Sunday, June 11, 2006

Për çfarë ka nevojë Tirana

A janë lejet e pakta të ndërtimit problemi që ka sot Tirana? Absolutisht jo. Për këdo që jeton në këtë qytet e që i ka sytë, hundët, veshët, këmbët e duart të lira nga interesat e ndërtimit problemi më i madh që ka sot Tirana është ajri tejet i ndotur, problemi më i madh që ka sot Tirana është se fëmijët nuk kanë një shesh e park ku të luajnë, problemi më i madh që ka sot Tiranë është mungesa e gjelbërimit, e rrugëve normale, e furnizimit normal me ujë e me drita, mungesa e shkollave, e kopshteve publike, pastrimi i plehërave e të tjera si këto. Sipas një studimi të botuar para disa kohësh Tirana është qyteti me dendësi banorësh katër herë më të madhe sesa qytetet më të mbipopulluara në Evropë. Të gjitha këto të çojnë tek konkluzioni se problemi më i madh që ka sot Tirana është bash mbitepria e lejeve të ndërtimit të dhëna dhe jo mungesa e tyre. Fshati që duket nuk do kallauz.
Atëhere ç’ishte tërë ajo pompë që iu bë një mbledhjeje të KRTSH së drejtuar nga Kryeministri, e cila, të paktën ashtu siç u paraqit në media, i hapka rrugën biznesit të ndërtimit për të marrë sa më shpejt leje ndërtimi? Të na falë qeveria, që pretendon se është nisur nga qëllime të mira, por në tërë atë që u tha lidhur me mbledhjen e fundit të KKRT nuk mund të mos ndjehet erë rreziku në rritje për qytetin. Kjo sepse theksi u vu tek lehtësimi i procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit e jo atje ku duhet vënë; sepse fakti që vonesa e lejeve të ndërtimit mund të jetë përdorur nga kryetari aktual për të vjelë rryshfete nuk e justifikon shtrimin e rrugës me lule për ndërtuesit – veçanërisht duke patur parasysh se çfarë kanë bërë ata deri më sot.
Është një gabim i madh të mendosh se monstra i vetëm i këtij qyteti ka qenë kryebashkiaku Rama. Kushdo që ka ndjekur fushatën e tij të parë elektorale do të kujtohet se ai e ndërtoi atë fushatë duke shfletuar me foto nëpër televizione tmerret e Kelmendit e Brojkës që, përveç kioskave tek Lana e Parku i Rinisë, konsistonin në ndërtimin në mënyrën më arbitrare, pa asnjë lloj plani, të pallateve të larta mes ndërtesave të vjetra. Le të kujtojmë psh. ndërtimet në mes të Pallateve Agimi, ndërtimet në mes të Shallvareve, prishjen e Bllokut, Torre Drinin, tre kullat tek Bulevardi e me rradhë. Ajo që premtoi kryetari socialist i Bashkisë ishte frenimi i kësaj katruahure nëpërmjet një plani urbanistik. Ajo që premtoi kryetari ishte zhvillimi i një Tirane të re në veri tek stacioni i trenit, ruajtja e monumenteve të kulturës, rritja e sipërfaqeve të gjelbërta.
Por pse nuk ndodhi kështu, por, përkundrazi, u përthellua katrahura që kishte nisur Kelmendi dhe Brojka, u shtuan katet e pallateve dhe dendësia e ndërtimeve për sipërfaqe katrore, u prishën ku e ku më shumë monumente historike dhe zona të mbyllura arkitektonikisht deri atje sa sot jemi në një gjendje ku nuk po pyesim më se si të ruajmë ndonjë vlerë arkitektonike e historike, por se si të marrim frymë?
Përgjigja është shumë shumë e thjeshtë: sepse kryetari i Bashkisë, i etur për pushtet e për para, iu adoptua shpejt e shpejt biznesit të ndërtimit, i cili, më një anë me forcën e parasë dhe më anën tjetër me forcën e mediave e ktheu kryetarin e Bashkisë në lugën e orekseve të veta. Ai, në fakt, nuk ka lënë pelivanllëk pa bërë që më një anë tu shërbejë e t’i përdorë këto orekse dhe, më anë tjetër, të ruajë imazhin e një kryetari bashkie që po punonte për qytetin, për gjelbërimin e jo si vegël e bashkëpunëtor i oligarkisë së ndërtimit. Edhe i famshmi plan francez i qendrës së qytetit ishte pjesë e këtyre pelivanllëqeve: me një anë u siguronte klientëve e mbështetësve të tij fitimet e majme dhe, më anë tjetër, u paraqitej injorantëve si një zhvillim modern i qytetit. Mirëpo pallatet i kanë këmbët e gjata. Ato u ngritën një nga një e dolën mbi ata të Brojkës e Kelmendit për të vërtetuar këmbët e shkurtra të gënjeshtrave të kryetarit. Sot Tirana është bërë qytet i pabanueshëm. E kam dëgjuar edhe vetë kryeministrin të shprehet pak a shumë kështu jo shumë kohë më parë kur u qante hallet fëmijëve. E le të kujtojmë se nuk kanë mbaruar së ndërtuari e së mbushuri me banorë ende tërë ato pallate monstra me leje tashmë të dhëna ndërtimi nga kryetari. Se ku do të futemi pasi të mbarojnë edhe ata unë nuk e di. Akoma më pak e di se ku do të futemi kur të shpërthejnë ujrate zeza, se qytet të ngritur kaq dendur e kaq lart pa infrastrukturë poshtë vetëm në një vend ku mbretëron filozofia e piramidave mashtruese “merr e ik” mund të ndërtohet.
Po atëhere ç’është ky ngut i pushtetit të ri qendror për të përshpejtuar dhënien e lejeve të ndërtimi ndërtuesve? Ç’është kjo ndarje bardhë e zi midis marrësit të rryshfeteve deri në 100 euro për metër katror Edi Rama dhe atyre që i kanë paguar këto rryshfete?
Ajo që më ra në sy në tërë mbledhjen e KRTSH e, mbi të gjitha, në jehonën që i bëri media kësaj mbledhjeje, ishte përkujdesi i veçantë i qeverisë për biznesin e ndërtimit, për hallet e tij dhe mungesa thuajse e plotë e përfilljes së halleve të mëdha, deri të frymëmarrjes, që u ka krijuar ky biznes votuesve të thjeshtë. Çuditërisht askush nuk foli e nuk po flet për shkeljen më të rëndë, më me pasoja që i është bërë ligjit të urbanistikës në Tiranë. E kam fjalën për atë ligj që parashikon se për një sipërfaqe të caktuar shesh ndërtimi nuk mund të ndërtohet më shumë se 1,8 herë sipërfaqe banimi. Është në thelb ligji që garanton dendësinë normale në banorë për metër apo kilometër katror. Ky ligj është shkelur në mënyrë skandaloze ndoshte deri katër herë. Atëhere, ku po do të na çojë qeveria me përshpejtimin e dhënies së lejeve të ndërtimit pa vënë një herë mirë e bukur kriteret se si dhe se ku do të ndërtohet? Mos synon të rrisë rekordin që ka vendosur Rama të dendësisë dhe ndotjes së ajrit për metër katror? Pse para disa kohësh flitej, me të drejtë sipas meje, për planin francez si një plan që duhet riparë në kuadrin e një plani tërësor të Tiranës, kurse së fundi Berisha është mjaftuar të thotë se i duhen shkurtuar një çikë majat atyre kullave?
Mendja e nisur nga përvojat e hidhura të deritanishme ta do se në tërë atë që pamë në mbledhjen e KRTSH nuk kemi të bëjmë me shqetësim për fatet e qytetit e të qytetarëve, por më shumë se me çdo gjë tjetër me një lojë force e pushteti. Pra me një politikë të spostimit të industrisë së ndërtimit e për pasojë të pushtetit nga duart e Ramës në duart e Sali Berishës, ku nuk përjashtohet edhe nxjerrja jashtë loje e disa klientëve të Ramës e futja në lojë e klientëve të PD-së. Por, po ta kthesh nga ana e prapme këtë lojë, ajo mund të shihet edhe si një lojë e biznesit të ndërtimit i cili nëse dje lëvizte Ramën si kukull në skenë për interesat e veta sot synon të lëvizë Berishën. Sepse ajo që vihet re nga kushdo që e sheh këtë lojë nga jashtë është se konstantet në ekuacionin e shkatërimit të Tiranës janë po ato. Bumçi dhe Biçoku janë po ata: i sheh gjithnjë në ato tryeza herë në krah të Ramës e herë në krah të Berishës. Kurse variablet janë Kelmendi, Brojka, Rama, Berisha e me rradhë.
Rezultati deri tani ka qenë katrahura në rritje. Ajo çka pamë me KRTSH, megjithë premtimet për hartimin e një plani urbanistik, e megjithë inkurajimet që na vijnë nga disa ndërpreje projektesh degraduese të territorit, nuk na garantoi se karahura do të ndalet, përkundrazi na trembi se mos po merret një hov i ri shkatërrues. E na trembi pse u duk se mbi ndjeshmërinë ndaj interesave afatgjata të kryeqytetit e ndaj interesave të banorëve të tij u vu ndjeshmëria për shkatëruesit e derisotëm të tij.
Sot gjithkush përveç lojtarëve të kësaj loje e di se ajo për çfarë ka nevojë Tirana dhe në tërësi Shqipëria është të frenohet kjo dyndje e popullsinë në kryeqytet sepse kemi të bëjmë me një popullsi që vjen e mblidhet në këtë metropol superkaotik duke qenë kryesisht e papunë e, nëse sot jeton me paratë e drogës apo emigracionit, nesër nuk do të mund më të jetojë me këto. Pa harruar se Shqipëria ka nevojë për zhvillim harmonik e për shfytëzim të të gjitha burimeve të veta. Sot gjithkush e di se industria e ndërtimit, e ngritur kryesisht mbi manipulimin e një kërkese – në sajë të injorancës së shqiptarëve – por edhe sepse është mjeti më i shpejtë e më i sigurtë i larjes së parave të pista, nuk ka zhvilluar ekonominë, por ka shërbyer si lavatriçe e parave të pista e si thithëse e parave të emigracionit për pasurimin e një grushti njerëzish në dëm të shumicës, të ambjentit e të cilësisë së jetës në kuptimin më të mirë të fjalës. Sot gjithkush që nuk është në këtë lojë interesash meskine e ndjen se është urgjente që energjia, fuqia materiale e financiare e kësaj industrie të derdhet gjetkë, në sektorë të ekonomisë që prodhojnë e nuk hanë para.
Prandaj, ajo për çfarë ka nevojë urgjente Tirana nuk është inkurajimi i ndërtimit, por një vendim për ngrirjen e ndërtimeve në qendrën brenda unazës derisa të bëhet një studim i plotë urbanistik dhe ky jo nën diktatin e “sponsorizmin” e biznesit tonë të ndërtimit, siç u bë ai francez që prandaj u bë me kulla të larta, por nga specialistë pa konflikt interesash mundësisht të huaj që do t’i përgjigjen asaj nevoje urgjente që ka kryeqyteti për normalizim në drejtim të rrallimit të dendësisë, krijimit të koridoreve për pastrimin e ajrit, shtimit të hapësirave të gjelbra e në përgjithësi të hapsirave publike.
Është e qartë se po u frenua kjo industri pushteti i Berishës rrezikohet. Por më mirë të rrezikohet se sa të vazhdojë ajo filozofi qeverisjeje sipas së cilës pushteti nuk merret pa kompromise me mafjen e cila degjeneron në ndarjen e pushtetit me mafjen e që, më në fund, e katandis shtetin në vegël të mafjes. Është e qartë se me këtë opozitë mizerabël që kemi nesër qeveria mund edhe të akuzohet se nuk ka mledhur kaq e aq taksa që mblidhnin socialistët nga kjo industri me të cilat do të shtroheshin kaq e aq rrugë. Por shqiptarët duhen bindur se kjo i shërben shumicës dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre. Duhet ringjallur tek ata shpresa se mund të ndryshojë ajo traditë politikanësh që të tjera premtojnë e bash të kundërtën bëjnë. E premtimi kryesor që na kanë bërë pushtetarët e sotëm ka qenë ai se do të ndryshojë mënyra e qeverisjes duke e kthyer atë nga qeverisje në funksion të grabitjes nga një pakicë në qeverisje në funksion të shërbimit për të gjithë. (Korrieri, 5 Qershor 2006)

No comments: