Tuesday, June 19, 2007

Nderi i kombit dhe ora e Bushit

Ka disa ditë që gazeta Tema kërkon të na politizojë krenarinë kombëtare duke na thënë se autori i lajmit “të rremë” “qesharak” etj., se presidentit Bush iu vodh ora në Fush Krujë është dora vetë Kryetari i PS Edi Rama. Ky ia paska çuar këtë lajm televizionit News 24 e prej këtej e ka marë edhe Top Channel - që të dy televizione pro opozitës. Së fundi kishte shkruar për këtë edhe vetë kryeredaktori Mero Baze një shkrim me titull “Nderi shqiptar dhe nderi i Zegjinese” ku thuhej se “mijëra shqiptarë në botë, që janë ndjerë të turpëruar nga ky lajm, duan ndëshkim”. Gazeta kërkon edhe që Prokuroria të hapë një hetim për këtë shpifje të rëndë që na ka “bërë të ndjehemi keq si njerëz të lindur në këtë vend”, kundër këtij “turpi, po aq historik, sa nderi që na bëri një president amerikan duke vizituar Shqipërinë.” Sulmohet edhe italiani Carlo Bollino i News 24 për “urrejtjen e tij për shqiptarët dhe përdorimin e mediave të tij si fabrika idesh kundër shoqërisë sonë që përpiqet të ngrihet në këmbë dalëngadalë.” Këshilli Bashkiak i Tiranës, me shumicë demokrate, paska kërkuar madje hedhjen në gjyq të dy mediave. Kësaj fushate i qënkan bashkuar edhe disa shqiptarë emigrantë që paskan hedhur në gjyq mediat italiane për shpërndarjen e kësaj shpifjeje turpëruese për nderin e tyre.
Ndërkaq edhe dy televizionet e Ramës nuk po guxojnë ta marrin veten në mbrojtje e ta komentojnë këtë lajm, preferojnë të heshtin e ta lënë të kalojë.
Mirëpo sipas mendimit tim kjo opozitë e Temës ndaj opozitës dhe mediave opozitare dhe kjo mënyrë e të bërit politikë meriton të komentohet.
Nuk më duket aq e rëndësishme të komentohet çështja nëse është i vërtetë apo jo fakti që Bushit iu vodh ora në Fush Krujë. Personalisht kur e dëgjova lajmin e besova dhe qesha me të madhe e nuk u ndjeva fare keq që kam lindur në këtë vend. (Personalisht ndjehem keq në këtë vend, jo për shkak se çfarë mendojnë të huajt për shqiptarët, por për çka i bëjnë shqiptarët shqiptarëve). Edhe kur dëgjova lajmet e përgënjeshtrimeve nuk mund të mos më binte në sy se, sipas përgënjeshtrimit që erdhi nga Ambasada, ora i kishte rënë Presidentit në tokë dhe e kishte marrë një bodyguard kurse sipas përgënjeshtrimit të vetë Bushit, ky e kishte futur vetë orën në xhep.
Nëse ia kanë vjedhur, por, pas një ndërhyrjeje të shpejtë, autori e ka dorëzuar, kuptohet se ky versioni i Bushit nuk është aq i hollë sa ai i Ambasadës. Nëse nuk është i vërtetë, prap nuk mund të mohoet se ora u shfaq në ekran dhe pastaj u zhduk dhe është e vështirë të provosh se Edi Rama e ka shpifur këtë. Pra edhe nëse Rama ka vuajtur rëndshëm, siç e besoj, nga ambicia e parealizuar për ta prekur edhe ai me dorë Bushin, kjo nuk është provë se ai ka shpifur për orën, aq më pak ta akuzosh se ka dashur të turpërojë Shqipërinë. A nuk i deklaroi ai New York Timesit se dashuria jonë për Amerikën dhe Bushin është e vërtetë, nuk është as e rrejshme si ajo që tregonim për Hrushovin dhe Çu En Lain dhe as servilizëm prej provinciali. Shkurt, sipas meje, nuk ka fare bazë faktike për të penalizuar për shpifje qoftë Ramën qoftë mediat e tij. Kurse çështja nëse ia kanë vjedhur apo jo orën Bushit, sipas meje, do të mbetet e hapur në tryezat e shqiptarëve, paçka se cili është versioni zyrtar.

Por nuk është kjo, pra, gjëja më e rëndësishme që meriton të komentohet. Më të rëndësishme sipas meje janë dy çështje: së pari një dyftyrësi fyese edhe për inteligjencën mesatare që tregon kjo fushatë linçimi dhe, së dyti, rreziqet që vazhdon të paraqesë demagogjia e bërjes politikë për goditjen e kundërsshtarit në emër të nderit kombëtar. Le të shpjegohem. Nëse do të hapësh gazetën Tema dhe jo vetëm atë, por edhe shumë gazeta tonat si të krahut të mazhorancës ashtu edhe të opozitës, do të vesh re se në faqet e tyre të para ka me tonelata titujt dhe kryetituj me akuza për shqiptarët hajdutë. Dhe nuk flas për lajmet për qytetarët e thjeshtë, as për ato për trafikantët e heroinës, por për figura të tilla si Presidenti, Kryeministri, ish Kryeministri, Kryetari i opozitës, deputetë, pronarë të mediave kryesore e me radhë. Tema vetë po në atë shkrim që akuzon Ramën për cënim të nderit shqiptar përmend një fakt që e ka botuar vazhdimisht në gazetë (atë të vrasjes së shoferit të Kryeprokurorit), me të cilin synon të provojë se Prokurori i Përgjithshëm është i kapur nga mafja.
Pyetja që shtrohet është: çfarë është më diskredituese për reputacionin apo imazhin e Shqipërisë fakti se një qytetar i panjohur i Fush - Krujës qenka hajdut apo fakti se Presidenti, Kryeministri, kryetari i opozitës, Prokurori, kryegjyqtarët, pronarët e mediave kryesore qenkërkan hajdutër dhe më keq se kaq, madje. Sigurisht kjo e dyta. Madje, po ashtu, mund të shtrohet pyetja: cila është më e ulët dhe më e dënueshme të vjedhësh një orë, qoftë kjo edhe Bushit, apo të vjedhësh miliona nga paratë e popullit shqiptar. Prap kjo e dyta është më e dënueshme. Ai që i ka vjedhur orën Bushit (nëse kjo është e vërtetë) mund të mburret për guximin dhe mund të justifikohet duke thënë se e mori jo për vlerën materiale, por si kujtim. Kurse një udhëheqës që përdor pushtetin për të vjedhur nuk ka as me se të mburret as me se të justifikohet
Larg qoftë me këtë nuk dua të them atë që mund të mendojnë disa, duke e lexuar shkrimin deri këtu, se ne nuk duhet të flasim për udhëheqësit tanë hajdutë sepse kështu prishim imazhin e Shqipërisë. As se shumë nga ato akuza që ka ngritur Tema dhe gazeta të tjera për udhëheqësit tanë e për prokurorët tanë janë shpifje. Jo, jo, besoj se shumë nga ato janë të vërteta. A nuk na porositi edhe vetë Bushi të vazhdojmë luftën kundër korrupsionit. Dhe korrupsioni është një nga format më burracake, më të ulëta e më të dëmshme të vjedhjes. Personalisht preferoj një vjedhës të orës së Bushit ndaj një lideri të korruptuar. Por çështja është se pikërisht vërtetësia e akuzave që ka bërë Tema dhe jo vetëm është argumenti kryesor kundër fushatës që ka hapur Tema dhe jo vetëm.
E shëmtuara dhe banalja në këtë histori është dyftyrësia: një gjuhë që e përdorim për të folur për të huajt dhe një gjuhë që përdorim për të folur me njëri tjetrin për veten, një gjuhë për imazhin dhe një gjuhë për të vërtetën. Më një anë ne kërkojmë prokuror për dikë që duke na nxjerrë hajdut na prishka nderin kurse në anën tjetër pohojmë pa na bërë syri tërr se Prokurori ynë i Përgjithshëm është më keq se hajdut. Ka diçka që nuk vete këtu. Pak më koherencë, zoti Baze. Nëse Kryeprokurori ynë është hajdut nuk përjashtohet fare mundësia që një qytetar i Fush Krujës të ketë vjedhur orën e Bushit.
Dikush mund të thotë se lajmi që shqiptarët i vodhën orën Bushit, duke qarkulluar në gjthë botën, e dëmton më shumë imazhin e Shqipërisë sesa lajmi se Prokurori i Përgjithshëm apo kryegjyqtarët tanë janë të kapur nga mafja. Por një imazh që nuk përputhet fare me të vërtetën, madje që është e kundërta e saj s’ka çna duhet se është thjesht një gënjeshtër dhe një imazh i remë është dy herë i dëmshëm: pse na nxjerr gënjeshtarë herët ose vonë dhe pse nuk na lejon të korrigjohemi. Pastaj, nëse do të besojmë versionin e Bushit dhe jo të Ambasadës se ai e ka hequr orën vetë, më duket se edhe zoti Bush ka kontribuar për të na prishur imazhin. Unë nuk kam dëgjuar që ai ta ketë hequr orën nga dora në ndonjë vend tjetër ku ka shkuar.
Por ka edhe më keq në këtë histori. E kam fjalën për rivitalizimin e një politike të stërvjetër të manipulimit të “nderit të kombit”, të “imazhit të Shqipërisë” të “çështjes kombëtare” për të linçuar kundërshtarët apo ata që mendojnë ndryshe. Po të përdornim argumentimin se duke shkruar për qytetarët tanë se janë vjedhës fyejmë “nderin kombëtar” dëmtojmë “çështjen kombëtare” (sa krime janë bërë në emër të “çështjes kombëtare”!) dhe kjo meriton të hetohet si shpifje e të ndëshkohet deri me procese penale, atëhere rrezikohemi keq. Shumë të vërteta do të duhet të cenzuroheshin për shkak se këto prekin nderin e kombit. Shumë të vërteta do të etiketoheshin “racizëm antishqiptar”. Por do të cenzurohej edhe shumçka thuhet ditë për ditë në shtypin e mediat e huaja për shqiptarët, të cilat mund të cilësoheshin, siç quan Baze punën e Bolinos, “fabrika idesh kundër shoqërisë sonë.” A nuk tingëllon kjo si një ëndërr e keqe e kohës së diktuturës. Poende, zoti Baze, nesër, kur të vijë në pushtet Edi Rama, mund të bëjë një ligj si ato që po bën brenda PS-së e të na heqë edhe të drejtën ta quajmë të korruptuar sepse kështu fyejmë nderin e kombit. Fare lehtë mbështetur mbi vetë fjalët tuaja mund të kërkojë të fusë në burg apo të kërkojë gjoba vrasëse të fjalës së lirë, si ajo 300 mijë euroshe që ju ka kërkuar Sollaku, pse keni kërkuar prokuror të hetojë për kryetarin e opozitës se ka vjedhur (përderisa këtë nuk e ka provuar vetë prokurori i tij). Ja sa larg mund të na çojë politizimi i nderit të kombit.
Kuptohet me këtë nuk dua të shprehem për lirinë e shpifjes, as për lirinë e pakontrolluar të mediave që tek ne i ka bërë e i bën shpesh dhe shumë dëm të vërtetës. Por, gjithsesi, duke iu referuar rastit në fjalë, sepse çdo gjykim, tek e fundit, është kontekstual, do të thoja se dy mediat kanë qenë në të drejtën e tyre elementare të informimit e komentimit (siç është edhe Tema kur flet për Presidentin, Kryetarin e opozitës, Prokurorin e Përgjithshëm) kur kanë dhënë lajmin se ora e Bushit ishte zhdukur dhe se, pikërisht pse jemi në Shqipëri, komenti i parë do të ishte i lidhur me mundësinë që ta kenë vjedhur. Kurse heshtja e mediave të tjera dhe pastaj vazhdimi i kësaj historie me politizimin e nderit të kombit tregon se midis rrezikut të shpifjes dhe rrezikut të kërcënimit të lirisë së fjalës ora e Bushit flet se sa e rëndësishme është të mbrohet liria e fjalës dhe e informimit. Ky rast gjithashtu tregon se të bësh politikë ndaj kundërshtarit duke tentuar të shfaqesh si mbajtës i monopolit të nderit të kombit je, në rastin më të mirë, anakronik, dhe në rastin më të keq, demagog në krizë kredibiliteti, - në mos të dyja së bashku. (Korrieri, 18 qershor 2007)

No comments: