Saturday, August 5, 2006

Jam atje ku kam qenë, në mbrojtje të interesit publik

Përfitimi nga kjo ndërmarrje publike nuk është rritja e pasurisë, por gëzimi i një emri të mirë në publik

Zoti Lubonja, si e pritet emërimin në krye të Këshillit Drejtues të RTSH? A e shihni këtë si një barrë apo obligim?

Më shumë sesa si barrë apo obligim e shoh si një sfidë. Ndoshta sfida i përmban të dyja brenda edhe obligimin edhe barrën, por tek pranimi i sfidës duhet të dominojë obligimi. Në momentin kur në një sfidë fillon e dominon barra ajo mund të konsiderohet si një sfidë e humbur.

Propozimi për kandidaturën tuaj ka ardhur nga Shoqata e ish- të përndjekurve politikë. Por ekziston një lloj perceptimi se pavarësisht se nga është bërë propozimi i anëtarëve të KD të RTSH dhe KKRT, ai ka qenë formal pasi më parë është dashur të merret pëlqimi politik i mazhorancës? A është e vërtetë kjo në rastin tuaj?

Nuk e di sa të saktë jeni në pyetjen tuaj. Unë e di se jam propozuar nga shoqata e gazetarëve profesionistë. Ndoshta ka pasur më shumë se një propozim. Ndërsa që mazhoranca e ka pëlqyer këtë kandidaturë besoj se kjo është bërë e njohur prej kohësh në media sepse emri im është përmendur më shumë se një herë nga Ylli Pango si një kandidaturë e mundëshme edhe në debatet që i është dashur të zhvillojë për të provuar se nuk kanë ndërmend të vendosin në atë vend militantë partiakë. Ndërkaq mazhoranca mendoj se e ka pasur në dorë deri në fund për ta lënë apo për ta hequr emrin tim pasi ishte ajo që e votoi. Argumentet publike të mazhorancës për mua dihen. Argumentet e opozitës nuk dihen ose më mirë të them janë kontradiktore. Ditën e konstituimit përfaqësia e opozitës erdhi e bëri një deklaratë ku tha se nuk e ka me emrat, por me mënyrën se si janë zgjedhur. Por kjo përgënjeshtrohet nga gazeta e Partisë Socialiste ZP. Të nesërmen e votimit në Parlament të emrave tanë si antarë të këshillit drejtues të TVSH, pra ende pa u marrëvesh mirë se ç’bëhej e çdo të bëhej, kjo gazetë botoi në faqen e saj të parë një sulm kundër nesh nën titullin “të zgjedhurit e KDRTV urrejnë gjenetikisht opozitën”. Nën të ishte vendosur faksimilja e një karikature fyese që kryetari aktual i kësaj partie Edi Rama më ka bërë mua para disa vjetësh. Vlen të rikujtohet historia e asaj karikature, sepse lidhet shumë me çka po debatohet sot lidhur me median e trajtimin e gazetarëve nga pushteti. Pas një debati televiziv ku Edi Rama ishte i ftuar në studion e Top Chanell kurse unë i ftuar për të bërë gazetarin që ka vërejtje për politikat kryetarit të Bashkisë, pasi nuk i pëlqyen të vërtetat e mija, të nesërmen, që qëlloi data 1 qershor, i zëmeruar shumë që nuk ia kishte mbyllur dot sa duhet gojën një gazetari, kur shkoi të vizitojë një grup fëmijësh, e pa të udhës t'u tregojë atyre fytyrën e demonit dhe kështu vizatoi në mur fytyrën time, i vuri edhe dy brirë dhe shkroi përbri Fatos Lubonja.
Kjo karikaturë ku demonizohet një gazetar pse nuk mendon ashtu si pushtetari, që e paraqet deri si dordolec për të trembur fëmijët e që u botua në disa nga të përditshmet e asaj kohe, ishte vendosur përsëri pra në faqen e parë të ZP nën titullin “të zgjedhurit e KDRTV urrejnë gjenetikisht opozitën” si për të provuar se nga buron në të vërtetë urrejtja për shtypin e lirë. Kurse poshtë saj ishte shkruar “Fatos, tërhiqu pa turp nga grushti i shtetit” duke përdorur pra emrin jo mbiemrin, çka tregon, sipas meje, një mungesë edukate në komunikim që nuk i lejohet kurrsesi një partie që pretendon të marrë drejtimin e vendit nesër e të komunikojë normalisht dhe me respekt si me kundërshtarët politikë, si me pjestarët e shoqërisë civile ashtu edhe me qytetarët e thjeshtë. Mendoj se kjo opozitë e çoroditur ka nevojë të reflektojë thellë se pse shumë njerëz nuk e duan më e jo të çirret si fëmija pse nuk i japin karamele.

Opozita e ka quajtur të parregullt procedurën e ndjekur nga mazhoranca për votimin e emrave tuaj dhe ka kërkuar rishikimin e kësaj çështje, si një nga tri kushtet për zgjidhjen e krizës politike. Si e vlerësoni këtë? A mund të ndikojë kjo në kredibilitetin e punës së institucionit që ju do të drejtoni tani e tutje?

Pa dyshim kjo është një vështirësi plus për mbarëvajtjen e punës sonë që e bën edhe më të rëndë peshën e barrës tek sfida që përmenda në krye. Vazhdimisht e kam shprehur se ndryshimi për mirë i këtij vendi do të fillojë atëhere kur dy forcat kryesore politike do të kenë më së pari një vullnet të mirë për ta ndryshuar këtë vend dhe atëhere kur luftën politike do ta bëjnë në emër të asaj se kush e bën më mirë këtë punë për vendin. Kurse, për fat të keq, tek ne vullneti dhe lufta politike për të kapur pushtetin e për ta përdorur atë për interesa shpesh të kundërta me të vendit, është më e rëndësishme sesa vullneti për të ndryshuar për mirë këtë vend. Si rrjedhojë vullneti politik bëhet destruktiv dhe jo konstrutiv. Mendimi im ka qenë dhe mbetet se rolin më destruktiv madje obstruksionit në situatën aktuale po e luan opozita e cila që në krye të herës në vend se të njohë zgjedhjet dhe të fillojë reformimin e vet, gjithë duke bërë një opozicion konstruktiv, e kapur nga paniku se maxhoranca kërkon ta eliminojë duke përdorur dosjet e korrupsionit, apo edhe ngase ende nuk i ka dalë dehja e të qënit në pushtet, nuk po bën asnjë lloj opozite konstruktive, por vetëm destruktivitet. Nga sa e kam ndjekur parlamentin përveç ndonjë akti si ai që ka të bëjë me stabilizim asociimin nuk mbaj mend të jetë votuar pro ndonjë ligji a të jetë përshëndetur ndonjë punë e mirë. E vetmja gjë e arsyshme që kam dëgjuar nga opozita kohët e fundit ka qenë fjala e deputetit të LSI Zabit Brokaj lidhur me buxhetin ku të paktën reflektohej një njohje e diçkaje nga ato që ka bërë mazhoranca e propozohej bashkpunimi për të punuar për t’i bërë më mirë disa gjëra. Por mbizotëruese është fryma e nxitjes së konfliktualiteti dhe e futjes në llogore që të bën të mendosh se Brokaj mund të futet tek liberalët që kanë kërkuar të zbutet lufta kundër armkut.
Do të thoja se edhe rasti ynë është një shembull sesi klasa jonë politike në vend se t’i ndihmojë disa procese i pengon ato dhe i vonon me konfliktualitetin permanent që krijon. Në këto kushte ne do ta kemi dy herë më të vështirë për të punuar për të mirën e TVSH, por le të shpresojmë se kokat e nxehta të politikës do të ftohen e ndërkaq le të mos harrojmë se ne nuk përfaqësojmë në atë këshill interesat e partive politike por interesa shumë më te gjera: të të gjithë shqiptarëve që paguajnë taksë për TVSH e teke fundit do të përpiqemi që të fitojmë besimin e tyre.

Ju keni qenë një ithtar i vjetër i teorisë se forcimi i RTSH do të rrisë konkurencën në tregun e medias elektronike dhe, për rrjedhojë, kjo do të ndikojë në rritjen profesionale dhe të pavarësisë së mediave në përgjithësi. A mund ta shtjelloni për lexuesit tanë këtë ide?

Më saktë, unë kam qenë dhe mbetem i teorisë se Shqipëria duhet të normalizohet përsa i përket gjendjes së mediave në përgjithësi pasi gjendja e mediave është një gjendje e sëmurë. Me këtë dua të them se Shqipëria duhet të ketë një sistem mediatik pak a shumë si ay i vendeve evropiane ku në përgjithësi ka një apo dy televizione publike që kanë peshën më të rëndësishme e që mbahen me paratë e taksapaguesit dhe një numër të kufizuar televizionesh private që i përcakton tregu. Kjo pa dyshim do të rriste edhe cilësinë. Kurse tek ne ekzistojnë afro 80 televizione private (gati sa çka gjithë Evropa) ngritja e të cilëve (fatkeqësisht të tërët gjatë kohës që në pushtet qe opozita e sotme) nuk është bërë për qëllime që lidhen me funksionin e medias në një vend normal demokratik, por për qëllime të përdorimit të mediave nga pronarët në funksion të interesave të bizneseve të tyre dhe në përgjithësi këto janë mbajtur jo nga tregu, por nga fitimet që pastaj sillnin këto biznese shpesh të lidhur direkt me grabitjen e parasë publike. Ky lulëzim mediash ka pasur edhe ndonjë anë të vetën pozitive, sepse u investua në mënyrë të jashzakonshme në mediat, por në tërësi ka gjeneruar më shumë se çdo gjë imoralitet në media, keqpërdorim të medias e të gazetarëve, depersonalizim të tyre, shumë disinformacion e manipulim të publikut. Sipas meje, ka ardhur koha që të gjithë, por mbi të gjitha politikanët, gazetarët dhe pronarët e mediave private ta kuptojnë se kjo është një gjendje e sëmurë. Ja pse mendoj se mazhornca dhe opozita në këtë pikë duhet të konvergonin dhe ja pse mendoj se forcim i televizionit publik është dhe duhet të jetë një nga mjetet e shërimit të gjendjes së mediave në vend. Kjo edhe në funksion të normalizimit të ndërgjegjes shoqërore tepër të çoroditur e në kaos vlerash. Kurse ajo që po ndodh me këtë politikë llogoresh është tentativa për t’i rreshtuar në llogore edhe mediat edhe shoqërinë civile për të vazhduar betejën finale pa fund. Kjo nuk na çon kërkund përveçse në ruajtjen e kaosit që, kuptohet, i intereson vetëm asaj pakice që e ka gjeneruar e që jetonë në sajë të tij.

RTSH, historikisht ka qenë një instrument në duart e forcave politike që kanë qenë në pushtet në Shqipëri. A është e mundur që pas kësaj kjo histori mos përsëritet. Çfarë do bëni ju konkretisht për t’ia arritur kësaj?

Sikurse e shtjellova më lart sipas meje me sistemin mediatik që ngritën socialistët problemi më i madh që iu krijua TVSH nuk është kapja e tij nga forca politike që ka pushtetin, por thuajse asgjësimi i tij nga mediat private. Sikurse mund ta keni vënë re lufta politike në tërësi është transferuar në mediat private. Atje (dhe midis tyre) mund të thuash se është zhviluar beteja politike, atje ka shumë më tepër kapje dhe militantizëm politik, kurse TVSH ka qenë do të thoja më i balancuar në këtë aspekt. Nëse do të ndodhë ajo që unë mendoj se duhet të ndodhë: normalizimi i mediave dhe TVSH do të zerë peshën që duhet të ketë në jetën publike atëhere mund të flitet për rrezikun që përmendi ju: të rritet interesi për ta kapur e përdorur e për këtë duhet të vigjëlojmë ne të parët.

Një nga detyrat e Këshillit Drejtues të RTSH është zgjedhja e drejtuesve të saj të rinj. Si do të procedohet për këtë? A do të përsëritet historia që në krye të së vetmes media publike të rikthehen figura që janë identifikuar si njerëz të afërt të Kryeministrave dhe liderëve të mazhorancave?

Mendoj se Shqipëria në këtë aspekt ka bërë disa hapa gjatë viteve të tranzicionit. Dmth ata që janë vënë në krye të këtij institucioni ndonëse kanë qenë të lidhur me forcën politike që i ka vënë në pushtet apo me liderin e mazhorancës në pushtet e u kanë bërë edhe shërbime, kanë qenë disi më të balancuar se në krye të herës. Ndoshta për këtë ka ndikuar edhe fakti që, siç e thashë më lart, pesha e këtij televizioni, në kuptimin e përdorimit të tij si instrument pushteti, ra shumë. Ne do të përpiqemi që pesha t’i ngrihet e njëherësh që njerëzit që do të vihen atje të identifikohen me interesat e publikut e të informacionit sa më të vërtetë dhe jo interesat e forcave plitike cilatdo qofshin ato. Mendimi im është se kush punon drejt e me ndershmëri duhet të kërkojë thjeshtë dhe vetëm gazetari të ndershme që t’i pasqyrojë drejt punën e ta ndihmojë për t’i vënë në dukje problemet. Kush punon mbrapsht ka nevojë të kapë mediat që t’ia kthejë për mbarë punën e mbrapshtë që bën. Ne na takon tua bëjmë këtë të qartë politikanëve. Pra do të përpiqemi që RTVSH të jetë një pasyrë ku forcat politike të shohin veten dhe jo një film që ato e xhirojnë dhe e shfaqin për të promovuar veten.

Sipas jush kush janë simtomat më kryesore të sëmundjes që po vuan RTSH dhe a keni ju ndonjë recetë për shërimin e shpejtë të tyre?

Simptoma kryesore është zbehja, zvetënimi, asfiksimi gjithnjë e më i madh. Ne sapo kem marrë kontaktin e parë me atë realitet. Pamë se jemi, si të thuash, një bord menazherësh i zgjedhur për të menaxhuar një ndërmarrje publike, aksionerët e së cilës janë taksapaguesit që duket se është në falimentim. Për fat të kreq ajo çka ka ndodhur deri tani është se menaxherët e mëparshëm e kanë lënë në gjendje thellimi falimentimin. Sikur ata ta kishin atë pronë private nga e cila do të sillnin fitimin e tyre privat menaxhimi do të kishte qenë krejt tjetër edhe motivimi, po ashtu, por kjo nuk ka ekzistuar sepse, pa dashur t’i fajësoj si individë, klima e krijuar do të demoralizonte edhe më optimistin. Unë mendoj se klima edhe në sajë të zhvillimeve politike që kanë evidentuar faktin se në rrugën ku ishim futur nuk mund të ecet më gjatë, ka ndryshuar. Në këtë klimë të re ne do të përpiqemi të fusim një motivim të ri që nuk udhëhiqet nga fitimi privat, por nga ndjenja e shërbimit ndaj këtij publiku. Përfitimi që ke nga kjo ndërmarrje publike nuk është rritja e pasurisë, por gëzimi i një emri të mirë në publik. Njerëzit që janë zgjedhur kësaj here më duket se e kanë këtë motivim. Ky motivim, me njohjen më hollësisht të realiteteve atje, besoj se do të na bëjë të propozojmë recetat më efikase.

Nëse idetë për të cilat ju pranuat që të viheshit në krye të KD të RTSH nuk zbatohen në kohën dhe cilësinë që mendoni ju, si do të veproni? Në fund të fundit, sa është propabiliteti që ju të realizoni objektivat tuaja dhe kush është garancia që keni për këtë?

Realizimi i atyre që thashë në kuptimin e gjerë, atë të normalizimit të sistemit tonë mediatik, kuptohet se kërkon një projekt më të gjerë të cilin nuk e bëj unë dhe as këshilli ku bëj pjesë, por forcat politike, shoqëria civile gazetarët etj. Mua më takon të them publikisht se pa një projekt për shërimimin e së tërës bëhet shumë më e vështirë shërimi i pjesës sepse pjesa do të infektohej vazhdimisht nga e tëra e se probabiliteti i shërimit do të rritej sikur për një sërë çështjesh nga ato që ngrita do të kishte bashkëpunim midis forcave të ndryshme politike dhe jo konfliktualitet midis tyre. Më takon gjithashtu të punoj që tek pjesa ku jam angazhuar të jepet shembulli se shërimi është i mundur. Gjykimi im i deritanishëm është se ka një vullnet të mazhorancës që më ka votuar për shërimin ashtu sikurse ka një rezistencë të madhe të sëmundjes. Unë me këtë punë kam ndërmarrë riskun e futjes më direkt në këtë ndeshje me sëmundjen, pa harruar se kam qenë pjesë e saj edhe si gazetar. Nuk dua të bëj parashikime se kur do të tërhiqem pa filluar mirë, por besoj se do të tërhiqesha kur të shikoja se pas përpjekjeve tona RTSH do të mbetej gjithaq i sëmurë. Këtë mund ta garantoj sëbashku me garancinë se përpjekja ime për shërimin do të jetë e sinqertë dhe jo për qëllime të sëmundjes.

Edhe një pyetje e fundit, por jo për nga rëndësia: Duke pranuar të jeni kreu i Këshillit Drejtues të RTSH a është i saktë perceptimi që përflitet këto ditë se me këtë veprim, për herë të parë në jetën e tij, Fatos Lubonja "u bë me pushtetin"? Si do t’u përgjigjeni këtyre zërave? A do të ndikojë kjo në fund të fundit në pavarësinë tuaj gazetareske dhe intelektuale? A do të na marrë malli pra për antikomformistin Lubonja pas kësaj?

Nëse unë do të isha bërë me pushtetin mund të kisha pranuar ndonjë propozim për të qenë vërtet pjesë e pushtetit e të binin kështu rehat të gjithë ata që duan politikën e llogoreve dhe e stimulojnë atë edhe me këto insinuata. Ky perceptim niset nga përvoja e deritanishme se po të emëroi pushteti diku je detyrimisht vegël e tij sepse ai përndryshe të heq. Mirëpo po ta vini re formula e zgjedhjes së Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik është një formulë që duhet të ekzistojë në një mënyrë apo në një tjetër sepse ai vend publik do menaxhuar. Dhe formula, të paktën në teori, është zgjedhur në mënyrë të atillë që ky bord nuk përfaqëson interesat e partisë që ka mazhorancën, por të tërë publikut, tërë shoqërisë. Pra unë jam atje ku kam qenë sepse pretendoj se në tërë aktivitetin tim si gazetar kam punuar në interes të publikut dhe jo për hesap të njërës parti apo tjetrës dhe as të njërit pronar mediash apo tjetrit. Sikur mua të më ishte propozuar emri nga PD apo nga PS nuk do të kisha pranuar sepse nuk e identifikoj veten me asnjërën nga këto parti ashtu skurse prej kohësh nuk kam pranuar të jem pjestar bordesh të mediave private. Pranova, pra, sepse jam i propozuar nga shoqëria civile. Po të kisha marrë edhe votat e një pjese të deputetëve të opozitës do të ndjehesha edhe më mirë kuptohet, ndonëse sipas meje zgjedhja e një bordi të tillë do të duhej të ishte bërë thejshtë nga komisioni i mediave pas një shoshitje të gjerë e pas një votimi me pikë, sikurse kam propozuar edhe ndonjë formulë në shtyp. Pra, tek e fundit, formula ligjore aktuale ne na garanton pavarësinë maksimale të mundëshme. Nëse do të pranojmë të varemi kjo është puna jonë jo e atyre që do të duan të na varin.
Së fundi, por shumë me rëndësi, dua të them se, sikurse e shtjellova edhe më lart, unë nuk mendoj se sot për sot pushteti më i frikëshëm për lirinë e gazetarëve dhe pavarësinë e tyre është ai i qeverisë sikurse bërtasin me të madhe disa ku bëjnë pjesë edhe ata që thonë se Lubonja humbi pavarësinë. Sot pushteti më kërcënues për lirinë dhe pavarësinë e gazetarëve është ai që i paguan ata: i pronarëve të mediave ku ata punojnë, i atyre pra që kanë ndërtuar sistemin e sotëm mediatik dhe që në një farë mënyre janë ose një pushtet paralel me pushtetin aktual ose synojnë ta drejtojnë atë siç e kanë drejtuar në kohën e socialistëve duke i kthyer shpesh politikanët në kukullat që luajnë për interesat e tyre dhe gazetarët në skllevër të tyre.
(Intervistë për gazetën SHQIP, 3 korrik 2006)

4 comments:

Anonymous said...

Zoti Fatos ju uroj sinqerisht suksese ne detyren e re qe ju ka vene ne krye
te keshillit drejtues te RTSH. Nuk ka dyshim qe me aftesite tuaja intelektuale ju do te arrini ti jepni ketij institucioni nje imazh te ri, si dhe vendin qe i takon ne median televizive, ndonese perpara ju presin veshtiresi te jashtezakonshme, por qe ne fund te fundit perbejn thelbin e nevojes se perzgjedhjes tuaj ne kete post, çka pasqyron ne vetvete nje vleresim te veçante per individin tuaj ne çdo pikepamje.
Pershendetje te sinqerta Emigrantja Shqiptare.

Anonymous said...

eshte ofendim per njerezit qe te kane lexuar gjithe keto vjet, qe ti e ke lene veten te te perdore sali berisha.
ti je ai qe u "shokoje" per ngjyrat e tiranes, por kur vjen puna per votim ILEGAL ne mes te nates, nuk ke problem!
HIPOKRIT!!!!!!

Anonymous said...

Pershendetje,
Personalisht zoti Lubonja ju njoh vetem nepermjet shkrimeve tuaja ne gazeta dhe ne blog-un tuaj. Deri me sot me ka bere pershtypje qendrimi juaj progresist i majte. I majte jo si PS shqiptare qe ka ngelur peng e pjeses me te keqe te saj por i majte si PS-te e vendeve me te perparuara te Europes. Ajo e majte e cila e ka sjelle Europen ketu ku eshte dhe qe ka permiresuar ndjeshem jeten e njerezve te saj.
Prandaj nuk mund te mos me ngacmonte fakti qe ju pranuat te emeroheshit kryetar i KRTSH nga kryeministri i tanishem ne menyren me te cilen u be ky emerim.

Por besoj se menjehere e treguat orientimin tuaj progresist kur kerkuat qe ndeshjet e kombetares se Shqiperise te transmetoheshin nga TV publik shqiptar. Eshte nje veprim per tu pershendetur ne nje kohe qe shoqeria shqiptare eshte ne kaosin me te madh dhe qe jeton me vegimin e nje endrre amerikane te perenduar me kohe. Ku paraja kerkon te bleje gjithshka. Dhe per kete, ta dini mire, se keni mbeshtetjen e shumices, ajo shumice qe rrin e heshtur sepse eshte akoma e mbrujtur me friken e policise, sigurimit e te pushtetit. Ate frike te cilen ju e perballuat kur ishte me te vertete e frikshme.

Shpresoj qe do te vazhdoni me te tilla veprime ne menyre qe televizioni publik shqiptar te behet shembulli per tu ndjekur nga televizionet e tjera shqiptare. Qe me ne fund shqiptareve tu propozohet dicka me cilesore se BBF-ja apo TV-Klan qe japin cdo dite te njejtat programe me pseudovlera.

Shpresoj sa me shume emisione kulturore e shkencore per te gjitha shtresat e popullsise, qe edhe ai femija qe ka braktisur shkollen te marre sadopak kulture dhe jo antikulture nepermjet televizorit.

Shpresoj se do te interesoheni jo vetem per Tiranen ne programet tuaja por edhe per fshatin me te thelle te vendit. E sidomos per vlerat dhe monumentet kulturore te vendit tone qe po shkaterrohen dita dites. Sepse shqiptaret meritojne te jene me krenare me trashegimine historike qe kane.

Shpresoj se do ta drejtoni kete keshill pa inate por me forcen e logjikes dhe te argumentave dhe pse vitet e burgut ju japin arsyen me te forte per te pasur inate me gjysmen e Tiranes.

Shpresoj se shigjetat plot helm qe do t'ju sulen nuk do t'ju tundin nga qellimi per te pasur nje TV publik cilesor e me te vertete publik.

Shpresoj gjithashtu se do te vazhdoni te mbani lart ato ideale qe kam njohur nepermjet shkrimeve tuaja per nje Shqiperi dhe per Shqipetare me te mire. Keni shume pune per te bere ne nje ambjent shume te veshtire.
Keni dhe shume pergjegjesi, por ta dini se perballe fuqise se matrapazeve ne Tirane keni deshiren e shumices se heshtur te shqiptareve qe kerkojne dhe meritojne nje sherbim publik cilesor.

Sa per ata te cilet dyshojne ne qellimet tuaja besoj se koha dhe rezultatet tuaja me se miri do te tregojne se cilat ishin ato.

Anonymous said...

Zhgënjim total.