Wednesday, May 30, 2007

A duhen shtyrë apo jo zgjedhjet?

Kjo është pyetja e pyetjeve që shtrohet sot lidhur me zhvillimet e fundit politike. Është një pyetje që kërkon përgjigje jo vetëm nga politikanët që tashmë e kanë dhënë të tyren sipas rreshtimit në partitë të cilave u përkasin, por edhe nga ajo pjesë e opinionit publik që është më jashtë interesave të partive dhe të militantëve të tyre. Është një pyetje e vështirë sepse plot me kundërthënie pasi ka jo pak argumenta në favor të shtyrjes sikurse ka edhe plot argumente kundër saj. Shumica e njerëzve janë nën presionin e dy kënvështrimeve partiake, por ka jo pak syresh që kërkojnë të kenë edhe gjykimin e vet sepse, tek e fundit, zgjedhjet janë i vetmi moment kur pesha e qytetarëve ka një vlerë.
Përtej retorikave që përdorin partitë është e qartë se të dyja kanë interesa të kundërta lidhur me shtyrjen apo mosshtyrjen që lidhen direkt me fitoren apo jofitoren e tyre. Opozita ka më shumë arësye t'i shtyjë sesa t'i bëjë në janar. Këto arësye lidhen me shumçka ende të pazgjidhur brenda saj, por edhe me faktin se sa më shumë të shtyhen aq më shumë ajo mendon se mund të përfitojë nga konsumimi që mund t'i bëjë dimri i ashpër mazhorancës, pa llogaritur ankthin iracional të një ndeshje të vështirë kombinur ky me frikën se mazhoranca mund t'i manipulojë më lehtë tani sesa pas dy muajsh. Kjo tregon midis të tjerash se kemi të bëjmë me zgjedhje që konsiderohen si parlamentare pasi, në fakt, mazhorancë në Tiranë sot për sot është PS. Nga ana tjetër duket se edhe PD këto zgjedhje i konsideron të një rëndësie si ato parlamentare dhe duket se kërkon t'i bëjë zgjedhjet në janar pasi kjo është më në favor të saj qoftë për shkak të dobësisë aktuale të opozitës, qoftë nga frika e efektit të dimrit të vështirë mbi elektoratin.
Po përtej interesave të partive cili do të ishte qëndrimi më i drejtë. Me fjalë të tjera cili do të ishte qëndrimi më i drejtë në favor të interesave të votuesit? Sipas meje, me gjithë kundërthëniet, balanca peshon më shumë në favor të idesë se në interesin e votuesit është që zgjedhjet të kryhen në datën e zgjedhur në përputhje me ligjin.
Le të sjell argumentet pse mendoj kështu. Gjykimi i çështjes së zgjedhjeve në janar nuk ka të bëjë thjesht me respektimin e afateve të përcaktuara nga Kushtetuta. Me fjalë të tjera nuk është puna se ligji nuk mund e nuk duhet të ndryshohet kurrsesi. Ligjet mund të ndryshohen dhe po ashtu edhe Kushtetuta mund të ndryshohet. Por gjykimi i kësaj çështje ka të bëjë me kontekstin në të cilin kërkohet respektimi i këtyre afateve apo ndryshimi i tyre sepse asgjë nuk mund të gjykohet jashtë kontekstit. Dhe cili është ky kontekst? Sipas meje ky kontekst karakterizohet nga vazhdimi në Shqipëri i veprimtarisë së një klase politike që nuk e ka për gjë të shkelë mbi ligjin sa herë ia do intresi pa i dhënë llogari kërkujt duke krijuar një konfliktualitet dhe destruktivitet permanent. Ky është konteksti në të cilin kërkohet ndryshimi i zgjedhjeve. Pra nuk jemi në një kontekst normaliteti ku përjashtimi - në këtë rast ndryshimi i ligjit dhe i Kushtetutës për një forcë madhore siç konsiderohet ajo e kushteve atmosferike - përforcon rregullin. Në rastin e kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve duke u shkelur Kushtetuta kemi të bëjmë me rastin kur përjashtimi zëvendëson rregullin dhe bëhet rregull i pashkruar.
Opinioni publik është i qartë se kjo grindje e fundit midis opozitës dhe mazhorancës nuk bëhet në emër të interesave të votuesit; që ky, pra, të ketë mundësi të shprehë vullnetin e tij e ky vullnet të jetë sa më i patjetërsuar. Kemi të bëjmë thjeshtë me një nga shfaqjet e rradhës të konfliktualitetit permanent e destruktiv midis mazhorancës dhe opozitës, që, po vazhduam kështu, për opozitën do të mbarojë vetëm ditën kur ajo do të kthehej në pushtet kurse për mazhorancën do të rifillojë kur ajo të humbë pushtetin. Ky, pra, është konteksti në të cilin kërkohet shtyrja e zgjedhjeve nga opozita. Shtyrja ose jo e zgjedhjeve nuk e ndryshon filozofinë e ndeshjes; ajo është vetëm një nga raundet e ndeshjes. Nuk është një shërbim ndaj elektoratit, ndaj një vote më të drejtë apo një procesi votimi më të rregullt. Pas shumë gjasash, sikur zgjedhjet të shtyhen edhe dy muaj, në raundet që do të pasojnë do të kemi edhe më shumë probleme të akumuluara edhe më shumë tension edhe më shumë rreziqe për zgjedhje të lira dhe të ndershme pikërisht sepse kemi të bëjmë me një strategji të përshkallëzimit të tensionit dhe të konfliktualitetit.
Dhe çështja e këtij konteksti lidhet me përgjigjen e pyetjes se cili është interesi primar i votuesit në kontekstin në fjalë. Ata që janë për shtyrjen e zgjedhjeve thonë se interesi primar i votuesit është që ai të mund të shprehë votën e tij. Shtojnë gjithashtu argumentet që lidhen me listat apo çertifikatat që, sipas tyre, kështu siç janë, rrisin mundësinë e manipulimit duke deformuar përsëri rezultatin. Por, sipas meje, nuk është ky interesi primar i votuesit duke patur parasysh kontekstin e konfliktualitetit permanent. Një votues që kërkon medoemos të ndryshojë diçka do të shkojë të votojë. Të paktën në qytetet të tilla si Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça etj. Gjithashtu, po qe se mungon mirëbesimi midis partive dhe besimi në institucionet, siç e kanë treguar edhe zgjedhjet e mëparëshme, gjithmonë do të ketë frikëra për manipulim. Sipas meje interesi primar i votuesit në kontekstin në fjalë është që politika shqiptare t'i japë fund arbitraritetit e konfliktualitetit destruktiv që e ka karakterizuar atë gjatë gjithë kësaj kohe, shkeljes së ligjit në emër të interesave të një klani politik kundër një tjetri. Dhe më duket se një mjet i rëndësishëm për të frenuar arbitraritetin e të dy palëve do të ishte vendosja dhe forcimi i një tradite të respektimit të vullnetit të ligjit mbi interesat e dy partive. E kjo kërkon vullnetin e të dy krahëve për të bërë zgjedhje sa më të mira në afatet e përcaktuara nga ligji. Vazhdimi i politikës midis ligjit dhe marrëveshjes sipas së cilës sa herë nuk i pëlqen politikës një ligj e shkel atë duke bërë një marrëveshje dhe pastaj përsëri e shkel këtë marrëveshje duke bërë një ligj tjetër duhet të marrë fund. Vetëm atëhere do të ketë shpresë se mund të fillojë ndërtimi i një shteti të ligjit kundër shtetit të personave. Kurse një marëveshje e re për shtyrjen e zgjedhjeve në kurriz të Kushtetutës do të jepte mesazhin e degradimit edhe më të shtetit. (Korrieri 13 dhjetor 2006)

No comments: