Tuesday, September 11, 2007

Antonioni, Bergmani dhe Teta Ollga

Më la një shije të hidhur pompa mediatike me të cilën u shoqërua vdekja e Violeta Manushit para afro një muaji. Që nga Presidenti Topi e kryeministri Berisha deri tek kolegë të saj aktorë, dramaturgë e skenaristë, i çanë mediat me deklaratat e kujtimet e tyre mbi "artisten e popullit", "aktoren e madhe", "të pazëvendësueshmen", "të papërsëritëshmen". E frenova, megjithatë, impulsin që më lindi për të shkruar mbi problematikën e këtij nderimi pa asnjë lloj sensi kritik.
Kuptohet, desha të shkruaj për atë rol trushpëlarës që ka luajtur kinematografia e realizmit socialit për të krijuar njeriun e ri ku Teta Ollga e filmit Zonja nga Qyteti, personazhi me të cilin gati identifikohej Violeta Manushi, është një prej modeleve. Një film tipik i realizmit socialist që sot duhet të tingëllojë qesharak në komicitetin e tij të djeshëm, por që i tillë u ka tingëlluar edhe asokohe njerëzve me mend. Desha po ashtu të shkruaj për një lloj mitizimi bosh që u bën media jonë shumë figurave të shquara të realizmit socialist ndërkohë që gazetarët as nuk ua njohim veprat madje as janë në gjendje nganjëherë t'i vlerësojmë për mirë apo për keq. Për atë se e majta dhe e djathta përsa i përket kulturës janë qe të dyja vazhduese të së njëjtës kulturë: asaj që prodhoi ideologjia nacional komuniste e Hoxhës.
Argumente kësisoj, pra, desha të shtjelloj duke ngritur edhe pyetjen: çfarë farë po ndodh në kulturën shqiptare postkomuniste? Si ka mundësi që glirifikohen kështu mediokriteti dhe trushpëlarja që prodhoi nacional komunizmi? Ç’është kjo injorancë në veprim - gjëja më e frikëshme sipas Gëtes. Desha t'i kujtoj edhe kryetarit të PS Edi Rama kohën kur tallej me brekët e Teta Ollgës.
Megjithatë e lashë. Paqe të vdekurve thashë me vete. Tek e fundit në atë shoqëri analfabetësh ishte gjë e madhe për një grua qoftë vetëm të guxonte të dilte në skenë. Le të gjej një rast tjetër, me të gjallët, për ta trajtuar këtë tematikë që, tek e fundit, jo se e kam lënë pa trajtuar, të paktën aq sa për të mbajtur të qetë ndërgjegjen time.
Por ajo hidhësirë e akumuluar nuk më paskësh ikur. Truri është një gjë e çuditëshme. Jo vetëm i ruan disa shije e mbresa të vjetra, por ka vetinë të t'i nxjerrë prej thellësive ku ti i ke lënë të harruara nëpërmjet të tjera mbresash të reja, si me ganxha, e të t'i lidhë me to. Kështu më ndodhi me hidhësirën që përmenda duke ndjekur reagimin e botës përtej nesh me rastin e vdekjes së dy figurave të shquara të kinematografisë botërore Ingmar Bergmanit dhe Michelangelo Antonionit. Sa më shumë lexoja e shikoja për ta, aq më shume me dilte nga thellësia mllefi i lënë mënjanë për përcjelljen e stërfryrë të Teta Ollgës. Dhe ganxha kryesore mllefnxjerrëse ishte heshtja prej varri me të cilën u përcoll në provincën tonë të mjerë vdekja e këtyre dy figurave të shquara.
Po vazhdon të ma nxjerrë hidhësirën fakti se bota edhe pas një muaji që kanë vdekur i kujton e përkujton. Tani është festivali i Venecias dhe përsëri shumëçka po thuhet e shkruhet për ta. Ndërkohë tek ne Bergmani dhe Antonioni mbeten edhe si emra të panjohur, se sa për filmat ve bast se janë me kokrra ata që ua kanë parë.
Janë dy mjeshtra të kinemasë botërore që pikërisht për shkak të realizmit socialist shqiptarët nuk kanë mundur t'i njohin. Për më tepër bëjnë pjesë ndër ata që klasifikoheshin si modernistë. Në kinematë e Tiranës nëse Charli Chaplin apo Rene Clair edhe shiheshin, ndonëse keqinterpretoheshin, nëse Felini mundi të fusë së paku “Netët e Kabirias”, Bergmani dhe Antonioni, dy nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinematografisë, nuk i njihte thuajse askush. Nuk e di as nëse filmat e tyre kanë ardhur apo jo në Vilën nr. 1 të Bllokut ku thuhej se udhëheqja bënte shikimin, përzgjedhjen dhe cenzurimin e parë të filmave perëndimorë.
Është, pra, krejtësisht i kuptueshëm fakti që nuk kemi mundur t'i njohin. Por është i pafalshëm fakti që në provincën tonë ne vazhdojmë të mos i njohim. Martin Scorsese, një nga të mëdhenjtë e kinematografisë së sotme, duke shkruar për Antonionin në NYTimes thotë se filmat e tij i kanë "transformuar perceptimin e kinemasë dhe të botës", "imazhet e filmave të tij - thotë ai - që vazhdoj t'i kem brenda vetes e që vazhdojnë të më inspirojnë […] më kanë zgjeruar perceptimin e asaj çka do të thotë të jetosh në këtë botë".
