Wednesday, September 19, 2007

Cili është roli i gazetarit

Kohët e fundit një projekt i qeverisë lidhur me mediat ka rihapur, midis të tjerash, edhe çështjen e raportit të pronarëve të mediave me gazetarët që punojnë për ta. Ajo që më ka rënë në sy në disa debate të zhvilluara me këtë temë është infiltrimi gjithnjë e më shumë nëpër media i një ideje që pronarët e disa mediave, (fatmirësisht jo të gjithë) pasi e praktikojnë gjerësisht, kanë tentuar herë pas pas here edhe ta legjitimojnë, e që, së fundi, sikur po gjen terren të mbrohet edhe publikisht madje edhe nga goja e mjaft gazetarëve. E kam fjalën për përpjekjen për të legjitimuar idenë se pronarët e një gazete apo të një televizioni, përderisa janë rrogëpaguesit e gazetarëve, kanë të drejtë t’i diktojë politikat editoriale në interes të bizneseve të tyre. Në mënyrë eksplicite këtë ide e dëgjova nga goja e një gazetari në një emision televiziv me temën në fjalë i cili tha pak a shumë se nëse një pronar mediaje është ndërtuese i cili, siç kuptohet, ka interesa të kryhen ndërtime, atëhere është fare normale që media e tij të promovojë ndërtimet. Gjithë sipas kësaj ideje një pronar tjetër mediash, që ka interesa të tjera me atë të pronarit të parë, mund të thotë edhe ai “të vërtetat” e tij dhe kështu arrijmë në pluralizmin e opinoneve.
Po a mund të katandiset roli i mediave dhe i gazetarit kështu siç fatkeqësiht po ndodh në vendin tonë të çudirave edhe me kontributin e shumë gazetarëve? Po tendoj - pa hyrë në prapaskenat e shpërdorimit të mediave dhe as të lidhjeve të tyre me politikën, por thjeshtë duke iu përmbajtur kësaj ideje - të rendis vetëm disa argumenta se pse nuk mund të jetë kështu:
Së pari, të mendosh se një media ekziston vetëm në sajë të pronarëve dhe jo edhe në sajë të gazetarëve që u japin atyre trajtë me mundin, dijet dhe djersën e tyre e tyre është një pohim dramatik për ata gazetarë që e thonë. Edhe kur bëhet fjalë për prodhime mallrash shumë më pak komplekse sesa një gazetë apo një program televiziv ata konsiderohen si produkt i një grupi njerëzish të cilët shpërblehen sipas meritave dhe kontributeve e kanë, po ashtu, të drejtat e tyre të përcaktuara nga kontrata e nuk janë meritë e një personi apo disa personash të vetëm.
Së dyti, media qoftë ajo e shkruar apo televizive, edhe kur ka pronarë privatë, është një gjë publike. Të mos harojmë se shumë media mbahen edhe në sajë sponsorizimesh të ndryshme si psh. ato nga AMC apo Vodafon që e kanë burimin në ligje që u heqin këtyre një pjesë të taksave për të mundësuar informimin dhe formimin e publikut apo edhe nga institucione shtetërore si psh. Ministria e Kulturës. Nëse këto media do të punonin thjeshtë për interesat e pronarëve të tyre atëhere do të ishte e udhës që shteti urgjentisht të ndryshonte ligjet për sponsorizimet dhe, po ashtu, që institucione si Ministira e Kulturës të mos derdhnin taksat e shqiptarëve në këto media.
Së treti: përdorimi i mediave për interesa private pronarësh ngre problemin e pabarazisë edhe të bizneseve me njëri tjetrin, por, mbi të gjitha, të qytetarit të thjeshtë përpara biznesmenit pronar mediash. Sepse, gjithë duke iu referuar shembullit që përmënda më sipër, nëse një pronar ka media dhe gazeta për të promovuar interesat e tij të ndërtimit qytetari që dëmtohet nga ky lloj biznesi siç ka ndodhur shpesh; apo, le të themi, shoqata ekologjike që duhet të thotë anën tjetër të medaljes së këtij biznesi nuk e ka këtë mundësi.
Por më dramatikie bëhet çështja nëse do ta kthejmë nga ana e pasme qilimin e kësaj ideje dhe të shtrojmë pyetje të tilla si: Cili është roli i gazetarit në një media? Cila është e vërteta e gazetarit? A mund të ndryshojë ajo nga e vërteta e pronarit apo duhet të jetë identike me të? A mund të thuhet e gjithë e vërteta që i intereson publikut nëpërmjet thënies së interesave të disa pronarëve të ndryshëm?
Sipas idesë në fjalë i bije që gazetari të katandiset në një shkrues i cili talentin e tij prej shkruesi e ve në shërbim të një pronari. Kjo ide të çon tek gazetari pa fytyrë dhe pa ide të vetat. Në Shqipëri ndodh vërtet kështu dhe numri i gazetarëve pa fytyrë apo që po e humbasin fytyrën po shtohet në mënyrë dramatike. Ky tip gazetari është edhe i çliruar nga përgjegjësia për atë që shkruan apo thotë sepse, tek e fundit, ai mund të justifikohet se ky ishte vullneti i pronarit të tij. Në thelb ky tip gazetari të çon tek gazetari i komunizmit i cili dihet se shkruante e fliste në emër të regjimit që e paguante pa pasur as lirinë dhe as personalitetit e tij? Nuk është rastësi që 45 vjet aktivitet gazetaresk në kohën e komunizmit sot nuk shënon asnjë gjë dhe asnjë emër që mund jetë i denjë për emrin gazetar. Kam përshtypjen se një aradhë gazetarësh, në këtë kapitalizmin tonë të egër, janë po aq anonimë e njëherësh po aq dhunues të së vërtetës dhe interesit të vërtetë të publikut. Ndërkaq duhet të kemi parasysh se edhe në ushtritë e një vendi demokratik njeriu nuk mund të zhvishet nga personaliteti dhe integriteti i tij sikurse duan t’i zhveshin disa pronarë tanët gazetarët apo sikurse vetëzhvishen shumë nga gazetarët tanë. Një ushtar qytetar sot në botën demokratike edhe me ligji është i mbrojtur nga detyrimi për të kryer një veprim të urdhëruar nga eprori i tij kur ndërgjegja e tij i thotë se ky veprim mund të jetë kundër të drejtave të njeriut psh. Kurse ideja në fjalë synon t’i kthejë gazetarët në ushtarë të bindur joqytetarë që betohen mbi emrin e padronit.
Sipas idesë se media duhet të punojë për interesat e pronarit del se puna e gazetarit vlen, matet dhe shpërblehet si puna e zëdhënësit të pronarit. Një gazetar do të vlerësohet më shumë apo më pak varësisht nga fitimi më i madh apo më i vogël i bizneseve të pronarit të tij dhe kuptohet se një ndërtues psh, do të ketë shumë më tepër mundësi t’i lançojë gazetarët e tij sesa një, le të themi, shoqatë ekologjike që ka mundur të nxjerrë fletushkën e saj me ndonjë projekt të finacuar nga perëndimorët - pavarësisht se të vërtetat e gazetarit ndërtues mund të kenë shumë më pak peshë për publikun e gjerë sesa të vërtetat e gazetarit ekologjist.
Po ashtu kurrsesi e vërteta dhe problematika e një grushti pronarësh nuk mund të mbulojë të gjithë të vërtetën e të gjithë problematikën e një shoqërie. Ajo është shumë më e gjerë dhe jo rrallë e përkundërt me të vërtetat e bizneseve të tjera të pronarëve të këtyre mediave. Jo vetëm, por shumica e pronarëve tanë të mediave kanë pasur dhe kanë interesin e përbashkët të fshehin shumë të vërteta e të ekzagjerojnë shumë të tjera dhe pasojat e këtyre qëndrimeve i gjen kudo në gjendjen e qytetarit që nuk ka as pushtet politik as mediatik as financiar për të mbrojtur interesat e veta. Dëmet që ka sjelllë industria e ndërtimit, shumica me pronarë mediash, sëbashku me shkeljet që ajo ka bërë janë një nga ilustrimet e këtij shpërdorimi. Ose, për të sjellë një shembull krejt të freskët: një televizion lokal i Tiranës pardje mbuloi treçerekun e kohës së lajmeve me faktin se i ishte hequr një antenë në Shkodër, të cilën për më tepër e ka të paligjëshme, pa patur fare parasysh faktin se ky nuk është lajmi më i rëndësishëm dhe i vetëm për publikun dhe as shqetësimi më i madh për të.
Rendita vetëm disa argumente që më duken të mjaftueshëm për të provuar se tentativa për legjitimimin e idesë se pronarët mund t’i përdorin gazetarët si ushtarë joqytetarë në mbrojtje të interesave të tyre do të ishte një hap më tej në përçudnimin e medias sonë e të misionit të saj tashmë goxha të përçudnuar. Fakti që edhe në botën e qytetëruar dhe demokratike mediat vende vende dhe herë herë nuk i shpëtojnë dot infuencave të pronarëve të tyre privatë nuk mund të përdoret për të legjitimuar të keqen siç bëjmë ne shpesh duke marrë e aplikuar si normë ekstremet e së keqes në Perëndim.
Gazetari duhet të jetë një personalitet që duhet të ketë vizionin e tij mbi botën, ndjeshmëritë e tij, ëndrat e tij për shoqërinë e njëherësh pavarësinë e tij nga pushteti qoftë politik qoftë financiar. Gazetarët që shkojnë e vriten duke bërë kronika luftrash apo që i vret mafja nuk e bëjnë këtë as për pronarët e as për të hollat e tyre, por për një vokacion shumë më të lartë që i jep kuptim qënies së tyre shoqërore. E vërteta e gazetarit sigurisht nuk mund të jetë e vërteta e vetme; ajo duhet të ballafaqohet me të vërtetat e të tjerëve, por e vërteta e tij duhet të burojë nga bindjet e tija, nga përkatësia shoqërore e kulturore e tij, dhe kurrsesi nga kuleta e pronarëve të medias ku ai punon. Përndryshe gazetari humbet kuptimin e profesionit të tij fisnik duke i dhënë këtij kuptimin e profesionit të ulët të qahajait. (Korrieri, 10 maj 2007)

No comments: