Sunday, August 5, 2007

A bëhen punë të mira me njerëz të liq?

Besoj se komenti që mund t’i bëhet zgjedhjes së presidentit duhet të shtillet mbi thënien e Cekës kur doli humbës në derën e Parlamenti: “Disa punë të mira bëhen me njerëz të liq”
Ishte punë e mirë që u evituan zgjedhjet e parakohëshme. Ishte punë e mirë që presidenti u zgjodh me parlament duke respektuar Kushtetutën dhe jo nga një tryezë liderësh me prirje atutoritare. Ishte po ashtu punë e mirë që u zgjodh një njeri që gëzon reputacion qytetarie dhe moderimi.
Por, përveç këtyre të mirave, ne kemi parë edhe një proces të tërë zgjedhjeje të presidentit që ka denoncuar shumçka nga niveli i njerëzve të liq të politikës sonë e që nuk mund të mos bëjë të shtrojmë pyetjen: a mund të bëhen punë të mira me njërëz të liq? Sepse, tek e fundit, çështja shtrohet në funksion të së mirës së vërtetë që kërkojmë nga politika: përmirësimi i jetës sonë në kuptimin më të gjerë të fjalës e që lidhet me premtimet që na ka bërë Berisha në 2005 se do të instalojë shtetin ligjor se do të dënojë korrupsionin dhe të korruptuarit, se do të përmirësojë gjendjen eknomike, se do të na garantojë liritë e falës e shtypit.
Nuk ka dyshim se në darkën e fitores në Green House liderët e PD kanë festuar pa i brerë fare ndërgjegja për mjetin me të cilin arritën qëllimin. Në fakt zgjedhja e presidentit u përjetua si një betejë se kush ia fut tjetrit, se kush, pra, do të thërrasë “fitore” e kush do të ulë kokën i humbur e i poshtëruar. E në këtë betejë nuk është kursyer asnjë mjet. Këtë mosbrerje ndërgjegjeje për mjetin mazhorancës ia ka lehtësuar fakti se edhe krahu tjetër po kështu ka vepruar. Në emër të fitores së tyre ata kërcënonin me zgjedhjet e parakohëshme që do të ishin fatale duke patur parasysh gjendjen në të cilën është politika jonë. Poende, sikur ata të tre që votuan kundër të ishin bërë pesë do të bënin që ajo mbrëmje të ishte e zezë jo e bardhë për demokratët dhe askush nuk siguron se edhe ata të tre nuk janë “paguar” në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër nga pala tjetër. Problemi megjithatë sot është se tashmë nuk po merret më vesh se cili është qëllimi i mirë dhe cili është mjeti i lik, cilët janë të mirët e cilët të liqtë. Sot pyetja shtrohet: a mundet Berisha Kryeministër dhe Topi President të bëjnë punët e mira të premtuara kur ata qëndrojnë në pushtet në sajë të njerëzve të liq? Apo, mos vallë, prej njerëzve të liq duhet të presim punë të këqija dhe kaq?
Në fakt ajo çka kemi vënë re gjatë këtyre dy vjetëve pasi Berisha mori mandatin është tërheqja vazhdimisht e njerëve të cilësuar prej vetë atij si “të liq” për të mbajtur pushtetin në mënyrë që pastaj nëpërmjet tyre, medemek, do të bëjë punët e mira të premtuara. Ashtu siç rezulton deri tani bërja politikë e Berishës ka mbetur në menaxhimin e interesat të njerëzve të liq? E ndërkaq e gjithë kjo punë titanike ka bërë të shtrohet pyetja: ku është e mira, ku materializohet ajo? Duket skur ajo ka mbetur diku në ajër, por kurrsesi nuk po gjendet në politikën shqiptare. Qëndrimi në pushtet me çdo mjet ka zëvendosuar qëllimin e mirë të premtuar kur u morr pushteti duke bërë që, si rezultat përfundimtar, të kemi vetëm materializimin e qëllimit të lik të njerëzve të liq të përdorur.
Tani Berisha ka mundësi të heqë Prokurorin e Përgjithshëm. Por pyetja shtrohet: a mund të zgjedhin njerëzit e liq një prokuror që të përdorë të njëjtën peshë dhe masë për tërë të liqtë në mënyrë që drejtësia të jetë punë e mirë jo e keqe? A mundet ta bëjë këtë njeriu i mirë Topi i cili tani do të jetë në krye të drejtësisë? Apo prokurori do të përdoret që një pale tu merret pushteti politik dhe financiar i vënë padrejtësisht që ato t’i gëzojë po padrejtësisht pala fitimtare? Të shohim. Thënia se rruga për në Parajsë kalon nëpërmjet Ferrit ka vërtetësinë e saj. Tek e fundit sikur njerëzit të ishin të mirë ne nuk do të kishim nevojë për një sistem që garanton korrigjimin dhe zëvendsimin e tyre. Por kur Ferri bëhet normë jete ka më shumë gjasa që shteku i Parajsës të humbasë në ferrat e tij të dendura e prandaj duhen pastruar më parë ferrat që të nisë rruga nëpër të. (Korrieri, 24 Korrik 2007)

No comments: