Wednesday, May 31, 2006

“Uji pa ngjyrë” dhe kovat e së majtës

Kujtdo që ndjek jo vetëm zhvillimet politike në Shqipëri, por edhe ato që ndodhin në vendin fqinj, që e njohim më mirë, Italinë, lëvizja e re që në median tonë quhet herë “shkrirja e së majtës” dhe herë “krijimi i federatës së të majtës”, nuk mund të mos i dalë parasysh një projekt që gatuhet çprej disa kohësh në Itali mbi krijimin e një partie të madhe të qendrës së majtë që mund të quhet “Partia Demokratike” e që është pjesë e një projekti për bipolarizimin përfundimtar të spektrit politik italian.
Krahasimi me projektin italian më duket i vlefshëm si një pikë referimi për të marrë në analizë shkrirjen e së majtës sonë.
Sipas analistëve të shtypit italian projekti i krijimit të partisë demokratike është një projekt që mbështetet fort nga ata që në Itali quhen “potéri fòrti” (sipërmarrësit e fuqishëm industrialë italianë) interesat e të cilëve i mbështet edhe gazeta më e madhe e më e vjetër e vendit “Corriere della Sera” ku një pjesë syresh janë edhe aksionistët kryesorë. Kuptohet, nuk bëhet fjalë për interesa se kush do të marrë tenderat, por për ndërtim politikash që shkojnë në kahen e interesave të tyre. Një nga interesat kryesore që kanë “potéri fòrti” në Itali për mbështetjen e krijimit të një partie të madhe të qendrës së majtë është se, duke u krijuar një Parti Demokratike, ku mendohet se do të shkrihen ish Partia Komuniste, sot DS, që në këto zgjedhje kapi 18 % me Margerita që është partia e krijuar nga pjesa e majtë e demokristianëve që në këto zgjedhje kapi afro 12 % mendohet se krijohet kështu një interlokutor shumë më i moderuar që nuk do të jetë më nën trysninë e të majtëve më radikalë që në këto zgjedhje shkuan afro tek 10 përqindëshi, të cilët, nga kndvështrimi i “potéri fòrti”, frenojnë reformat liberalizuese për të cilat ka nevojë vendi që të zhvillojë një ekonomi kompetitive në tregun global. Ky projekt mbështetet edhe nga ata që mendojnë se sistemi bipolar krijon shumë më tepër stabilitet dhe qeverisshmëri, por kundërshtohet nga ata që mendojnë se një shkrirje e ish komunistëve me ish demokristianët do të prekte shumë sensibilitetet historike e kulturore në bazën e të dy partive e, po ashtu, do të bënte që një pjesë e elektoratit të DS t’i bashkohet votuesve të Rifondacione Komuniste të Bertinotit kurse një pjesë e Margeritas të votojë për partitë e qendrës së djathtë ku ka hyrë pjesa tjetër e demokristianëve. Ndërkaq as që bëhet fjalë që Bertinoti dhe elektorati i tij i majtë të pranojnë të “shkrihen” në këtë projekt të formimit të Partisë Demokratike pasi këtë e quajnë një projekt që diktohet nga interesat e “potéri fòrti” dhe jo të asaj pjese të elektoratit që tradicionalisht ka përfaqësuar e majta.
Pa u zgjatur më tej në analizën e projektit italian, do të vemë re se në thëniet dhe kundërthëniet e këtij projekti bije në sy se politikanët lëvizin jo në emër të interesave të tyre personale apo të klanit të ngushtë, por të interesave shumë më të gjera dhe se, po ashtu, frenohen nën thirmat e forta të sensibiliteteve historike e kulturoe të partive e interesave të elektorateve të tyre.
Le të kthehemi tani tek projekti ynë i bashkimit të së majtës. Ajo që bije në sy në krahasim me projektin italian është pikërisht mungesa e interesave përtej atyre të protagonistëve të nismës për bashkim e të klaneve të vogla rreth tyre. Por ajo që veçanërisht bije më shumë në sy në këtë projekt shkrirjeje është mungesa e identitetit, të bazës (në një rreth më të ngushtë), e, në një rreth më te gjerë, të elektoratit. Bije në sy pra se këto parti (apo më mirë të themi krerë partish) elektoratin e kanë thjeshtë dhe vetëm si një ujë pa ngjyrë që e derdhin për të mbushur kovat që duan e që herë e derdhin në një kovë/parti e herë në një tjetër. Herë hedhin më shumë tek njëra e herë tek tjetra. Kësaj here duket se kanë vendosur ta derdhin në një fuçi të madhe të vetme. Në fakt edhe fenomeni i Dushkut e njëjta gjë ishte në thelb - nëse me Dushkun do të kuptojmë manovrimet/kombinacionet me trensferim elektorati të një grushti politikanësh për të marrë për veten dhe njerëzit rreth tyre sa më shumë vende, prandaj ky bashkim nuk duket veçse si një variacion i Dushkut. E gjithë retorika e Dushkut, veçanërisht në gojën e LSI-stave me Metën në krye, por edhe e Gjinushit në Dushkun e parë, ishte tradhëtia që i ishte bërë bërë elektoratit. Tani del se elektorati nuk e njeh ndjenjën e tradhëtisë e nuk ka asnjë lloj sensibiliteti historik e kulturor dhe ia ka dorëzuar veten, pa kushte, liderëve të vet duke ua lënë atyre të lirë të vendosin se në cilën kovë a fuçi do të derdhet. Dhe përderisa nuk kanë ngjyrë, as erë, nuk ka rëndësi se ku derdhen. I vetmi problem është se ata kanë interesa vëndesh pune në doganë, administratë e më the të thashë. Çfarë do të hanë njerëzit e Ramës e çfarë do të hanë njerëzit e Metës, po atyre të Nanos e Gjinushit mos vallë kësaj here do t’u mbeten thërrimet? Kjo është e vetmja çështje, por edhe atë e rregullojnë kapot. Prandaj marrja e vendimit që uji i elektoratit të majtë të derdhet i gjithi në një fuçi të vetme duket shumë i arsyeshëm. Në një farë kuptimi ky mund të quhet varianti më i mirë i Dushkut, sepse shpresojmë që - nëse ata nuk gjejnë ndonjë marifet – do të na kursejnë, të paktën, ato para që kemi paguar deri tani për të ashtuquajturat parti pa elektorat.
I vetmi problme që mbetet është ai i krijimit të një të majte të vërtet sepse vështirë të besojë kush se njerëzit më të pasuruar në Shqipëri sot për sot po bashkohen që të gjithë për të përfaqësuar e mbrojtur intresat e të nëpërkëmburve e grabiturve prej tyre. Por kjo është një çështje tjetër që pret.

P.S. Besoj se i njëjti arësyetim do të bëhet edhe nesër kur e djathta të vendosë të krijonë një parti të vetme të madhe. Edhe atëhere kam frikë se i vetmi problem që do të mbetet do të jetë krijimi i një të djathte të vërtetë. Por edhe kjo është një çështje që pret. (Korrieri, 28 maj 2006)


1 comment:

Anonymous said...

Pershendetje Z. Lubonja!
Kam lexuar shume nga shkrimet tuaja ne kete blog, shpesh flisni per te majten shqiptare duke e krahasuar ate me partite e tjera te majta europiane.
Vete ndjek nga afer shume nga ngjarjet qe ndodhin ne partine socialiste franceze. Qysh ne fillim me ka bere pershtypje fakti se arrivistet dhe furçaxhinjte nuk mungojne, perkundrazi jane me shumice.
Bile shpesh ata qe jane ne postet e larta jane me arrivistet, me manipulatoret dhe me karrieristet sepse gjate rruges se tyre kane nxjerre jashte loje shume shoke te tyre.

E njejta gje ndodh dhe me partite e tjera, ku aleancat dhe orientimet e partive ndryshojne nga te fryje era, me perjashtim te partive komuniste dhe ekstremiste te majta.

Prandaj mendoj se me shume se nje fenomen shqiptar fenomeni i "ujit pa ngjyre" eshte fenomen i pergjithshem neper europe.
Per sa i perket korrupsionit ai vecse eshte i spostuar ne sfera me te larta dhe nuk e prek fare qytetarin e thjeshte.

A mos valle jemi me afer europes se sa e mendojme?? Kuptohet, me rruge, uje e drita jemi akoma larg shume.