Wednesday, May 30, 2007

Bathorasit e politikës

Lajmi se zgjedhjet, mesa duket (por jo me siguri), do të shtyhen për në datën 18 shkurt është një lajm më së pari qetësues. Kjo sepse përndryshe do të kishim në vend një situatë që pas vitit 1997 do të konsiderohej më anormalja në këta 15 vjet dhe askush nuk i do situata të tilla për njëmijë arësye ndër të cilat edhe për shkak të imazhit që po vazhdojmë t’i japim familjes evropiane - e së cilës aspirojmë të bëhemi pjesë. Pra më mirë kështu sesa ashtu.
Por kjo “kështu” është një lajm që bashkë me këtë qetësim bart me vete edhe njëmijë shqetësime. Këto janë të gjitha të lidhura me faktin se është qetësuar një krizë e sëmundjes, por nuk është shëruar dhe as gjetur terapia për kurimin e saj. Dhe kjo të sugjerohet nga vetë komentet e para të kësaj ngjarjeje nga të dy palët. Lajmi trajtohet nga palët sikur të bëhet fjalë se kush fitoi më shumë pikë në këtë raund të ndeshjes së boksit ndërkohë që dy boksierët janë ulur në dy qoshet e tyre dhe po bëjnë pushimin e rradhës duke marrë freskun e rradhës nga peshqirtundësit përpara se të ngrihen të fillojnë raundin tjetër. Dhe kuptohet se ky raund tjetër parashikohet të jetë edhe më i ashpër sesa paraardhësi sepse është rritur kombativiteti e tensioni që po grumbullojnë këto zgjedhje. Ndërkaq duket sheshit se militantëve tifozë u intereson vetëm fitorja në fund dhe emocionet që u ngjall ndeshja, aspak cilësia e ndeshjes, dhe as numri i pafundëm i faullave që bëjnë boksierët e tyre të preferuar, as fakti se ata kanë marrë aq shumë të çara nëpër vetulla e hundë e gojë saqë një arbitër normal do të duhej t’i nxirrte jashtë luftimit.
Cili është shqetësimi më i madh ose shqetësimi i shqetësimeve që ngre kjo marrëveshje e rradhës për të shtyrë zgjedhjet? Sipas meje thelbi i shqetësimit qëndron në faktin se edhe kjo marrëveshje është bërë me një logjikë bathorase, dmth me logjikën e imponimit të faktit të kryer i cili, pasi shkel ligjin, bëhet më i rëndësishëm sesa vetë ligji për shkak të dëmeve që mund të sjellë zbatimi i tij, duke imponuar kësisoj dhunimin e tij. Dhe kjo është sëmundja e sëmundjeve të krejt politikës e politikanëve tanë. Berisha kot e ka që thotë se zgjedhjet janë brenda afatit kushtetues sepse del që ia paska futur kot deri dje kur ngulmonte se do të zbatonte vetëm Kushtetutën dhe po ashtu edhe Presidenti ia paska futur kot kur thoshte se zgjodhi afatin e fundit kushtetues. Nga sa kuptoj unë afati nga 20 janari më 20 shkurt është afati në të cilin do të duhej të garantohej ndrrimi i pushtetarëve lokalë. Por pikërisht ky qëndrim kësisoj ndaj ligjit, të cilin e interpretojmë si të duam kur të duam tregon sa sa e respektojmë ne atë. Por edhe opozita e ka kot që pretendon se në këtë mënyrë gjithshka do të mbetet brenda Kushtetutës e do të sigurojë standartet – paçka se vazhdon të na flasë për çertifikatat që kurrë nuk e morrëm vesh tamam se si e qysh do të përdoren për manipulim zgjedhjesh. Ata thjesht duan të gjejnë një dalje me nder nga qorrsokaku ku u futën. Dhe mirë bëjnë, tek e fundit. Éshtë më mirë që u ndalën në këtë pikë sesa konflikti të merrte edhe më tepër zjarr, por të mos na thonë se vunë në vend ligjin dhe standartet sepse atë/ato veçse i kanë dhunuar edhe më tej.
Sot të gjithë bëjnë kalkulimin se cili del më i fituar dhe cili del më i humbur nga kjo shtyrje. Përsa u përket të dy palëve që ndeshen në ring ato kanë fituar e humbur diçka në këtë raund të ndeshjes. Berisha ka humbur edhe disa pikë të tjera përsa i përket perceptimit të figurës së tij si politikan i vendosur për të instaluar shtetin ligjor në Shqipëri. Po ashtu kjo do t’i faturohet si një kompromis i radhës me sistemin e korrupsionit që ka premtuar ta luftojë, por, nga ana tjetër, ka fituar ndonjë pikë në funksion të përmirësimit të imazhit të viteve 1992 – 1997 të njeriut autoritar që nuk e njeh dialogun dhe konsensusin. Ndërkaq fakti që nuk arriti t’ia mbyllë gojën opozitës duke i realizuar disa premtime mbi standartet e përforcon një perceptim ekzistues mbi joefektshmërinë apo jovullnetin e duhur të qeverisjes së tij. A do të humbasë ndonjë pikë më shumë nga konsumimi i elektoratit nga një muaj më shumë dimër? Kam përshtypjen se jo edhe aq sepse njerëzit e dinë se edhe ky dimër pa drita është rezultat i të dy palëve që po grinden jo i njërës palë vetëm. Ndërkaq opozita, sipas gjykimit tim, ka humbur diçka më shumë nga çka fituar nga kjo shtyrje. Kjo sepse ky sherr kryesisht iu faturua asaj duke i dhënë imazhin e një opozite krejt të papërgjegjshme, të drejtuar nga fëmijë të rritur, dhe, nga ana tjetër, sepse brenda një muaji zor se do të mund të përmirësohet ndonjë gjë serioze përsa i përket të ashtuquajturve standarte. Jo vetëm, por kjo krizë sikur e fokusoi shumë më tepër elektoratin që të votojë në mënyrë referendare për fajtorin e kësaj krize dhe kjo do të largojë edhe ca vota të tjera nga PS.
Megjithatë ndoshta jam i gabuar në këto vlerësime. Por për një gjë jam shumë më i sigurt kur flas: se historia e kësaj krizë do të njohë edhe një herë, si përherë, humbësin e sigurt: ligjin dhe Kushtetutën. Po ashtu për një gjë jam shumë më i bindur: se kjo histori përforcoi edhe më në elektoratin e gjerë mendimin se drejtohet nga një klasë politike e papërgjegjëshme, e cila, mu pse e ka shkelur e nëpërkëmbur tradicionalisht ligjin e Kushtetutën, vazhdon ta bëjë këtë e do të vazhdojë ta bëjë derisa të jetë në skenën politike. Me fjalë të tjera, mënyra se si u krijua, menaxhua dhe qetësua kjo krizë (nuk guxoj të them u zgjidh) ishte një fitore e rradhës e tërë kësaj klase politike (en bloc) ndaj ligjit dhe Kushtetutës, ishte një fitore e rradhës e atyre që e vendosin veten mbi ligjin ndaj atyre që i shohin nën ligjin, ishte një fitore e bathorasve të politikës që u thelloi atyre statusin e paprekshmërisë dhe pandëshkueshmërisë të fituar me kaq e kaq bëma e aventura të mbrapshta në kurriz të qytetarëve që kanë respekt për ligjin.
Megjithatë ne prap ndjehemi të qetësuar që ata u qetësuan (apo po qetësohen) sepse në mungesë të tyre nuk kemi gjë tjetër. Por a duhet ta interpretojmë këtë mungesë duke thënë se nuk meritojmë gjë tjetër apo duhet të fillojmë të kërkojmë seriozisht të meritojmë diçka tjetër? Them se ky varianti i dytë është më i shëndetshëm. (Korrieri, 28 dhjetor 2007)

No comments: