Monday, May 8, 2006

Hapja me Perëndimin ka lindur politikanë hibridë, tip centauri, minotauri, apo edhe mushke

Së fundmi ka gjetur një botim të zgjeruar një intervistë e historianit që është marrë me shqiptarët, Fischer, dhënë në VOA, ku ai duke përmendur autoritarizmin e Berishës, flet se duhet investuar në një brez të ri politikanësh, si Pollo, Meta, Rama. Si ju duket kjo deklaratë, dhe në përgjithësi, investimi që u bëhet nga jashtë, faktorëve vendas të politikës?

Qëndrimeve të të huajve ndaj zhvillimeve në vendin tonë në përgjithësi duhet tu fusim disa koeficientë përpara: njëri koeficient sipas meje është ai që duhet futur për shkak të njohjes sipërfaqësore të vendit tonë, por edhe për shkak të një njohjeje vetëm racionale të realitetit shqiptar nga ana e tyre. Me këtë të dytën (ku sipas meje hyn rasti i Fischerit) kuptoj një njohje të cilës i mungon njohja që quhet intuitive, që vjen nga prekja me tërë shqisat e realitetit, e që nuk mund të fitohet veçse duke e jetuar përditë një realitet, duke shkelur përditë në rrugët tona, duke folur me tërë njerëzit, e jo thjesht duke lexuar libra apo artikuj gazetash e duke takuar vetëm një kategori të shoqërisë. Një koeficient i dytë është ai që buron nga fakti se tek të huajt që e duan Shqipërinë, si Fischeri, ka një pozitivitet më të madh sesa tek ne sepse ata duan të gjejnë diçka pozitive, e kërkojnë atë, e për këtë pozitivitet i ndihmon edhe fakti se nuk e jetojnë përditshmërinë tonë me tërë streset dhe vështirësitë dhe shëmtimet e dëshpërimet që krijon ajo.
Ideja e nevojës së një brezi të ri për të ndryshuar është normale. E themi edhe ne brenda. Le më pastaj të huajt të cilët nuk arrijnë të kuptojnë se si ne jemi kthyer tek Berisha përsëri pas eksperiencës së 97-tës. Duhet ta kesh jetuar Shqipërinë ditë për ditë gjatë tetë vjetëve degjenerim të socialistëve për ta kuptuar këtë.
Të huajve kërkesa për të rinjtë u vjen më natyrshëm edhe për arsye se tek ata funksionon shumë më mirë mekanizmi i ndrrimit të brezave dhe i dialektikës së brezave. Një tregues kryesor që i dallon shoqëritë që ecin përpara nga shoqëritë që rrijnë në vend është se shoqëritë e zhvilluara priren për kah ndeshja e brezave shumë më tepër sesa për kah bashkpunimi me baballarët, çka ndryshe do të thotë se tek ato shoqëri të rinjtë janë shumë më pak të komprometuar e njëherësh të frustruar nga baballarët. Sigurisht nuk ka një ndarje me thikë, por sipas meje tek ne mbizotëron prirja për të imituar baballarët e kombit, ajo e “harmonisë” midis brezave.
E këtu mund të vij tek rasti i tre të përmendurve nga Fischeri si shpresë për ndryshim. Sipas meje edhe ata në tërësinë e tyre janë një ilustrim i dominimit të prirjes së imitimit të baballarëve, dmth. i së njëjtës kulturë të sjelluri e të ushtruari të pushtetit. Nëse do të bëja një krahasim të prototipeve që kanë në kokë Meta, Rama apo Pollo mund të thoja se Meta, me prirjet e tij autoritariste të shfaqura kur ishte kryeministër nuk mund të mos të të bënte të mendoje se adhuronte Mehmet Shehun, ndërkaq deliret paranojake dhe deri disa poza të Ramës të çojnë më afër prototipit të Enver Hoxhës kurse Pollo ka si prototip më të afërt Ramis Alinë.
E këtu vijmë tek një çëshje tjetër; se sa këto manifestime janë pjesë e karakterit të tyre dhe sa kjo sjellje e tyre modelohet nga kërkesa për t’iu përshtatur modelit të pushtetarit që ka në kokë shumica e njerëzve votën e të cilëve këta kërkojnë. Sipas meje këto të dyja nuk mund t’i ndash, kemi të bëjmë me dy anë të së njëjtës medalje. Prandaj dhe më shumë sesa nga individë ndryshimin unë e pres nga një ndryshim në tërësi i kulturës së shqiptarëve.
Por pyetja juaj të çon edhe tek një fenomen tjetër i shfaqur veçanërit në këtë periudhë hapjeje të Shqipërisë ndaj perëndimit ku, mes tjerash, është shfaqur fort edhe roli i perëndimorëve në lojrat tona. E kam fjalën për një fenomen hibridizimi që ka bërë të lindin disa specie të veçanta politikanësh, tip centauri, minotauri, apo edhe mushke: politikanë gjysma e të cilëve punon e funksionon sipas kërkesave të imitimit të baballarëve kurse gjysma sipas kërkesave të përdorimit të një gjuhe krejt tjetër për perëndimorët.
Më tipiku në këtë aspekt është Rama, njeri që e di gjuhën e perëndimorëve më mirë se kushdo tjetër dhe e përdor me ta më shumë se kushdo për të fituar simpatinë dhe mbështetjen e tyre, kurse më anë tjetër, gjithashtu, shfaqet me aftësi të jashtzakonshme prej baballarësh: autoritar e personalizues institucioni edhe më shumë se Berisha, delirant, gënjeshtar dhe manipulator politik, intrigant e i korruptuar si ata më të këqinjtë që ka nxjerrë politika shqiptare.
Problemi se sa këta hibridë janë një hap përpara i shoqërisë dhe sa janë pengesë për emancipimin e shoqërisë ha diskutim. Personalisht jam kundër kësi lloj hibridësh, sepse, sikurse ndodh përgjithësisht, rezultojnë sterilë si mushka, me paaftësi për të krijuar vazhdimësi, pasi nuk arrijnë të krijojnë lidhje të vërteta me njerëzit sepse edhe lidhjet me kulturën perëndimore që imitojnë i kanë superficiale dhe mbi të gjitha i përdorin për qëllimet e gjysmës tjetër.
Së fundi dua të shtoj se ne të keqen nuk e kemi patur nga mungesa e moshave të reja në politikë. Përkundrazi më duket se e kemi pasur nga prania e të rinjve në moshë që kanë pasur modelin e vjetër autoritar të pleqve në kokë bashkuar me energjinë dhe papërgjegjshmërinë e të rinjve. Është kombinimi më i keq i mundshëm në politikë.

Tre ditë më parë, ishte Dita e Lirisë së Shtypit. Nëse vemë prozhektorët mbi median shqiptare, çfarë dalloni ju në këtë sens. Sa të lira janë mediat, dhe këtu dua të shkëpus dy nënbashkësi, lirinë e botuesve dhe atë të gazetarëve.

Kur flasim për lirinë na del përpara një gjë shumë komplekse, sepse liria lidhet njëherësh me njohjen (nuk mund të jesh i lirë po të jesh i paditur), por lidhet edhe me pasurinë (nuk mund të jesh i lirë kur nuk ke bukë të hash), por lidhet edhe me karakterin (sepse mund të kesh edhe para edhe dijeni dhe prap të mbetesh skllav në shpirt), por lidhet edhe me krijimtarinë (Anna Harendt thotë se liria nuk konsiston në kundërvënien, sepse edhe ajo nënkupton një varësi, por në inisiativën, në aktin e lindjes, të krijimtarisë), por lidhet gjithashtu edhe me pushtetin (sepse një i pushtetshëm me një të papushtetshëm nuk janë njëlloj të lirë) e këto arësyetime e të tjera të çojnë në atë se çfarë sistemi është ai ku ka më shumë liri, sepse liria është diçka që lidhet edhe me faktin se ne nuk mund të jemi të lirë nëse të tjerët nuk janë të lirë, e prandaj po të jetosh në një diktaturë apo oligarki je shumë më pak i lirë sesa po të jetosh në një demokraci. E të gjitha këto janë aq të ndërliksura me njëra tjetrën sa duke kërkuar lirinë mund të futesh në një labirinth të shtigjeve të lirisë i cili rezulton pa fillim e pa fund.
Nëse do të afrojmë prozhektorin mbi pikën e këtij labirinthi ku ndodhemi ne e, më posaçërisht, ku ndodhet media e më posaçërisht se ku ndodhen botuesit dhe ku gazetarët do të thoja se me afrimin e parë, krejt afër, do të shihnim se kemi disa pronarë ose botues që sillen si padronë me gazetarët e tyre, pasi gazetën e duan me fytyrën e interesave të tyre e prandaj do të arrinim në konkluzionin se të parët janë të lirët dhe të dytët skllevërit. Por po ta largojmë edhe ca prozhektorin do të arrinim në konkluzionin se këta padronë janë pjesë e një regjimi oligarkik (e kam quajtur edhe regjim mediatik) dhe jo në një demokraci, e do të vëme re se këta shfrytëzojnë një pjesë të pasurisë së tyre për të mbajtur këto media e ndërkaq këto media i përdorin për të ruajtur pushtetin që u siguron para dhe rritjen e ruajtjen e pasurisë që kanë vënë. Gazetarët, veçanërisht ata që punojnë përditë në gazetë, në këtë regjim i shoh si të thuash si majorët, rreshterët dhe kapterrët e regjimit mediatik, pra të tjetërsuar nga roli që duhet të ketë gazetari në një demokraci dhe në një farë mënyre si instrumente të sundimit të oligarkëve mbi shtresën e gjerë. Megjithatë varësisht nga shkallët individuale të njohjes, sigurisë ekonomike, karakterit apo krijimtarisë i dalloj në më pak të lirë dhe më shumë të lirë, por gjithsesi brenda ushtrisë mediatike. Por, jashtë këtyre diferencave, a mund të thuhet se të parët janë më të lirë kurse të dytët janë më pak të lirë varësisht nga gradat, për të përfunduar tek të nënshtruarit e regjimit mediatik, populli i thjeshtë? Varet nga këndvështrimi dhe nga koncepti që kemi për lirinë. Mund të thuash edhe se ajo që mund të duket si liri më e madhe e gjeneralëve dhe më e vogël e majorëve, kapterrëve e me rradhë në një kontekst më të gjerë janë aspekte të një shoqërie të organizuar në formë vertikale ku mungon liria për të gjithë, sepse të gjithë tek e fundit shtypin njëri tjetrin. Por pesha më e madhe sigurisht bije tek ata që janë në fund.

Në "standard", është cekur në një editorial këtë javë, një ide që flet për integrim përmes denatyrimit. Analiza merr shkas nga disa raste që po përsëriten ku shqiptarë që jetojnë në Europë, po përfitojnë azil duke u paraqitur si homoseksualë. Këto raste sipas një kqyrjeje jo të hollësishme, sjellin tek njerëzit një reaksion të pakëndshëm, gati bezdi. Si e gjykoni ju lirinë seksuale në vendin tonë, dhe a mendoni se shoqëria jonë tradicionale do të gjejë mundësinë për të pranuar shpejt në gjirin e saj edhe homoseksualet.

Së pari dua të them se përdorja e termit “denatyrim” për homoseksualët është një gjë e papranueshme në botën e qytetëruar. Shpesh herë ne quajmë të panatyrshme gjëra që në fakt nuk janë kundër natyrës, por janë kundër kulturës me të cilën jemi rritur e edukuar aq sa na duket sikur janë pjesë e natyrës sonë njerëzore dhe kush është ndryshe ka diçka të panatyrshme. Por kur ndeshemi me kultura të tjera zbulojmë se sa relative janë disa gjëra që i kemi quajtur absolute. Edhe gratë në kulturën e shekujve të mëparshëm evropiane konsideroheshin si inferiore nga natyra. Mjafton të përmend Napoleonin që thoshte “natyra i ka bërë gratë skllavet tona”. Por të thuash sot në Evropë një gjë të tillë tingëllon qesharak.
Homoseksualët janë pjesë e larmisë së natyrës sonë njerëzore kurse përndjekja dhe persekutimi i tyre nga shoqëritë e mëparëshme dhe veçanërisht nga regjimet të tilla si komunizmi dhe fashizmi e të drejtat që ata gëzojnë sot në vendet më demokratike janë tregues se shkallaret e lirisë së njeriut edhe si realizim i lirive të tij seksuale janë të pafundme.
Prandaj nëse dikush që është heteroseksual paraqitet si homoseksual për të fituar në Evropë një privilegj që nuk e merr dot ndryshe ai thjesht mund të konsiderohet si gënjeshtar, imoral, i pakarakter njëlloj si një shqiptar që paraqitet si italian apo si rus apo si polak, apo si një musliman që ndrron emër e bëhet i krishterë.
Por rasti që përmendni ju mund të ketë brenda edhe një të vërtetë të hidhur që një pjesë nga ata shqiptarë të jenë vërtet homoseksualë, dhe, duke e ditur se në Shqipëri jeta për homoseksualët e deklaruar është shumë e vështirë, kanë kërkuar azil. Sipas meje problemi më i madh që ka vendi është me kategorinë e atyre që gënjejnë, sepse kush jeton me një identitet fallso nuk mund të ketë një jetë të vërtetë, ashtu sikurse edhe një vend që e detyron një njeri të fshehë identitetin e tij nuk është një vend ku njeriu mund të ketë një jetë të vërtetë.
Shoqëria jonë ka shumë sfida përpara në drejtim të lirive seksuale midis të cilave edhe ajo e pranimit të homoseksualitetit si diçka normale. Këto liri, do të ecin krahas njëra tjetrës si një flotë, sëbashku me gjithë ato që quhen të drejta dhe liri qytetare. Kjo flotë ka një rrugë të gjatë përpara, por fakti që arrijmë sot të flasim për këto tema që para jo më shumë se dy dekadash të kushtonin vite burgu, tregon se kemi bërë disa hapa përpara, që sipas meje duhen shpejtuar. (Rubrika Përpjekja, Standart 5 maj, 2006)

No comments: