Sunday, August 20, 2006

Të bëjmë diçka që nuk mban erë korrupsion e përfitim personal, por shërbim i sinqertë ndaj publikut.

Jeni zgjedhur në krye të KDRTSH. Janë ngritur zërat se keni humbur pavarësinë, por mbi të gjitha akuzoheni se procedura dhe kontestimi i opozitës e zvenit legjitimitetin e zgjedhjes suaj.

Lidhur me pavarësinë duhet sqaruar se kurrë nuk kam qenë gjatë kësaj periudhe që jam njeri publik pa një pozicionim pro ose kundra një force politik dhe po ashtu edhe pro ose kundra veprimeve të caktuara të një force apo një force tjetër politike. Nuk kam qenë militant partiak asnjëherë, por kam qenë në pozicionin e intelektualit të angazhuar gjithherë. Duke mos hyrë në një parti apo në një tjetër i kam lejuar vetes më shumë liri për të zgjedhur e po ashtu edhe për të mos e mbështetur më një parti apo një tjetër në momentin që kam ndryshuar mendje e bindje. E në këto kontekst vitet e fundit besoj se kam qenë krejt transparent në mbështetjen që i kam dhënë PD në luftën kundër sistemit të korrupsionit sepse kam pasur dhe vazhdoj të kem bindjen se e keqja dhe rreziku më i madh vendit i ka ardhur e po i vjen nga ky sistem i shtetit të kapur që ngritën e sofistikuan socialistët dhe jo nga autoritarizmi i Berishës e se ka një vullnet për këtë luftë nga ana e mazhorancës ndërkohë që opozita në rastin më të mirë kërkon të na kthejë atje ku ishim para 3 korrikut. Dhe i kësaj mendje u tregua edhe shumica e elektoratit më duket.
Por, nga ana tjetër, kush i ka lexuar shkrimet e mija shpresoj se ka parë se kryesisht jam marrë me fenomenet e jo me partitë apo individët, kam kërkuar ndryshimin e sistemit po ashtu dhe jo të njerëzve e nuk kanë munguar edhe gjatë kësaj kohe kritikat dhe paralajmërimet ndaj PD. Nëse nga pozicioni ku jam unë që pretendoj, modestisht, të jetë shprehës i pozicionit të opinionit më të gjerë publik, sot për sot i jap më shumë pikë PD sesa PS, kjo nuk do të thotë se qënkam i varur nga PD-ja. Të thuash kështu është sikur ta kthesh një fotografi në negativ. Janë një numër gazetarësh që duke ushtruar këtë teknikë të kthimit të gjërave në negativ çuditërisht tregojnë një mungesë kujtese që i zbeh profesionalisht apo i bën jo kredibël kur më akuzojnë se tani humba pavarësinë. Shkruajnë psh. se Lubonja u bë për herë të parë me pushtetin dhe kështu u bë pis. Ata “harrojnë” se nuk është hera e parë që unë “jam bërë” me pushtetin sipas logjikës së tyre të bërjes me pushtetin. Në 1997 kam qenë po antar i Këshillit të RTSH, madje nga pikpamja e qënies pjesë atëhere kjo “anësi” ishte më e fortë sepse u propozova nga mazhoranca e atëherëshme, jo nga shoqëria civile sikurse jam propozuar kësaj here. Ata harrojnë gjithashtu se e kam mbështetur për disa vjet me rradhë atë pushtet më shumë sesa opozitën, gjithë duke e kritikuar përherë e më shumë e pa u bërë pjesë e tij dhe e korrupsionit të tij derisa u binda se degradimi i tij dhe sistemi që ata ngritën ishte bërë e keqja më e madhe e Shqipërisë. Është e drejta e tyre të mendojnë se Berisha është një e keqe më e madhe sesa shteti i kapur që ngritën socialistët, por që të mos i akuzojnë siç do të mund t’i akuzoja unë, që mendoj ndryshe, se janë të varur nga mafja që ende ka kapur shtetin, le t’i bëjnë së paku kritika edhe fenomenti të kapjes së shtetit.
Tani le të shpjegohem lidhur me atë nëse e konsideroj veten legjitim apo jo meqënëse votimi u bë në një sallë tjetër e pas mesnate meqë opozita kishte pushtuar parlamentin. Ose më mirë të shpjegoj pse nuk e refuzova zgjedhjen time në atë mënyrë, sikurse sugjerojnë një pjesë kolegësh në shtyp? Sipas meje sikur gjërat të kishin shkuar në rrjedhën normale atë ditë opozita, meqë nuk ishte dakort, do të votonte kundër antarit të KQZ të propozuar nga PD e pastaj do të votonte pro ose kundër emrave tanë dhe projekt buxhetit shtesë. Po në rrugë normale, për anëtarin e KQZ që u bë shkaku i sherrit, opozita, sipas meje, do të duhej të shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Kurse opozita bëri një sulm fizik ndaj kryetares dhe sallës së parlamentit duke e mbajtur të pushtuar atë. Ndaj kësaj dhune mazhoranca u përgjegj duke ndërprerë seancën e pastaj duke vazhduar punimet e votimet në një sallë tjetër. Tani, një pjesë gazetarësh, pa thënë asnjë fjalë të vetme për aktin e turpshëm të sulmit fizik ndaj Topallit, ulërijnë vetëm për votimin që u bë natën dhe jo ditën e më thonë mua se edhe ti duhet të jesh solidar me opozitën që të tregosh pavarësinë tënde. Pa dyshim unë do të kisha dashur të votohesha ndryshe e mendoj se të gjithë ne që u zgjodhëm meritonim të votoheshim ose të mos votoheshim ndryshe. E për këtë ka përgjegjësi e tërë klasa politike, por mbi të gjitha sipas gjykimit tim ka opozita që po praktikon një obstruksionizëm krejt iracional. Nuk mund të hidhet në erë shteti sepse raporti në KQZ është 4:3 për mazhorancën ndërkohë që kur ti ke qenë në pushtet ai ka qenë në shumicën e kohës 5:2 dhe vetëm në fund 4:3 në favorin tënd. Shkurt mua më kërkojnë të bëhem pjesë e obstruksionizmit të opozitës ndërkohë që kam një vjet që flas e them se ajo duhet të heqë dorë nga politikat obstruksioniste e të fillojë të shikojë edhe mëkatet e veta; e ndërkohë që mendoj se sherri ishte pjesë e kësaj politike obstruksioniste.

Keni folur kundër formulës së propozoar nga socialistët ku pjesëtarët e shoqërisë civile të ishin si të thuash përfaqësues të partive. Mund ta sqaroni çdo të thotë kjo: a mund të ketë shoqëri civile sterile në kuptimin e mosanimit partiak?

Nuk ka as më të voglin dyshim se ajo që quhet shoqëri civile nuk mund të jetë e depolitizuar. Po e përdor në kuptimin pozitiv termin “politizim” dhe në sensin negativ atë “depolitizim” duke dashur kështu të thyej një kuptim të ndryshëm që iu dha këtyre dy termave konteksti ynë i viteve të para pas rënies së komunizmit ku “depolitizimi” u përdor si sinonim i pastrimit të një pjesë të institucineve, veçanërisht të policisë, nga ndjenja e shërbimit partisë në pushtet dhe jo ligjit. Kurrsesi nuk mund të flitet për depolitizim të shoqërisë civile se atëhere kjo vërtet do të barazohej me sterilitet. Shoqëria civile bën edhe ajo politikë, por bën politikat e veta që nuk mund kurrsesi të identifikohen me partitë dhe politikat partiake dhe as me pushtetin i cili alternohet midis partive. Sigurisht ka pjesë të shoqërisë civile që janë më afër ideologjisë e programeve të një partie le të themi konservatore e shoqëri civile që janë më afër programit e ideologjisë të një partie le të themi liberale. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shtypin e median si një nga përbërësit kryesorë të shqërisë civile. Por, nga ana tjetër, këto nuk mund të kuptohen si rripa transmisioni të partive, nuk mund pra të identifikohen me partitë. Ato kanë autonominë e vet dhe kjo autonomi është më e rëndësishme sesa përkatësia në frymën apo ideologjinë e njërës parti apo tjetrës. Të mos harrojmë gjithashtu se në shoqërinë civile bëjnë pjesë edhe institucione, që për specifikat e tyre janë e duhet të jenë krejt asnjëanës përsa i përket partive të ndryshme.
Duke patur parasysh se tek e fundit çdo formulë duhet parë brenda kontekstit, në kontekstin shqiptar, sipas meje, problemi kryesor i raportit të shoqërisë civile me partitë, qoftë në pushtet qoftë në opozitë, ka qenë problemi se pushteti politik qoftë i mazhorancës qoftë i opozitës (e cila të mos harrojmë se ka edhe pushtete lokale), ka ndjekur politikat e demonizimit të atij që kundërshton duke e hedhur në llogoren e kundërshtarit apo të blerjes së tij për ta futur në llogoren e vet. Këto kanë qenë praktikat e përdorura në mënyrën më të rëndomtë gjatë vjetëve që Shqipëria u nda në dy kampe politike edhe, si reflektim i praktikave të përdorimit në kohën e komunizmit të organizatave të ndryshme si leva e rripa ransmisioni të partisë. Në këtë frymë është trajtuar gjatë këtyre vjetëve ajo që duhet të ishte shoqëria civile që midis të tjerave, sipas meje, do duhej të luante edhe rolin e zbutësit të ndeshjeve politike. Kjo frymë një pjesë i ka terrorizuar duke i mbyllur në guackën e vet, kurse të tjerë më aktivë i ka futur në një llogore a në një tjetër duke lënë të mbizotërojë gjendja e një fushëbeteje me dy ushtri përballë njëra tjetrës. Ata që ndjehen mirë, pra, janë ata që ndjehen pjesë e njërës ushtri apo tjetrës. Kush qëndron në mes plitikanët tanë i qëndrojnë me pushkë ngrehur e i thonë ik në llogoren e armikut ose hajde në tonën se përndryshe e hëngre. Duke qenë se mbizotëron kjo mendësi të gjithë janë të prirur të të shohin si pjesë e njërës llogore apo tjetrës, veçanërisht kur konfliktualiteti ashpërsohet e fillojnë të bijen plumbat. Pakkush sheh principet që ti mbron e se sa je koherent me to dhe as të respekton, madje, nëse thua dua të rri në mes të kësaj fushe e të tund flamurin e principeve e të paqes sepse ky është vendi im. Çështja që shtrohet është: a do të dalim ndonjë ditë nga kjo situatë apo do të vazhdojmë gjithherë kështu? Pa folur për nevojnë e mediave me kredibilitet po sjell një shembull shumë domethënës për të ilustruar se taktika e rreshtimit në dy llogore pa asgjë të parreshtuar andej ose këtej krijon vetëm luftë e kaos. Sikur ne të kishim vërtet institute që mund të bënin anketime serioze e të besueshme sot partitë politike do të mund të masnin se sa kanë fituar apo humbur pikë në elektorat me veprimet e tyre e do të mund të korrigjonin në mënyrë konstante veten. Gjërat do të ishin shumë më të thjeshta sesa ashtu siç zhvillohen sot kur shpenzohen energji pafund për të manipuluar për të kundërshtuar, për të zgjedhur anëtarë të komisionit të zgjedhjeve sa më besnikë, për të nxjerrë njerëzit në rrugë që të protestojnë etj. Ja pra se si duhen insitucione të shoqërisë civile që të mos jenë të njërës parti apo të tjetrës. Por ne nuk i kemi.
Jo vetëm kaq, por formula e balancimit të siguruar nëpërmjet partive, sikurse kanë kërkuar socialistët, bën sipas meje që t’i nënshtrohemi përherësisht partitokracisë së këtyre dy partive. Dhe kjo, ndër të tjera, pengon jo vetëm autonominë e shoqërisë civile, por edhe përfaqësimin e gjithshkaje qëndron jashtë këtyre partive e ndër të tjera edhe krijimin e partive të tjera që nesër mund ta shohin veten të shtypur sikurse e pa LSI psh.
Duke qenë se unë kam këmbëngulur për këtë formulë, madje edhe kur ka qenë fjala për KQZ, me bindjen se vetëm kështu mund të fillojë të funksionojë demokracia, duke menduar se ndoshta ia vlen të jepet një shembull vendosa të them po. Pa u dhënë shembulli asgjë nuk fillon. Le ta provojmë një herë se mund të bëjmë diçka që nuk mban erë korrupsion e përfitim personal, por shërbim i sinqertë ndaj publikut.


Nëse PS vendos të radikalizojë qëndrimet dhe PD të mos tërhiqet nga ushtrimi i pushtetit si e shihni të ardhmen e afërt politike?

Mua më duket se aftësia e të dy palëve për të ulur e dialogur ka qenë gjthnjë në nivele të ulta, por në këtë periudhë ka arritur një pikë minimale. E përsëris: nuk më duket se shkaqet apo pretekset e gjetura nga opozita janë ata më seriozët e bindësit për të bërë thirrje për vazhdim të politikës me mjete të tjera nga ato parlamentare deri në mosbindje apo lënie të pushtetit vendor. Shqipëria në fakt mu në sajë të papërgjegjshmërisë së socialistëve noton në mosbindje në kuptimin e mosnjohjes e mosrespektimit të ligjit e në krye të kësaj “mosbindje” për fat të keq kanë qenë liderët socialistë me shkeljet e abuzimet e panumërta që kanë bërë. Në këto kushte, të thuash se e dua komisinin 4 me 3 në favorin tim edhe pse jam opozitë, ndërkohë që kur ke qenë në pushtet e ke pasur 5 me 2 në favorin tënd në pjesën më të gjatë të kohës e vetëm së fundi e ke zbritur në 4 me 3; të thuash se duke vënë kryetar të KKRT Ledi Bianku i shoqërisë civile ndërkohë që atje ishte Halil Lalaj deputet i PS, kërcënohen zgjedhjet; të thuash se ky kërcënim shtohet duke u venë Lubonja, po i shoqërisë civile, në Këshilin e RTSH ndërkohë që atje ishte Kiço Blushi që ka qenë deputet socialist atëhere më së pari duhet të pranosh se formulat e tua të deritanishme paskan qenë vetë manipulimi. E kjo fton për reflektim e mirëkuptim jo për përshkallëzim të konfliktualitetit.
Mendimi im është se publiku i gjerë e kupton mungesën e peshës së këtyre argumenteve. Ai është nuhatësi më i mirë i asaj se kur ka ardhur momenti i konsumimit të një force politike e i pjekurisë së asaj tjetrës për tu rikthyer në pushtet. Kam përshtyjen se opozita ka humbur kontaktin e vërtetë me këtë publik.
Kjo nuk do të thotë që mazhorancës i do lënë fusha shtruar. Unë jam shumë i kënaqur kur shoh se Berishës i tunden letra në Parlament e i kërkohet llogari në emër të principeve që ai thërret se po kërkon t’i mbrojë. Kjo sigurisht është në të mirë të të dy palëve por mbi të gjitha në favor të publikut sepse kjo shtrëngon vidat e ligjit që janë krejtësisht të zhvidhosura. Por kjo do luftë politike racionale. Kurse kalimi në iracionlitet të plotë është e kundërta e kësaj.
Sipas meje në kushtet aktuale qeverisë i duhet të ulë në maksimum nxitjen e konfliktualitetit nga ana e saj dhe të rrisë në maksimum punën për të cilën është atje ku është, menazhimi i interesit publik, kurse opozitës të qetësohet e të mos kërkojë ta rrotullojë botën më shpejt nga ç’i ka ajo parametrat e rrotullimit me dëshirën hakmarrëse për të dalë sa më shpejt mbi, sepse ky mbirrotullim mund të jetë i dëmshëm për të gjithë. (Rubrika Përpjekja, Standart, 5 gusht 2006)

No comments: