Monday, June 19, 2006

Polisemantika e Zogut të Zi

Me se pari më duhet t’i kërkoj ndjesë lexuesit për një pasaktësi në një shkrim të titulluar “Zogu i Zi si udhëkryq politikash” (Korrieri, 12 janar 2006) ku e kam interpretuar, me hamendje, emrin “Zogu i zi” si një emër që duhej të vinte nga një e kaluar parakomuniste, e që njerëzit ia ruajtën këtë emër pavarësisht nga emrat që i vuri regjimi, siç ka ndodhur në raste të tjera rrugësh apo vendesh. Ka pasur edhe pasaktësira të tjera lidhur me emrin e Zogut të Zi. Disa e kanë lidhur edhe me vendodhjen hipotetike të një shtëpije publike në atë zonë në kohë të Zogut të Parë. Në fakt, siç më shkruante një mik ish banor i lagjes rreth Zogut të Zi, ai rezulton të jetë emër i vënë në vitet 50 që i referohet nje lokali nate të Budapestit ku kishte lëvizje të dyshimta. Emri ka hyrë përmes një filmi hungarez që diku nga mesi i viteve '50 duhet të jetë shfaqur edhe në Tiranë dhe, për asosacion, i atribuohej lokalit qe ndodhej ne qoshe të pallatit të parë të rrugës së Durrësit, që deri vonë ka qenë një pikëtakim për të gjithë shoferët dhe dashnorët e pijes në Tiranë. Duket se edhe mungesa e një objekti të rëndësishëm në hapësirën nga gjimnazi "Q.Stafa" deri tek Shkolla e Partise, bëri që kjo zonë të shpëtoje nga emrat e tipit "21 Dhjetori", V.Shanto etj.
Kurse sot të gjithë bijem dakort se, kur themi “Zogu i Zi”, nuk kemi më parasysh as filmin hungarez, as lokalin e shoferëvë që tani është kthyer në supermarket, as sheshin afër tij, dhe as kohën e Enver Hoxhës, por një film të ri që është ende në xhirim e që ka të bëjë me mbikalimin monstër që ka mbetur atje i pambaruar dhe tërë historinë e polemikat rreth tij.Ja, pra, një shembull se si emrat ndryshojnë kuptim e simbolikë. E pikërisht ky ndryshim e pasurim semantikash, madje me një ritëm shumë të shpejtë kohët e fundit më bëri të ulem të shkruaj këto rradhë pas një kalimi tepër të ngadalshëm, tepër të nxehtë e tepër të pulhurosur mbi krateret hënore të Zogut të Zi, aq i ngadalshëm dhe aq stimulues sa më la kohë të kaloj me rradhë nëpër mendje tërë kuptimet e vjetra e të reja të atij emërvendi.Kuptimi i parë i ri që mori Zogu i Zi kur nga një shesh simpatik me gjelbërim pishash të larta në hyrje të rrugës së Durrësit u shndërrua në një monstër betoni ishte ai i korrupsionit të lidhur me katastrofën urbane të qytetit. Ai u bë një nga simbolet e sistemit të grabitjes së parasë nëpërmjet ndërtimit të monstrave që në vetvete janë të shëmtuara, që dhunojnë jetën e banorëve, duke dhunuar deri edhe fushëpamjen e tyre. Projekti i Zogut të Zi veç tjerash bllokon pamjen e Xhamisë dhe Sahatit, një nga gjetjet më fatlume urbane të projektuesve të hershëm të qytetit, por pikërisht sepse është monstër atje qarkullojnë shumë para që ua errësojnë fushëpamjen estetike projektuesve dhe ndërtuesve duke i bërë jo më të paaftë për të parë Xhaminë dhe Sahatin që nga fundi i Rrugës së Durrësit, por të paaftë për të parë deri edhe çfarë ka fill pas hundës së tyre. Ndërkaq, sa më shumë përqendrohej tek Zogu i Zi konfliktualiteti midis mazhorancës që bllokoi punimet për shkelje ligjore dhe opozitës që protestonte për këtë bllokim - sa në media e tek të huajt aq edhe mbi betonimet e pambaruara të Zogut të Zi - ai mori edhe një kuptim tjetër. Zogu i Zi me platformat e digat e stërmëdha prej betoni dhe me rrugën e shkatërruar ku makinat që kalojnë ngrenë një pluhurnajë të llahtarshme u bë simbol i Shqipërisë në vuajtje nga fakti se në vend se institucione demokratike ne kemi një lojë force midis dy palësh pa arbitër e pa shoqëri civile në mes. Pra u bë simbol i asaj se si ky vendi ynë shqyhet e shëmtohet e mbetet ashtu i shqyer për shkak të grindjeve permanente të forcave politike. Ai mund të shërbente fare mirë si platforma e një drame, e një fushëbeteje që rrënohet e degradohet nga topçinjë e dy ushtrive politike që zanat tjetër veç atij të topçiut nuk kanë. Në fakt e gjithë Shqipëria këto 15 vjet është shndrruar në një fushëbetejë kësisoj. Edhe të qënit të Zogut të Zi një udhëkryq, një pikë takimi që presupozon lidhjen e shumë rrugëve e që, në fakt, shënon shkëputjen e tyre e përforcon këtë semantikë. Mirëpo nuk kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe kjo semantikë e dytë sikur është zbehur, gjithë duke mbetur atje e shtresëzuar dhe dramatike për tu riaktivizuar në një moment tjetër. Ndërkaq Zogu i Zi po merr një kuptim të ri. Sa më shumë na bije të kalojmë atje aq më shumë sikur i harrojmë semantikat e tij të vjetra që të çojnë tek sistemi i korrupsionit, tek masakra urbane, madje edhe semantikën e konfliktualitetit të topçinjve politikë që prodhon shkretim dhe shkatërrim. Tashmë, edhe për shkak të kujtesës së shkurtër tonën, na bije më shumë në sy fakti se si atje nuk po ndodh asgjë, dmth ajo që dominon është braktisja e tij në fatin e vet. Tek Zogu i Zi nuk ka më as konflikte, as demostrata, as parrulla nga Mjafti, as veteranë, as policë ndërtimorë dhe as shkrime e lajme nëpër media. Atje ka një terren hënor që të bën të mendosh: çpo ç’bëjnë këta të qeverisë që nuk venë dorë këtu as për ta prishur as për ta ndrequr, as për ta shtruar të paktën pjesën poshtë me asfalt – se, ta hajë dreqi, nuk duhet të kushtojë aq shumë! Dhe ja, pra, se si Zogut të Zi i shtohet një semantikë e re që për disa, kryesisht mbështetës të ish pushtetarëve është paaftësia e qeverisë për të marrë vendime të shpejta e për të kryer disa punë, pra për të qenë efikase. Por për mendimin tim është semantika e një paaftësie më të madhe që i kapërcen përmasat dhe kompetencat e qeverisë. Zogu i zi është aty në atë gjendje katastrofike për të provuar se për t’i bërë luftë korrupsionit nuk mjafton të akuzosh e dënosh pushtetarë të korruptiuar, - çka megjithëse punë e rëndësishme dhe e vështirë duket se nuk është më e vështira - por duhet shumë më tepër. Duhet të ndërtohet një sistem tjetër i funksionimit të punëve që ato të mos bëhen në formë korruptive. Mjafton të kesh parasysh se partnerët ndërtues rrugësh të qeverisë janë po ata që kanë qenë partnerët e qeverive të mëparshme të korruptuara. Mjafton të kesh prasysh se sa rrugë kanë ndërtuar keq ata e sa të tjera nuk i kanë mbaruar fare. Nëse ata që do të fitojnë tenderin e shkatërrimit apo të asfaltimit apo të vazhdimit të ndërtimit të Zogut të Zi janë po ata, dhe me apo atë mendësi dhe mënyrë funksionimi të punëve, atëhere pavarësisht se janë ndryshuar ministrat apo kryeministri asgjë nuk mund të ndryshojë. Por nuk mjafton as vetëm ndryshimi i tyre. Nëqoftëse tërë marrdhëniet e ndërtuesve të rrugëve e tërë ligjet e tërë hallkat ku kalojnë tenderimet e prokurimet janë hartuar në funksion të këtij sistemi të korrupsionit atëhere është i gjithë sistemi që do riparë e rindërtuar. E kjo të çon menjëherë tek ideja se nuk mjafton vetëm qeveria për këtë ndryshim. Zogu i Zi qëndron atje ashtu siç ka qenë tash nëntë muaj duke bartur një semantikë të re: atë të provës më të gjallë të mosndryshimit të sistemit të korrupsionit që, po nuk u krye sa më parë, do të sjellë dështimin e qeverisë në formën e rrëzimit ose të kapjes së saj, e, për pasojë, çka është më e rënda, vazhdimin e mosndryshimit të Shqipërisë.(Korrieri, 17 qershor 2006)

No comments: