Tuesday, August 29, 2006

Çfarë do vijë pas “Western Union”?

Një nga hobet e mija gazetareske është koleksionimi i përshtypjeve të të huajve që e vizitojnë për herë të parë Shqipërinë. Sa herë takoj të huaj që më thonë se është hera e parë që e shkelin vendin, më vjen natyrshëm kërkesa: të lutem a mund të më thuash, mundësisht me një fjalë apo shprehje të vetme, përshtypjen që pate sapo u pe me Shqipërinë. Këtë hobi e kam çprej shumë kohësh, që kur kam filluar të kem kontaktet e para me të huajt dhe më është zhvilluar për shkak se shpesh jo vetëm jam befasuar e impresionuar nga përshtypjet e tyre të para, por edhe argëtuar. Jo rrallë kam dëgjuar gjëra që as më kishin shkuar ndërmend, apo vëzhgime detajesh të papara. Prandaj dhe këtë hobi e vazhdoj edhe sot duke konstatuar, midis të tjerash, edhe ndryshimet e përshtypjeve të para të të huajve me kalimin e viteve.
Më kujtohet se përgjigjet që më vinin në fillim të viteve 90 mund të përmblidhen në një prej konstatimeve që më dha një amerikan, i cili, kur e pyeta, më tha shprehjen: “another epoch” (tjetër epokë). Ishte impresionuar shumë gjatë rrugës prej aeroportit të Rinasit për në Triranë kur kishte parë karroca që tërhiqeshin nga kuaj. Kanë qenë veçanërisht interesante përshtypjet e para të vitit 97 kur Shqipëria u vizitua si kurrë ndonjëherë me gazetarë të huaj. “Çdo të ndodhte me botën sikur Rusia të bëhej Shqipëria e 97-tës” më tha Thomas Friedmani që shkroi edhe një shkrim me këtë temë në New York Times.
Dy të huajt e fundit që kam pyetur në periudhën e tanishme kanë qenë një mjeke italiane që vinte për të ndihmuar sistemin mjeksor shqiptar të gjinekologjisë dhe një inxhinier polak që vinte për turizëm.
“Sorprendente” (“befasuese” apo edhe “e paparë” do të ishte përkthimi shqip) ishte përgjigja e mjekes italiana. “Çdo të thuash me këtë? - e pyeta, më duket një fjalë me ambiguitet.” “E zgjodha enkas ashtu sepse nuk e di se si mund t’i marrësh fjalët e mija; a të vjen mirë të dëgjosh keq për vendin tënd.” “Do të thuash se është “sorprendente” në mënyrë negative?” “Po” - më tha.”Dhe çfarë të befasoi kaq fort?” “Mënyra se si ndërtoni - më tha. Shoh pallate të mëdha që ngrihen ngjitur me shtëpi një ose dy katëshe, por edhe pallatet me njëri tjetrin janë aq afër dhe aq bllokues të njëri tjetrit. Nuk e imagjinoj dot se si mund të ndodhë kjo.”
I shpjegova se pasi kemi jetuar 50 vjet në një kolektivizim dhe rregull të imponuar me dhunë tani jemi në fazën e reaksionit ndaj kësaj, dmth. të individualizmit frenetik e se qyteti ishte një metaforë e mungesës së komunitetit. Nuk mu duk se e binda.
“Western Union” – ishte përgjigja që më dha polaku sapo mbarova pyetjen. Ishte habitur me numrin e zyrave të transfertave të parasë “Western Union” që ekzistonin në Shqipëri. Janë, më tha, njëlloj si zyrat ”Change” në qendrat historike të qyteteve turistike. Ishte hera e parë që e dëgjoja një përshtypje të tillë. Kuptohet, nuk mund të mos më shkonte mendja menjëherë tek shqiptarët e panumërt që ka në botë dhe ia shpjegova polakut këtë për t’i shpjeguar fenomenin e një ekonomie që mbahet kryesisht nga jashtë.


* * *
Zakonisht nuk i lidh njërën me tjetrën përshtypjet e të huajve të ndryshëm që intervistoj. Kjo edhe pse intervistimet ndodhin larg e larg, por kësaj here këto dy intervistime më ndodhën afër e afër. Megjithatë përsëri vështirë se do të kisha lidhur “Western Unionin” e polakut me ndërtimet “Sorprendente” të italianes sikur të mos shihja në televizion një njoftim disi të pazakontë. Ishte një si gjysëm njoftim e gjysëm denoncim që bënin kompanitë e betonit për ndonja njëzeteca kompani ndërtimi të cilat nuk paskan paguar betonin dhe që do të pasohet edhe me denoncimin e të tjerave që kanë paguar vetëm këstin e parë nëse këto nuk paguajnë të dytin. Nuk do shumë mend për të kuptuar se kjo do të thotë mungesë të hollash për shkak mungese shtijesh. Kur i kërkova shpjegime për këtë një njeriu që merret me ndërtime më tregoi se ka nja 5000 apartamente të pashitura në Durrës dhe se ekzistoka një stil kleringu në pagesën e kompanive të ndryshme që jetojnë me industrinë e ndërtimit që ka bërë që një shifër kolosale lekësh të qëndrojë në ajër në formën e betonit të papaguar, tullave të papaguara, pllakave të papaguara, bojrave të papaguara, sanitareve të papaguara, vetratave të papaguara etj. Western Union qënka në krizë thashë me vete. Ai më tha gjithashtu edhe nja dy gjëra të tjera. Më tha se një numër ndërtuesish i mbajnë apartamentet që i kanë mbaruar e nuk i shesin sepse kanë para sa të duash dhe nuk duan të ulet çmimi e shtoi gjithashtu, si me të qeshur si me seriozitet, se “ky Saliu” duhet ta marrë vesh se po nuk lejoi drogën do t’i kemi keq punët. Ndërkaq mua nuk mund të mos më kujtohej një deklaratë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë (që e kam komentuar në një shkrim para do kohësh) i cili paralajmëronte se rritja që i kanë bërë çmimit të ndërtimit paratë e ardhura nga krimi dhe nga emigracioni është një rritje artificiale që rrezikon një krizë financiare pasi burime të tilla vlerësohen se janë resurse financiare të përkohshme, të vështira për t’u parashikuar. Pra, gjithë sipas guvernatorit, duke patur parasysh se një pagë mesatare në Shqipëri është rreth 40 mijë lekë në muaj, shterrja e këtij burimi, do të ishte fillimi i një krize ekonomike dhe financiare për shkak të peshës që ka industria e ndërtimit në vend.
Problemi është se shumë pak, në mos aspak, flitet për këtë gjë. Edhe njoftimi i kompanive të betonit nuk kam parë të përbëjë lajm që mund të jepet apo komentohet në lajmet e ditës nga gazetarët, por duket se është paguar si reklamat dhe, nga sa kam parë, rrallë televizion e jep. Sipas meje më shumë sesa dritëshkurtësi kjo është çështje interesash të një pjese që nuk i intereson të flitet për këtë. Kam përshtypjen se ka një numër aktorësh që nuk u intereson të flitet për këtë çështje ashtu sikurse në 1996 kishte një numër aktorësh që nuk kishin interes të flisnin për natyrën e vërtetë të piramidave: qeveria ngase ishte përgjegjëse, opozita sepse kishte frikë se ndëshkohej nga elektorati, shtypit sepse merrte para nga piramidat, por mbi të gjitha sepse të gjithë qenë të përfshirë në atë sistem. Sot duket se përsëri qeveria ka arsye të mos flasë ngase mund të akuzohet për bllokim të ekonomisë, opozita sepse është ajo që e ka krijuar këtë sistem piramidal më të sofistikuar që shërben edhe për pastrimin e parave të pista, jo vetëm, por edhe pse për të rëndësi ka të bjerë qeveria paçkja se si e në kurriz të kujt, mediat sepse shumica e pronarëve të tyre janë ndërtues, gazetarët sepse janë të punësuar në këtë media. Por mbi të gjitha e përsëri pasi thuajse të gjithë janë të përfshirë në këtë sistem..
E ndërkaq. sipas meje, duke parë e dëgjuar për tërë këtë histori lekësh virtuale të papaguara që qarkullojnë në ajër si fantazma, e apartamentesh që mbahen pa shitur pse nuk ka lekë apo pse nuk duhen ulur çmimet nuk mund të mos ngresh shumë pikpyetje shqetësuese si për rolin e natyrën e shtetit ashtu edhe për rolin e natyrën e tregut në Shqipëri. Në kësi rastesh flitet për shtete të dështuara e tregje të dështura apo edhe më keq: të kapura. Uroj të kem ekzagjeruar, por më mirë të ekzagjerosh sesa të flesh gjumë përpara rreziqesh të tilla. Sepse mua më duket se po vazhdoi kështu do të jetë e vështirë të parashikohet se cila do të ishte përshtypja e parë e një të huaji pas disa vjetësh kur të mbarojë edhe epoka që e bëri inxhinierin polak të impresionohet nga numri i madh i zyrave të “Western Union”. (Korrieri, 17 gusht 2006)

1 comment:

Anonymous said...

Me peqeu! Shume Befasuese, pozitivisht.

Edhe une i koleksionoj pershutyjet e te huajve sa here qe i takoj; kjo me duket si menyre vet-permiesimi. Duke pare se njeriu mesohet me ate qe e rrethon, vetem nje i huar mund ti pikse fenomente te tilla.

Ju pershendes perzemersisht, z. Lubonja.