Wody Allen, një tjetër nga të mëdhenjtë e kinematografisë së sotme, kur shkruan po në NYTimes për Bergmanin thotë se kur e pyetën gazetarët se cili kishte qenë ndikimi i tij mbi të u ishte përgjigjur: "ai ishte një gjeni kurse unë nuk jam gjeni, dhe gjenialiteti nuk mund të mësohet." "Janë pikërisht krijuesit e filmit - regjizorët seknografët, aktorët, operatorët, montatorët - ata që provojnë respektin më të madhe për veprën e tij." - shkruan ai për Bergmanin
Në të voglën botën tonë ne vazhdojmë të jetojmë me imazhet dhe madhështinë e Zonjës nga Qyteti. Nëse në vitet e para pas rënies së komunizmit pati një tendencë për një kulturë të re, kritike, pas vitit 1997, paradoksalisht, mu kur filluan të lulëzojnë televizonet e gazetat private, u shkri dhe ajo sëbashku me emigrimin e mendjeve më ambicioze e më të talentuara në Perëndim e me thithjen e të tjerave në kulturën mafjoze të lekut të fituar lehtë ku politika u bë biznesi më fitimprurës.
Po ç'ke me politikanët do të më thotë dikush. Edhe kur shkruan për Bergmanin dhe Antonionin do të përmendësh PD apo PS, Sali Berishën dhe Edi Ramën. Pse nuk përmend kolegët e tu? Në fakt është kritikë e drejtë, por nuk mund të mos më shkojë mendja tek politika sepse edhe realizmi socialist që vuajtëm për 45 vjet produkt i politikës ishte. Edhe heshtja apo shërbimi i intelektualëve produkt i politikës ishte. Edhe kjo kulturë që po mbizotëron sot produkt i kësaj politike që kemi sot është. Tek e fundit është kjo politikë që ka nevojë për njerëz me tru të shpëlarë dhe për të tjerë që u topitet inteligjenca dhe ndjenja e kundërshtimit nga të ndjerit të pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë. Punët shkojnë më së mirë se kurrë për kuzhinjerët kuq e blu kur njerëzit nuk kanë tjetër çfarë të hanë veç gjellëve të vjetra që dinë të gatuajnë ata, madje kur as nuk e dinë se mund të ketë të tjera lloj gatimesh. Si të mos kujtoj politikën kur shoh se kryeqyteti po bëhet afro një milion dhe ka vetëm një kinema dhe një teatër? Pastaj, si të mos e kujtoj Edi Ramën që pikërisht kur filloi rishpëlarja e re e trurit me lëngun e trëndafilit socialist më 1997, kur ai nuk ishte bërë ende thua i mishit të saj, shkruante se i "ngjetheshin mishtë" nga fakti se në televizonet tona jepeshin ende filmat e realizmit socialist; se ndryshimin e emrit të Zërit të Populit e quante "një nga Aktet e Mundshëm Simbolikë të Pendesës për të kaluarën rrënqethëse të asaj gazete e të partisë në përgjithësi" e se tragjedinë e 1997 e konsideronte rezultat të "njeriut me top" të socrealizmit. Tani e kemi kryetar të PS dhe, shikoni, nuk po rrënqethet më nga asgjë. Zëri i Popullit jo emër që s'ka ndryshuar, por është më ibret se kurrë, kurse kryetari i qëllon me top të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai dhe ka borxh t'i varë brekët e Teta Ollgës në ndonjë shtizë në hyrje të selisë së PS e t'i vërë në rresht të gjithë socialistët, të vjetër e të rinj (nga ata që kanë studiuar në Perëndim) t'i puthin si relike të shenjta të PS. Nuk thonë kot se zhgënjimi është fuksion i pritshmërisë: sa më e madhe pritshmëria aq edhe më i madh zhgënjimi.
Megjithatë, që të jemi ca më të drejtpeshuar duhet thënë se kjo trushpëlarje nuk është vetëm problem i procincës sonë të humbur, as edhe vetëm i njerëzve me top si Sali Berisha dhe Edi Rama. Shkrimtari izraelit Amoz Os duke folur në përgjithësi për atë që po ndodh sot në shoqërinë e kosumit thotë se njerëzit janë bërë si fëmijë në kopështin global që i gëzohen lodrave që blejnë me të cilat luajnë dhe kaq. Pra problemi është më i gjerë. Kultura e filmave të lehtë hollivudianë, e velinave, e gërvisht dhe fitosë është dominuese edhe në botën e madhe. Por në këtë kopështin global duket se ne jemi fëmijët më të pavetëdijshëm. Edhe në botën e madhe Antonioni dhe Bergmani ndoshta nuk kuptohen nga një shumicë, por ata janë aty megjithatë si pika referimi, si maja inspiruese. Kurse ne kemi mbetur tek Teta Ollga. (Korrieri, 31 gusht 2007)

3 comments:

Foti said...

Përshëndetje, Fatos!

Nga çka mortore lexova në shtyp, ky ishte i vetmi shkrim ndryshe për Teta Ollgën – ndjesë pastë!

Ndoshta ka mjaft intelektualë që kanë pasur të njëjtën ndjesi mbi ngjarjen në fjalë, por ose heshtin se janë mësuar me një përqasje të tillë, të shtirur, të realitetit shqiptar nga media dhe politika, ose e shohin të pamundur t’i bëjnë ballë një mendësie provinciale, ose nuk duan të rrezikojnë dhe të izolohen, sepse përnjimendsh do të vetëklasifikohen me të paktët.

Në një vend dhe popull ku gruaja trajtohet në shumicë si zëvendëse (hyzmeqare) e nënvendëse (send) e burrit, Ollga ka meritë të madhe, siç e the mirë, dhe atje qëndron kujtimi i saj, i cili nuk kishte pse banalizohej. Sepse kur të atribuojnë gjëra që s’i ke, çfarë është pastaj?

Përmbysja e kanonit të Realizmit Socialist na ka pështjelluar të gjithëve dhe nuk është e lehtë të përzgjedhësh në art e letërsi, por të mitizohen figura të tilla besoj se ka lidhje edhe më interesante, mbi botën e tronditur emocionale të shumë shqiptarëve sot, mbi zbrazëtirën shpirtërore, mbi zhgënjimin e shumëfishtë dhe mbi ngushëllimin që gjejnë shqiptarët në pjesëmarrjet dhe shkëmbimet emocionale me njëri-tjetrin. Nga mënyra e reagimeve dhe nga mobilizimi grupor, duket sikur mezi pritej të ndodhte.

Sentimentalizimi i vdekjes së kësaj aktoreje, emocionalizimi i një ngjarjeje të rëndomtë, ritualizimi publik i një skene më shumë private, tregojnë se sa nostalgji kanë shqiptarët për diktaturën, duke u përpjekur të shpërfytyrojnë faqe banale të një arti njerivrasës, për të rendur e gjetur copa të shkuara të vetë jetës së tyre, në fakt, për të justifikuar e për të shfajësuar veten dhe të tjerët.

Por jo vetëm kaq. Fakte të tilla na ekspozojnë edhe një herë në prapambetjen tonë kulturore, nga paaftësia për t’u shkëputur nga mendësia lindore/orientale, edhe kur përgjërohemi të na bëjnë perëndimorë me doemos. Them se shqiptarin nuk do ta gjejë gjë nga trashëgimia lindore, por do ta pësojë dhe do ta mbajë vendnumëro pikërisht një mendësi e tillë provinciale, nga njëra anë, dhe përkujdesja për të ruajtur një cipë “hijeshie” në gjithçka që ndodh, nga ana tjetër, duke ushqyer e imponuar kësisoj një ndjesi heshtjeje. Që të mos ketë kritika, prandaj dhe shtohet në hipokrizinë vendore.

Meqë përmende cilësinë sociale të gruas në një shoqëri të prapambetur, ku ajo rrihet, abuzohet dhe keqtrajtohet me kanun e me llogjikë, dje, në dyqanin e perimeve, para meje ishte një çift i ri shqiptar. Gruaja e kishte barkun në buzë dhe me pahir ecte, ndërsa burri e ndihmonte me një shportë duke i thënë nga mbrapa: “në tepsi dua të ma pjeksh; përnryshe ta fus kokën atje ...”

Zoti e prehtë në paqe Violeta Manushin dhe të gjitha gratë shqiptare; ato të vdekura dhe ato gjysmë të atilla, që nuk kanë pse të kenë frikë nga vdekja!

Foti Cici

Anonymous said...

Gruaja ne shoqerine shqiptare trajtohet keq dhe dukshem, si ne rastin e ciftit ne dyqan, por trajtohet keq edhe atje ku keqtrajtimi nuk duket, midis elites. Me duhet te pohos se burri shqiptar sot, me keq akoma, ai elitar, ndryshon ne menyre tragjike nga nje sishok ne perendim. Ndersa burri elitatr shqiptar eshte i preokupuar me pavdekshmerine, gruaja afer tij dhe argumentat e saj konsideron jo te te njejtit nivel. Kjo thjesht sepse mashkulli eshte ne piedestal te cdo gjeje, dhene se nje grua arrin diku tek rreza e piedestalit, kjo thjesht sepse keshtu deshi burri i mencur intelektual. Kjo lloj hierarkie eshte tejet sunduese ne memedhe dheteper e dhimbshme, per gruan dhe burrin. Sepse ndersa gruaja intelektuale perpiqet te mbaje jeten dhe njekohesisht te argumentoje mbi te, burri e quan jeten nje banalitet dhe nuk e jeton ate. Prandaj kemi keta burra kaq namuzqare, qe per gruan kur jane mes tyre e ne humor te mire thone ndonje kompliment minimal, e kur jane me humor te keq e degradojne ne nje qenie fiziologjike te ciles i bejne anatomine dhe i diskutojne aftesite dhe ritet seksuale. Gruaja eshte e dashur, nene, sherbuese, sekretare, nganjehere edhe frymezuese per burrin. Ai eshte thjesht ai! Ah, frymezimin ai mund ta gjeje edhe tek gra te tjera ndersa i kerkon besnikeri dhe devocion absolut asaj qe ka ne shtepi. Respekti futet tek ato gjerat qe ta japin vetem ne fjalimin tek varri. Dhe atehere mund te pyesesh, sa i ndershem ishte ai fjalim dhe respekti ne te. Sigurisht, do me quajne feministe, rruga me shkurter per te dale nga argumenti.

Anonymous said...

Aspak feministe. Përkundrazi, një përqasje e hollë, por dhe e dhimbshme. Se ndërsa femra "tek dyqani" mund ta kapërcejë në çast çka ndodhi, femra "tek elita" e vuan më tepër, në vëzhgimin e saj.

Mu kujtua diçka që lexova vjet mbi (super)elitën shqiptare, se, sipas një dëshmie, gruaja e Kadaresë pat thënë: "Ismaili vendos për çdo gjë". Tani çfarë mund të pritet nga të tjerë, më "të vegjël", kur dihet se shumë elitarë e imitonin Kadarenë jo vetëm në mënyrën se si fliste, qeshte, a kruhej, por dhe në jetën familjare.

Madje, më kujtohet aty nga 82-i, një shkrimtar tha çfarë kishte thënë Kadareja në një grup kolegësh, mbi llotaritë e atëhershme:

"Frigoriferi duhet blerë para lavatriçes dhe madje para televizorit." Se ishte gruaja që i lante rrobat me dorë.