Tuesday, February 28, 2006

Një jetë për jetën

Nuk gjeta titull më të bukur dhe më domethënës për këtë shkrim në kujtim të Prof. Dr. Shefqet Ndroqit sesa titullin që i ka vënë vetë doktori librit të tij me kujtime. Sepse ky titull flet jo vetëm për të vërtetën e jetës së tij, por të ngacmon shumë më tepër kur ke parasysh vendin dhe kohën ku rrodhi pjesa më e madhe e jetës së doktorit - duke na bërë ta krahasojmë atë me shumë jetë që nuk u vunë në shërbim të jetës dhe njerëzimit, por të vdekjes dhe çnjerëzimit.
U ula, pra, të shkruaj këtë rradhë në përkujtim të tij jo thjeshtë i nisur nga kujtimet dhe mbresat personale që i kam të shumta, sepse e kam njohur që në fëmijërin time, por sepse kujtimi i një jete si ajo e doktor Ndroqit nuk mund të mos të të ngacmojë nga ato mbresa e reflektime që ndjen nevojën t’i ndash me shoqërinë shqiptare sepse prekin thelbin e ekzistencës sonë në këtë vend. Jeta e tij prej mjeku të shquar, njëherësh aq publike dhe e heshtur, duke qenë një shembull i veçantë jete dhe një pikë e vyer dhe e rrallë referimi, ngjall plot reflektime për përvojat që kemi kaluar dhe për përvojat që po kalojmë, për vlerat që kemi nderuar e vlerat që nderojmë, për çka kemi harruar e çka duhet të kujtojmë.
Me 23 shkurt u mbushën pesë vjet që doktori është ndarë nga jeta. Doktori lindi në një vit me Shqipërinë e pavarur, më 1912 dhe ka vdekur më 2001. Një jetë e gjatë që u shua në moshën 89 vjeçare e që ka kaluar nëpër tre periudhat kryesore të historisë së Shqipërisë së pavarur: periudhën e Zogut, atë të komunizmit dhe një dekadë të Shqipërisë pas komuniste. I përket pra atij brezi shqiptarësh që rininë e ushqyen me ëndrra të bukura e të shumta për veten dhe shoqërinë shqiptare, që i panë shumë syresh të rrënohen gjatë 45 vjetësh diktaturë, por që edhe luftuan për t’i ruajtur dhe transmetuar, e që, në fund të jetës, mund të thoshin pa frikë se ishin mbijetues.
Nuk ka qenë e lehtë jeta nën diktaturë. Nuk ka qenë e lehtë veçanërisht të jetoje duke i shërbyer të mirës dhe jo të keqes. Nëse do të mendosh për fatin e shumë profesioneve dhe profesinistëve në Shqipëri do të thoja se ndër më fatlumët kanë qenë pikërisht mjekët, që nuk u është dashur as të dhunojnë, as të burgosin e të vrasin jetë; as të dhunojnë apo manipulojnë shpirtra njerëzorë, as t’i këndojnë gënjeshtrës, por të shpëtojnë jetë.
Ndër mjekët që kam njohur, nëse ka njeri që ka zhvilluar deri në përsosuri këtë art të shërbimit të jetës dhe së mirës në një regjim të së keqes ky është doktor Ndroqi. Siç tregon në librin e tij kur në Shqipëri filloi ndarja e atij që quhej Këshilli i Përgjithshëm Nacional Çlirimtar që çoi më pas në vëllavrasje e diktaturën komuniste, ai si mjek që i kuronte të gjithë, madje edhe të plagosurit e ushtrisë armike kur i qëllonte, vendos t’u shërbejë jetës dhe njeriut dhe jo t’u kundërvihet jetës dhe njeriut.
Dhe kështu filloi luftën kundër tuberkulozit në një vend analfabet dhe të mbytur nga sëmudjet e varfëria. Pa dyshim arma e tij e mbijetesës ka qenë profesionalizmi, kombinur me vullnetin dhe energjinë e pashoqe, por edhe humanizmi i thellë që kishte në rrënjët e vet edhe besimin fetar. Ndër kujtimet e shumta personale që kam me doktorin, falë faktit se me të birin e dytë, Petritin, jam rritur si shok i ngushtë klase, kujtoj dashurinë për dijen për shkencën për gjuhët e huaja që nuk reshtte së na i frymëzuari duke ia frymëzuar ato fëmijëve të tij më së pari, por edhe kur më rastiste ta takoja këtë njeri që e kujtoj gjithherë të zënë me punë. Kujtoj, po ashtu, vitin 1973-1974 kur familja ime u shpall familje armiku, ku shumë dyer na u mbyllën njëra pas tjetrës, kur shumë të njohur e miq bënin sikur nuk na shihnin e shumë të tjerë na shanin nëpër gazeta. Kurse familja e doktor Ndroqit mbeti gjithmonë e hapur deri ditën kur erdhën e më arresuan. Asokohe duke e ditur se shpejt a vonë policët do të vinin të na trokisnin në derë donim të ruanim librat që kishim si më të vyerit dhe ndër ta ishin 11 volume të Grand Larousse (Enciklopedia e Madhe Franceze) dhe tre vëllime “L’art e L’homme” (Arti dhe Njeriu). Nuk qe e lehtë tu gjeje strehë. Ato libra ndejtën 17 vjet në shtëpinë e dokor Ndroqit që ia dinte vlerën dhe kur ra diktatura na i kthyen të mirëmbajtur si një gjë të shtrenjtë.
Sot ka njerëz që thonë se diktatura ka bërë edhe punë të mira. Ka të tjerë që thonë se koha e saj ka qenë një kohë më e mirë sesa ky tmerr që po përjetojmë. Nëse është kështu, sikurse nuk besoj, sepse atë që po ndodh sot në tërësinë e vet e shoh si një vazhdimësi të së keqes që mbolli diktatura, alibia e saj do të ishte jeta dhe puna e palodhur dhe e heshtur e njerëve si doktor Ndroqi.

Jeta e doktor Ndroqit nuk mund të mos nxisë reflektime edhe për atë që sot mund të quhet kriza e vlerave e shoqërisë shqiptare, e ndër këto kriza ajo më tronditësja, mungesa e dashurisë për punën e vërtetë: një punë e cila fillon me studimin e thellë dhe serioz, dhe vazhdon tërë jetën si një ngritje e vazhdueshme e dijeve dhe arritjeve profesionale që të jep kënaqësi dhe që bëhet kuptimi i jetës.
Kështu ka qenë puna për Dr Ndroqin që nga dita kur vdekja e së ëmës në moshë të re e bëri të marrë vendimin të bëhet mjek e filloi pastaj studimet në universitetet franceze. Aq e thellë është kjo simbiozë e Ndroqit me punën e tij sa kush e ka njohur nuk mund të harrojë dy nga gishtat e tij të prerë për shkak të dëmtimit nga rrezet rëngen prej radioskopive të pafundme që ka bërë në jetën e tij në luftë me tuberkulozin. Dhe, kush ka lexuar librin e tij, do të shohë se ka kaluar edhe sëmundjet kundër të cilave luftonte si një ushtar në front, si tifua e tuberkolozi, sepse pashmangshmërisht ato qenë “vendi i tij” i punës dhe i luftës. Edhe i rezistencës ndaj diktaturës do të thoja. “Puna krijon një kallo kundër dhimbjes”, thotë Ciceroni. Edhe për doktorin, kundërshtar i heshtur i diktaturës, veç tjerash ajo ka qenë një kallo kundër dhimbjeve të mungesës së lirisë, edhe kundër dhimbjeve të ndarjes nga Franca ku jo vetëm kishte miqtë e rinisë e të studimeve universitare, por edhe një vajzë që e pa vetëm dy herë në jetë.
Sot Shqipëria po kalon ditë të vështira, sepse ka pak njerëz si doktori që punën serioze e bëjnë kuptim të jetës personale sa edhe të asaj publike. E kjo fatkeqësisht mund të thuhet edhe për mjekësinë së cilës ai i dedikoi jetën. Sot Shqipëria ka prirjen t’i harrojë njerëzit e saj më të mirë ngase vallja dhe muzika e së keqes vazhdon të thërrasë në skenë turlilloj sharlatanësh, imoralësh, mashtruesish e të paturpshmish.
Kur të mbarojë kjo valle dhe kjo muzikë e zhurmshme, e gjithë të dehurit nga vaniteti e shtirja do të treten në përbuzjen që meritojnë, figura të vërteta si dokor Ndroqi do të mbeten në skenë për të dëshmuar se e mira nuk e ka braktisur këtë vend edhe në kohët më të vështira. (Korrieri, 23 shkurt 2006)

No comments: