Friday, March 16, 2007

Kompromisi moral, kompromisi politik dhe pazaret

Në debatet e shumta që hapi takimi Nano Berisha mbi moralitetin apo imoralitetin e tij, mbi vlerën apo mosvlerën e tij krizëzgjidhëse më tërhoqi vëmendjen edhe polemika midis Artan Fugën dhe Mustafa Nanos. Midis të tjerash në polemikë trajtoheshin edhe ngjashmëritë (sipas Fugës) apo pangjashmërinë (sipas Nanos) të këtij takimi me të tjera takime e kompromise midis armiqsh e kundërshtrarësh në botë. Më qëlloi që pikërisht në ato ditë të lexoja në gazetën italiane La Republica një shkrim të ish disidentit, politikanit dhe historianit polak Geremek mbi ngjarjet në Poloni pas çështjes së arqipeshkopit Wielgus i cili u akuzua si agjent i shërbimeve sekrete dhe për këtë dha dorëheqjen ditën e meshës që do të përuronte detyrën e tij si arqipeshkop i Varshavës. Nuk mund të mos bëja lidhjen pasi në argementet e Fugës përmendej, midis të tjerash, edhe takimi ndërmjet Jaruzelskit dhe disidentëve Polakë në fund të viteve 80 që i hapi rrugën trasformimit paqësor politik në Poloni e për të cilin fliste edhe Geremeku në shkrimin e tij.
Duke iu përgjegjur akuzave që i bëhen sot në Poloni disidentëve si Geremeku nga politikanët e rinj që kanë ardhur në pushtet, të cilët i akuzojnë se kanë bashkëpëunuar me regjimin e djeshëm, Geremeku thotë duke folur për atë takim: "Kemi bërë kompromis politik, por jo kompromis moral." Është një pohim që ve në dukje diferencën midis dy kompromiseve dhe që nuk fsheh, nga ana tjetër, problematikën e kësaj diference që e vuan edhe Geremeku.
Më duket se duke iu larguar trajtimeve bardhe zi dhe qëndrimeve emocionale që dominuan në shtypin shqiptar çështja e takimit Nano Berisha duhet shtruar, tek e fundit, në kontekstin e kësaj problematike. Pra i duhet dhënë përgjigje pyetjes se çfarë ishte ky takim një kompromis politik, një kompromis moral, apo çfarë? E, në këtë këndvështrim, them se nuk është çështja thjeshtë tek ky takim. Këtë takim duhet ta trajtojmë si një fenomen që fare mirë mund t'i vihet edhe shumë emra takimesh të tjera emrash të njohur.

Kompromisi politik është më i qartë për tu dalluar. Ai arrihet midis dy kundërshtarësh që mbrojnë interesa të ndryshme që kanë ambicie të ndryshme. Të dy palët heqin dorë nga diçka për të arritur këtë kompromis sepse të dy palët, por edhe popullsia në përgjithësi, më shumë do të humbisnin sesa të fitonin nga moskryerja e këtij kompromisi. E në këtë aspekt është e drejtë ideja se politika është kompromis. Por një gjë duhet vënë në dukje menjëherë kur flasim për kompromisin politik. Ai nuk duhet mistifikuar sikur të jetë zgjidhja e artë e politikës. Çdo kompromis politik ka specikat e veta dhe po ashtu edhe anët e tij të dobëta e mund të sjellë suksese ashtu sikurse mund të sjellë edhe dështime. Kompromisi mund të arrijë përafrimin e dy ekstremeve në një të mesme "quaje po deshe të artë" dhe tek kjo e mesme mund të mblidhen të mirat e dy ekstremeve, por aty mund të mblidhen edhe të këqijat e dy ekstremeve.
Politikisht kompromisi Nano Berisha zgjidhi një krizë që po e çonte vendin në rrezik kaosi dhe vakumi institucional, e kjo i duhet njohur. Por ai ka edhe shumë anë negative politikisht ndër të cilat shpejt e shpejt mund të thoja se ai fuqizoi traditën e vjetër të pushtetit të personave mbi atë të institucioneve, apo se ai rrezikon të na bashkojë nesër dy të këqijat e ekstremeve autoritarizmin e Berishës me korrupsionizmin e Nanos. Por mbi të gjitha ai tronditi rëndë, për të mos thënë se rrënoi, shpresën se Berisha do të mbajë premtimet për luftë korrupsionit të cilat janë sa politike aq edhe morale. Deklarata e Berishës pas takimit se ato çka ka thënë për Nanon kanë qenë për efekte elektorale është një deklaratë që në një vend me demokraci normale do të shkaktonte krizë politike (si ajo para disa kohësh në Hungari) dhe kërkesë për zgjedhje të parakohëshme sepse del se publiku është mashtruar nga ky politikan kur ka votuar.
Takimi Nano Berisha në këtë kontekst ishte jo vetëm një kompormis politik me shumë të meta, por edhe një kompromis i rëndë moral, pasi u përjetua si një tradhëti ndaj disa principeve dhe premtimeve? Ai të bën të shtrosh pyetjen: mos është më e drejtë të themi se nëse një kompromis është i papranueshëm moralisht ai nuk mund të jetë i pranueshëm edhe politikisht? Mbetem i mendimit se nuk mund të ketë një ndarje midis politikës dhe moralit, se ato janë dy hapësira të aktivitetit publik që edhe janë të dallueshme por edhe të shkrira me njëra tjetrën. Nëse do të kërkonim një ide bashkuese të të dyjave më duket se ajo gjendet tek Raymond Aroni i cili thotë: "Për interesa kompormiset edhe mund të bëhen, por për vizionin e botës kurrë." Problemi që shtrohet sot mbi tërë klasën politike shqiptare është: a kanë apo nuk kanë këta një “vizion të botës” në të cilin besojnë e për të cilin janë të gatshëm të mos pranojnë asnjë kompromis? Dhe përgjigja është: jo as nuk e kanë pasur dhe as kanë. Ata njohin vetëm interesa, shpesh nga ato më banalet, dhe se janë këto interesa që diktojnë mbi politikën dhe politikanët tanë duke i humbur sensin politikës dhe duke bërë që takime të tilla e politika në përgjithësi tek ne të mos e meritojë fjalën kompromis, por thjeshtë fjalën pazar. (Korrieri, 28 Janar 2007)

No comments: