Tuesday, June 19, 2007

Teksa presim Bushin

Parlamenti ynë miratoi para pak kohësh një rezolutë mirseardhjeje me rastin e vizitës shtatëorëshe të Bushit në filim të qershorit me një rezultat fantastik: 100% të votave. Pra me vota edhe të mazhorancës edhe të opozitës, edhe të partive të mëdha edhe të vogla, edhe të majta edhe të djathta. Po të ndjekësh mediat tona të mëdha e të vogla, të majta dhe të djathta do të konstatosh se gjithashtu 99% e gazetarëve dhe analistëve e cilësojnë vizitën e Bushit si "historike" në mënyrën më euforike duke mos shquar asnjë lloj hijeje kritike në radiografinë e karrierës politike të presidetit të SHBA. Duket sikur ardhja për herë të parë e presidentit të vendit më të fuqishëm të botës në provincën tonë të humbur mjafton që banorët e saj të mos kenë asnjë gjë tjetër në kokë përveç gëzimit të pamatë për këtë ngjarje.
Po të kesh parasysh se deputetët janë përfaqësuesit e popullit dhe se mediat tona janë thuajse hapësira e vetme ku shprehet publikisht opinioni, nuk mund të mos ngresh një pikëpyetje lidhur me këtë përfaqësim 100% të dashurisë dhe gëzimit për Bushin. A kemi të bëjmë me një ndjenjë të vërtetë popullore apo në këtë shoqërinë tonë e në këtë demokracinë tonë ka diçka që nuk shkon? Me fjalë të tjera: a ka Shqipëria paqedashës që janë kundër Bushit për shkak të luftës në Irak? A ka Shqipëria të majtë progresivë që janë kundër Bushit për shkak të politikave të tij konservatore? A ka Shqipëria muslimanë nga ata që ndjehen solidarë me popujt arabë dhe jo me SHBA? A ka Shqipëria ekologjistë nga ata që janë kundër politikave të Bushit ndaj ngrohjes globale? Nëse nuk ka, ky është një problem. Nëse ka pse ata nuk kanë zë publik asfare?
Vështirë të thuash se Shqipëria nuk ka as sa për farë të tillë individë. Kujtoj se kur u hap lufta në Irak afro gjysma e Shqiptarëve ishin kundër kurse gjysma tjetër ndahej midis atyre që nuk e aprovonin ndërhyrjen unilaterale të SHBA në Irak, pasi kërkonin që të bëhej në kuadrin e OKB dhe atyre, më të paktëve, që e aprovonin ashtu siç u bë. Pas asaj që po ndodh në Irak, çka ka bërë që 70% e vetë amerikanëve të jenë kundër presidentit të tyre, vështirë se këta shqiptarë janë bërë aq budallenj saqë të kenë ndryshuar mendje në krahun tjetër. Në Shqipëri gjithashtu nuk është e vështirë të takosh muslimanë si ndër ata me mjekër si ndër ata pa mjekër që janë kundër asaj çka po bën Bushi në Irak. Po ashtu, megjithëse në Shqipëri nuk ka ndonjë lëvizje pacifiste të mirëfilltë apo të majtë të mirëfilltë, nuk janë të pakët ata që nuk pajtohen me konceptin e eksportimit të demokracisë me luftë e dhunë. (Le të kujtoj me këtë rast se ndërkohë që edhe Parlamenti dhe Senati amerikan, tashmë në duart e demokratëve pikërisht për shkak të uljes së jashtëzakonshme të mbështetjes së amerikanëve për Bushin, kërkuan që viti 2008 të jetë viti i tërheqjes së trupave nga Iraku, qeveria e Berishës nuk ka përcaktuar asnjë datë për tërheqjen e ushtarëve tanë atje. Ajo rrezikon të bëhet qesharake duke i lënë ushtarët në Irak edhe pas vetë amerikanëve ashtu sikurse u bë qesharake qeveria e Nanos kur deshi t’i dërgonte jo si trupa paqeje, por si trupa lufte.)
Prandaj do të thoja se çështja duhet të shtrohet se çfarë nuk shkon në këtë demokracinë tonë që diversiteti i mendimeve nuk arrin të shprehet. A mund të flitet për mendësinë e adhurimit e nënshtrimit ndaj aletatit të fuqishëm të trashëguar që nga koha ku bënim pjesë në perandorinë otomane që më vonë e zëvendësuam me Italinë pastaj me Jugosllavinë, BRSS dhe pastaj me Kinën? A ka të bëjë kjo edhe me frikën konformuese ndaj opinonit dominues që ka edhe pushtetin? Besoj se këto ndihmojnë në shpjegimin e faktit paradoksal sipas të cilit ndërkohë që Bushin në SHBA e duan vetëm 30% në Shqipëri e duan 100%. Por nuk mjafton. Duhet të thellohemi edhe në atë çka ka ndodhur e po ndodh gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve të të ashtuquajturit pluralizëm. E në këtë analizë ndër të tjera nuk mund të mos vihet re një hendek dramatik i thelluar midis elitës politike dhe kulturore më një anë dhe popullit më anë tjetër. Sepse, në të vërtetë, kjo eufori 100%-she për Bushin nuk është as dashuri as miqësi e vërtetë. Sepse dashuria e miqësia janë ndjenja të ndërsjellta midis atyre që ndjehen të barabartë. Kurse tek kjo ndjenja jonë, ashtu sikurse dikur tek ndjenjat e djeshme për Titon, Stalinin, Hrushovin, Mao Ce Dunin do të gjesh servilizmin e konformizmin ndaj më të fuqishmit që i duhet një elite në pushtet dhe që, për këtë, kjo i imponon popullit të vet adhurimin e verbër ndaj tij. Por, më anë tjetër, do të gjesh edhe heshtjen, frikën apo pamundësinë për tu shprehur të një numri jo të vogël njerëzish të cilët janë pa përfaqësues apo lider sepse, në një vend si ky i yni, jeta bëhet e vështirë në mos e pamundur për këta lloj liderësh antikonformistë. Dhe dihet se nuk mund të ketë masë pa lider ashtu sikurse nuk ka lider pa masë.
Gjithsesi edhe për këto që thashë edhe përtej këtyre që thashë mënyra se si do të pritet Bushi do të jetë edhe një test për njerëzit me mend që kanë mbetur në Shqipëri se sa shqiptarët kanë kaluar nga foshnjëria në adoleshencë përsa i përket pjekurimin rritjes së një fryme kritike dhe realiste në marrëdhëniet me të fuqishmit. Se sa jemi në gjendje të ndajmë mitin SHBA nga realiteti i politikave konkrete të një administrate konkrete të këtij vendi. Se sa kemi fituar dinjitet e respekt për vetveten gjithashtu. Në emër të kësaj pjekurie apo të këtij procesi pjekurimi e të këtij dinjitetit të munguar them se teksa presim Bushin duhet të kemi parasysh edhe disa gjëra që e kemi të vështirë t’i themi për shkak të asaj cenzure apo autocenzure që i ka rrënjët, siç thashë, sa në historinë tonë të një populli të shtypur e analfabet aq edhe në faktin se ky popull vazhdon edhe sot të mbahet nga elita e vet i iozoluar e në injorancë.
Pra, teksa presim Bushin, duhet të kemi parasysh edhe se ai është një nga figurat më të urryera në një pjesë shumë të madhe të Botës duke përfshirë edhe pjesën më të iluminuar të amerikanvëe dhe evropianëve. Është presidenti që si askush president tjetër i SHBA, ka kontribuar në rëninen e reputacinit e të legjitimitetit të SHBA në botë. Kjo kryesisht në sajë të një lufte si ajo e Irakut me të cilën pretendoi se do të çonte demokracinë në rajon, por mbolli kaos, luftë civile, urrejtje e përçarje të mëtejshme midis popujve dhe rriti rrezikun e terrorizmit në të gjithë botën. Por edhe sikur të mos ishte kjo përsëri do të majftonte fakti se ai, si përfaqësues i neokonsevatorizmit amerikan, ka mbajtur qëndrime regresive ndaj një numri çështjesh shumë të rëndësishme që lidhen me progresin e për të mos e pritur me eufori 100%-she.
Pra, nëse kudo ku ka shkuar në Evropë e kanë pritur dhe do ta presin edhe me demostrata në rrugë, fakti që tek ne nuk do të ketë asnjë gjë të tillë, por veçse brohorima dhe flamuj nuk na bën ndonjë nder të veçantë sepse do të tregojë se në Shqipëri vazhdon të mbretërojë një shoqëri trushpëlarë apo pa tru; se në Shqipëri mungojnë sa dashuronjësit e paqes e progresit aq edhe kurajua qytetare.
Do të ishte infantile të propagandojmë se presidenti vjen tek ne për shkak të një dashurie të veçantë për Shqipërinë. Do të ishte shenjë pjekurie të dallonim interesat e vërteta gjeopolitike të vizitës nga retorikat që përdoren në këto raste si dhe përfitimet dhe jopërfitimet që na sjell kjo vizitë. Në këtë kontekst edhe mbështetja amerikane për Kosovën nuk duhet ekzagjeruar për të përligjur servilizmin tonë dhe symbylljen tonë ndaj çfarë po ndodh jo shumë larg nesh. Por do të ishte edhe më infantile që vizita e Bushit të shfrytëzohej nga mazhoranca në pushtet për t'i treguar shqiptarëve se amerikanët janë me të dhe jo me opozitën. Sepse një nga shkaqet e fryrjes apo stërfryrjes së kësaj vizite rrezikon të jetë edhe dëshira e mazhorancës në pushtet për t'i treguar popullit të vet se sa e do ajo Bushin dhe sa e do Bushi atë. Të gjithë e dinë se Bushi nuk vjen për ndonjë dashuri të veçantë për mazhorancën, por (kjo mund të jetë një nga arësyet) për politikat totalisht proamerikane të qeverive tona si socialiste edhe demokrate.
Gjiithashtu, teksa presim Bushin, nuk duhet të harrojmë atë që e harrojmë shpesh kur vjen puna për të vlerësuar marrëdhëniet tona me SHBA dhe Evropën se, tek e fundit, projekti për të cilin jemi angazhuar dhe të cilin edhe vetë amerikanët ia urojnë Shqipërisë, nuk është bërja e vendit tonë shteti i 51 i SHBA, por bërja pjesë në familjen evropiane. (Korrieri, 18 maj 2008)

No comments: