë e kam zhvilluar deri tani këtë dialog si fillim bisede telefonike kur telefonoj në Shqipëri. Me familjen më së shumti, me miqtë, por edhe në biseda të rastit. Kur mendoj se u nisa edhe me ndjenjën e lehtësimit se për pak kohë do të shpëtoja nga mungesa e dritave dhe zhurma e gjeneratorëve, më vjen të mbyll edhe telefonin.
"Me punën si ia kalon?"
"Ja ashtu, ti e di sa mund të punohet pa drita. Të prishen dhe nervat"
"Po, po, ke të drejtë. Po ç'kemi ndonjë gjë tjetër?"
"Hiç, ja, pa drita."
Dhe bisedat telefonike nga jashtë nuk mund t'i zgjasësh shumë se çdo impuls kushton sa qimet e kokës. Nuk mund të bësh si në Tiranë kur, me një kafe, pasi qahesh e ankohesh për orët që ke ndejtur pa drita, e punët që të janë prishur, fillon e merresh me politikanët përgjegjës, me milionat që janë shpenzuar në tendera me të cilat kushedi se sa hidrocentrele do ishin ndërtuar, me shefat e KESH që qenkan bërë milionerë duke luajtur në bursë - e më the të thashë - derisa e kupton, nga fikja e gjeneratorëve se dritat janë ndezur e mund të kthehesh të punosh ndopak. Puna është se në një bisedë telefonike një minutëshe nga jashtë synon maksimumin e informacionit në minimumin e kohës. Me një fjalë informacion të thatë, mundësisht ndonjë të re që të të tërheqë, ta hajë dreqi. Çfarë lajmi është mungesa e dritave? Edhe kur ika ashtu e lashë Tiranën, pa drita. Kjo s'përbën lajm.
"Ç'kemi andej?"
"Hiç, që kur ke ikur ti e kanë shtuar edhe një orë errësirën."
"E mora vesh, e mora, po nuk ndodh ndonjë gjë tjetër atje? Sa herë marrr këtë më thua"
"Jo, po sapo na ikën, prandaj ta thashë. Ka marrë filani në telefon…"
Mu desh një numër telefonatash për të kuptuar se për të marrë ndonjë të re dhe për të kursyer impulse duhet të specifikoja pyetjen. Nuk duhet të thoja "ç'kemi andej?", por kur merrja të pyesja direkt: "A e takove filanin?", "A e fillove atë punën që të kishin premtuar?" Me një fjalë pyetje konkrete jo të përgjithshme të tipit "ç'kemi andej?" Tek e fundit, kush ka ndonjë lajm interesant, ta thotë vetë.
Mirëpo ne e kemi si shprehje që kur telefonojmë themi:"Alo, ç'kemi?"
Më shpëtoi nga goja edhe kësaj rradhe.
"Hiç. Këta palaçot vazhdojnë të na gënjejnë. Në terr jemi. Presim të bjerë shi."
"E di, e di."
'E po kur e di ç'pyet?'
"Ore e di që s'ka drita. E di që s'i duron dot këta, po nuk ndodhka ndonjë gjë tjetër atje veç territ?"
Në fakt kur je jashtë shtetit e jeton shumë më pak emocionalisht edhe konfliktin politik. Shqiptarët të duken të gjithë një ngjyrësh, jo kuq e blu siç i sheh kur je atje. Le që mua edhe atje më janë shkrirë, më del i gjithë Parlamenti në një ngjyrë patllixhani të errët.
Desha të them se kur je jashtë shtetit balta e vendit tënd, siç i thonë, të duket më e ëmbël se mjalta. Nuk e kuptojnë këta që nuk mund të të gjuajnë nga telefoni me baltë sepse ajo prap se prap konvertohet duke kaluar nëpër valët e celularit në mjaltë? Unë u them "ç'kemi ndonjë të re?", ata më thonë një gjë që e di. Këtu jemi në kufijtë e absurdit.
"Alo, si është filani e keni takuar?'
"Ç'të jetë. Ka një gjenerator poshtë shtëpisë që e nxorri mendsh."
Nuk ke shpëtim. Ç'do pyetje ta lidhin me dritat. Por tek e fundit çfarë kërkon ti? Nëse do ndonjë të re prej tyre duhet të presësh ç'thonë ata. Gjersa ata thonë vetëm "hiç, pa drita jemi." ky është informacioni që të interson. Duhet të dish të shohësh si ngjarje edhe këtë. Siç thotë Prusti: "Kërkimi i të resë nuk qëndron në gjetjen e peisazheve të reja, por të syve të rinj." Gjej sy të rinj për të parë terrin. Ja psh.: gjithë sinjalet telefonike që vinin nga Shqipëria nëpër pjesën tjetër të botës flasin për terr. Dmth Shqipëria në këtë yjësinë tonë është një gropë e zezë prej të cilës vijnë vetëm sinjalet e territ të saj. Por gropat e zeza janë një mrekulli e universit. Ato kanë vetinë e jashtzakonshme që vetem thithin nuk rrezatojnë sepes janë jashtë jashtëzakonisht të rënda. Si KESH psh., apo si politikanët tanë. Duhet vetëm të dish t'i shikosh e t'i estetizosh. Kuadrat i zi në të zezë do të thoshte Maleviçi. Ose njollë e zezë në të zezë. Bëhu artist, bëj një kuadër me njolla të zeza koncentrike që vijnë duke u nxirë e duke u zmadhuar njëherësh. Duket e pamundur pasi njolla më e zezë e madhe do ta mbulojë atë pararendësen më të vogël e më të çelët. Jo, bëje tridimensionale, katër, edhe në kohë. Për çdo telefonatë nga një njollë. Njëfarë instalacioni. Duhet kompiuter. Ok. Në Shqipëri do ta shohin vetëm kur të vijnë dritat, por aq më mirë. Vëria titullin: "Një lajm i zi, që vjen duke u nxirë." Ose ose veri përbri shënimin: "Kapitalizmi është pushteti demokratik plus elektrifikimin e vendit. Po pushteti demokratik pa elektrifikimin e vendit çfarë është? Baltë që bëhet më e ëmbël se mjalta."
Teksa llomotitja kështu me vete më në fund më erdhi si ndriçim pyetja shpëtimtare edhe nga pikpamja e kursimit të impulseve:
"Alo, veç mungesës së dritave, ç'kemi andej?"
"Hiç, pa drita jemi. Ha, ha, ha. Harrova, më fal. Blemë gjenerator edhe ne. Një të vogël, nuk harxhon shumë."
"Ha, ha, ha."

Gusht 2007
(Korrieri, 22 gusht 2007)

No comments: